I Pamëkati

0
167

Meri Lalaj

 

meri-lalaj-foto-20112I Pamëkati e kaloi gjithë jetën në mënyrë të tmerrshme pa asnjë lloj gëzimi, vetëm vdekjen e pati të lehtë pa mundime. Unë i pata dhënë mësim në klasën e pestë, kur sapo isha emëruar mësuese për herë të parë. Ai ishte një nxënës fare i zakonshëm në të nxënit e mësimeve, ishte shumë i sjellshëm e i urtë dhe unë kujdesesha për të edhe sepse ishte djali i madh i kushërirës sime. Pasi mbaroi tetëvjeçaren, u përpoq të ndjekë gjimnazin natën, por e la sepse familja kish nevojë për punën e tij. I Pamëkati kreu një kurs dhe u bë motorist. Djalë shumë i ri filloi punën atje ku e caktuan tek një motopompë pranë një barakës ndërtuar me dërrasa anës liqenit tok me dy a tre punëtorë të tjerë më të mëdhenj se ai në moshë. Kështu, me anën e pompave gjatë verës ata nxirrnin ujin nga liqeni dhe e përdornin për ujitje, ndërsa gjatë dimrit për nevojat e tjera. Në mesin e barakës ndodhej një fuçi e madhe e prerë në mes mbuluar me një kapak llamarine e lidhur me qyngje, që përdorej si stufë në dimër kur i hidhnin tallash druri për ta djegur. Anash kësaj barake ishin vendosur dy stola druri ku uleshin për të ngrënë bukën dhe përballë derës (si kudo në çdo zyrë, klasë mësimi dhomë shtëpie apo vend tjetër pune) qëndronte i varur portreti i udhëheqësit të shtrenjtë Enver Hoxha.

I Pamëkati kishte fare pak kohë që kish filluar punë, atëkohë pothuaj nuk i kish mbushur tetëmbëdhjetë vitet. Dhe ishin ditët para festave të mëdha të nëntorit, kur në barakë plasi sherri midis punëtorëve sepse portreti i Enver Hoxhës rrëshqiti nga muri i drunjtë i barakës dhe ata dy punëtorët e tjerë, që u ndodhën aty iu vërsulën të ndërkryer Të Pamëkatit: “Ti e rrëzove! Ti e rrëzove! E bëre me qëllim se nuk e do xhaxhi Enverin!” Portretit iu thye vetëm xhami, iu dëmtua pak korniza e u rrudhos paksa letra fotografike. Por gurguleja ishte gjëmimtare. Pas pak erdhi përgjegjësi i tyre. Të gjithë iu vërsulën sërish të Pa Mëkatit: “Ai e theu! Ai e rrëzoi! E bëri me qëllim! Sabotim para festave të nëntorit! Sabotimi nuk ka brirë! Ai nuk e do Partinë! Nuk e do udhëheqësin e ndritur shokun Enver, që ne japim jetën për të! Do të të thërresin në Degë! Do të të fusin dhjetë vjet në burg apo më shumë! Jo, jo njëzet vjet si tradhtar i Partisë dhe i popullit!…”

Pesë ditë e pesë net I Pamëkati as hëngri, as piu, as fjeti. Përfytyronte vitet e gjata në burg mbyllur në qeli tok me minjtë e mëdhenj e me rojet që e godisnin me shkelma. I hyri frika deri në palcë duke menduar se çfarë do të pësonte i ati, e ëma, vëllai… E pastaj kaloi në një krizë nervore të llahtarshme. E zeza nënë për të birin! I ziu baba për të birin! Të gjitha vitet e tjera të jetës, I Pamëkati i kaloi veç duke pirë ilaçe. Vuajti aq shumë duke mbartur vetëm errësirë në shpirtin e tij. Nuk ishte më në gjendje për asnjë lloj pune. Shëtiste fill i vetëm rrugëve të qytetit tim shpesh me cigaren në gojë e gishtërinjtë e zverdhur nga duhani dhe duke folur me vete. Nuk ngacmonte njeri, nuk e ngacmonte askush. Ecte fill i vetëm i veshur keq, hera herës i parruar duke tërhequr këmbët zvarrë. Tërë jetën nuk pati asnjë shok, tërë jetën nuk pati asnjë vajzë që ta donte.

Kur hyra në dhomën, ku I Pamëkati ishte i shtrirë i vdekur, m’u duk sikur po më priste. Aty ndodhej vetëm njëra nga të afërmet e fisit. U përkula dhe e putha në ballin e ftohtë. Dukej shumë i hijshëm tamam si dhëndër veshur me një kostum të bukur ngjyrë bezhë, në buzët i kishin vënë petale trëndafili të kuq, në ato buzë që kurrë nuk puthën një femër. Në gisht i patën vendosur një unazë martese, gishtërinjtë e atij që nuk përkëdhelën kurrë një grua, të atij që nuk u martua kurrë. Atij që nuk gëzoi asgjë në këtë jetë e tani po martohej me vdekjen vetë dhe atje lart në qiell, Zoti po e priste tok me engjëjt, sepse I Pamëkati ishte engjëll i kësaj toke.

Ne u mblodhëm rrotull arkëmortit të tij me qirinj të ndezur në duar ndërsa prifti tundte temjanicën dhe lexonte Ungjillin duke kënduar: “O Zot, falja mëkatet! O Zot, falja mëkatet!” Vallë a ka bërë ndonjë mëkat I Pamëkati? Kurrë! Para se ta nxirrnin të ndjerin nga shtëpia përmbys mbi të ra i ati duke vajtuar: “O bir, o bir, si më ike!”

Në krye ecën kortezhi me arkëmortin e bukur me kryqin e florinjtë mbi të dhe ne u drejtuam për tek Kisha e Shën Mërisë. Kisha e mëhallës sime. Kisha ku jam pagëzuar unë. Kisha ku kam vajtur të dielave për t’u kunguar e ku kam provuar gëzimin e mrekullueshëm fëminor nën kumbimin e kambanave netëve të Pashkëve. Ndërsa ne ecim përmortshëm, kambanat e kishës bien përzishëm, ato bien vetëm për ty, o I Pamëkatë. E çdo tingull kambane më kujton ata që vdiqën fare kot nën thundrën e diktaturës me urdhër të atij djallit, Enver Hoxha.

Në vitin mëkatar 1967, kjo kishë u mbyll si gjithë të tjerat në mbarë Shqipërinë socialiste. Kjo kishë u kthye në magazinë dhe ofiçinë për rregullimin e automjeteve. Tani Kisha e Shën Mërisë është rindërtuar me tri kubera e kryqin në krye. Në muret e oborrit të brendshëm në vend të tabelave të emulacionit janë vendosur fotot e priftërinjve të rrethit: Ja At Llazo, At Ndoni, At Erazmi Jorgo me sa më kujtohet në këtë kishë, dikur në fillim të viteve 1920, Imzot Fan Noli ka mbajtur një mbledhje politike. Kisha brenda është e zbukuruar me piktura shumë të bukura nga përmbajtja e Biblës.

Nën diellin përvëlues të gushtit shkojmë në varreza, hapet edhe njëherë arkëmorti dhe prifti e spërkat me verë “…Me Verë kur t’ap shpirt kungomëni, / Me Verë lamëni, bekomëni…” pasi e kallim të ndjerin nën dhe hedhim nga një grusht “Pluhër mbi pluhër, në Pluhrin shtrirë” dhe varri i ri mbulohet me kurora lulesh. Të gjitha lulet janë vetëm për ty, o I Pamëkatë! Të qoftë i lehtë dheu!

20 gusht 2014

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency