Anëtarët e Ekonomisë dhe Ligjeve/ PD, grup pune për prokurimet e drejtpërdrejta të qeverisë: 1400 dosje në Prokurori

0
118

Gëzim Saliu

komisionet e pd Bode: Zero transparencë, nuk ka garë, por pazare për tenderat. Bylykbashi: 3.3 miliardë lekë të reja për kompanitë afër qeverisë

 Partia Demokratike, përmes grupeve të punës të ngritura për prokurimet publike të qeverisë, do të informojë partnerët ndërkombëtarë për mungesën e transparencës si edhe do të dërgojë konkluzionet e 1400 dosjeve në Prokurorinë e Përgjithshme. Anëtarët e Komisionit të Ligjeve dhe të Ekonomisë së Partisë Demokratike u mblodhën dje në mjediset e selisë së PD-së dhe diskutuan për ndryshimin që po bën qeveria në ligjin për prokurimet publike. Duke i cilësuar ndryshimet e ligjit si një problem periferik, anëtarët e komisioneve shprehen shqetësimin për mungesën e transparencës që po ndodh me prokurimet publike, duke vendosur ngritjen e dy grupeve të punës, me deputetë dhe ekspertë. Kështu, grupi i parë i punës do të informojë partnerët ndërkombëtarë për mungesën totale të transparencës në lidhje me prokurimet publike, ndërsa grupi i dytë i punës do të analizojë mbi 1400 praktika të prokurimit të drejtpërdrejtë që ka bërë qeveria, ku ka dyshime serioze sipas demokratëve, për korrupsion aktiv.

 

Reagimet

Sipas deputetit demokrat Ridvan Bode, prej muajsh në sistemin e prokurimit publik vetëm aplikohet për të marrë pjesë në tendera, pa pasur asnjë raport tjetër dhe ku asnjë e dhënë tjetër nuk funksionon më, si portali i analizave, i raportimeve, i ankesave dhe i çështjeve të tjera që kanë të bëjnë me transparencën e përdorimit të fondeve publike. “Së dyti, procedurat e prokurimit me negocim, pa një konkurrencë të hapur në tenderat publike. Nga një mundësi ekstreme që ishte parashikuar në ligj për raste emergjente dhe me përvoja të paparashikuara, është shndërruar tashmë në një rregull të përgjithshëm të prokurimit të fondeve publike. Ne kemi të dhënat e periudhës shtator-dhjetor dhe janar-maj të këtij viti për këtë lloj prokurimesh dhe rezulton që në këtë periudhë ishin realizuar 136 tendera të tillë pa prokurim, pa garë por me negocim”, – u shpreh Bode. Më tej, ai tha se në 1141 raste, administrata qendrore, ministritë nuk kanë bërë prokurime por negociata: “Pazare për të lidhur kontrata me kompanitë e preferuara nga ana e qeveritarëve. Kjo gjë ka sjellë që në tendera të mos ketë konkurrencë dhe garë dhe i gjithë fondi limit i akorduar në këto kontrata fituese u është dhënë si fitues kompanive pjesëmarrëse”. Ndërsa deputeti tjetër demokrat, anëtari i Komisionit të Ligjeve, Oerd Bylykbashi, deklaroi se rreth 1300 procedura janë të tëra me negociim pa shpallje, dhe mbi 1100 procedura janë me negocim pa shpallje nga janari deri më sot. “Vlera totale, rreth 3,3 miliard të reja, që dihet që janë të gjitha para të taksapaguesve shqiptar, shpërndahen në mënyrë klienteliste nëpërmjet këtij sistemi që është përjashtim nga rregulli, dhe nuk mund të jetë rregulli kështu si po e kthen qeveria procedurën e prokurimit. Në këtë mënyrë e kanë riskun shumë të lartë për tu abuzuar dhe rënë pre e skemave korruptive”, – u shpreh ai. Në këtë kontekst, Bylykbashi pohoi se me një urdhër të Agjencisë të Prokurimit Publik detyrohet të arkivohen menjëherë të gjitha procedurat sapo mbyllet kontrata, ku më parë sipas tij këto qëndronin një vit. “Është pikërisht për shkak të kësaj mungese transparence dhe këtij qëllimi klientelist dhe korruptiv që në mënyrë masive përjashtohen në procesin e tenderimit kompanitë me vlerën më të ulët dhe në mënyrë të rregullt kontratat i marrin kompanitë që renditen të fundit në konkurrim, për shkak se kanë vlerën afër vlerës limit”, – deklaroi deputeti i PD-së Bylykbashi.

 

 Reagimi ndaj deklaratës/ PD: Me akuzat ndaj ambasadorëve shqiptarë, Rama fyen shqiptarët

Partia Demokratike reagoi dje përmes deputetit Aldo Bumçi ndaj deklaratave të Kryeministrit Rama për diplomatët shqiptarë, të cilat i dënoi si të papranueshme dhe fyese për shqiptarët. “Sot (dje) Kryeministri Rama ka bërë një deklaratë të rëndë, të papranueshme. Ka ofenduar dhe sulmuar ambasadorët dhe diplomatët shqiptarë. Të gjithë e mbajnë mend se si përpara 6 muajve, në takimin vjetor të trupit diplomatik, ai i quajti ata hajvanë dhe injorantë. Sot në një aktivitet, që s’kishte lidhje me diplomacinë dhe politikën e jashtme, jashtë çdo konteksti, me një humor të padenjë për një kryeministër, ai ofendoi përsëri ambasadorët shqiptarë dhe trupin tonë diplomatik”, – tha deputeti demokrat. Sipas Bumçit, kur Kryeministri nuk ka respekt për ambasadorët e vendit të tij, nuk ka se si të kenë respekt të tjerët. Në këtë kontekst, deputeti demokrat tha se Rama me deklarata të tilla ul respektin për Shqipërinë dhe shqiptarët. “Sot Kryeministri ka kaluar çdo cak. Ai tha që po të kishte qenë një ambasador shqiptar në vendin e ambasadorit mik, që ishte i pranishëm në aktivitet, ambasadori shqiptar do të ishte sjellë në mënyrë të çuditshme. Çfarë po thotë Kryeministri?! Që shqiptarët si popull janë të padenjë, sillen në mënyrë të çuditshme. Çfarë e dallonte ambasadorin e vendit mik nga një ambasador shqiptar?! Fakti që nuk ishte shqiptar, se po të ishte shqiptar, do të sillej në mënyrë të çuditshme. Kryeministri sot jo vetëm që ofendoi për të disatën herë përfaqësuesit tanë në botë, por ai ofendoi popullin e tij. Ai mendon që është Kryeministër i një populli të padenjë. Kjo është e turpshme dhe skandaloze”, – theksoi deputeti i PD-së. Kreu i qeverisë, ndërsa ishte i pranishëm dje në ceremoninë e hapjes së një shkolle profesionale austriake në Tiranë, falënderoi ambasadorin e Austrisë në Shqipëri, Thomas Schnöll, i cili sipas edhe pse nuk di shqip dhe nuk kishte përkthyes, buzëqeshte dhe ndiqte me vëmendje fjalën e kreut të qeverisë, gjë që nuk do ndodhte sipas Ramës me ambasadorët tanë. “E falënderoj se heroikisht e ka ndjekur me buzëqeshje, me duartrokitje takimin, pa kuptuar asgjë, se nuk di shqip në të vërtetë. Ndërkohë që, po të ishte një ambasador shqiptar në një vend që s’kuptonte gjuhën, do të ishte duke folur në telefon gjithë kohës dhe gjithë audienca do të ishte duke thënë: Kush është ai aty që flet në telefon?!”

 

 Thirrja/ PD: Prokuroria të hetojë ministrin Veliaj

Deputeti i PD-së, Keltis Kruja, i kërkoi dje Prokurorisë të hetojë ministrin e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, pasi, sipas demokratëve, ai është përfshirë kohët e fundit në një sërë skandalesh. “Erion Veliaj është sot shkelës i ligjit, shkelës i të parit akt që miratoi shefi tij, Kodi Etik, është shkelës i çdo norme morale të shoqërisë sonë. Është një turp publik. Dasma e tij ishte një meny e pasur me abuzime financiare, me shfrytëzim të postit, me përfitime shërbimesh nga fondet që ai administron si ministër, me përfshirjen në këtë vakt të kompanive që janë klientelë e tij. Me demonstrimin publik e agresiv, me luksin cinik, Erion Veliaj fyeu cdokënd, çdo të ri, çdo familje shqiptare, që nuk ka mundësitë e tij, pra që nuk është pjesë e qeverisë “Rama”. Shpjegimi që dha për dasmën, një mjerim i vërtetë që bën të ndihet keq çdo nënë, çdo kryefamiljar që mezi siguron bukën për fëmijët”, – tha ligjvënësi demokrat.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency