Reagimi/ PD: Rama, nxitësi kryesor i korrupsionit, 10 fakte që rrëzojnë “reformat” e Kryeministrit

0
114

Gëzim Saliu

Oerd Bylykbashi Bylykbashi: Të flasë Edi Rama për luftën ndaj korrupsionit është në vetvete një akt i pastër korruptiv

 Partia Demokratike reagoi dje ndaj deklaratave të bëra nga Kryeministri Rama në konferencën “antikorrupsion”, i cili, pasi akuzoi sistemin e drejtësisë, theksoi se qeveria ka nisur reformat që nuk do t’i lënë alternativë korrupsionit. Këto deklarata janë cilësuar si demagogjike nga ana e demokratëve, të cilët, përmes deputetit Oerd Bylykbashi, kanë bërë të ditur se ekzistojnë një tërësi faktesh, të cilat vërtetojnë se është vetë kreu i ekzekutivit favorizuesi dhe nxitësi kryesor i korrupsionit në vend. Ligjvënësi i PD-së theksoi nga selia blu se Kryeministri, ministrat dhe deputetët e majtë kanë gjunjëzuar të gjitha institucionet për të fshehur, sipas tij, korrupsionin që sot është shtrirë në çdo segment shtetëror. “Të flasë Edi Rama për luftën ndaj korrupsionit, është si të flasë Fidel Kastro për demokracinë. Edi Rama është aleati më i mirë sot i korrupsionit, sepse ai nuk zbaton vendimet e gjykatave. Edi Rama është aleati më i mirë sot i korrupsionit, sepse ka bërë të paktën 1400 tendera me prokurim të drejtpërdrejtë, pa garë”, – tha ai.

 

Deklarata

Për deputetin demokrat, korrupsioni nuk mund të gjejë mik më të mirë se Kryeministrin, kur, sipas tij, vota blihet me lekë dhe kur me ligj pushohet hetimi i kësaj çështjeje. “Korrupsioni nuk ka mik më të mirë se Edi Rama, kur ministri i tij abuzon me çdo aset shtetëror për dasmën e vet dhe kur pranon dhurata luksi pa deklaruar asnjë prej tyre. Ambasadori gjerman solli praktikën e vendit të tij, kur tha se dhuratat s’duhet të jenë më shumë se 25 euro, po kujt t’ia thotë këtë miku evropian, Edi Ramës, Erion Veliajt? Korrupsioni ka sot një strehë të sigurtë, qeverinë shqiptare, pasi dhjetëra persona me precedentë penalë, trafikantë çnjerëzorë, kanë kapur postet kyçe të shtetit”, – deklaroi Bylykbashi. Më tej, ligjvënësi i PD-së vazhdoi akuzat ndaj kreut të qeverisë duke pohuar: “Korrupsioni sot në Shqipëri nuk ka nxitës më të madh se Edi Ramën, i cili po shkon drejt pushtetit absolut duke kapur çdo institucion të pavarur. Cili institucion i gjunjëzuar sot do të kontrollojë pasuritë e Edi Ramës, ministrave e zyrtarëve të tij, cila drejtësi e gjunjëzuar sot do të hetojë korrupsionin e Ramës dhe njerëzve të tij? Të flasë Edi Rama për luftën ndaj korrupsionit, është në vetvete një akt i pastër korruptiv”. Partia Demokratike ka akuzuar për muaj me radhë mazhorancën e majtë për moszbatimin e vendimeve të gjykatave, gjë që, sipas saj, tregon se qeveria nuk respekton institucionet e pavarura. Ndërkaq, sipas demokratëve, edhe reforma në drejtësi përbën një tentativë të pastër të mazhorancës për të kapur sistemin. Për të kundërshtuar këtë, vetëm dy ditë më parë PD depozitoi në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për kundërshtinë ndaj paketës së qeverisë për drejtësinë. PD theksoi se ndryshimet në ligjin për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, atë “Për Shkollën e Magjistraturës” dhe ligjin “Për organizimin e gjykatave administrative” janë hartuar në mungesë të plotë transparence, në mungesë të konsultimit gjithëpërfshirës dhe konsultimit me partnerë ndërkombëtarë.

 

 Reforma në drejtësi/ Ristani: Po bëhet nga grupi i deputetëve të PS-së që kanë precedentë penalë

Deputeti demokrat Arben Ristani deklaroi dje se nisma e mazhorancës për reformën në drejtësi po bëhet nga grupi i deputetëve të PS-së, që kanë precedentë penalë.“Edi Rama ka thirrur në ndihmë deputetin Arben Ndoka për të reformuar drejtësinë.

I dënuari për trafik prostitucioni në rrethana rënduese dhe për rrëmbim personi, është në krye të firmëtarëve që kërkojnë shkarkimin e dy anëtarëve të KLD-së. Nuk ka asnjë dyshim që Edi Rama kërkon kapjen e drejtësisë. Firma e deputetit me precedent penal, e provuar botërisht me dokumeta, tregon qëllimin e vërtetë të Edi Ramës, që shkon në fakt përtej kapjes së institucionit.”, – tha Ristani. Më tej, deputet demokrat pohoi se me Arben Ndokën si nismëtar, por dhe me deputetë të tjerë me precedent penalë, kryeministri në fakt kriminalizon drejtësinë dhe e kthen atë sipas tij në shërbim të interesave vetiake. “Edi Rama i ka dhënë shansin e jetës deputetit të të tij të dënuar për vepra të rënda penale. I dënuari nga drejtësia, ka sot rastin të hakmerret ndaj drejtësisë që e dërgoi në burg, por ka edhe rastin të kërcënojë drejtësinë që e ka marë përsëri të pandehur. Të guxojë drejtësia ta dënojë përsëri sot, sepse ai i shkarkon nesër. Arben Ndoka, por dhe deputetë të tjerë me precedent penalë,  thonë se anëtarët e KLD-së, nuk mishërojnë vullnetin dhe besimin e tyre, ndaj duhet të largohen. Kjo është vajmedet për vendin tonë”, u shpreh Ristani. Në këtë kontekst, deputeti demokrat tha se ky skandal  është këmbana e alarmit për tatëpjetën që po merrr drejtësia në vend. “Aleanca e Ramës me krimin nuk kursen më asgjë, dhe këtë e bën faqe të gjithëve, para syve të opinionit publik dhe partnerëve ndërkombëtarë”, pohoi deputeti i PD-së.

 

 Miratimi në Komision/ PD: Me garancinë për CEZ-in, qeveria rëndon dyfish xhepat e shqiptarëve

Partia Demokratike, pasi bëri të ditur dje se mazhoranca miratoi në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë garancinë bankare për pagesën e 86 milionë eurove për CEZ-in, deklaroi se lajmi që u komunikua si një sukses i qeverisë do të rëndojë dyfish mbi xhepat e shqiptareve. “Do të paguhen tashmë 86 milionë euro, kur në të vërtetë, 500 milionë euro janë faturat e njohura dhe të papaguara nga CEZ në drejtim të kompanive shqiptare. Do të paguhen tashmë 86 milionë euro, por në fakt Shqipëria në një proces arbitrazhi do të kërkonte 3 miliardë USD dëmshpërblim për dëmin që CEZ i solli SEL si rezultat i thyerjes flagrante të kontratës së privatizimit. Do të paguhen tashmë 86 milionë euro dhe në të njëjtën kohë paralajmërohet rritje e çmimit të energjisë elektrike duke rënduar dyfish mbi xhepat e shqiptarëve. Do të paguhen tashme 86 milionë euro, si një akt i fundit i paprecedentë, kur interesat e Shqipërisë dhe shqiptarëve janë shkelur me të dyja këmbët, kur reputacioni i Shqipërisë është dëmtuar”, – tha Enno Bozdo. Nga ana tjetër ai pohoi: “Partia Demokratike do të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për të vënë përballë përgjegjësisë ata që e gatuan këtë skandal dhe që sot e shesin si sukses. Ne, kësaj çështjeje, do t’i shkojmë deri në fund, në respekt të ligjeve të vendit dhe të interesit më të mirë të Shqipërisë dhe shqiptarëve”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency