PD çon tri ligje në Kushtetuese/ Zbardhen argumentet e kundërshtisë. Halimi: Paketa për drejtësinë kërkon kapjen e sistemit

0
112

Gëzim Saliu

eduard halimi per mediat, kerkesa ne GJ.K “Paketa e ligjeve është hartuar në mungesë të plotë transparence, në mungesë të konsultimit gjithëpërfshirës dhe konsultimit me partnerë ndërkombëtarë”

 Partia Demokratik i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për paketën e ligjeve të miratuara nga qeveria, që lidhen me sistemin e drejtësisë. Përkatësisht, demokratët përmes deputeti Eduard Halimi depozituan dje në Kushtetuese ligjin për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, atë “Për Shkollën e Magjistraturës” dhe ligjin “Për organizimin e gjykatave administrative”, të tria ligje të miratuara në Kuvend, vetëm me votat e mazhorancës së majtë. “E gjithë kjo paketë është një paketë drejtësie, është një paketë ligjesh, e cila është hartuar në mungesë të plotë transparence, në mungesë të plotë të konsultimit gjithëpërfshirës dhe konsultimit me partnerë ndërkombëtarë, ashtu siç kanë kërkuar të gjithë organizmat ndërkombëtarë dhe në kundërshtim të hapur e në injorim të plotë të thirrjeve ndërkombëtare”, – u shpreh Halimi.

 

Kundërshtitë

Në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese për ligjin e KLD-së, PD argumenton se duke i kërkuar Presidentit që të zgjedhë nënkryetaren e KLD-së nga lista e Kryeministrit, merr kompetencën presidenciale. “Në nenin 7 të ligjit është ndryshuar formula kushtetuese e zgjedhjes së zëvendëskryetarit të KLD-së, duke parashikuar që: “Këshilli i Lartë i Drejtësisë, me propozim të Presidentit, zgjedh nga radhët e anëtarëve të zgjedhur nga Kuvendi një Zëvendëskryetar. Një tjetër ndryshim që paraqet probleme të theksuara mbi përputhshmërinë me standardet kushtetuese është ai i prezantuar në nenin 10 të ligjit, i cili ndryshon nenin 21 të ligjit ekzistues”, – thuhej në kërkesën e PD-së. Sa i përket ligjit për Gjykatën Administrative, sipas forcës më të madhe opozitare, ai është tërësisht antikushtetuese pas vendosen kompetenca kryeministrore për të emëruar ndihmësit ligjor të gjyqtarëve të Gjykatës. “Duke vlerësuar rregullimet ligjore të prezantuara nga neni 2 i ligjit nr. 100/2014, çmon se ato bien ndesh me nenet 4, 7 dhe 145 të Kushtetutës, duke cenuar drejtpërdrejt parimin kushtetues të ndarjes dhe balancimit të pushteteve dhe pavarësinë e pushtetit gjyqësor, si komponentë të rëndësishëm dhe kryesor të shtetit të së drejtës”. Një tjetër pikë që preket në këtë ligj nga ana e demokratëve është edhe neni 6 pika 2, i cili parashikon: “Ndihmësi ligjor ndihmon dhe këshillon gjyqtarin lidhur me përgatitjen e çështjes për gjykim dhe shqyrtimin gjyqësor, si dhe përgatit projekt-akte procedural të nevojshme për gjykimin. Me kërkesë të gjyqtarit, ndihmësi ligjor bën kërkime ligjore dhe përgatit opinione me shkrim për problematika ligjore të karakterit procedural dhe material që lidhen me çështjet në gjykim”. Sipas PD-së, për nga natyra e punës që kryen ndihmësi ligjor, kuptohet se nuk jemi përpara një funksioni të mirëfillte administrativ, por të një funksioni me tepër gjyqësor sesa administrative. Ndërsa sa i përket ligjit për Shkollën e Magjistraturës, deputeti demokrat Halimi tha se ai nuk synon gjë tjetër veçse ndryshimin e drejtimit të kësaj shkolle duke marrë kompetencën e Presidentit dhe ia dhënë Kryeministrit për emërimin e drejtorit të Shkollës së Magjistraturës. “Në nenin 10 të ligjit vendosen rregulla të reja dhe subjektive për pranimin e magjistratëve të rinj. Konkretisht, kandidatët që kualifikohen në fazën e parë duhet të kalojnë në një testim të lidhur me shëndetin mendor dhe psikologjik, të kryer nga një komision i ngritur nga Këshilli Drejtues i Shkollës së Magjistraturës në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë. Ndërsa neni 12 i jep ligjit nr. 97/2014 fuqi prapavepruese, duke parashikuar se anëtarët e Këshillit Drejtues, që parashikohen në nenin 6 pika 1, shkronjat “ç”, “d”, “e”, “ë”, “f”, “g” të ligjit, qëndrojnë në detyrë deri në datën 1 shtator 2014”, theksohet në kërkesën e PD-së drejtuar Gjykatës Kushtetuese. Tri ligjet e propozuara për pezullim nga Partia Demokratike u kthyen për rishqyrtim në Kuvend nga Presidenti Nishani, por mazhoranca i rrëzoi me shumicë votash që në seancën e parë të sesionit të ri dekretet e kreut të shtetit.

 

Argumentet kryesore të PD-së

Ligjin për Këshillin e Lartë të Drejtësisë – Në nenet 3-6 të ligjit janë shtuar dhe ndryshuar rregullat për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ku në ndryshimet e miratuara, legjislatori është kujdesur vetëm që të heq kompetencën e KLD për të konstatuar shkeljen apo papajtueshmërinë, duke lënë të pa rregulluar procedurën që ndiqet në një rast të tillë. Është e qartë, që Kuvendi kërkon që procesin e konstatimit të shkeljes apo papajtueshmërisë për anëtarët e zgjedhur prej tij ta realizojë vetë.

Ligji “Për organizimin e Gjykatave Administrative” – Neni 6 pika 2 e ligjit për ndihmësin ligjor përbën një ndërhyrje të pushtetit ekzekutiv, në përputhje me parimin e pavarësisë së sistemit gjyqësor. Legjislatori gabimisht e ka trajtuar ndihmësin ligjor njëlloj me kategorinë e nëpunësve të tjerë të administratës gjyqësore, duke i njohur rol thelbësor në organizimin e provimit të rekrutimit Ministrit të Drejtësisë.

Ligji “Për Shkollën e Magjistraturës” – Neni 1 i ligjit parashikon ndryshimin e formulës përbërëse të Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës, i cili është organi më i lartë drejtues i këtij institucioni të pavarur të krijuar me ligj. Në nenin 3 të ligjit është përcaktuar ndryshimi i formulës së emërimit të srejtorit të Shkollës së Magjistraturës. Kuvendi zëvendësoi procedurën plurale të përzgjedhjes së Drejtorit të Shkollës së Magjistraturës, që kishte në esencë kooperimin institucional të Shkollës dhe KLD, me një procedurë ekskluzivisht të organeve të brendshme të Shkollës. Në nenin 10 të ligjit vendosen rregulla të reja dhe subjektive për pranimin e magjistratëve të rinj.

 

Plagosja në shkollën e Vlorës/ PD: Tregues i keq për gjendjen e rendit dhe arsimit

Partia Demokratike denoncoi dje plagosjen që ndodhi në një shkollë në Vlorë, ku përmes koordinatores për media, Silvi Bardhi, tha se kjo përbën një ngjarje të rëndë që shënon një tregues të keq për gjendjen e rendit, por edhe të arsimit në vend. “Ngjarja kriminale e ndodhur sot në shkollën e Gjormit në Vlorë, ku djali i mësueses kujdestare qëlloi me pistoletë bashkëmoshataren e tij, është treguesi i gjendjes së rendit në vend, tregues i gjendjes së arsimit në vend. Kur djali i mësueses kujdestare shkon me pistoletë në shkollë dhe qëllon një nxënëse, janë goditur dy kolonat që mbajnë një shoqëri, rendi dhe arsimi”, – tha ajo. Ndërkaq, PD vijoi më tej akuzën e saj, duke theksuar se ngjarja bëhet edhe më e rëndë, kur policia tenton që të bëjë hetimet në favor të autorit, duke e mbrojtur atë, sipas Bardhit, sepse familja e tij është aktiviste e Partisë Socialiste.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency