Seanca me dyer të mbyllura/ Fullani dhe Golemi mbeten në burg. Sot do të merren në pyetje 4 anëtarë të KM-së

0
116

Sonila Mesareja

ardian fullani i arrestuar furgoni policia lsa sakte 2014Avokatët kërkuan lirimin e zyrtarëve: Janë personalitete të larta, nuk mund të qëndrojnë në burg. Do apelojmë vendimet e paligjshme

Të buzëqeshur, jo sikur po shkonin për t’iu konfirmuar masa “arrest me burg”, Ardian Fullani e Elivar Golemi, ish-guvernatori dhe Inspektorja e Përgjithshme e Bankës së Shqipërisë, kanë mbërritur paraditen e djeshme me furgonin e policisë në ambjentet e Gjykatës së Tiranës. Të ulur pranë dritares së furgonit, as Fullani dhe as Golemi nuk u munduan t’u fshihen kamerave apo fotografëve, madje gjatë gjithë kohës duke mbajtur vështrimin nga gazetarët. Ajo që të binte në sy ishte qëndrimi kryelartë i dy drejtuesve të lartë në Bankën e Shqipërisë, ndërsa brenda sallës së gjyqit konstatohej vendosja e kollaros nga ana e Fullanit, e cila i mungonte në momentin që mbërriti me furgon. Brenda një ore, nën masa të rrepta sigurie, gjyqtarja Blerina Muça dëgjoi palët dhe vendosi të lërë në fuqi masat e marra në mungesë, duke dërguar në qelitë e paraburgimit 302 dhe 313-të dy të arrestuarit, Fullanin dhe Golemin. Ndërkohë, familjarët e tyre nuk preferuan t’i afrohen sallës së gjyqit, as ato 5 minuta që u lejuan kamerat dhe gazetarët, duke qëndruar gjithë kohën në lokalet pranë gjykatës, në pritje të ndonjë ndryshimi të mundshëm nga ana e togave të zeza në vendimin e masës.

 

Seanca

Me kërkesë të prokurorit Ramadan Troci, gjyqtarja Blerina Muça vendosi të zhvillojë seancën me dyer të mbyllura për shkak të sekretit hetimor, duke lejuar median vetëm 5 minutat e para në paraqitjen e Ardian Fullanit dhe Elivar Golemit. Dy të akuzuarit, ish-guvernatori dhe Inspektorja e Përgjithshme e Bankës së Shqipërisë janë njohur zyrtarisht me akuzat dhe masën e sigurisë vendosur në mungesë. Pavarësisht pretendimeve të avokatëve Maksim Haxhia dhe Fatos Shanaj për ndryshimin e masave të sigurisë dhe lirimin e klientëve të tyre, për shkak se janë personalitete të larta dhe për asnjë moment nuk i janë shmangur hetimit, gjyqtarja Blerina Muça la në fuqi masën e marrë në mungesë ditën e premte, duke dërguar në qelitë e paraburgimit Fullanin dhe Golemin duke pranar edhe kërkesën e prokurorit Troci për lënien në burg të zyrtarëve të akuzuar për “Shpërdorim Detyre”. Mësohet se asnjë nga të akuzuarit nuk ka folur për gjykatën, duke lënë avokatët e tyre të shprehen për ta. Ndërkohë që prej avokatëve bëhet me dije se as Fullani dhe as Golemi nuk i kanë pranuar akuzuat e Prokurorisë. Pas përfundimit të seancës, avokatët Haxhia dhe Shanaj kanë reaguar për mediat jashtë gjykatës, duke  u shprehur se sot do dorëzojnë në Gjykatën e Apelit kërkesën për ndryshim të masës së sigurisë, duke pretenduar lirimin e tyre.

 

Arrestimi

Ish-Guvernatori i Bankës, Ardian Fullani, u arrestua të premten në mbrëmje ndërsa dilte nga zyra e tij. Ai akuzohet për veprën penale “Shpërdorim Detyre”, lidhur me supervjedhjen e ndodhur në Departamentin e Emsionit, zbuluar në korrik të këtij viti. Së bashku me të është arrestuar edhe Inspektorja e Përgjithshme, Elivar Golemi, e cila pritet të shkarkohet nga Kuvendi në seancën më të parë. Kjo e fundit mësohet të jetë vetëdorëzuar menjëherë pas arrestimit të Fullanit. Gjatë dy ditëve të arrestimit, ata u vendosën në dhomat e paraburgimit të Drejtorisë së Policisë Tiranës, veç nga të arrestuarit e tjerë, në katin e dytë të godinës. Dje ata u dërguan me pranga, në Gjykatën e Rrethit për të mësuar masën e sigurisë, ndërsa një orë pas masës, Golemi i transferua duke buzëqeshur për në paraburgimin 313-të, ndërsa Fullani për në paraburgimin 302, aty ku ndodhet edhe protagonisti kryesor i kësaj vjedhjeje kolosale, Ardian Bitraj.

 

Hetimi/ Dëshmia e Baletës dhe Meksit vulosi arrestimin e Fullanit dhe Golemit. Sot te prokurori Guvernatorja e parë Elisabeta Gjoni, Ardian Civici, Petraq Milo dhe Dhori Kule

Ashtu siç edhe ishte parashikuar, sot pritet që në Prokurorinë e Tiranës të merren në pyetje katër anëtarët e tjerë të Këshillit Mbikqyrës, Guvernatorja e Parë Elisabeta Gjoni, Ardian Civici, Petraq Milo dhe Dhori Kule. Dëshmia e tyre vjen pas asaj të dhënë të premten nga dy anëtaret e tjera të këtij Këshilli, Ermelinda Meksi dhe Ela Golemi. Katër anëtarët e këshillit do të duhet të japin deklarata lidhur me urdhrat e firmosur prej tyre. Sipas akuzës, anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë mësohet se do të pyeten lidhur me nismat ligjore të marra prej tyre për funksionimin e departamentit të Emisionit për aktet ligjore e nënligjore që rregullojnë veprimtarinë e këtij departamenti apo urdhrat dhe udhëzimet e nxjerra nga Banka e Shqipërisë në përmbushje të vendimit numër 13 datë 22 shkurt 2006 për funksionimin normal të tij. Gjithashtu, sipas burimeve nga Prokuroria e Tiranës, anëtarët e Këshillit do të pyeten edhe mbi aktet e procedurat në lidhje me sigurinë e ambienteve të seksionit, por edhe për rrethana të tjera që rezultojnë nga dinamika e hetimit.

 

Dëshmitë  e para

Kur pritej që dy nga anëtaret e Këshillit Mbikëqyrës ta hapnin siparin e marrjes në pyetje për supervjedhjen 713 milionëshe në departamentin e Emisionit, e para që është paraqitur mëngjesin e të premtes së kaluar ka qenë ish-inspektorja e Bankës së Shqipërisë, Teuta Baleta, e cila i është përgjigjur së pari thirrjes së Komisionit të Ekonomisë në Kuvend dhe një ditë më pas edhe organit të akuzës. Më pas, për afro 5 orë e gjysëm, janë pyetur në orare të ndryshme dy anëtaret e Këshillit Mbikëqyrës, Ermelinda Meksi e para dhe më pas Ela Golemi. Po ashtu, në prokurori në lidhje me procedurat që Banka e Shqipërisë ndjek në lidhje me auditimet, kontrollet dhe raportet me stafin, dje dëshmoi dhe drejtori juridik i Bankës Altin Naçi, i cili pranoi faktin se prokuroria ka sekuestruar një sërë dokumentesh të tjera të dorëzuar prej tij. Në përfundim të marrjes në pyetje, pasi la ambientet e Prokurorisë së Tiranës, Meksi dha një reagim mjaft të shkurtër për mediat duke u shprehur se “iu përgjigja një ftese të Prokurorisë për bashkëpunim në këtë çështje dhe në respekt të hetimit, kërkoj mirëkuptimin tuaj. Më shumë se kaq nuk mund t’ju them.” Ndërsa, kolegia e saj, Ela Golemi, që hyri pas saj, tha në dalje, pas një ore, se dëshmoi për aq sa kishte dijeni. Bëhet me dije se pyetjet e Prokurorisë kanë pasur në fokus, detyrimet dhe përgjegjësitë ligjore të Këshillit Mbikëqyrës lidhur me sigurinë që ofron Banka e shtetit shqiptar. Ermelinda Meksi dhe Ela Golemi qenë dy të parat ndër shtatë anëtarët që përbëjnë Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë që u thirren në cilësinë e personave që kanë dijeni.

 

Reagimi/ Avokati Haxhia: Nuk ka shkelje penale, do kërkojmë lirimin në Apel

Menjëherë pas përfundimit të seancës së masës së sigurisë për ish-guvernatorin Ardian Fullani, ka reaguar për mediat avokati Maksim Haxhia. Sipas tij, referuar shkeljeve të Ardian Fullani të evidentuara nga prokuroria, çdo zyrtar i lartë i shtetit rrezikon të burgoset, pasi akuza është ngritur bazuar në shkeljet administrative dhe jo penale. I pyetur mbi reagimin e gjykatës ndaj kërkesave që parashtroi dje në seancë, avokati u shpreh se “Gjykata vendosi për të mos pranuar kërkesat tona, në kundërshtim me argumentat e paraqitura nga mbrojtja me një argument procedurial, që është në kundërshtim me praktikën që është zbatuar deri më sot dhe në kundërshtim me pikën 2 të nenit 248, sepse, masa e arrestit në mungesë që është marrë ndaj z.Fullani nga Gjykata ka qenë e kundraligjshme. Masa e arrestit në mungesë merret ndaj atyre personave, që janë deklaruar më parë që nuk janë, që janë persona që i shmangen hetimit ose nuk paraqiten, që janë me vendbanim jashtë shtetit ose persona, që nuk iu dihet adresa. Në këtë rast, dihet botërisht që Ardian Fullani është Guvernator, me adresë të përcaktuar dhe familjare të pyetet a është ky Ardian Fullani a s’është ky Ardian Fullani, që është joserioze. Neni thotë që Gjykata, pasi dëgjon në këtë rast, palën akuzuese, është e detyruar të dëgjojë edhe argumentat e palës së akuzuar dhe do t’i vërë në balancë dhe a janë zbatuar të gjitha kriteret për të zbatuar këtë masë. Duhet ta dimë të gjithë që masa e arrestit me burg është masë ekstreme dhe neni 260, 242, 230, 220 përcaktojnë kriteret dhe kushtet kur zbatohet kjo masë ekstreme. Logjika, jo vetëm ajo juridike, të çon në atë që masat ekstreme zbatohen në kushte ekstreme, domethënë kur është një vepër tej mase e rëndë, kur ka me minimum 5 vjet deri në burgim të përjetshëm. Në këtë rast dihet që edhe vepra, edhe personi, nuk janë në shkallë të lartë rrezikshmërie, është një personalitet i sistemit bankar dhe vepra është “shpërdorim detyre”, që në maksimum të saj ka deri në 7 vjet burg.” Më tej, avokati u pyet edhe mbi qëndrimin e klientit të tij për akuzën e Prokurorisë dhe shkeljet e evidentuara. Avokati Haxhia u shpreh se “nuk i pranon akuzat dhe sa për dijeni, ne do të fillojmë tani edhe procesin e hetimit, por dua të vë në dijeni edhe median që ato pretendime që ne i njohëm nëpërmjet jush nga zëdhënësja e Prokurorisë, janë pretendime që mua personalisht, si qytetar dhe profesionist, në idenë që me ato argument, në qoftë se do të zbatohet përgjegjësia penale për veprat penale të shpërdorimit të detyrës, çdo personalitet ose çdo funksionar shteti, është i rrezikuar të futet në burg ose të akuzohet për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Aty janë ngatërruar shkeljet administrative, të cilat kanë të bëjnë me paaftësi ose neglizhencë në mirëadministrimin e pozicionit të punës me veprimet dhe mosveprimet, të cilat sjellin pasoja të atilla të karakterit penal, që mund të akuzohet personi për veprën penale të shpërdorimit të detyrës”. Lidhur me një apelim të mundshëm, përfaqësuesi ligjor i Fullanit u shpreh se “patjetër! Nesër do të dorëzojmë apelin për në Gjykatën e Apelit”. Ndërsa aludimit të medias për pozicionin  e gruas së Fullanit, gjyqtare në Gjykatën e Lartë në këtë proces, avokati u shpreh se “atë e ka zgjidhur ligji, nuk do të jetë në trup gjykues”.

 

Akuzat e Prokurorisë për ish-guvernatorin Fullani, 5 shkeljet

Para gjykatës, prokurori Ramadan Troci ka lexuar edhe njëherë akuzuat që rëndojnë ndaj ish-guvernatorit Ardian Fullani, çka vulosën edhe arrestimin e tij. Së pari, nuk i ka propozuar Këshillit Mbikqyrës, zëvendësguvernatorin e dytë të Bankës së Shqipërisë, duke krijuar një boshllëk në përmbushjen e detyrimeve të këtij funksioni. Duhet theksuar se ky funksion i munguar duhet të trajtonte drejtëpërdrejtë administrimin, mbikqyrjen dhe zbatimin e akteve proceduriale për përdorimin e mjeteve financiare. Së dyti, në cilësinë e kryetarit të Këshillit Mbikqyrës, nuk ka ushtruar kompetencat e tij për propozimin e nismave juridike të funksionimit të Bankës së Shqipërisë, si detyrim që buron nga vendimi i Këshillit Mbikqyrës Nr.13 datë 22.02.2006. Pra me nisjen e funksionimit të departamentit të Emisionit, ku ka ndodhur edhe vjedhja, Këshilli Mbikqyrës duhej të propozonte e miratonte rregulloret përkatëse për funksionimin e këtij departamenti. Nga hetimi ka rezultuar se këto rregullore nuk kanë ekzistuar për një kohë shumë të gjatë, gjë e cila ka sjellë cënimin e parave. Së treti, në cilësinë e drejtorit të përgjithshëm ekzekutiv të Bankës së Shqipërisë, nuk ka marrë masat e nevojshme ligjore për zbatimin e vendimeve dhe rregulloreve të Këshillit Mbikqyrës. Ndër to, mund të përmendet zbatimi i politikave të miratuara nga Këshilli Mbikqyrës, për mbarëvajtjen e veprimtarisë së përditshme për administrimin e procedurave ekzekutive, si dhe për qeverisjen e punëve administrative të veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë. Së katërti, Guvernatori është i ngarkuar me mbarëvajtjen e veprimtarisë së përditshme të Bankës së Shqipërisë, përgjegjësi të cilën nga analiza e hetimit në kuadër të procedimit penal, rezulton që nuk e ka ushtruar. Së pesti, në kundërshtim me nenin 8 të rregullores “Mbi inventarizimin e vlerave materiale e monetare në Bankën e Shqipërisë”, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, në komisionet e ngritura për kryerjen e inventarizimit të detyrueshëm periodik të vlerave monetare në Bankën e Shqipërisë ka caktuar dy herë të njëjtin person. Ky person, aktualisht është person në hetim për “shpërdorim detyre” në kuadër të këtij procedimi penal.

 

Akuzat e Prokurorisë ndaj Inspektores së Përgjithshme, Golemit

Pas seancës për ish-guvernatorin, gjykata zhvilloi atë për Inspektoren e Përgjithshme të Bankës së Shqipërisë, Elivar Golemin, për të cilën ende nuk është vendosur shkarkimi. Para gjyqtares Muça, prokurori rendi shkeljet ku bazohet akuza ndaj 37-vjeçares Golemi. Së pari, nuk ka ushtruar auditim konform ligjit për Bankën e Shqipërisë dhe rregullores se departamentit të kontrollit, proces i cili është përgjegjësi e drejtëpërdrejtë e Inspektorit të Përgjithshëm. Së dyti, ka vepruar në kundërshtim me kuadrin ligjor përkatës, sa i takon ushtrimit kontroll kontabël të brendshëm, si edhe kontrolle të brendshme periodike për administrimin dhe operacionet e Bankës së Shqipërisë, me qëllim që të sigurojnë mbarëvajtjen e zbatimit të ligjeve dhe të akteve nënligjore në Bankën e Shqipërisë. Duke mos realizuar kontrolle periodike, nuk i ka dorëzuar Këshillit Mbikqyrës raporte e rekomandime për llogaritë dhe regjistrat, si dhe për procedurat buxhetore kontabël dhe kontrollet e Bankës së Shqipërisë. Së treti, është përgjegjësi e drejtëpërdrejtë e Inspektorit të Përgjithshëm të Bankës së Shqipërisë që Departamenti i Kontrollit nuk ka ushtruar auditim finaciar periodik në Departamentin e Emisionit për vitet 2012, 2013 dhe 2014, pikërisht në vendin dhe gjatë periudhës kohore ku dyshohet se është kryer vjedhja. Së katërti, në bazë të komunikimit shkresor, në kuadër të këtij procedimi penal, rezulton se Inspektori i Përgjithshëm nuk i ka ushtruar funksionet e tij, pasi veç raportit të vitit 2011 dhe projekt-raportit të vitit 2014, nuk ka mbajtur asnjë raport apo audit në arkën për veprim dhe në arkën stok, pikërisht në arkat ku i dyshuari kryesor për vjedhjen ka deklaruar se ka marrë shumën e madhe të parave”.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency