Policia italiane identifikon autorin, nis kërkimi i tij. Dyshimet për krimin, vrasje për një grindje të çastit apo larje hesapesh
Arezzo
Një 29-vjeçar shqiptar, emigrant në Itali, ka gjetur vdekjen pas një sherri me thika në një diskotekë. Sipas mediave italiane, ngjarja ka ndodhur gjatë orëve të para të mëngjesit të djeshëm në një klub nate në Arezzo, ndërsa i riu ka humbur jetën për shkak të goditjes që ka marrë në zemër. Nga hetimet e policisë, mësohet se në këtë kohë shpërtheu edhe grindja mes të rinjve. Bashkë me 29-vjeçarin janë plagosur dhe dy shqiptarë të tjerë, përkatësisht 16 dhe 30 vjeç. Njëri është plagosur në këmbë me armë zjarri, ndërsa tjetri është lënduar lehtë. Polica thotë se gjithçka ka lindur si një grindje e çastit. Tre të rinjtë shqiptarë janë dërguar menjëherë për në spital, por për 29-vjeçarin nuk mund të bëhej më asgjë pasi ka ndërruar jetë rrugës. Policia italiane bën me dije se ka identifikuar autorin dhe po punohet për kapjen e tij, ndërsa në vendngjarje janë sekuestruan provat materiale.
Ngjarja
Krimi i rëndë ku mbeti i vrarë një 29-vjeçar, emri i të cilit nuk bëhet me dije nga policia italiane për arsye hetimore, ka ndodhur në orët e mëngjesit të ditës së djeshme, përkatësisht rreth orës 03:00 në sheshin para një klubi nate. Një automjet privat është mundur t’i japë ndihmën e parë duke e transportuar për në spital, por përpjekja ka qenë e kotë pasi i riu humbi jetën rrugës, në vendin e quajtur San Donato. Të dhënat hetimore janë të pakëta, ndërsa karabinierët janë duke punuar intensivisht për zbardhjen e ngjarjes në brendësi të lokalit të natës Krisma Club në rrugën “Galvani”, e cila ndodhet në një zonë industriale, për të dnërtuar dinamikën e ngjarjes mbi atë që ka ndodhur dhe për të gjetur autorin, i cili mësohet se është identifikuar. Ende nuk dihen shkaqet e përplasjes me thika mes të rinjve, nëse bëhet fjalë për një zënkë të momentit, larje hasapesh apo diçka tjetër.
Itali/ Përmbyset kamioni, humb jetën 32-vjeçari shqiptar Llanaj
Një 32-vjeçar shqiptar ka gjetur vdekjen në Itali si pasojë e një aksidenti në ditën e tij të parë të punës. Sipas mediave italiane, i riu Lurand Llanaj ka gjetur vdekjen e menjëhershme, pasi kamioni me të cilin punonte ka rënë në një greminë prej 30 metrash. Referuar po të njëjtave burime, Llanaj i cili sapo kishte arritur të paguante këstin e fundit për kamionin me të cilin punonte, kishte filluar punën në minierën e mermerit në Massa di Carrara. Nga hetimet e para të policisë italiane, 32-vjeçarit shqiptar i ishte fikur kamioni në një kthesë, dhe ai nuk mundi ta kontrollonte dot. Sipas policisë, në kamion ishte një tjetër koleg i Jurit, Pasquale D’Amico, por ai kishte mundur të largohej, duke u hedhur nga automjeti. Lurand Llanaj gjeti vdekjen e menjëhershme pasi e zuri poshtë kamioni, duke mbetur i bllokuar në kabinë. D’Amico ka treguar mes lotëve se i ka thirrur shokut të tij Llanajt: “Hidhu, hidhu se kamioni po bie poshtë”. Por, për 32-vjeçarin që ishte në drejtim të kamionit ka qenë e pamundur të reagonte, ndoshta me shpresën se do ndalonte kamionin që ishte e ardhmja e tij. Sipas policisë, 32-vjeçari shqiptar jetonte prej kohësh në Itali së bashku dhe me vëllain, Blerimin dhe mediat italiane flasin për një njeri të përkushtuar ndaj punës, i cili kishte raste që punonte dhe 7 ditë në javë. 32-vjeçari ishte i martuar dhe kishte një fëmijë disa muajsh. Sipas mediave italiane, familja Llanaj njihej nga gjithë zona dhe ishte e mirëintegruar në Itali. Yuri njihej si një djalë mjaft punëtor, dhe po njëlloj flitej edhe për vëllanë e tij Blerimin, i cili drejtonte një restorant me ushqim grek në Massa. Në vendngjarje, vëllai i viktimës, Blerim Llanaj mësohet t’u jetë shprehur kolegëve të Jurit: “Pse nuk isha unë në vend të tij dhe të vdisja sot. Kam 20 vjet që punoj me sakrifica të mëdha dhe kam arritur këtu ku jam, ndërsa im vëlla ishte i ri, ende në fillimet e tij”.
Tiranë/ Zbulohet një bazë prostitucioni, prangoset pronari i lokalit Xhelili
Një bazë prostitucioni është zbuluar në kryeqytet nga efektivët e komisariatit numër tre. Sipas burime policore, një hotel në rrugën “Jordan Misja” shfrytëzohej për të kryer aktivitetin e jashtëligjshëm. Në pranga ka rënë pronari i hotelit Përparim Xhelili, ndërsa mësohet është shoqëruar në komisariat edhe vajza që shfrytëzohej për prostitucion. Nga hetimet e policisë bëhet me dije se vajza kërcënohej që të punonte si prostitutë. Ndërkohë hetimet vazhdojnë për të zbuluar nëse ka persona të tjerë të përfshirë në këtë rrjet prostitucioni.
Lezhë/ Bie në kontakt me energjinë, humb jetën Marjan Lleshi
Një 25-vjeçar ka humbur jetën mëngjesin e djeshëm, pasi ka rënë në kontakt me energjinë elektrike. Sipas burimeve policore mësohet se Marjan Lleshi ka gjetur vdekjen teksa punonte në banesën e tij. Sipas informacioneve që përcjell policia e Lezhës, ngjarja ka ndodhur në fshatin Barbullojë. Fill pas ngjarjes, i riu është transportuar drejt spitalit, ndonëse i pajetë. Policia e Lezhës ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes.
Fier/ Kapet me 101 kg kanabis, pranga 24-vjeçarit Rraja
Një i ri ka rënë në prangat e policisë mëngjesin e djeshëm, pasi gjatë kontrollit në automjetin me të cilin po lëvizte, iu sekuestruan 101.1 kg kanabis sativa. Po nga të njëjtat burime policore mësohet se kanabisi u gjet nga blutë e Fierit gjatë kontrollit të mjetit me targë AA041CP, tip “Renault”, ndërsa ka vënë në pranga drejtuesin e tij, përkatësisht Gazmir Rraja, 24 vjeç. Sipas informacioneve, bëhet me dije se 24-vjeçari ishte nga Fushë-Kruja dhe ishte duke udhëtuar drejt Vlorës. Policia po punon për zbardhjen e ngjarjes, ndërsa ndaj të riut rëndon akuza e “prodhimit dhe shitjes së lëndës narkotike”.