Kuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën komunistët. Janë 11 vjet letërkëmbim me fratin pukjan që e gjeti firmëtarin krutan në një gjendje të vështirë shpirtërore “pa familje, por me uzdajë se nji ditë e shoh, veçse pa miq përgjithmonë”
Në vëllimin e katërt të serisë së letërkëmbimeve të Mustafa Krujës me miq e bashkëpunëtorë, personalitete të jetës politike e kulturore të Shqipërisë të fushave të ndryshme, të botuara nga “OMSCA-1”, ky konsiderohet më i ploti e ndoshta më interesanti për lexuesin, mbasi paraqet një letërkëmbim mes dy personalitetesh krejt të ndryshëm nga mosha e nga formimi, por me një ndihmesë të çmuar në kulturën kombëtare që, nëpërmjet bisedës së tyre letërore, marrin në shqyrtim e ftillojnë ndodhi e tema të ndryshme të historisë shqiptare të gjysmës së parë të shekullit të shkuar. Njëri ishte një protagonist i jetës politike, por edhe i asaj kulturore, njëri nga firmëtarët e Dokumentit të Pavarësisë, pjesëmarrës në shumicën e ngjarjeve që shënuan historinë e shtetit shqiptar në tridhjetë vitet e para të qenies së tij. Tjetri ishte një frat françeskan, një ish-mësues historie në liceun “Illyricum”, që e kishte bërë hulumtimin e kësaj lënde qëllimin kryesor të jetës së tij, krahas atij të shërbyesit të fesë.
I ndante një ndryshim moshe prej njëzet vitesh, por i bashkonte dëshira e studimit të thellë, dashuria për vendin e tyre, ngulmimi në kërkimin e së vërtetës historike, shpresa, e mbetur vetëm në kufijtë e termit, për të parë një Shqipëri demokratike e dinjitoze. Letërkëmbimi filloi një ditë prilli të vitit 1947, kur Atë Paulini, që jetonte në Bolzano, në një kuvend ku kryente detyrën e meshtarit, merr vesh se në Ortisei, një lokalitet turistik i Trentinos, një nga vendet më të bukura të Italisë, banonte Mustafa Kruja, një emër i njohur i jetës shqiptare. Vendos t’i shkruajë për të vendosur një lidhje me të.
“Letra e fratit pukian e gjeti firmëtarin krutan në një gjendje të vështirë shpirtërore “pa familje, por me uzdajë se nji ditë e shoh, veçse pa miq përgjithmonë. Një letërkëmbim 11 vjeçar nga vende e kontinente të ndryshme, gjithmonë duke u bërë më i ngrohtë, më i hapur, mes dy përfaqësuesish brezash të ndryshëm, që i lidhte jo vetëm fati i përbashkët i të mërguarit politik, por edhe dhimbja e përbashkët për fatin e Atdheut, të cilit i kushtojnë frytin e mundit të mendjeve të tyre në studimet e vazhdueshme për historinë e tij”, – shkruan trashëgimtari i Krujës, Eugjen Merlika. Këto letra bëjnë pjesë në vëllimin e katërt, ku letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit nga “OMSCA-1”, nis ciklin e publikimit të disa letrave të rralla, me personalitete të politikës e të kulturës. Edhe pse letërkëmbim, ajo që çmohet në to është sqima e dijes, sikur këta të ishin artikuj të publikuar për lexues, e jo mes vetes. Ndoshta kjo ishte një projekt-perspektivë e Krujës, gjë që ia impononte çdo letërkëmbyesi, si në këtë rast, duke na dhënë një shkollë të mendimit.
***
Bologna, 16. II. 1948
Fort i dashuni Atë e mik,
Për të kremtet e Kërshëndellave e të Vjetës së re s’mujta me Të shkrue se ishem edhe në shtrat prej incidentit qi paske pasë marrë vesht. Letrës aqë të bukur e aqë miqsore qi më shkrove mbandej me rasën fatkeqe të këtij incidenti kam vonue me i u përgjegjun e Të lypi të falë.
Tash ia mbërrini dita me u largue prej Italije, por me zêmër e me shpirt miq e dashamirë kanë me më pasë gjithmonë ngjat. Ndër këta Të njoh edhe Tý, i dashtun Atë. Pak herë jemi pá, vonë jemi njohun, por kaqë ka mjaftue me u bâ miq.
Pra me 20 të k. m. nisem për Egjypt. Shkoj te miku e bashkqytetari i im Abas Kupi, i cili më ka grishun për me m’u gjindë në këtë ditë të keqe. Rrethanat më kanë pasë pajtue me Zogun qyshë në 1943, kur m’u mbush mêndja se populli shqiptar ka nevojë për Tê. Tash po pajtohemi edhe për s’afri. Po Të thom pra lamtumirë e dashtë i Madhi Zot e na përpjektë në Shqipnín t’onë!
Me miqsí të përzêmërt
M.Kruja
Aleksandrí, 20 – 12- 1948
I dashtuni mik,
Qe edhe nji palë Kërshëndella ke po na gjêjnë pa atdhe e pa familje tue u shkërrye nëpër botë! Ju a kam lakmí juve, barijve të shpirtnave, qi keni edhe nji objekt të shênjtë jetet, nji objekt të madhnueshëm, përmbi atdhen e përmbi familjen. Por na? A kish me ditun me më diftue se ç’ ndryshim kemi prej shtâzvet posë nji shprese e posë besimit në Zotin qi nji ditë s’kemi për të qênë mâ kështu? Edhe këtë shpresë ku e kemi lidhun? Te lufta, te bomba atomike. Uku don mjegull, thotë fjala e moçme. Na, për me shpëtue, lypim zjarm e flakë, lypim dekë e rrenim në të katër anët e botës. Jemi bâ pra mâ zi se uqt! Kemi mbërrî me i mbetun mbë qafë të Madhit Zot qi na prûni në këtë hall. Nuk bân i lumi keq, por vetë njeri me vullnetin e lirë të vetin qi Ai i a ka falë për t’a përdorë si për mirë ashtu për keq. Bukur, por ç’faj kanë foshnjet t’ona? A âsht e drejtë qi të vuejnë edhe ato për mëkate qi bâjmë na? Qe ku kemi mbërrîmë! Deri me gërmue në mysteret e Perendís e me u zhytun thellë e mâ thellë ndër mëkate si shtâza qi bie në baltë e sa mâ shumë të vozisë për me dalë aqë mâ thellë kredhet. E me të tâna këto mëkate prap se prap ke Madhnija e Tij strukemi mâ në fund e i thomi: Shpëtona o Zot!
Dikur më ke pasë çue nji letër e m’ u lutshe me folë me Mbretin për me të dhânë mundsín e ardhjes këtu në rasë rreziku, qi aso here dukej mâ i afër se sod. Nuk i kam thânë gjâ as atëherë as sod. E qe se pse: qyshë se kam ardhun këtu jam mundue me Mbret e pa Mbret me sjellë edhe djalin e motrën qi kam n’ Italí. Rrezik e pa rrezik kishem dashtë qi t’i kemë afër veti, në mos tjetër për me rrêjtun se kam edhe vetë nji familje. Të dy kanë në dorë nga nji mjeshtrí qi ec mâ së miri sikur t’i lênte kush me punue: djali qimist edhe vajza prestare. E s’ka qênë kurrsesi e mundun me i prûmë. Këtu mund të vijë me nji farë lehtësije vetëm turisti për nji kohë të kufizueme. Ky s’ka nevojë për përkrahjen e kuj. Por për ata qi lypin me ardhun për kohë të gjatë a për punë e… pa pare, son dolori!
Ksaj gjêndjeje po i shtoj un edhe këtê: qi në tanë botën e vjetër veç Zoti e din se ku âsht njeri mâ i sigurtë! Të lutem, i dashtuni Atë, mos me m’ u idhnue qi s’ Të kam shkrue, se, qe besa, s’kam pasë se ça. Veç Kërshëndellat e kryevjetën s’mund rrijshem pa T’i urue. E po t’ uroj pra qi Zoti të Të mbarojë gjithça Të deshiron zêmra. Në paç ngae me më shkrue, letrën drejtoma n’ adresën e vjetër në Kajro (Heliopolis).
Me shumë shëndet e miqsí
M.Kruja
Alexandrie, 20 – X – 1949
Fort i dashtun Atë e mik,
Po rrëfehem: letrën qi më ke dërgue, si po thue, para nja 6 muejsh, e kam pasë marrë. Nuk t’i jam përgjegjun, se kishte diçka qi un s’dojshem as t’a lâ në heshtje as t’iu përgjegjshem thatë. Por shteg me i u përgjegjun njomë vetë s’kishem. U mata e u shmata disa dit për me e kërkue këtë shteg ngjeti e nuk i a pashë kurrsesi gjasën. Atbotë heshta gjithsejt. Qe e vërteta!
Tash Të falem nderës fort qi më shkrove për së dyti. Jam shum’ i gzuem për miqsín T’Ânde, Atë. Po më thue se shkaku kryesuer qi Të ka shtymë kësi shtegu me më shkrue âsht gjêndja e atdheut t’onë. Paj po, ke të drejtë. Vetmija në disa rasa âsht tepër e rândë. Po mbushet zêmra tek s’bán mâ e po ka nevojë me shfrye e me gjetun nji ngushllim. Mêndja po sillet rrotull për me i a gjetun fillin lâmshit e s’po mundet. Shpirti po lypë soje nji dritë e ajo s’po âsht e zoja me i a dhânë. Atëherë po kërkon njeri’ nji shoq, po qet nji s.o.s! Sa herë na ndodh këta në jetë! Këto rasa mundemi me i quejtun travajë shpirtnore, se asosh janë për njimênd. Kur na smûhet trupi, thërrasim mjekun – për në paçim me i pague vizitën! – e kur vuejmë shpirtnisht, kërkojmë mikun, qi âsht, faleminderës Zotit, pa pagesë. Edhe un këtu jam vetëm, si Ti aty. Të dy kemi shokë, se s’po gjindemi në maje të nji mali a në mes të nji shkretije. Por shpirti s’po kënaqet me kêdo! Pra u ndrittë shpirti atyne qi kanë krijue shkrimin e postën e kështu po mundemi me u marrë vesht me letra. Ka dashtun Perëndija e po ndodhemi ku ka kartë me shkrue, se atje në vênt t’onë as kjo s’po gjindet. Më shkruejnë prej Kruje të mijt se me nji mijë belá e me hatër mezi kanë mbërrîmë me shtí në dorë 20 fletë me 20 zarfa!
Kështu pra puna e Shqipnís s’onë, lum miku. Populli s’ka mjaft me hângër, s’ka pëlhurë me u veshun, s’ka pêjë e gjylpâna për me qep’e arnue vjetërsinat, s’ka këpucë as opanga me mbathun, s’ka barna me u shërue as me e lenue ndopak të ligën. E na s’po kemi çaf i bâjmë. Me mundë e sakrifica të mëdhá pata mujtun herë mbas here me çue nga nji paketë gjâna për të ngrânë nemose për djelm e vëlla qi kam në burg. Tash të gjithë ata qi bâjshin kështu së jashtmi për të vett e me ta edhe un, jemi lajmue se qeverija komuniste ka vû aqë taksa të rânda për çdo gramë gjâ qi hyn, sa mos me qenë i zoti askush me i pague.
Kështu populli e kështu komunistat. E na, nacjonalistat intelektualë e pa intelektualë? Edhe na po bâjmë ça jemi mësue me bâmë në të tâna rasat e kohët e jetës s’onë kombëtare! Ashtu si na ka përshkrue Fishta me satirat e tija krejt vënerë, n’ato Anzat e Parnasit me mbishkrimin kuptimplotë “Qeshem veç pse s’muj me kiá”, marrë s’dij prej cilit poet a filosof latin. I mjeri Fishtë sa i deshpryem ka dekun! S’e harroj kurrë kur u përpiqshem në Shkodër në 1920 me i a mbushun mênden qi të hartojshim bashkë nji programë partije politike. Mbasi më suell do kohë me fjalë, s’i gjet vetit rrugë tjetër veçse me më shporrë me të vërtetën e idhët qi mendonte: “Pse po lodhe, more Mustafë, më tha, Shqipnija qi duem ti e un nuk bâhet”! Mbas mendimit t’em nji gabim veç ka pasun i shueti. Ai krejt fajin u a lênte “Turqvet”. Un kujtoj se duhet me shkue mâ thellë në historí e në psikën e Shqiptarit për t’a gjetun shkakun e vërtetë të këtij mallkimi. Un shkoj te nj’ ajo perëndorí byzantine qi na ka sundue për nja nji mijë vjet e qi me Tyrqit te portat e kryeqytetit i tha botës se ishte mâ e lehtë për tê çallma mohamedane si zonjë e vendit, se mitra e papës së Romës e i la për trashigim byzantinizmën. Sundimi slav qi merr nji pjesë të madhe t’asaj historije njimijëvjeçare ka qênë edhe ai me karakter byzantin. Mâ nalt historija e racës s’ onë âsht e errët. Por fakti qi s’ka mujtun me lânë asnji gjurmë të thellë qytetnimi, qi s’ka mujtun me formue nji bashkarí të madhe e të fortë mund të na shtŷjë edhe me mendue se krymbin e dasís, t’ individualizmës ekstreme, do t’a ketë pasun në rrânjë e sundimi byzantin i ka shtue vetëm stërhollimin e sofizmës. Sa për Tyrqit, kishem me thânë se kish me u dashtun të na vijë keq vetëm qi s’qenë të zott me na e ndërrue atë karakter të mallkuem qi kishim me atê të vetin, të nji populli të bindun e të dishiplinuem, po na lanë ashtu, me egoizëm t’onë individual e me të tanë byzantinizmën qi na gjetën. Tradhtija e Dukagjinit kundra jetës së të vetmit Fatos qi pat Shqipnija s’qe tyrke, por arbnore. Mundet qi Dukagjni s’ka qênë racës s’onë, por prap se prap Tyrku del i lamë prej asaj turpje. Nji dhunë, po, na kanë bâmë Tyrqit kombtarisht. Jo qi na sunduen katër shekuj e gjysë, se pa ta ndoshta do të na kishte pasë sundue Slavi me konsekvenca shumë mâ të këqija kombtarisht, por qi na ndërruen fén, neve nji grusht gjind mjedis nji bote të krishtenë. Kjo gjâ mund të na e ketë vonue indipendencën t’onë nja 100 vjet e me atë vonesë pengue unitetin t’onë kombtar.
Por unë ku qeshë e ku dola, pashë fén? Deshta me thânë se populli i ynë ndodhet n’ agoní e na jashtë tallemi me fatin e tij për egoizmat t’ona personale, për mënít qi s’na hiqen kurrë prej zêmret kundra shoshoqit. Tjetër âsht çashtja nëse varet njimênd fati i atdheut t’onë prej nesh apo jo. Nji patriot i vërtetë s’e bân këtë pyetje, kryen detyrën e vet. Por të çohen tý Shqipot e të thonë: “Na s’e njohim Mbretin Zog; na bashkëpunojmë me tê se ka pare, ka emën, ka taraf, por si individ, jo si mbret; këtë punë do t’a dajë populli me plebishit, kur të jetë i lirë edhe atëherë un kam me votue kundra e kam me bâmë propagandë kundra tij, tue fillue qyshë sod, madje tue vijue ashtu si kam bâ deri sod, se une, ah po, une jam republikan perdinci! Un s’ bashkpunoj me kolaboracjonistat! Et., et., et. E ku qëndron gjithë puna, gjithë e vërteta? Qindron pikë së pari këtu, qi ndër faqe me nderë intelektualët politikâj shqiptarë mund të numrojsh nja dhetë kandidatë për kryesín e republikës e të tânë tjerët i a kanë vëndue synin secili nji ministrije! E këta, qi duen me e hângër gjallë shoqin e vet për ambicjon a për mëní personale, këta mandej janë gati me i thânë amen çdo agjenti të huej qi t’ua fërkojë pak bishtin e shpresat e ardhëshme. Qe, kështu na leu komiteti i famshëm qi dihet.
Midhat Frashëri vdiq. Preceptet morale e fetare na porosisin mos me i mbajtun mëní kuj as për së gjalli e jo mâ atje ku shkon me dhânë të gjitha llogarít e jetës së tij. Flitet ka dit qi vendin e tij e ka zânë tash Hasan Dosti, jo veç si kryetar i Ballit kombtar, por edhe si kryetar i komitetit Shqipnija e Lirë. Ky lajm âsht dhânë prej Ballit vetë, por disa rrethana tjera na kshillojnë mos me e marrë këtë lajm për ar të kulluet. Mbreti s’ka pasun deri sod ndoj konfermim prej burimi kompetent (të huej) me të cilin gjindet në kontakt. Idét e porosít e tija kur po formohej komiteti kanë qênë krejt të qarta: për nji bashkim të përgjithshëm. Por Abaz Kupi, kryetari i partís monarkiste të deklarueme, a zogiste në dash thuej, ra në thes të Midhatit me shokë e veproi në kundrështim me vullnetin e porosít e Mbretit. Ksaj gjâje i ndihën edhe agjentat e Intelligence Service-it, oficera qi kanë bashkëpunue me Bazin në Shqipní gjatë luftës. Tash të shohim se si ka me u bâmë puna e komitetit. Un nuk pres ndoj përmirsim. S’më ka rrêjtun mêndja kurrë qi mund të bashkohen Shqiptarët. Historija dhe provija e gjatë e ime më kanë bâmë shqeptik në kulm përmbi këtë pikë. Me gjithë këtê s’i jam shmângun në asnji rasë detyrës me punue për tê, marre me thânë, me nji vetmohim total. Por gjithmonë ka nja 25 vjet e këndej, vetëm si nji automat, si nji sonambul qi s’e ka veten në dorë. Si Hasan Riza Pasha në projën e Shkodrës, edhe mbas qi Shqipnija qe damë prej atdheut të tij. Ai e bânte për nderin e armve e për detyrën ushtarake të tij. Ishte nji Tyrk i thjeshtë me edukatë gjermane. Këto dý cilsí mjaftojnë sa për nji vëllim për me e spjegue gjestin heroik t’ atij burri.