Türkan Şoray merr Gladiatorin e Karrierës në Durrës

0
177

Aktorja e njohur në filmin “Shamikuqja” në festivalin e filmit në Durrës

soray3 E rrethuar nga admirues, Türkan Şoray, aktorja turke e njohur prej shqiptarëve për rolin e “Shamikuqes”, realizim i vitit 1977, e ftuar në festivalin ndërkombëtar të filmit në Durrës, ka marrë dje nderimin e parë. Në një kohë që turqit festojnë 100-vjetorin e kinemasë së tyre, aktorja e dramës romantike, mes Asias dhe Elmazit, me regji të Atif Jilmaz, ka përjetuar edhe lajmin e restaurimit të këtij filmi.

“Kam ardhur sot në mëngjes dhe në çdo takim kam ndier gjithë dashurinë tuaj. Kam ndier sikur filmat e mi kanë 100 vjet që shihen nga shqiptarët. Kam dëgjuar që filmi im “Shamikuqja” është shfaqur prej shumë vitesh tek ju, madje disa fëmijë quhen Asia. Kjo më shtyn të besoj se arti dhe kultura mbeten elementet kryesore që edhe pa u njohur i bashkojnë njerëzit nga e gjithë bota”. Dje, në ceremoninë e hapjes së festivalit në amfiteatrin e Durrësit, Türkan Şorayt iu dorëzua “Gladiatori i Artë”, një gladiator karriere. Soray ka marrë në vendin e saj çmimet më të larta për 40 vjet karrierë, ndërsa në Shqipëri i jepet ky vlerësim për gjithë nostalgjinë dhe iluzionet që ka ushqyer personazhi i saj.

Në ditët e ardhshme shfaqet një tjetër film i Şorayt, “Dashuria e divave”, brenda programit tribut kushtuar kinemasë turke, i shtrirë përgjatë 7 ditëve të festivalit që vjen në këtë edicion me tjetër impuls për vazhdimësinë. Në mbyllje të ceremonisë, e mbajtur nga aktori Timor Flloko, publiku i shumtë ndoqi live temën e filmit “Shamikuqja” dhe më pas pelikulën e restauruar të filmit.

Türkan Şoray lindi më 28 qershor 1945 në Stamboll, në mesin e një familjeje të varfër. Falë një komshiu aktor, Şoray dërgohet në sheshin e xhirimit të një filmi. Aty, hedh hapat e parë drejt kinematografisë. Tërheq vëmendjen veçanërisht të shtypit dhe kështu arrin të bëhet ikonë e faqeve të para të revistave më prestigjioze të kohës. Me vitet 1960 rritet dhe grafiku i suksesit të Şorayt. “Jetë e hidhur” (1963) është kthesa e parë në jetën kinematografike të Türkan Şorayt. Roli i saj në këtë film është më kompakt në krahasim me ata të filmave të luajtur më parë. Me rolin e luajtur në këtë film nderohet me çmimin “Aktorja më e Mirë” në Festivalin e Parë të Filmit në Antalja, 1964. Ne vitet 1965 arrin të bëhet “Gruaja numër një e kinematografisë turke”.Merr pozicionin e saj në mesin e katër aktoreve të tjera legjendare të kinematografisë turke; Fatma Girik, Hülya Koçyiğit, Filiz Akın.

Në fillim të viteve 1970 ajo realizonte 10-12 filma në vit. Në këto kohë bëhet ndërhyrje në veprat e shkrimtarëve të shquar, ndonëse e vështirë të thyhet tradita e audiencës, fillon të luajë role në filma me temë përtej asaj që populli ishte mësuar të ndiqte. Punon me regjisorë të mirënjohur të kinematografisë turke (Atıf Yılmaz, Osman Seden, Halit Refiğ). Në vitin 1972 hapet një periudhë e re në jetën profesionale të saj. Në këtë vit do të vulosë fatin e saj me dy filma, “Xhemo” dhe “Kthimi” që ishte dhe filmi i parë si regjisore. Filmi pati shumë kritika por edhe qarqet intelektuale të kinemasë që në fillim e pranuan me vështirësi filmin, u përulën me mirënjohje ndaj kësaj pune të arritur. Në vitin 1973 filmi “Kthimi” fiton çmim të veçantë në “Festivalin e Filmit në Moskë”. Me filmin “Dënimi” në vitin 1973 realizon provën e dytë si regjisore.

 

Në fillimin e viteve 70 në kalimin që u bë nga komeditë dhe dramat në filma më realistë dhe me më shumë personazhe pati shumë kontribut kritika me vend që zgjati thuajse vite me radhë. Por arsyeja kryesore është ndryshimi i përgjithshëm i shoqërisë turke të atyre viteve. Për herë të parë regjisorët vënë dorë në çështje reale, hedhin shikimin në shkrepat e Anadollit dhe zbulojnë dramën e gruas fshatare. Me në krye Türkan Şoray edhe yjet e tjerë te njohur të kinemasë filluan të ndërtonin portretin e admirueshëm të gruas ndër vite. Në vitin 76 Şoray hipën edhe një herë në skenë me regjisurën e tretë të saj në filmin “Gjyqtari i Bodrumit”. Në vitin 1977 ndërmerr rol në një ndër filmat më të bukur të saj, në atë legjendë, me titull “Shamikuqja”. Me këtë film Şoray fiton çmimin “Aktorja më e Mirë” .Në 1981 rikthehet me regjisurën e saj në filmin “Sikur ta Vrisnin Gjarprin”. Do të bëhej kalimi nga yll kinematografie në regjisore filmi. Në vitin 1983 pavarësisht përpjekjeve të rezistimit të filmave të thjeshtë në Kinematografinë Turke do të triumfojnë “filmat për gruan” që gjykojnë botën e femrës. Në 1980 me filmin e saj “Mine” do të hapë në Kinematografinë Turke rrymën e “Filmit për gruan”, filma që me guxim trajtojnë problemet shoqërore të grave. Telenovela “Pranverë e dytë” do të zërë një vend të veçantë në vitet 2000. Aktorja përveç projekteve kinematografike, vazhdon të jetë shumë aktive në programet televizive me epiqendër kinematografinë turke, në shkrimin e librave dhe në projekte të ngjashme.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency