Intervista/ Berisha: Jam ndarë njëherë e përgjithmonë nga lidershipi dhe grupi udhëheqës i PD-së

0
116

“Kuvendi Kombëtar i PD-së është moment historik, 8 mijë delegatët, një zhvillim i panjohur më parë”

???????????????????????????????????????????????????????????????????????????????????????????????????????????????????????????????????????????????????????????????????????????????????????????????????????????????????????????????????? Ish-kryeministri i vendit Sali Berisha deklaroi dje se pas dorëheqjes së dhënë një vit më parë nga detyra e kreut të Partisë Demokratike nuk do të ketë më kthim pas. Në një intervistë për “Ora News”, deputeti demokrat, në përgjigje edhe të supozimeve të ndryshme, theksoi se pas vendimit të dorëheqjes ai ka bërë të qartë se nuk do të jetë më as pjesë e grupit udhëheqës të PD-së. Po ashtu, Berisha komentoi vizitën e Papa Françeskut dhe mesazhet e tij, si edhe aktualitetin politik në vend pas bojkotit të opozitës.

 

Sa vend mund të zënë në vendin tonë mesazhet e Papës, duke përfshirë në këtë mes edhe politikën?

Unë mendoj se ata që besojnë se politika shqiptare do t’i kapitalizojë ata, druaj se do mbeten të zhgënjyer. Sinjalin më të parë e dhanë qeveritarët e sotshëm, kur i lejuan vetes, i lejuan vetes që në prag të vizitës, të parakalojnë në Gjirokastër me portretet e Enver Hoxhës; të parakalojnë në Pezë me portretet e diktatorit mizor duke i thënë indirekt Papës se firmat e etërve tanë janë në torturën, ekzekutimin, martirizimin e këtyre 40 shenjtorëve të ardhshëm dhe qindra mijëra të tjerëve ndaj dhe mos na i sulmo. Nuk kishte mesazh më të përçudnuar sesa mund t’i dërgonin Atit të Shenjtë, por edhe mbarë botës, në prag të vizitës së tij. Së dyti, druaj se ata që besojnë se do të kapitalizohen, do të zhgënjehen, sepse Edi Rama ka një projekt, projektin e Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror: “Të gjitha pushtetet në dorën e tij”. Dhe këtë po e fakton çdo ditë, duke zhveshur dhe duke marrë kompetencat e të gjitha institucioneve. Druaj shumë se ata që mendojnë se do të kapitalizohen, do të zhgënjehen, sepse kjo administratë, jo rastësisht – këto institucione të kësaj mazhorance – janë të mbushura me vrasës, trafikantë, pengmarrës, në parlament dhe kudo. Pra, njëlloj si në administratën hoxhiste. Por në administratën hoxhiste ata vinin nga lufta, kurse në administratën e Edi Ramës vijnë nga Malavita, vijnë nga bota e krimit. Ndaj dhe, ndonëse do të doja shumë – do të doja shumë që në interesin më të mirë të çdo qytetari shqiptar, kjo vizitë të kthehej në një mirësi afatgjatë për shqiptarët – druaj shumë se me bllokmenët në pushtet, qytetarët shqiptarë do të mbeten të zhgënjyer.

 

Bashkëpunimi dhe dialogu, tha Papa, është një çelës i suksesit për të ecur përpara për proceset integruese, por edhe për zhvillimin e vendit. A mund të themi se palët politike sot në Shqipëri e praktikojnë dialogun dhe bashkëpunimin? Duhet të theksojmë se opozita vazhdon të ketë një bojkot prej disa muajsh dhe nuk është pjesë e diskutimit politik.

Sepse Kryeministri vetë, dhe jo kush tjetër, merr përsipër të organizojë “dajakun” në Parlament ndaj opozitës; sepse Kryeministri vetë dhe askush tjetër merr përsipër të shkelmojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, të cilat urdhërojnë mazhorancën të zhbllokojë Komisionin hetimor parlamentar për vjedhjen e serverit, të zbatojë vendimin për nëpunësit civilë. Pra, dialogu kërkon dy vetë. Opozita ka qenë, është dhe mbetet e gatshme për dialog, por qeveria i përgjigjet kësaj kërkese me dhunim të të drejtave kushtetuese të opozitës, i përgjigjet kësaj kërkese me organizimet direkt, personalisht nga Kryeministri, të dhunës ndaj deputetëve që flasin haptas dhe denoncojnë praninë e vrasësve, trafikantëve, pengmarrësve në Parlament.

 

Kjo javë është mjaft e rëndësishme për forcën politike që ju keni udhëhequr prej shumë vitesh. Si e shikoni Kuvendin Kombëtar të PD-së që do të mbahet këtë fundjavë?

Unë e shikoj si një moment historik për PD-në dhe si një risi të vërtetë. Partia Demokratike vjen në këtë Kuvend pas një ristrukturimi të plotë nga seksionet gjer në kryesitë e degëve; vjen për të zgjedhur forumet drejtuese, por vjen kësaj here me një trupë zgjedhëse më të gjerë se kurrë në historinë e këtij vendi, pasi ka zgjedhur kryetarin me votën e çdo anëtari; ka zgjedhur Këshillin Kombëtar me 8 mijë delegatë. Faktikisht, është një lloj konvente e re që PD-ja nuk e ka njohur më parë.

 

Ju thatë se është një ristrukturim i plotë i kësaj force politike. A ka ndikim ish-kryetari në këtë ristrukturim?

Absolutisht! Ish-kryetari e sheh me shumë interes këtë proces për të ardhmen e PD-së, por pa asnjë lloj implikimi të tij. Ky është proces ku përgjegjësinë e kanë dhe do ta mbajnë kryetari dhe ata që do të udhëheqin Partinë Demokratike. Unë, nga ky grup, jam ndarë njëherë e përgjithmonë.

 

 Denoncimi/ PD, Kryeministrit: Pse krahu juaj i djathtë në Kavajë është dënuar për trafik droge?

Partia Demokratike iu drejtua dje me disa pyetje kreut të qeverisë, Edi Rama, duke denoncuar rastin e qytetit të Kavajës. Përmes një deklarate nga selia blu, deputeti demokrat Arben Ristani pohoi se Kryeministri risolli dhe një herë fjalën e harruar rilindje në një shëtitje që bëri në Kavajë. “Sot kudo në Shqipëri, rilindja është burim barsaletash, por në Kavajë, ka edhe një arsye më shumë për të mos e besuar Edi Ramën. Dhe arsyeja është rilindasit që ishin në krahun e djathtë të Kryeministrit. Kemi sot disa pyetje për Edi Ramën. A është personi në krahun tuaj të djathtë (tregojmë fotot në ekran) pra Gentian Daja, që i keni besuar Partinë Socialiste të Kavajës dhe i keni dhënë Drejtorinë Rajonale të Tiranës për shërbimin e transportit rrugor, një person me precedentë të fortë penalë?”, – pyeti Ristani. Më tej ai vazhdoi pyetjet, duke pohuar: “Z. Rama, a është krahu juaj i djathtë për Kavajën dhe transportin e Tiranës, person i dënuar në Kazerta të Italisë për trafik droge? Z. Rama, është kryetari juaj për Kavajën dhe shefi i transportit për Tiranën, person i dënuar në Frankfurt të Gjermanisë për trafik droge? Kavaja, por edhe më gjerë, e njohin mirë kryetarin dhe shefin tuaj të transportit. Është mirë që të bëni transparencë për rilindasin tuaj që ta njohin më mirë të gjithë qytetarët”, – përmbylli reagimin e tij deputeti i PD-së, Arben Ristani.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency