“Prania e Papës në Shqipëri do t’u thotë njerëzve: “Shikoni, ju mund të punoni së bashku. Kemi zgjedhur Shqipërinë për gjëra të mëdha”
Zgjedhja e Shqipërisë si vendin e parë për të vizituar në Evropë pasqyron filozofinë dhe përqasjen pastorale: Drejtoju periferive, çoju shërim atyre që vuajnë. Me këto fjalë e ka nisur shkrimin e saj agjencia e lajmeve të Vatikanit, artikullin ku shpjegohen se cilat janë arsyet e Papa Françeskut për të vizituar Shqipërinë në 21 shtator, Ditën e Paqes. “Papa do të vizitojë një vend të varfër me mazhorancë myslimane dhe me arsyen për të vënë në qendër të opinionit publik botëror, të përçarë nga sektarizimi i tejskajshëm, një komunitet shumëfetar ku pakica katolike (vetëm 16% e popullsisë, sipas CNS) bashkëjeton në harmoni në të gjitha sferat e shoqërisë”, – thuhet në shkrimin e “CNS”. “Prania e Papës në Shqipëri do t’u thotë njerëzve: “Shikoni ju mund të punoni së bashku”, – vazhdon shkrimi. CNS ka marrë një prononcim dhe nga koordinatori i Kryedioqezës të Tiranës, atë Gjergj Meta, i cili thotë se “myslimanët, ortodoksët dhe ateistët gjithashtu e shohin Papa Françeskun si një person karizmatik, i cili mbron të dobëtit dhe njerëzit pa zë”. Sipas agjencisë së lajmeve të Vatikanit, kjo paqe dhe harmoni ndërfetare i ka rrënjët e saj qysh nga koha e persekutimit otoman në shekullin e 14, kur myslimanët, ortodoksët dhe katolikët, si pasojë e pushtimit tepër të gjatë qëndruan dhe punuan së bashku.
Artikulli
Në artikull përmendet edhe diktatura enveriste në vendin tonë. “Regjimi i kaluar persekutoi dhe vrau mbi 200 priftërinj katolik, në kuadër të projektit të një Shqipërie ateiste që u bë fakt i kryer, me ligj, në vitin 1967”, – thuhet në shkri. Kishat shekullore shqiptare, thuhet në këtë artikull, se u transformuan ose u tjetërsuan nga sistemi socialist, nga vende kulti në kinema, palestra ose në salla takimesh. Dy dekada më vonë, pas ardhjes së epokës demokratike, sipas CNS, vendi ynë po përjeton lirinë fetare, por është ende i zënë në ngërç nga dukuri si korrupsioni, probleme në infrastrukturës dhe dukuri sociale tepër problematike si hakmarrja dhe sistemi kanunor mbi të cilin bazohet kjo e fundit. Gjithashtu, në shkrim thuhet se Shqipëria është një nga vendet më të varfra të Evropës, me rreth 17% të popullsisë si të papunë dhe me 14% të banorëve që jetojnë nën nivelin e varfërisë, gjë që ka shtyrë prej dekadash dhe emigrimin në masë. “Sfida më e madhe për kishën shqiptare në ditët e sotme është përqasja me nevojat sociale, psikologjike dhe shpirtërore të njerëzve. Para se kisha të jetë efektivisht një mësuese e fesë, duhet të jetë në radhë të parë një forcë që shëron”, – vazhdon më tej shkrimi. Artikulli përfundon me fjalët: “Kemi zgjedhur Shqipërinë për gjëra të mëdha”.
Sekretari i Vatikanit: Nuk na rezulton ndonjë rrezik
Sekretari i Vatikanit, Pietro Parolin, është shprehur ditën e djeshme se askush nuk është i shqetësuar për vizitën e Papa Françeskut në Tiranë, në datën 21 shtator. Sipas sekretarit të Vatikanit, Papa do ta vazhdojë axhendën normalisht. I pyetur nga mediat nëse është i shqetësuar nga lëvizjet xhihadiste kohët e fundit në Kosovë, por në disa raste edhe në Shqipëri, Pietro Parolin u shpreh se nuk rezulton asnjë element rreziku. “Theksojmë që s’jemi aspak të shqetësuar, sepse neve nuk na rezulton ndonjë rrezik që mund të na kanoset në atë vend!”, – përmendi sekretari i Vatikanit. Parolin ka kujtuar edhe një herë gatishmërinë që kishte Papa për t’u ndalur në Kurdistan, pas rikthimit nga Koreja e Jugut, siç zbuloi vetë Ati i Shenjtë gjatë konferencës së shtypit që zhvilloi në bordin e avionit drejt Seulit. “Por ja që më pas nuk ishte e mundshme”, – ka shtuar sekretari i shtetit të Vatikanit, që megjithatë ka theksuar se si Papa nuk ka asnjë frikë për veten e tij.
Transporti detar/ Marrëveshjet që përjashtohen nga ligji i konkurrencës
Bashkëpunimi mes shoqërive të transportit për disa qëllime operacionale ose tregtare nuk do të ndëshkohet nga Autoriteti i Konkurrencës. Ligji i konkurrencës parashikon disa përjashtime për marrëveshjet mes shoqërive në rastet e transportit detar. Me vendimin e fundit Komisioni i Konkurrencës ka miratuar rregulloren “Për kategoritë e marrëveshjeve, vendimeve dhe praktikave të bashkërenduara në sektorin e transportit detar të mallrave”. Kjo rregullore do të zbatohet për marrëveshjet e konsorciumit, për sa kohë që ato ofrojnë shërbime të transportit ndërkombëtar detar të mallrave nga ose tek një nga portet e territorit të Republikës së Shqipërisë Bazuar në këtë rregullore dhe në përputhje me nenin 6 të ligjit parashikohet se neni 4 i ligjit nr. 9121, datë 28.7.2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës” (i ndryshuar), nuk do të zbatohet për disa kategori të marrëveshjeve ndërmjet ndërmarrjeve, vendime dhe praktika të bashkërenduara, që kanë si objekt promovimin ose krijimin/nisjen e një bashkëpunimi, në formën e një veprimtarie të përbashkët të shërbimeve të transportit detar, ndërmjet ndërmarrjeve të këtij transporti, me qëllim racionalizimin e operacioneve/veprimtarive të tyre nëpërmjet rregullimeve teknike, operacionale apo tregtare, duke përjashtuar fiksimin e çmimeve. “Konsorcium” nënkupton një marrëveshje ose grupim të marrëveshjeve të lidhura ndërmjet dy ose më shumë transportuesve, që ushtrojnë aktivitet me anije, të cilët ofrojnë shërbime të transportit det ar ndërkombëtar, ekskluzivisht për transportimin e kargove/ngarkesave. Objekti i këtyre marrëveshjeve është ushtrimi/ofrimi i përbashkët i shërbimeve të transportit detar, i përmirësuar në krahasim me shërbimin që do të ofronin individualisht. Lidhur me marrëveshjet që përjashtohen rregullorja parashikon: ushtrimin/ofrimin e përbashkët i shërbimeve të transportit detar, që përfshijnë një nga aktivitetet e mëposhtme: (a) Koordinimin dhe/ose fiksimin e përbashkët të kalendarit te lundrimit dhe përcaktimin e porteve të dërgimit; b) Shkëmbimin, shitjen ose dhënien e të drejtave reciproke për hapësirën e anijeve; c) Grumbullimin e anijeve dhe/ose instalimeve në porte; d) Përdorimin e një ose më shumë zyrave të përbashkëta të veprimtarive; e) Dispozitat mbi kontejnerët, shasitë dhe pajisje të tjera dhe/ose dhënia me qira, marrja me qira ose kontratat e blerjes për pajisje të tilla. Por kjo rregullore nuk përjashton marrëveshjet kartel të cilat do të ndëshkoheshin njëlloj nga Autoriteti i Konkurrencës me gjoba deri në 10% të xhiros në rastet e kufizimeve të rënda të konkurrencës si caktimi i çmimeve kur ofrohen shërbime të transportit detar tek palë të treta; kufizimi i kapaciteteve apo të shitjeve si dhe ndarja e tregjeve ose të klientëve.