Qëndrimi për bojkotin/ Basha: Parlamenti është asgjësuar, s’bëhemi fasadë e oligarkisë

0
140

Gëzim Saliu

Basha me qytetaret vlonjate Takimi me qytetarët vlonjatë, Basha: Gjendja në këtë qytet është alarmante dhe katastrofike, asnjë vend i ri pune, shqetësim siguria

Kreu i partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaron se Parlamenti i vendit është asgjësuar dhe se në të aktualisht ekziston vetëm një asamble njerëzish. Pas një takimi që zhvilloi me intelektualë dhe qytetarë të Vlorës, kryedemokrati u pyet dje nga mediat lidhur me bojkotin e opozitës si edhe mundësitë e rikthimit të saj në Kuvend, gjë për të cilën Basha theksoi se PD nuk mund të kthehet në një fasadë të qeverisë në kohën, kur kjo e fundit, siç theksoi ai, ka humbur instrumentin e llogaridhënies. “Parlamenti është asgjësuar nga Edi Rama dhe Ilir Meta. Është asgjësuar në dy mënyra. Llogaridhënia parlamentare nuk ekziston më. Nuk ka asnjë instrument të llogaridhënies parlamentare. Opozitës i është mohuar e drejta kushtetuese e komisioneve hetimore, edhe kur këtë e ka konfirmuar me vendim të Gjykatës Kushtetuese. Dhe së dyti, instalimi në Parlament i një instrumenti të dhunës të përbërë nga persona të dënuar për trafiqe, prostitucion dhe vrasje, për t’i mbyllur gojën opozitës, tregon qartë se mazhoranca nuk ka për qëllim të ketë një Parlament funksional, por ka për qëllim të ketë një opozitë fasadë. Partia Demokratike nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë kurrë fasadë e oligarkisë apo autarkisë”, – tha ai. Në këtë kontekst, Basha bëri të ditur se opozita nuk ka lënë asnjë boshllëk në detyrat e saj, pasi theksoi shefi i opozitës, PD jo vetëm që ka marrë pjesë në debatin politik përmes diskutimit të axhendës së Kuvendit, por ka folur edhe për çështjet që shqetësojnë shumë shqiptarët, që ka të bëjë me mirëqenien, punësimin e gjendjen ekonomike. “Ndërprerja e marrëdhënieve me Parlamentin është pikërisht për të fokusuar vëmendjen tek nevoja për të rikthyer Parlamentin sepse sot Parlament nuk ka. Ka një asamble njerëzish aty, disa prej të cilëve me të kaluar kriminale, apo me lidhje kriminale sot, por Parlament nuk ka. Dhe kam bindjen e plotë se me forcën e argumenteve, me objektiv interesin publik dhe jo interesin politik të opozitës apo të Partisë Demokratike, me mbështetjen e fuqishme të qytetarëve shqiptarë dhe faktorit ndërkombëtar, do t’ia dalim ta shpëtojmë Shqipërinë nga kjo mynxyrë që është asgjësimi i Parlamentit dhe jetës parlamentare”, – deklaroi kreu i PD-së.

 

Takimi

Ndërkaq, më parë në selinë blu, në sallën e mbledhjeve të grupit parlamentar, kreu i PD-së së bashku me deputetët e qarkut të Vlorës priti dje intelektualë dhe qytetarë të këtij qyteti, që shprehën shqetësimin për sigurinë dhe mungesën e vendeve të punës. Nga ana e tij, Basha theksoi se situata në Vlorë, ku deputeti i parë është Kryeministri Rama, është alarmante. “Sot (dje) zhvillova një takim me qytetarët e Vlorës për të ndarë shqetësimin për gjendjen në Vlorë, për gjendjen në raport me sigurinë e jetës, me paligjshmërinë e panumërta, për gjendjen ekonomike, të shpunësimit masiv. Gjendja në Vlorë është alarmante, katastrofike. Asnjë vend i ri pune nuk është hapur, bizneset nën presionet e taksave kanë mbyllur vende pune. Mijëra vende pune janë flakur nga radhët e administratës”, – tha kreu i PD-së. Më tej Basha pohoi se askush nuk mund ta urojë si një ëndërr të keqe praninë në krye të qarkut të Vlorës të njeriut të akuzuar në Itali për tentativën e rrëmbimit të një vajze 12-vjeçare, “i cili sipas gazetave, sipas shtypit italian, citohet të ketë thënë se do të kishte qenë mirë ta kishin vrarë vajzën, sepse kështu provat nuk do të ishin gjetur. Asnjë vend i ri pune nuk është hapur në Vlorë. Mijëra burra dhe gra, të rinj dhe të reja, janë flakur nga radhët e administratës por për t’u hapur rrugën jomilitantëve të Partisë Socialiste, por një klientele që përzien bashkë njerëzit pa asnjë meritë, që sot emërohen Drejtorë të Spitalit Psikiatrik, nesër kapen me shkelje, largohen, dhe pasnesër emërohen drejtorë të ALUIZNI-t dhe lartësimin e krimit dhe njerëzve të lidhur me të nga ana tjetër”. Në këtë kontekst, kryedemokrati tha se oferta e përditshme e Kryeministrit Rama për vlonjatët dhe për të gjithë qytetarët është e ardhme e pasigurtë dhe ekonomi e dobët. “Qytetarët, sot pas një viti, kanë të drejtë t’i bëjnë vetes këtë pyetje: Ai ishte ky ndryshimi për të cilin votuam në 23 qershorin e një vit më parë? Vlonjatët nuk janë asnjëherë pa përgjigje dhe jam i bindur se kjo revoltë e ligjshme, ky shqetësim i thellë që ka kapluar Vlorën dhe vlonjatët e që m’u përcoll sot përmes gojëve dhe mendjeve të qytetarisë vlonjate, të intelektualëve vlonjatë, do të di që përgjigjen ta bëjë publike, me zë të lartë, ashtu siç di dhe ka ditur gjithmonë Vlora”, – deklaroi kreu i PD-së Lulzim Basha.

 

 Kreu i PR-së/ Mediu: Vendi i opozitës është në Parlament, por duhet me urgjencë të rikthehet funksionaliteti

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, deklaroi dje vendi i opozitës është në Kuvend. Sipas tij, të gjithë qytetarët duan një Parlament funksional dhe se opozita nuk e pranon realitetin e krijuar në Kuvend. “Kam bindjen që vendi i opozitës është në Parlament. Të gjithë qytetarët shqiptarë duan një Parlament funksional dhe një parlament funksional është një Parlament që respekton rregulloren e vet dhe Kushtetutën. Por praktika ka treguar se Parlamenti përdoret më tepër për interesa politike që bien ndesh me Kushtetutën. Gjykata Kushtetuese ka provuar disa herë radhazi, qeverisjen dhe Parlamentin që ka qenë në shkelje flagrante të Kushtetutës dhe është vënë re tendenca që në mënyrë të hapur mazhoranca të refuzojë të zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, – u shpreh Mediu për “News 24”. Më tej, kreu i Partisë Republikane theksoi se mazhoranca po ndjek një rrugë ku nuk pyet për ligjet dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, ku ndërkohë, sipas Mediut, opozita kërkon që të respektohet dhe të zbatohen vendimet e kësaj Gjykate. “Janë një seri gjërash ku mazhoranca i është futur një rruge ku nuk do të pyesë jo vetëm për zërin e opozitës, por as për vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Ka tendenca për të marrë pushtet nga Presidenti i Republikës. Janë një seri problemesh që e detyruan opozitën të vendoste një marrëdhënie të kushtëzuar me Parlamentin”, – u shpreh ai.

 

 Takimi me delegacionin e Kongresit Hebre/ Nishani u bën thirrje bizneseve izraelite të investojnë në Shqipëri

 Shqipëria ofron mundësi të mëdha për thithjen e investimeve të huaja nga ana e investitorëve izraelitë. Kështu u shpreh dje Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, gjatë një takimi me delegacionin hebre të rangut të lartë, të kryesuar nga ambasadori Ronal S. Lauder, President i Kongresit Botëror Hebre dhe Julius Meinl V, President i Kongresit Euro-Aziatik Hebre, të cilët do të marrin pjesë në forumin e biznesit që po zhvillohet në Tiranë. Kreu i shtetit, shprehu falënderimin dhe mirënjohjen e Shqipërisë e të shqiptarëve ndaj ndihmës dhe mbështetjes që kombi dhe shteti i Izraelit kanë dhënë ndaj vendit tonë përgjatë këtyre viteve. “Marrëdhëniet e Shqipërisë me Izraelin janë të shkëlqyera dhe kjo është falë dhe sakrificave të popullit shqiptar që rrezikoi jetën duke mikpritur, mbrojtur dhe strehuar qytetarë të ndryshëm hebrenj, të cilët gjetën shpëtim në Shqipëri gjatë Luftës së II Botërore, prandaj institucionet shtetërore të të dyja vendeve duhet të vijojnë punën për të rritur akoma më tej këto marrëdhënie”, – u shpreh ai. Një vend të rëndësishëm në bashkëbisedim zuri dhe bashkëpunimi në fushën e kulturës, për ndërmarrjen e disa nismave konkrete kushtuar viktimave të popullit hebre përgjatë Luftës II Botërore si dhe atyre që promovojnë tolerancën dhe harmoninë fetare në Shqipëri. Në vijim, bashkëbiseduesit ndanë mendime të njëjta për mundësitë që Shqipëria paraqet për thithjen e investimeve të huaja, specifikisht të investitorëve izraelitë, si një mundësi e mirë për biznes ashtu dhe për përmirësimin e imazhit të Shqipërisë në botë.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency