Statuti i PD-së/ Si do të ndryshojë “kushtetuta” e demokratëve. Zbardhen propozimet  

0
144

Gëzim Saliu

Kuvendi Zgjedhor ShkoderBasha udhëheq grupin e punës që do të përshtasë statutin e PD-së me atë të PPE-ve

Në prag të mbajtjes së Kuvendit Kombëtar, Partia Demokratike pritet të ketë ndryshime të rëndësishme në statutin e saj në kuadër të përshtatjes me formatin e partive simotra popullore evropiane. Propozimet për ndryshimin e “kushtetutës” së demokratëve po diskutohen për të marrë formë përfundimtarë më pas në grupin e punës që po merret me këtë proces, i cili udhëhiqet nga vetë kryetari Lulzim Basha. Një ndër ndryshimet kryesore ka të bëjë me përfshirjen e parimit “një anëtar, një votë”, që u përdor për garën e kreut demokrat, në zgjedhjen e forumeve më të larta drejtuese. Kjo pikë pritet të sanksionohet në mbledhjen e Kuvendit më 27 dhe 28 shtator, ku do të ndryshohet neni 38 i statutit, që do të ndryshojë mënyrën e zgjedhjes së kryetarit nëpërmjet parimit “një anëtar, një votë” si edhe kufizimin e mandatit. Nisur nga kjo, një nga propozimet e hedhura në diskutim është edhe ai që kërkon kufizimin e mandatit të kryetarit, duke lejuar që lideri politik të ketë vetëm 2 mandate. Një tjetër propozim lidhet me rastet kur partia humb zgjedhjet e përgjithshme parlamentare apo kur merr një rezultat më të dobët se zgjedhjet paraardhëse, sipas të cilit, kryetari duhet të marrë të gjitha përgjegjësitë morale e politike dhe të japë dorëheqjen. Të gjitha propozimet dhe diskutimet do të rishihen nga grupi i punës me pikësynim kryesor modernizimin e PD-së dhe formatimin e saj sipas variantit të Partive Popullore Evropiane, ku një hap i rëndësishëm përpara në këtë drejtim ishin zgjedhjet për krerët e degëve përmes parimit “një anëtar, një votë” si edhe dixhitalizimi i anëtarësisë.

 

Kryesia

Një tjetër diskutim sa u përket ndryshimeve të statutit lidhet me Kryesinë e PD-së, ku nuk mungojnë propozimet si për shkrirjen e këtij forumi ashtu edhe për të kundërtën. Në partitë moderne evropiane, kryesitë nuk ekzistojnë, porse vendimmarrësit kryesorë në parti janë kryetari, sekretariati dhe Këshilli Kombëtar. Ndërkaq, me ndryshimet e pritshme në statut, edhe numri i sekretariateve pritet të shtohet, në tematikë dhe të pasurohet në njerëz. Deputeti demokrat Bumçi theksoi dy ditë më parë se një ndër forumet që duhet të marrë më tepër përgjegjësi duhet të jetë Sekretariati. “Duhet parë roli i sekretariateve dhe fuqizimi i tyre, sekretariatet janë qeveria në hije, departamentet ku do të marrë jetë projekti ynë qeveritar, ato duhen të shtohen në tematikë dhe të pasurohen në njerëz”, – tha ai. Por pavarësisht nga të gjitha propozimet, do të jetë grupi i punës i ngritur pranë Partisë Demokratike ai që do të japë versionin final të ndryshimeve në statut, i cili më pas do të kërkojë edhe votën e delegatëve të partisë. Ndryshimet në statut priten të miratohen nga Kuvendi i ri i PD-së, i cili do të mbahet në datat 27-28 shtator, ku në ditën e parë të mbajtjes së tij do të miratohen ndryshimet në statutin e partisë, ndërsa ditën e dytë do të zgjidhet Këshilli Kombëtar, i cili më pas pritet të zgjedhë strukturat e reja të partisë. Në nenin 61 të statutit aktual thuhet se statuti i partisë mund të rishikohet nga Kuvendi me shumicë absolute të anëtarëve të tij sipas propozimeve të Kryesisë së Partisë, së një të katërtës së Këshillit Kombëtar dhe pas mendimit të dhënë nga komisioni i përhershëm i statutit. Ndërkaq, në kuadër të përgatitjeve për mbajtjen e Kuvendit Kombëtar të PD-së, kryetari i demokratëve, Lulzim Basha, ka nxjerrë dy ditë më parë udhëzimin drejtuar zyrave të organizimit të forcës më të madhe opozitare si edhe degëve të kësaj partie në rrethe. Sipas udhëzimit, kryetarët e degëve duhet të dorëzojnë listat me emrat e pjesëmarrësve brenda datës 15 shtator e ndërsa 5% e listës emërore duhet të jetë nga FRPD dhe LDGSH. Në Kuvendin Kombëtar të partisë Demokratike pritet të marrin pjesë rreth 7500 delegatë, nga 1200 që ka qenë të pranishëm në kuvendet e mëparshme.

 

Kuvendi Kombëtar i PD-së do të përbëhet nga:

Kryetarët e seksioneve të Partisë Demokratike dhe sekretarët e seksioneve

Kryetarët e grupseksioneve të PD-së

Anëtarët e Këshillit Kombëtar aktual

Deputetët e PD-së

Sekretarët funksionalë të PD-së

Kryetarët e njësive vendore dhe kryetar e këshillave bashkiakë e komunalë

Anëtarët e kryesive të degëve të Partisë Demokratike

 

Përkujtohet 11 Shtatori/ Basha: Sulmet nuk gjunjëzuan SHBA-në dhe vlerat e saj në botë

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, përkujtoi dhe u solidarizua dje me familjet e viktimave të sulmit terrorist të 11 Shtatorit ndaj SHBA-së. Sipas kryeopozitarit, sulmi nuk arriti t’i gjunjëzojë SHBA-të dhe vlerat që ato përfaqësojnë në botë. “13 vjet më parë, e gjithë bota u trondit nga sulmi terrorist në SHBA. Terrorizmi goditi simbolin e sipërmarrjes, zemrën e lirisë. Ne i bashkohemi sot përkujtimit dhe nderimit të viktimave të sulmeve terroriste të 11 Shtatorit duke shprehur solidaritetin me familjarët e tyre dhe kombin mik amerikan. Sulmi i 11 shtatorit nuk i gjunjëzoi dot SHBA-t dhe vlerat që ata përfaqësojnë. Vlera e lirisë, demokracisë dhe dinjitetit njerëzore janë model frymëzimi për botën e lirë. Sot, terrorizmi përben sërish kërcënim për këto vlera dhe mbarë njerëzimin”,- tha Basha. Më tej lideri i PD-së nënvizoi se opozita e mbështet koalicionin ndërkombëtar me në krye SHBA-në: “Në vendosmërinë e tyre për të mposhtur këtë të keqe dhe për të mbrojtur dhe promovuar vlerat e lirisë, demokracisë, dinjitetit njerëzor dhe bashkëjetesës”.

 

 16-vjetori i vdekjes/ PD përkujton Azem Hajdarin, Basha mban fjalim tek memoriali

Ashtu siç është tradita që nga viti 1999, Partia Demokratike do të përkujtojë sot përvjetorin e 16-të të vrasjes së Azem Hajdarit. Lideri i Dhjetorit do të përkujtohet nga forca kryesore e së djathtës në memorialin e ngritur për nder të tij pranë ish-selisë blu. Kështu, në orën 11:00, kryetari Basha do të jetë tek memoriali, ku do të mbajë edhe fjalimin e ndërsa rreth orës 11:30 ai do të vizitojë Varrezat e Dëshmorëve. Ndërkaq, në orën 12:00, kreu i PD-së pritet të vizitojë shtëpinë e Azem Hajdarit, ku ashtu si edhe vjet do të zhvillojë takim me bashkëshorten dhe dy djemtë. Lideri i Lëvizjes së Dhjetorit të vitit ‘90 dhe kreu i parë i Partisë Demokratike, Azem Hajdari, mbeti i vrarë mbrëmjen e 12 shtatorit të vitit 1998, fare pranë ish-selisë blu.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency