Reforma në drejtësi/ Mazhoranca e nis më 6 tetor, ligjet që përplasin Presidentin, qeverinë dhe Opozitën

0
130

Florenc Drizari

kld2Presidenti i Republikës kërkon nga Gjykata Kushtetuese: “Shfuqizimi, si i papajtueshëm me Kushtetutën, i nenit 7 të ligjit nr. 101/2014 për KLD-në, i ndryshuar”

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, çon mazhorancën në Gjykatën Kushtetuese për ndryshimet e bëra në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”. Nisma e kreut të shtetit vjen në kohën kur mes institucionit që ai drejton dhe mazhorancës parlamentare ka një përplasje qëndrimesh për anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Kërkesa për shkarkimin e anëtarit të KLD-së, Elvis Çefa, pritet të diskutohet në Komisionin e Ligjeve, ndërsa pak ditë më parë, një grup deputetësh dorëzuan pranë Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, kërkesën për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Elvis Çefa dhe Lulzim Lelçaj.

Kërkesa e Presidentit Republikës, Bujar Nishani, drejtuar Gjykatës Kushtetuese synon shfuqizimin, si të papajtueshëm me Kushtetutën, të nenit 7 të ligjit nr. 101/2014 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8811, datë 17.5.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, i ndryshuar.

Me anë të kësaj kërkese, Presidenti Nishani kërkon gjithashtu pezullimin e dispozitave të këtij ligji deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese si dhe i kërkon kësaj trupe që t’i drejtohet Komisionit të Venecias në mënyrë që të japë një opinion të specializuar në lidhje me ligjin në fjalë, referuar objektit të ankimit.

Në përfundim të argumenteve të parashtruara në kërkesën e tij, Presidenti i Republikës kërkon nga Gjykata Kushtetuese: Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën, i nenit 7 të ligjit nr. 101/2014 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8811, datë 17.5.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, i ndryshuar. Pezullimi i zbatimit të dispozitave të ligjit, objekt i kësaj kërkese, deri në hyrjen në fuqi të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Ky ligj u kthye për rishqyrtim në Kuvend nga Presidenti i Republikës me dekret, ndërsa thuhet se ndryshimi që sjell neni 7 i ligjit nr. 101/2014 “Për disa 2 shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8811, datë 17.5.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, i ndryshuar”, duke parashikuar se “Këshilli i Lartë i Drejtësisë, me propozim të Presidentit, zgjedh nga radhët e anëtarëve të zgjedhur nga Kuvendi një Zëvendëskryetar”, bie ndesh me nenin 147 pika 3 të Kushtetutës; i kufizon kompetencën Presidentit të Republikës, në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për të propozuar si Zëvendëskryetar cilindo nga anëtarët e këtij Këshilli dhe i heq të drejtën që i ka dhënë Kushtetuta anëtarëve nga radhët e gjyqësorit për t’u propozuar si Zëvendëskryetar i KLD-së.

“Zgjedhja e një gjyqtari nga anëtar të Këshillit të Lartë të Drejtësisë që janë zgjedhur nga trupa gjyqësore nuk është në kundërshtim me Kushtetutën dhe as jurisprudencën e saj referuar nenit 147/3 të Kushtetutës. Për më tepër, do të ishte një garanci më tepër për pavarësinë e sistemit gjyqësor si dhe për balancën e pushteteve, duke e ruajtur Këshillin e Lartë të Drejtësisë nga çdo abuzim politik apo ndërhyrje e mazhorancës parlamentare në ushtrim të funksioneve të KLD-së, duke pasur në konsideratë qëllimin në të cilin është krijuar”, – thuhet në shkresën e Presidentit Nishani drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

 

39 deputetë, pro shkarkimit të nënkryetarit të KLD-së

 Pak ditë më parë, mazhoranca kërkoi shkarkimin e dy anëtarëve të saj në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Duke mbledhur firmat e 39 deputetëve, grupi parlamentar i Partisë Socialiste dorëzoi në Kuvendin e Shqipërisë një kërkesë për shkarkimin e nënkryetarit të KLD-së, Elvis Çefa, si dhe të anëtarët Lulzim Lelçaj. Deputetët e mazhorancës thonë se kërkesën e tyre e kanë bazuar në disa shkelje të anëtarëve të KLD-së. Më konkretisht, deputetët rendisin 10 shkelje të rënda të ligjit, ku zëvendëskryetari Çefa dhe anëtari Lelçaj, me veprimet dhe mosveprimet, janë pjesë e tyre disa vendimeve të padrejta që janë marrë në KLD. Deputetët rendisin si argument të parë, lejimin e konfliktit të interesit në promovimin e vet anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Nënshkruesit e kërkesës së shkarkimit të Çefës dhe Lelçajt, argumentojnë se nuk është mbrojtur dhe mëshiruar prej tyre parimi kushtetues, që garanton kontrollin dhe balancimin e pushteteve. Në listën e shkeljeve deputetët e mazhorancës kanë shënuar zgjedhjen e anëtarit Gjin Gjoni, si anëtar i Këshillit drejtues të Magjistraturës.

 

Drafti/ Më 6 tetor nis reforma në drejtësi, mazhoranca fton kreun e shtetit në tryezë

 Reforma në drejtësi pritet të shqyrtohet publikisht nga mazhoranca në javën e parë të muajit tetor. Në këtë tryezë mësohet se është ftuar edhe kreu i shtetit, ndërsa pritet që të ketë përplasje qëndrimesh për sa i përket mënyrës së zhvillimit të kësaj reforme. Aktualisht, mes institucionit të Presidentit të Republikës dhe shumicës parlamentare ka një debat të hapur për çështjen e anëtarëve të KLD-së dhe projektligjit të ndryshuar së fundmi nga mazhoranca. Për reformën në drejtësi, qeveria ngriti një grup pune, pjesë e të cilit ishin ministri i Drejtësisë, ai i Brendshëm, ai për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe deputetë të majtë, ndërsa në Tryezën e Tretë të Dialogut të Nivelit të Lartë Shqipëri – BE, mësohet se është shqyrtuar mundësia e krijimit të një komisioni të posaçëm për këtë reformë, duke ia lënë në dorë Kuvendit realizimin e saj. Megjithatë, shpallja e reformës, ashtu siç ishte paralajmëruar nga Ministria e Drejtësisë, do të bëhet nëpërmjet një konference mbarëkombëtare, ku krah më krah do të jetë ekzekutivi dhe Presidenca. Për sa i përket opozitës, demokratët kanë një draft të tyrin për reformën në drejtësi, që pritet ta bëjnë publik në ditët në vijim. Ajo që bie në sy është fakti se para shqyrtimit të reformës në drejtësi, mes institucioneve qendrore të shtetit ka përplasje qëndrimesh për disa nisma të tjera që edhe pse nuk janë pjesë e drejtpërdrejtë e kësaj reforme, i përkasin fushës së drejtësisë dhe sistemit gjyqësor.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency