Krim makabër në Durrës/ Mbyten me qese dy kunatat, shpëton e moshuara e tretë

0
140

Elsa dhe Gjinovefa VavaNgjara ka ndodhur në Durrës, shoqërohen 20 persona, autorët ende të paidentifikuar

Dy gra të moshuara janë dhunuar për vdekje natën midis së hënës dhe të martës në qytetin e Durrësit. Viktima të dhunës kanë qenë Gjinovefa dhe Elsa Vava, 77 dhe 72 vjeçe, kunata me njëra-tjetrën. Sulmit i ka shpëtuar një grua e tretë, Marjana, motër e Gjinovefës, e cila ishte e paralizuar.

Ngjarja ka ndodhur në katin e dytë të një banese private ku rrinin dy kunatat, e cila ishte në pronësi të tyre, në lagjen nr. 11, pranë Postës së qytetit bregdetar.

Viktimat dyshohet të jenë mbytur me qese plasmasi, ndërsa burime policore kanë pohuar se të moshuarat i kishin të lidhura duart dhe se janë mbytur nga asfiksia.

Trupat u zbuluan dje rreth orës 06:35 të mëngjesit nga Albert Vava, djali i Elsa Vavës, njërës prej viktimave. Sipas dëshmisë të djalit, ai në mëngjes kishte shkuar drejt banesës ku edhe kishte parë derën e hapur dhe dy gratë e pajeta.

Trupat e dy të ndjerave u dërguan drejt morgut të qytetit për të vijuar me ekspertizën mjekoligjore. Njëra prej viktimave, Elsa Vava, ishte e martuar dhe kishte dy fëmijë. Sipas dëshmive të të afërmeve, viktimat kujdeseshin për një grua invalide, e cila jetonte në katin e parë të banesës.

Por në mbrëmjen e djeshme, kur ndodhi krimi, e motra e Gjinovefës, edhe pse ka qenë në dhomën ngjitur, ndonëse ka dëgjuar zhurmë, nuk ka mundur të bëjë asgjë.

 

Viktimat

Gjinovefa Vava dhe Elsa Vava (burrat vëllezër) së bashku dhe me motrën e Gjinovefës, Marjanën, e paralizuar, jetonin së bashku në banesën dykatëshe, shtëpi e vjetër karakteristike në Durrës. Mbrëmjen kur ndodhi krimi, Marjana, e motra e Gjinovefës, ka qenë në dhomën ngjitur. Ndonëse ka dëgjuar zhurmë, nuk ka mundur të bëjë asgjë.

Nga hetimet paraprake, mësohet se viktimat dyshohet të jenë mbytur me qese plasmasi, ndërsa burime policore kanë pohuar se të moshuarat i kishin të lidhura duart me qese dhe se janë mbytur nga asfiksia. Mësohet se gruaja e tretë, e paralizuar, i ka shpëtuar dhunës së agresorëve.

Ndërsa fëmijët e njërës prej të moshuarave (dy të tjerat nuk kishin fëmijë) ishin të martuar dhe jetonin më vete.

Sipas burimeve të policisë lokale, mësohet se njëra prej të moshuarave është gjetur e vdekur në krevat, ndërsa tjetra në dysheme.

 

Policia

Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar zyrtarisht edhe Drejtoria e Policisë së Qarkut të Durrësit. Sipas një njoftimi të shpërndarë për mediat, mësohet se më date 2.9.2014, ora 06:35, në lagjen nr. 11, Durrës, në banesën e tyre private janë gjetur të vdekura shtetaset Elsa Vava, 72 vjeçe, dhe Gjinovefa Vava, 77 vjeçe, të cilat janë mbytur dhe lidhur në duar.

Në vendngjarje grupi hetimor po vijon veprimet e para. Veprimet hetimore po drejtohen nga prokurori i rrethit. Nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit janë dërguar specialistë të hetimit të krimeve të rënda dhe veprimet po ndiqen nga strukturat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut në funksion të zbardhjes së ngjarjes dhe motiveve e rrethanave të saj.

Deri tani, janë shoqëruar në polici 20 shtetas, të cilët dyshohet të kenë dijeni për rrethanat e hetimit si komshinj, të afërm apo edhe persona me precedent në fushën e vjedhjeve me dhunë dhe përdorimit të narkotikëve.

 

Hetimet

Hetimet e policisë janë përqendruar në dy pista të mundshme, në pistën e grabitjes dhe në atë të një konflikti për pronën. Policia dyshon se ky është një krim i grabitësve, për shkak se shtëpia e të moshuarave ishte e shkatërruar plotësisht dhe autorët duket se kanë kërkuar diçka. Por megjithatë, po hetohet edhe në drejtim të një piste tjetër, konflikt pronësie, pasi mësohet se kohët e fundit të moshuarat ishin në një proces gjyqësor për banesën e tyre.

Sipas raportimeve, mësohet se janë shoqëruar rreth 20 persona në polici, në cilësinë e dëshmitarëve, disa prej të cilëve fqinj dhe të afërm të të moshuarave, për t’u pyetur rreth ndonjë konflikti të mundshëm. Sipas burimeve të policisë, mësohet se ndër personat e shoqëruar ka edhe me precedentë penalë, kryesisht për grabitje. Ndërkohë, po verifikohen shenjat e gishtërinjve, të cilat janë marrë edhe në vendin e ngjarjes, të cilat po krahasohen me ato të të dyshuarve.

Në vendngjarje shkoi prokurori Besim Hajdarmataj, ndërkohë që vijon puna për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë. Nga hetimet paraprake, dyshohet se mund të kenë qenë më shumë se dy autorë që kanë marrë pjesë në këtë krim të rëndë, ende të paidentifikuar.

 

Flasin familjarët dhe fqinjët e viktimave/ “Motivi i krimit, grabitja, nuk kanë pasur konflikte pronësie”

 Të afërm të viktimave u shprehën dje pas krimit se nuk kanë pasur ndonjë konflikt, aq më tepër për pronat. Sipas tyre, motivi i këtij krimi lidhet me ndonjë grabitje të mundshme, pas dyshimeve që autorët kanë pasur se të moshuarat fshinin sasi të mëdha të hollash në banesën e tyre.

“Policia s’e ka dhënë ende versionin, presim çfarë do japë. Unë jam nipi. Nuk di për konflikte, nuk di çfarë të them. Sipas policisë, flitet për grabitje, jo për konflikte. Nuk di çfarë të them…”, – shprehet duke qarë nipi i viktimave.

“Kanë dyshuar se këtu fshihej një pasuri shumë e madhe, vepër kaq kriminale, kanë shfrytëzuar natën me shi dje. Po të vësh dorë mbi dy të moshuara, nuk e di çfarë të them. Siç thotë dhe nipi, kriminelët nuk janë kurrë në lartësinë e krimit që bëjnë. Shpresoj t’i kapin”, – shprehet një tjetër i afërm.

Edhe fqinjët nuk pohojnë që viktimat të kenë pasur konflikte pronësie, ndërsa i kujtojnë ato si “të mrekullueshme”.

Fqinjët e dy grave të moshuara dhe familjarë shprehen të tronditur rreth krimit ndaj dy të moshuarave.

“Elsa ka qenë një llogaritare e mrekullueshme, ka rritur dy fëmijë të mrekullueshëm. Sot sikur na ra një tërmet i madh. I kemi dashur shumë, na ka ndihmuar shumë. Kanë qenë gra të mrekullueshme”, – shprehet njëra prej fqinjëve.

“I njoh që në fëmijëri. Një familje, një nuse që rrinte me dy kunata. Kanë ditur që kanë pasur prona. Po nuk e besoj ta kenë bërë nipat dhe familjarët, nuk janë ashtu kategorie. Me gjyqe për pronat kanë qëkur ka qenë demokracia, që para 20 vitesh”, – shprehet një fqinje tjetër.

Të afërmit dhe fqinjët bëjnë thirrje të zbardhet sa më parë ngjarja e rëndë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency