Obama: Do të shkattërojmë ISIS

0
192

obama-reformaCameron: Terroristët duhet ta kenë të qartë se kërcënimet e tyre do të ndeshen me vullnetin tonë për t’i mposhtur

Vendimet e samitit të NATO-s mendohet t’i japin një frymë të re rendit dhe sigurisë botërore. Presidenti amerikan Barack Obama foli në fund të takimit dyditor në Uells për dy çështjet më të rëndësishme: krizën e Ukrainës dhe përballjen me ekstremistët e ISIS.  “Ne do të fokusohemi tek problemet që shqetësojnë gjithë botën, si çështja e Ukrainës dhe grupi terrorist ISIS, ku të dy konfliktet gjenerojnë luftë dhe ajo që ne do bëjmë është ta ndalim atë. Sigurisht që kjo do kohën e duhur që të mos gabojmë dhe do të fokusohemi në kapacitetet që ata kanë për t’u siguruar se do t’i mundim. Ne do t’i ndihmojmë forcat vendase në Irak dhe kurdët e Peshmergas me përforcime nga ajri, por duam të kemi bashkëpunim me ta që të fokusojmë objektivin e caktuar për shkatërrimin e ISIS. Përpos pjesës ajrore ne do të krijojmë forca tokësore dhe po punojmë me hapa që mos të nxitohemi, por theksoj se qëllimi ynë është të shkatërrojmë ISIS, sikurse kemi bërë më herët dhe me Al Kaedën, ku dhe sot konfirmojmë që arritëm të vrisnim kreun e grupit Al Shabab të Somalisë”, deklaroi Obama.

Më herët, në një deklaratë të përbashkët, sekretari amerikan i Shtetit John Kerry dhe sekretari i Mbrojtjes, Chuck Hagel i bënë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të bashkohet kundër terrorizmit. Ata thanë se ISIS paraqet një kërcënim serioz jo vetëm në Irak, por në të gjithë rajonin dhe mbarë botën. Ata shtuan se nuk ka kohë për të humbur në ndërtimin e një koalicioni të gjerë për të shkatërruar kërcënimin e paraqitur nga terrorizmi. Në të njëjtën linjë mendimi ishte dhe kreu i ekzekutivit britanik. “Sot përballemi dhe rreziqe të reja e në zhvillim. Nga lindja, Rusia që shkel çdo rregull me aneksimin e Krimesë dhe trupat e veta në territorin sovran të Ukrainës. Në jug, një hark paqëndrueshmërie shtrihet nga Afrika e Veriut deri në Lindjen e Mesme. Dje e diskutuam rrezikun e ISIS-it në Irak e Siri, ndaj mesazhi ynë është i qartë: jemi të bashkuar në dënimin e akteve barbare. Këta terroristë duhet ta kenë të qartë se kërcënimet e tyre do të ndeshen me vullnetin tonë për t’i mposhtur e për të mbrojtur vlerat që ruajmë”, tha David Cameron.

Ndërsa për shefin e aleancës ushtarake, të gjitha vendet anëtare të saj i lidh detyrimi të mbrojnë njëri-tjetrin. “Të 28 shtetet që përbëjnë NATO-n janë të bashkuara në angazhimin ndaj tri vlerave kryesore: lirisë, demokracisë dhe sundimit të ligjit. Jemi gjithashtu të lidhur nga zotimi i patjetërsueshëm për të mbrojtur njëri-tjetrin në rast sulmi. Një për të gjithë dhe të gjithë për një. Europa dhe Amerika e Veriut bashkë. Ky është thelbi i kësaj Aleance”, deklaroi Rasmussen.  Udhëheqësit e NATO-s miratuan krijimin e një force të ndërhyrjes së shpejtë, e aftë të reagojë me shpejtësi ndaj kërcënimeve që mund t’u vijnë vendeve anëtare të Aleancës kudo në botë.

 

Vendimi i Presidentit të SHBA-ve për reformën emigracionit sjell zemërim dhe akuza

Vendimi i Barack Obama-s për ta shtyrë veprimin mbi reformën e emigracionit deri në muajin nëntor, kur votohet për kongresin, ka sjellë zhgënjim, zemërim dhe akuza për tentativa shfrytëzimi të çështjes për përfitime politike.  “Jemi thellësisht të zhgënjyer nga presidenti. Si ai, ashtu dhe demokratët e Senatit zgjodhën të vënë politikën përpara popullit”, tha Frank Sharry, drejtor i grupit America’s voice.  Vetë shefi i Shtëpisë së Bardhë i hedh poshtë akuzat me pretendimin se shtyrja synon të davarisë shqetësimet e kandidatëve demokratë se, lëvizjet e tij mund të dëmtonin perspektivën e tyre në garën e vështirë të Senatit. Obama nuk e mohoi, megjithatë se politika ka luajtur rol në këtë vendim dhe se beteja e muajit korrik mbi mënyrën sesi do të menaxhohej vërshimi  i minorenëve të pashoqëruar nga të rritur në kufi  kishte krijuar përshtypjen e një krize të emigracionit, e për pasojë, edhe një klimë jo fort të qëndrueshme për marrjen e masave të premtuara. Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë thonë se për çdo rast, presidenti ende ka në plan të veprojë para fundit të vitit. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës jetojnë në mënyrë të paligjshme rreth 11 milionë vetë, ndërsa problemin e rëndon akoma më shumë fluksi në rritje i fëmijëve emigrantë që kalojnë kufirin nga Meksika.

 

Turqi/  Vdesin 10 punëtorë pas rënies së ashensorit

Të paktën 10 punëtorë humbën jetën, ndërsa një person tjetër është plagosur, në një shesh ndërtimi në qendër të Stambollit, kur nga kati i 32-të i godinës në ndërtim ka rënë ashensori.  Kryebashkiaku i Stambollit, Hysein Avni Mitlu deklaroi se incidenti ka ndodhur mbrëmë, ndërsa në vijim është hetimi për rastin. “Ekspertiza gjyqësore do të publikojë çfarë ka munguar gjatë sigurimit të vendit të punës”, theksoi Mutlu. Kryeministri turk, Ahmet Davutoglu shprehu dje ngushëllim për shkak të vdekjes së punëtorëve duke shtuar se hetimi do të zbatohet në mënyrë të hollësishme. Në vendin e ngjarjes menjëherë kanë mbërritur zjarrfikëset, ndihma mjekësore dhe ekipet e shpëtimit. Sipas të dhënave të Organizatës Ndërkombëtare të Punës, Turqia zë vendin e tretë në botë për numrin e fatkeqësive në vendin e punës.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency