Vizita e Papa Françeskut/ SHISH dhe policia forcojnë vëzhgimin ndaj të kthyerve nga lufta në Siri

0
120

Rritet bashkëpunimi i shërbimeve të huaja sekrete me Policinë e Shtetit dhe Shërbimin Informativ Shtetëror

xhihad_2Vizita e Papa Françeskut në Shqipëri, gjatë këtij muaji, ka rritur bashkëpunimin e shërbimeve të huaja sekrete me Policinë e Shtetit dhe Shërbimin Informativ Shtetëror. Mësohet se shërbimet e huaja u kanë kërkuar autoriteteve shqiptare kujdes më të madh nga ana e agjentëve të terrenit ndaj këtyre personave në prag të vizitës së Papa Françeskut, i cili në 21 shtator do të vizitojë Shqipërinë.

Ky bashkëpunim i forcuar prej rreth tre muajsh bëhet për të rritur vëzhgimin ndaj të gjithë pjesëmarrësve në luftën e Sirisë apo bashkëpunëtorëve të tyre.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi, por edhe të forcimit të masave në prag të vizitës së rëndësishme të kreut të Vatikanit, mësohet se agjentët e terrenit janë urdhëruar të jenë me vigjilentë në këtë periudhë ndaj kësaj kategorie individësh. Këto masa dhe ky bashkëpunim mësohet se i shërbejnë parandalimit të çdo ngjarjeje të mundshme, të organizuar nga ekstremistë të ndryshëm që mund të veprojnë në Shqipëri dhe jashtë saj. Pjesë e vëzhgimit nga ana e strukturave të policisë dhe SHISH-it mësohet se janë edhe të afërmit e personave që nuk janë kthyer në Shqipëri dhe vazhdojnë të jenë pjesë e rebelëve të ISIS-it në Siri e Irak.

Zyrtarisht, nga burimet zyrtare pranë Policisë së Shtetit, thuhet se janë rreth 35 persona, të cilët janë kthyer në territorin shqiptar pas pjesëmarrjes aktive në luftimet e Sirisë. Sqarohet se të gjithë këta persona po vëzhgohen për aktivitetin e tyre në qytetet ku jetojnë dhe kontaktet që ata kanë si brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Ndërkohë, janë rreth 70 familje, të afërmit e të cilëve ndodhen në krah të grupeve terroriste të ISIS-it, të cilët po monitorohen nga agjentë të ndryshëm në terren.

Sipas policisë, qytetet, ku më së shumti janë përqendruar agjentët e vëzhgimit janë Tirana, Shkodra, Elbasani, Librazhdi, Cërriku, Pogradeci, Peqini e Bulqiza, pasi dyshohet se në këto zona janë përqendruar edhe ekstremist të ndryshëm, të cilët dyshohet se bashkëpunojnë me personat aktivë në luftime në Siri.

Nga ana tjetër, Prokuroria për Krime të Rënda mësohet se u ka kërkuar zyrtarisht autoriteteve të drejtësisë kosovare identifikimin e numrave të telefonit, me të cilët personat e arrestuar në Kosovë bashkëpunonin me shtetas shqiptar. Në disa raste, është konstatuar bashkëpunimi mes besimtarëve myslimanë shqiptarë dhe atyre kosovarë në lidhje me rekrutimin dhe dërgimin e besimtarëve drejt Sirisë e Irakut.

Ndërkohë, me datën 3 shtator, ka hyrë në fuqi në Shqipëri ligji për dënimin e të gjithë personave që marrin pjesë në një luftë jashtë territorit shqiptar.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency