Intervistoi: Violeta Murati
Ka mjaft objekte të trashëgimisë kulturore, të inventarizuara dhe ta painventarizuara, që ndodhen nëpër arkiva të institucione kulturore, po për nga “identiteti” krijojnë handikap, nuk vijnë në një linjë muzeale me çfarë përfaqësojnë. Ndonjë nismë që këto pasuri të mblidhen sipas një koncepti të tillë nuk ka. Nuk është kjo vetëm një e keqe, por shumë prej tyre mbahen mbyllur pa parë edhe dritën e ekspozimit. Specialisti i restaurimit, në një fushatë personale ndërgjegjësimi, besojmë jo politike, Frederik Stamati, e njeh këtë gjendje dhe na i pohon në këtë intervistë për “Standard”
Ka mjaft objekte të trashëgimisë kulturore, të inventarizuara dhe ta painventarizuara, që ndodhen nëpër arkiva të institucione kulturore, po për nga “identiteti” krijojnë handikap, nuk vijnë në një linjë muzeale me çfarë përfaqësojnë. Ndonjë nismë që këto pasuri të mblidhen sipas një koncepti të tillë nuk ka. Nuk është kjo vetëm një e keqe, por shumë prej tyre mbahen mbyllur pa parë edhe dritën e ekspozimit. Specialisti i restaurimit, në një fushatë personale ndërgjegjësimi, besojmë jo politike, Frederik Stamati, e njeh këtë gjendje dhe na i pohon në këtë intervistë për “Standard”. Stamati është nga më aktivët dhe e njeh mjaft mirë gjendjen mbi objektet që mbahen nëpër arkiva. Sensibiliteti i tij lidhet me një “nismë” të re, që mund të jetë dhe politike, çështje administrative për të “lëvizur” këto objekte referuar linjës muzeale.
Janë disa institucione që mbajnë lëndë arkivore edhe të painventarizuara, po dhe të inventarizuar, të cilat shpesh nuk janë në linjën muzeale ku ato ndodhen. A mund të na tregoni si është kjo situatë, si njeri që keni hyrë nëpër arkiva dhe e dini ç’bëhet me to?
Është interesante… por është e vërtetë që në ndonjë institucion të kulturës ruhen objekte që nuk bëjnë pjesë në linjën e detyrës që ka ai institucion ose më saktë në linjën e përçimit të idesë themelore të muzeut tek vizitorët dhe as në linjën e studimeve shkencore, ose jo, të detyruara për institucionin e hamendësuar. Si të tillë këta objekte janë burgosur në vetminë e tyre dhe janë privuar nga njohja.
A mund ta quajmë këtë një krim kulturor?
Jo, por një terr kulturor po.
Si ka ndodhur kjo?
Nga rrethanat në të cilat ka kaluar Shqipëria. Duhet të konsultosh dokumentet e muzeumeve në periudha të ndryshme që të mund ta shpjegosh. Më e koklavitur është çështja e trashëgimisë së objekteve të Muzeut Kombëtar. Ai u organizua në vitin 1922. Aty u mblodhën të gjitha. Nuk kishte vend tjetër se ku mund të “strehoheshin” objektet, të klasifikuara sipas përkatësisë arkeologjike, etnografike, historike etj. Ishte një fillim dhe patjetër që kështu do të fillohej. Edhe sot është e vështirë të ndërtosh një muze dhe jo atëherë në atë varfëri të skajshme! Se çfarë kanë hequr, e dinë ata që kanë punuar në atë kohë! Muzeu u begatua thuajse vetëm me dhurata dashamirësish. Dhe pati gjëra tepër interesante, që sot nuk i gjen më: brilante te vërtetë të historisë së Shqipërisë! Vërtet që u bë një punë shumë, shumë e madhe duke patur si nxitës të pashuar pasionin atdhetar. Mirëpo se si dhe kjo nuk del në dokumente, jo të gjithë objektet u inventarizuan. Këtu fillon edhe amullia. Vallë, a mos kanë menduar se e dinë se çfarë kanë dhe e shtynë këtë punë për një të ardhme të mëvonshme dhe të pacaktuar? Nuk e dimë! Madje nuk e dimë se edhe sa ka qenë numri i objekteve në atë muze! Dhe nuk do të mundemi ta mësojmë dot kurrë! Erdhi lufta. Muzeu thuajse u shua në ekzistencën e tij. Viti 1946 e gjeti materialin historik të painventarizuar. U krijua Instituti i Shkencave, që pati në gjirin e vet edhe Muzeun arkeologjik-etnografik. Objektet arkeologjike i kaluan sektorit te arkeologjisë, ndërsa objektet etnografike sektorit të etnografisë. Këta u inventarizuan që të gjithë dhe edhe sot, po të kërkosh, gjen të shkruar në regjistrat e inventarit se vijnë nga Muzeu Kombëtar. Shumë mire! Po objektet historike, apo të tjerë, që nuk mund t’i klasifikosh në asnjërin prej grupeve të lartpërmendur? Ata mbetën! Mbetën të futur nëpër arka, pa inventar, pa shënime, pa asgjë! Kështu ata humbën identitetin e tyre! Dhe të mendosh se midis tyre ishin flamujt e ngjarjeve më të rëndësishme të Shqipërisë, uniforma e “Trupit vullnetar”, uniforma dhe disa instrumente të bandës “Vatra” etj., etj. Por pati edhe një kategori tjetër objektesh, sidomos ata prej porcelani, që u inventarizuan dhe që dikush, që nuk dihet se pse ia atribuoi Eqrem Bej Vlorës. Dhe në këtë grup bënin pjesë edhe porcelanet e prodhuara në atelienë e Sevrës, që qeveria franceze ia dhuroi në 1922 Muzeut Kombëtar. Kësaj mase i u shtuan edhe objektet e dorëzuara nga Seksioni i Sigurimit i Tiranës, si për shembull vulat e qeverisë në kohën e mbretërisë, ato të periudhës së pushtimit fashist, të klubeve dhe librarive, apo flamuri i Komandës së Regjimentit të Gjindarmërisë Kosova etj.
T’u kthehemi objekteve të Muzeut Kombëtar sot. Si? As edhe një etiketë, as edhe ndonjë shënim?
Asgjë! Askush nuk tregoi për historinë e tyre, askush nuk la ndonjë kujtim! Dhe të mendosh se në atë muze ka punuar Sotir Kolea, Aleksandër Xhuvani, Eqrem Çabej, Hasan Ceka etj. Ata e dinin se çfarë kishte ai muze! Si nuk u prononcuan, por ndenjën të tërhequr! Dhe kanë qenë deri vonë! E pafalshme! Po Rrok Zojsi, çfarë bëri? Po zonja Çomora, që u mor me kartelizimin? Dhe kartelat kanë edhe një pikë që duhet plotësuar dhe që është origjina e objektit. Më ra për hise pasioni të merresha me shpëtimin e tyre dhe me identifikimin. Ka qenë tepër e vështirë! Ja pra Violeta, se pse në arkivat e ndonjë muzeumi ka objekte të painventarizuara dhe jashtë linjës së tyre të ekspozimit dhe detyrave studimore.
Me sa dimë, edhe në muzeume të ndryshme të botës ka objekte që nuk janë të linjës…
Vërtet, por ato janë të blera, kurse në këtë rast janë të transferuara brendapërbrenda shtetit.
Pse jeni këmbëngulës për t’i riorganizuar këto objekte, e ndoshta siç shpreheni për të shkuar aty ku ju takon?
Po pse, të rrinë të pastudiuar, të mbyllur e të mos i shohë njeri? Muzeumet kanë një detyrë themelore që është ekspozimi i objekteve në ruajtje dhe nëpërmjet kësaj të përçojnë tek vizitorët mesazhe jo vetëm për kuriozitet, por të edukojnë gjerësisht, patriotizëm, koncepte, ndjenja, ide etj., etj. Muzeumet kanë tematika të ndryshme dhe për rrjedhojë objekte të ndryshëm. Atëherë le të shkojnë në ata muzeume ku kanë vendin e tyre!
Keni përvojën edhe të Muzeut Historik, ku shpesh është vënë në qendër të vëmendjes për mungesën e objekteve origjinale, çfarë ndodh nëse institucionet e trashëgimisë do bashkëpunonin mes tyre për të negociuar mbi objekte që mund t’ia “dhuronin” njëri-tjetrit sipas specifikës?
Puna e Muzeut Historik Kombëtar është disi më e komplikuar. Kur u ndërtua ai muze, madje që në ideim, u konceptua si një muze që do të kishte vetëm salla ekspozimi, ndërsa objektet do të huazoheshin herë pas here nga muzeumet e tjerë, jo vetëm për ta pasuruar, por edhe për ekspozita të përkohshme apo për të freskuar linjën e ekspozimit. Ai muze nuk do të kishte të drejtën e blerjes së objekteve, të krijimit të fondeve, pra të magazinave ku ruhen objektet dhe të konservonte në rrugë laboratorike. Atëherë punët qëndronin ndryshe. Ma merr mëndja se sot edhe shumë vetë që punojnë në atë muze nuk e dine këtë. Falë këtij konceptimi dhe ndryshimit të kohërave Muzeu Historik Kombëtar mbeti në këto nivele varfërie dhe nuk mund ta luaj denjësisht rolin që ka dhe që pasqyrohet në emrin e tij.
Po për Muzeun Historik Kombëtar ka edhe një çështje tjetër të një prestigji legjitim të nëpërkëmbur. Logjikisht, ky muze, duam apo nuk duam ne, është në linjën e vazhdimësisë së idesë të dikurshme të mishëruar në Muzeun Kombëtar të vitit 1922. Muzeu Historik Kombëtar u përurua gjashtëdhjetë e një vjet më vonë, në 1981. Rrjedhimisht dhe logjikisht, ky institucion i ri është hapi pasues i të parit. Atëherë le t’i kthehen pasuritë që kishte dhe do ta ndieni ndryshimin! Jam i bindur se këtu fillon dhe revolta nga institucionet që trashëguan pasurinë. Një justifikim i parë është se objektet për MHK u morën nga sektori i arkeologjisë dhe etnografisë pranë Institutit të Historisë, madje edhe më tepër nga çfarë kishte Muzeu Kombëtar. Dhe kjo është e vërtetë. Por ky nuk është një borxh i larë. Arsyetimi i mëtejshëm i problemit nuk është punë zemërgjerësie. Porcelanet e Sevrës nuk kanë vend në fondin etnografik të QSA! As dekoratat zyrtare, as vulat, as flamujt, as instrumentet e bandës “Vatra”, as uniforma e “Trupit vullnetar”, as objektet e infrastrukturës së Ekspozitës së 25-vjetorit të Pavarësisë! Të gjitha këto i takojnë pasardhësit legjitim te Muzeut Kombëtar dhe atje të ekspozohen si trashëgimi e hapave të para për krijimin e muzeologjisë shqiptare. Por kujdes! Do një periudhë paraprake përgatitore. Dhe kjo jo vetëm se si do të konceptohet ekspozimi. Më e rëndësishme është se MHK është shumë larg konservimit muzeal, nuk e njeh, nuk ka personel të përgatitur në këtë drejtim. Dhe kjo është pika më delikate. Se ndryshe, padashur, bëhet hataja! Idealizmi është tepër larg realitetit!
Thoni se ka mungesë të energjisë për t’u marrë me “lëvizjen” e objekteve muzeale, nga niseni? Aq e vështirë është për drejtuesit të kërkojnë “pasurine” brenda shtetit?
Praktika ka treguar se nuk është e lehtë të lëvizësh objektet nga një muze në një tjetër. Jo nga dokumentacioni pa fund. Janë të tjera arsye, kryesisht subjektive. Është një punë që duhet “ta çash”. Nga kjo pikëpamje duhet shumë energji, duhet të mos dekurajohesh dhe të tërhiqesh. Duhet të arrish të bindësh të gjithë pozicionet hierarkike që duhet të lëvizin, deri sa ta çosh punën për firmën përfundimtare tek ministri. Të plas buza po nuk pate mbështetje institucionale!
Konkretisht, mund të na tregoni se si mund të lëvizin objektet sipas natyrës së linjës muzeale nga një institucion te një tjetër, këto të paktën që janë në qendër të Tiranës: QSA, MHK, GA etj.?
Ka një legjislacion të qartë se si mund të lëvizin objektet nga një institucion në një tjetër. Është ndërtuar në mënyrë të tillë që nuk toleron neglizhencat dhe siguron maksimalisht transfertën.
Zgjidhja e duhur sipas jush?
Zgjidhja është ulja në tryezën e bisedimeve shkencore dhe dashamirësia. Toleranca? Nuk besoj se ekziston! Dhe kur të gjitha këto nuk japin rezultat, shqyrtimi në instanca më të larta dhe urdhri pasues administrativ.
Teatri Kombëtar shpall kalendarin e ri artistik
Katër vepra të huaja dhe dy shqiptare për këtë sezon artistik do të jenë premierë në Teatrin Kombëtar. Veprat e para janë miratuar dje nga bordi i TK, ndërsa dramat shqiptare, ajo e Arte Arifit dhe Saimir Gongos, janë përzgjedhur nga leximet skenike në Teatër për gati dy muaj. Nga dramaturgjia botërore janë përzgjedhur këto projekte: “Liri në Bremen” nga Rainer Werner Fassbinder, me regji të Sesilia Plasarit; “Përndjekja dhe vrasja e Zhan Pol Maratit” nga Peter Weiss, me regji të Arben Kumbaros; “Tartufi” nga Molieri, me regji të Erion Kames; “E shtunë, e diel, e hënë” nga Eduardo de Filippo, me regji të Hervin Çulit.
Nga “Netët e Leximit të Dramës Shqipe” bordi përzgjodhi si pjesë të repertorit 2014-2015 këto vepra: “Gruaja në dritare” nga Arte Arifi; “Shtëpia pa dritare” nga Saimir Gongo. Ndërsa “Njeriu Hibrid” i Piro Manit është përzgjedhur nga leximet, por thuhet se premiera do t’i takojë sezonit të ardhshëm. Nga produksionet private, si pjesë e kalendarit artistik të këtij sezoni është përzgjedhur edhe vepra “Vanja dhe Sonja dhe Masha dhe të tjerë” nga Christopher Durang, me regji të Driada Dervishit.