Perëndia mbrapsht dhe e dashura e Visar Zhitit

0
189

u2_visariuitLetërsi/Një roman i Visar Zhitit botohet në Itali

 

Shtëpia e njohur botuese italiane “Rubbettino” nxori këto ditë romanin “Perëndia mbrapsht dhe e dashura” të Visar Zhitit, të përkthyer në italisht nga Elio Miracco, drejtues i katedrës së Albanologjisë në Universitetin “La Sapienza¨ në Romë, pasues i themeluesit të saj, shkrimtarit Ernest Koliqi. Romani i Visar Zhitit është një vepër tronditëse dashurie, një tragjedi moderne, forca e së cilës i tejkalon kufijtë e vdekjes, rrok botën e ëndërrimeve të tejme, duke ribërë një realitet më magjepsës se realiteti. I botuar në Tiranë në vitin 2004 nga “OMSCA-1”, ky roman, përveç të tjerash, solli për herë të parë dhe me origjinalitet artistik ngjarje rrëqethëse nga jeta në burgjet e grave dhe nga fushat e shkreta të internimeve, me vërtetësi dhe forcë të lartë artistike, me ndikim të mëpastajmë.

Vepra në vetvete ngërthen dhe shqetësime të tanishme, por mbi të gjitha dashuri shumë, të pamundur, prandaj dhe i ngjan një elegjie të brendshme, me etjen e bukur për jetë.

Romani në italisht, me dëshirë të autorit, mban titullin “Il visionario alato e la donna proibita” (“Vegimtari me flatra dhe gruaja e ndaluar”), kurse kopertina është vepër e piktorit të ri Miron Topçiu dhe shoqërohet me komente dhe pak biografi të autorit, përgatitur nga botuesi italian.

Ky botim është tregues i rritjes dhe përhapjes së mëtejshme të letërsisë shqipe, jo vetëm sukses i autorit, si dhe një thirrje kritikës dhe opinionit letrar për vëmendje serioze ndaj vlerave.

“I përndjekur pa prehje nga kujtime të dhembshme, Feliksi përmbush një udhëtim nëpër kufijtë “e ashpër” të Evropës në kërkim të Emës së humbur dhe të dashurisë së saj tragjike. I shkruar në vitet në të cilat Shqipëria dilte e sfilitur dhe e prekur nga një regjim totalitar, ky roman është raporti halucinant i ferrit të një njeriu të përmbysur nga historia dhe e një gruaje viktimë e diktaturës.

Duke gërmuar në vetë plagët me mprehtësinë e paranojës, protagonisti bën portretin e atdheut dhe të bijve të tij të plagosur, të shpërndarë nëpër qytetet e Evropës, të joshur.

Një roman jashtë të përgjithshmes, me një frymëmarrje të një gjerësie të pazakontë, që njëkohësisht është rrëfim vetanak, libër me identitet dhe i përkushtuar ndaj të gjithë atyre që e kanë pësuar nga Historia”.

Visar Zhiti është një nga shkrimtarët e mëdhenj shqiptarë bashkëkohorë e nga të paktit që është dënuar nga diktatura e Enver Hoxhës nga shkaku i një vepre poetike, me përmbajtje hermetike, e trishtuar dhe për më tepër e kundërt me kanonet e realizmit socialist. Pas 10 vitesh burg e punë të detyruar, me rënien e diktaturës, Zhiti pati mundësinë të botonte gjithë veprën e tij, mes së cilës, edhe poezinë e shkruar fshehurazi gjatë burgimit. Përtej ndihmesës tepër të lartë e origjinale në panoramën letrare ballkanike, romanet e tij si dhe esetë e tjera kanë konsoliduar lirinë intelektuale dhe jetën demokratike në Shqipëri. Librat e tij janë përkthyer në mjaft vende (nga SHBA në Maqedoni, nga Rumania në Itali), duke marrë vlerësime të rëndësishme. Pas detyrash të ndryshme diplomatike, Visar Zhiti së fundmi ka qenë edhe ministër i Kulturës shqiptare.

Re. Ku.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency