Kongresi i PD-së/ Diskutimet për ndryshimin e statutit, nga Kryesia tek forumet. Bumçi: Ja çfarë propozoj

0
46

Gëzim Saliu

basha zgjedhjet “Sekretariati duhet të fuqizohet, forumet e reja duhen të jenë ndërthurje e të rinjve me të vjetrit”

Pasi kryetari Basha bëri të ditur se Partia Demokratike do të mbledhë Kuvendin Kombëtar më datat 27-28 shtator, në forcën më të madhe opozitare është ngritur grupi i punës, i cili po merret përkatësisht me ndryshimet në statut. Një debat i hapur tashmë është ai që lidhet me shkrirjen e Kryesisë së Partisë, ku ka pasur qëndrime si kundër ashtu edhe pro. Deputeti demokrat Aldo Bumçi theksoi dje në një prononcim për “News 24” se ai mbështet frymën kolegjiale në parti, por nga ana tjetër theksoi se për aksionin politik janë të rëndësishme vendimmarrjet e kryetarit. “Kolegjialiteti është shumë i rëndësishëm, kryetari ka vlerë të shtuar. Unë si individ e pëlqej frymën kolegjiale, por mendoj se duhet të ketë dhe vendimmarrje ekzekutive, vendimmarrje politike reformë, aksion. Dikush që zgjedh një rrugë të caktuar duhet t’i jepet mundësia për ta ekzekutuar këtë rrugë dhe për të marrë përgjegjësinë dhe meritën më pas. Duhet të ketë debat, nuk mund të them që dhe unë jam tërësisht i qartë nëse duhet të ketë një kryesi apo një kryesi këshillimore”, – tha Bumçi.

 

Rinovimi

Në kuadër të rinovimit të strukturave drejtuese të Partisë Demokratike, Bumçi theksoi se një ndër forumet që duhet të marrë më tepër përgjegjësi duhet të jetë Sekretariati, për të cilin parashikohen ndryshime në statusin e PD-së që kanë të bëjnë me funksionimin dhe shtimin e numrit të tyre. “Duhet parë roli i sekretariateve dhe fuqizimi i tyre, sekretariatet janë qeveria në hije, departamentet ku do të marrë jetë projekti ynë qeveritar, ato duhen të shtohen në tematikë dhe të pasurohen në njerëz”, – tha ai. Ndërkaq, lidhur me forumet e reja, sipas deputetit demokrat, ato duhen të jenë ndërthurje e të rinjve me të vjetrit. “Mendoj se gjetja e ekuilibrit mes trashëgimisë, duhet të ndërthuren me të rinj që të frymëzuar nga kjo histori e atyre që ne i quajmë të vjetër vijnë e bëhen pjesë e kësaj partie, shembull më i jashtëzakonshëm i kësaj është viti 2005, pas 8 viteve si opozitë e vështirë me sfida të mëdha, PD mori hap të madh, ftoi themeluesit, Gramoz Pashko, Genc Ruli, Genc Pollo dhe shumë e shumë personalitete të tjera. Themeluesit u kthyen dhe nëpërmjet KOP-it u ftuan të rinj”. Nga ana tjetër, ligjvënësi demokrat komentoi edhe procesin e zgjedhjeve të brendshme në parti, ku pohoi se më shumë sesa debati për vonesën, rëndësi kanë të rejat që solli procesi, ndër të cilat ai rëndit ndarjen e posteve, ku nuk ngurroi të sqaronte edhe rastet e përjashtimeve. “Rasti në Kamëz është përjashtim dhe është bërë për një arsye, pasi udhëzimi parashikonte se në ato struktura dhe njësi ku PD ka dalë më mirë se në 2009-ën, personat kanë të drejtë të rizgjidhen dhe Kamza është ndër të paktat njësi vendore ku ne kemi ruajtur rezultatin e vitit 2009”, – shtoi Bumçi. Sipas deputetit të PD-së, procesi i rifreskimit të të dhënave të bazës së anëtarësisë bëri të mundur krijimin e një databaze dhe sot PD numëron rreth 101 mijë anëtarë. Kuvendi Kombëtar i PD-së do të mbahet më datat 27-28 shtator dhe në të pritet të propozohen të gjitha ndryshimet e statutit të partisë, ku edhe do të marrin miratimin përfundimtar.

 

Kreu i grupit parlamentar/ Paloka: PD nuk do të bojkotojë zgjedhjet, hartën e kundërshtojmë me referendum

Partia Demokratike nuk do të bojkotojë zgjedhjet lokale, përkundër kundërshtive për ndarjen e re të territorit. Kështu u shpreh dje kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, duke theksuar se asnjë prej përfaqësuesve të lartë të forcës më të madhe opozitare nuk ka pohuar se PD nuk do të hyjë në zgjedhjet vendore të vitit 2015. “Ne do të ndjekim çdo rrugë ligjore dhe politike që me këtë hartë të mos zhvillohen zgjedhje në Shqipëri. Sepse është e gjithë kjo antireformë, se nuk mund të quhet reformë. Antireforma territoriale është edhe kjo si çdo tjetër që ai bën, në kundërshtim me kërkesat më minimale që ka Kushtetuta për reforma të tilla. Nuk ka thënë asnjë në Partinë Demokratike që nuk do të hymë në zgjedhje. Është tjetër që nuk do të ketë zgjedhje dhe tjetër që nuk do të hymë në zgjedhje”, – tha Paloka për “Ora News”. Ndërkaq, ai rikonfirmoi se bojkoti do të jetë afatgjatë, pasi, sipas Palokës, Kryeministri Edi Rama, që me nisjen e Parlamentit, ka orkestruar dhe planifikuar dhunën ndaj opozitës. “Ne nuk presim te ndodhë ndonjë gjë. Unë nuk pres që Rama të përmirësohet, përkundrazi unë pres që ai të përkeqësohet. Opozita do të vazhdojë të qëndrojë jashtë Parlamentit, në qoftë se ai do të vazhdojë kështu. Atëherë është i detyruar të përballet me qytetarët. Ne nuk mund të lejojmë që të vijë pas 25 vitesh një pinjoll i Bllokut dhe të rikthejë regjimin e baballarëve të tij”, – u shpreh kryetari i grupit parlamentar të PD-së.

 

 Ndryshimi i ligjit të Bankës/ PD, Spaho: Nuk do ta mbështesim, skenar i qeverisë për të marrë institucionet

Deputeti demokrat, Edmond Spaho, njëkohësisht anëtar i Komisionit të Ekonomisë, deklaroi dje se opozita nuk do ta mbështesë nismën e pritshme të mazhorancës qeverisëse për të ndryshuar ligjin e Bankës së Shqipërisë. Sipas tij, kjo nismë është në vazhdën e atyre që janë ndërmarrë deri më tani nga mazhoranca, të cilat, theksoi Spaho, kanë synim kryesor kapjen e institucioneve të pavarura. “Për sa i përket ndryshimit të ligjit, mendoj se nuk duhet të përdoret ndryshimi i ligjit për të synuar kapjen e institucionit, sikurse ka ndodhur edhe në raste të tjera. Pra, çdo përpjekje për ta përdorur ndryshimin e ligjit për të kapur institucionin dhe për të zgjedhur një guvernator në përputhje me synimet që ka mazhoranca e kapërcen objektivin që ka BSH. Ndryshimi i ligjit në këtë fazë do të ishte tentativë për të kapur institucionin e BSH”, – tha Spaho. Në këtë kontekst, deputeti demokrat theksoi se hartimi i ligjit të ri nuk është urgjenca më e madhe e këtij institucioni, por është zgjedhja e guvernatorit. “Në fazën që ndodhemi, mendoj që më e rëndësishme sesa ndryshimi i ligjit është zgjedhja e guvernatorit të ri. Përcaktimet në ligjin për Bankën dhe në Kushtetutë janë të qarta dhe nuk mendoj se ka nevojë të rishikohet ligji për të plotësuar këtë detyrim i cili është emergjent për BSH”, – u shpreh Spaho.

 

 Rama në Kinë/ PD: Udhëtimi me avion privat, skandal korruptiv. Kryeministria: Organizim i Ambasadës Kineze

Partia Demokratike e ka cilësuar një skandal korruptiv udhëtimin me avion privat të Kryeministrit të vendit drejt Kinës. “Edi Rama është përfshirë në një tjetër skandal korruptiv, me udhëtimin e tij të fundit për në Kinë me një avioni privat. Fluturimi i shtrenjtë është abuzim me fondet publike nëse është paguar me taksat e shtetit dhe është një kompromentim i pastër nëse është ofruar nga dikush që do të përfitojë koncesione në këmbim të dhuratës”, – denoncoi dje kreu i grupit parlamentar demokrat Paloka. Sipas tij, paraqitja në një samit të rëndësishëm ndërkombëtar në shkelje të çdo etike është skandali më i vogël që ka bërë Edi Rama në dy ditët e fundit. “Ky është një abuzim financiar, kompromentim dhe korrupsion i pastër. Kapardisja prej baroni dhe fluturimi luksoz i Edi Ramës nuk kanë asgjë të përbashkët me nevojat që ka vendi dhe qytetarët”,- tha ai. Por ndaj akuzave të PD-së nuk ka munguar reagimi i Kryeministrisë, e cila ka pohuar se vizita e kreut të qeverisë në Kinë ishte e organizuar nga ambasada kineze. “Udhëtimi dhe qëndrimi i Kryeministrit Rama dhe delegacionit që e shoqëron në Kinë është organizuar përmes mbështetjes së Ambasadës Kineze, falë së cilës kjo vizitë nuk ka rënduar asnjë qindarkë në xhepat e taksapaguesve shqiptarë”, – thuhej në njoftim. Ndërkaq, vetë Kryeministri Rama ka komentuar deklaratën e PD-së vetëm lidhur me akuzat për veshjen e tij me këmishë në një takim zyrtar, ku tha: “Gjithnjë më kanë bërë për të qeshur sharësit e veshjeve të mia dhe rrofshin që po merren me këmishat tani se kisha kohë pa qeshur me këtë”.