Tremujori i dytë/ Bizneset dhe individët, rritet kredia, bankat lehtësojnë kushtet

0
152

kredite dollari euroRaporti i fundit i standardeve të kredisë së tremujorit të dytë 2014 tregoi se bankat po i lehtësonin kriteret si për biznesin ashtu dhe për individët, ndërsa edhe nga kahu tjetër kërkesa po rritej

 Huaja për ekonominë duket se po shfaq sinjale të qëndrueshme gjallërimi. Statistikat e publikuara nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në korrik, kredia për biznese e individë u rrit për të tretin muaj radhazi, periudha më e gjatë zgjeruese, që nga fillimi i vitit 2012. Totali i huasë për ekonominë në korrik 2014 arriti në 550.6 miliardë lekë, duke u rritur me 0.4% në raport me muajin e mëparshëm. Në raport me fundin e vitit 2013, kreditimi për bizneset dhe individët është zgjeruar me 2.7 miliardë lekë apo 0.5%, duke përshpejtuar rritjen për periudhën përkatëse krahasuese, që u konstatua për herë të parë në qershor. Me bazë vjetore (korrik 2014/korrik 2013), kredia për ekonominë shënoi për herë rritje vjetore prej 0.5%, teksa deri në qershor tendenca vjetore qenë negative, -1.6%. Një gjallërim i huasë për ekonominë ishte i pritshëm, pasi raporti i fundit i standardeve të kredisë së tremujorit të dytë 2014, tregonte se bankat po i lehtësonin kriteret si për biznesin ashtu dhe për individët, ndërsa dhe nga kahu tjetër kërkesa po rritej. Ka qenë huaja në lekë ajo që ka ndikuar në rritjen e huasë për ekonominë. Kredia në monedhën vendase u rrit me 4.4% me bazë vjetore në korrik, ndërsa ajo në valutë ra me 2% për të njëjtën periudhë.

 

Kreditë

Bankat e nivelit të dytë muajt e fundit po aplikojnë kushte të lehta për kreditë, sidomos për ato konsumatore. Në këtë mënyrë, një individ mund të marrë nga 100 mijë deri në 1 milion lekë, pa lënë garanci pasuri të ndryshme. Disa nga bankat kërkojnë vetëm një person tjetër që të dalë garant dhe në disa raste mjaftohet vetëm me një vërtetim nga puna apo faturat e paguara të energjisë. Të gjitha këto kushte kanë bërë që kreditë në muajt e fundit të pësojnë një rritje.

 

Rritet dollari, euroja në të njëjtat nivele

Ndonëse në bursat ndërkombëtare, monedha evropiane preku nivelin më të ulët të vitit, ajo mbetet e fortë në tregun shqiptar. Monedha e gjelbër ka shënuar sërish rritje në ditën e djeshme, duke u këmbyer me 106.1 lekë, 0.26 lekë më shumë në raport me të premten e javës së kaluar, një rekord i ri ky i këtij viti. Të dhënat janë sipas kursit zyrtar të këmbimit që publikohet çdo ditë nga Banka e Shqipërisë. Ndërkaq, euroja nuk ka ndryshuar në tregun vendas, duke u këmbyer me 139.44 lekë. Mbiçmimi i dollarit në tregjet ndërkombëtare po reflektohet në tregun e brendshëm kryesisht me forcimin e monedhës amerikane, ndërsa euroja po i reziston uljes. Në tregjet ndërkombëtare, euroja u këmbye dje me nivelin më të ulët të një viti ndaj dollarit, teksa shenjat se ekonomia evropiane po ecën më dobët se ajo e SHBA-së kanë dëmtuar kërkesën në vendet e monedhës së përbashkët. Euroja arriti gjatë ditës së djeshme deri në 1.3119$, niveli më ulët që nga 6 shtatori. Euroja ka rënë për shtatë javët e fundit, periudha më e gjatë me rënie që nga dhjetori 1999.

 

 Bashkia, akuza qeverisë/ Bozdo: Dëmtimi i memorialit “Post-Bllok”, mesazhi i ringjalljes së kultit të diktaturës

 Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo, ka dënuar dhunimin e përsëritur që i është bërë memorialit “Post-Bllok”. Ky memorial që ndodhet vetëm disa metra larg zyrës së Kryeministrit dhe Kryetarit të Kuvendit, është dëmtuar me mjete të forta. Dëmtimi i memorialit, që simbolizon vuajtjet, persekutimet, vrasjet dhe shfarosjet vjen në të njëjtën kohë kur prej disa muajsh në aktivitete qeveritare shfaqet portreti i Enver Hoxhës. “Jemi këtu për të denoncuar dëmtimin e qëllimshëm që i është bërë memorialit “Post-Bllok”, memorial i cili simbolizon vuajtjet, persekutimet, vrasjet dhe shfarosjet, por edhe rezistencën e shqiptarëve kundrejt regjimit gjakatar, totalitar të Enver Hoxhës. Dëmtimi është bërë me mjete të forta, me komplicitetin e heshtur të Edi Ramës dhe Ilir Metës, zyrat e të cilit janë vetëm disa metra larg nga ky vend dhe që ruhet me praninë e Gardës së Republikës dhe Policisë së Shtetit”, – përmendi Bozdo. Më tej, nënkryetari i Bashkisë akuzoi qeverinë se po inkurajon shfaqjen e fantazmës së Enver Hoxhës. “Po s’ka se si të ndodhë ndryshe, kur kjo qeveri, kjo mazhorancë, kjo dyshe ka inkurajuar shfaqjen e fantazmës së Enver Hoxhës, nëpërmjet portreteve të tij në një pjesë të mirë të ceremonive zyrtare dhe asnjëherë nuk ka kërkuar falje apo të jetë distancuar nga to. Kjo është e dhimbshme, kjo është e turpshme dhe nevojitet një qëndrim i prerë, popullor kundrejt qëndrimeve të tilla. Jemi këtu gjithashtu për t’i kërkuar Policisë së Shtetit gjetjen dhe vënien para drejtësisë të autorëve të këtij dëmtimi, i cili nuk është dëmtim i rastit, nuk është aksidental, nuk është i rastësishëm, por mbart një mesazh të madh nga mbrapa. Mesazhi i fetizimit apo ringjalljes së kultit të diktaturës. E them edhe një herë tjetër, në emër të Bashkisë së Tiranës, u kërkojmë institucioneve shtetërore, Edi Ramës dhe Ilir Metës të distancohen nga kjo që ka ndodhur sot dhe Policisë së Shtetit të vërë menjëherë para drejtësisë autorët e këtij krimi kaq të rëndë”, – u shpreh nënkryetari i Bashkisë, Enno Bozdo.

 

 Remonte për 4 ditë/ Zonat ku do të ndërpritet energjia

 Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka njoftuar se gjatë 4 ditëve do të ketë kufizime të energjisë elektrike në zona të ndryshme të kryeqytetit. OSHEE bën me dije se do të kryejë punime remonti nga data 1 shtator deri me 5 shtator sipas këtij plani. Në datën 2 shtator, nga ora 05:00 deri në 10:00, do të kryhen punime remonti në nënstacionin Qafë-Mollë e për pasojë do të stakohet energjia elektrike për Ujësjellësin e Tiranës. Gjithashtu nga ora 09:00 deri ne 15:00 do të kryhen punime remonti në nënstacionin Fushë-Krujë. Për pasojë do të stakohet energjia elektrike për abonentët: Bashkia Fushë-Krujë, burgu Fushë-Krujë, Komuna Nikel me fshatrat Larushk, Tapizë, Shelqet, Gretë, Zezë, rrethinat Rinas, Komuna Borizan me fshatrat Borizan, Thumanë, Derven, Gramaz, Halil, Zall, Makaresh, pompat e Ujësjellësit Durrës, subjektet private: gurore, fabrika e tullave dhe serat. Në datën 3 shtator nga ora 09:00 deri ne 15:00 do të kryhen punime remonti në nënstacionin Fushë-Krujë. Për pasojë do të stakohet energjia elektrike për Komunën Luz me fshatrat Luz, Bilaj, Mergjin, Hasan, Komuna Budull, me fshatrat Ura e Gjolës, Budull, Bubq, Dari, subjekti “Ital-Koli” dhe fabrika e çimentos. Në datën 4 shtator nga ora 09:00 deri në 14:00 do të kryhen punime remonti në nënstacionin Qafë-Mollë. Për pasoje do të stakohet energjia elektrike për abonentët në fshatrat Shënmëri, Shupal, Shëngjergj, Shkallë dhe Zall-Bastar. Në datën 5 shtator nga ora 09:00 deri në 15:00 do të kryhen punime remonti në nënstacionin Fushë-Krujë. Për pasoje do të stakohet energjia elektrike për abonentët: Bashkia Krujë, Malësia Krujë, Bashkia Fushe Kruje, Burgu Fushe Kruje, Komuna Nikel, Borizan, Luz, Budull, pompat e Ujësjellësit Durrës, subjekti gurore, fabrika e tullave, serat, subjekti ”Ital-Koli”.

 

 Vjedhja e Bankës/ Shoqëria civile, protestë përpara Parlamentit

Shoqëria civile dhe qytetarët kanë protestuar ditën e djeshme për vjedhjen e Bankës së Shqipërisë. E vendosur përballë Parlamentit, shoqëria civile kërkoi që Parlamenti të marrë masa për shkarkimin e guvernatorit të Bankës, Ardian Fullani. “Ata përballë nesh kanë kohë të zihen me njëri-tjetrin, Presidentin, me shejtanin dhe të birin, me diplomatët, me çdo telash në botë ata duan fort të merren sot vetëm të mos flitet për guvernatorin, për vjedhjen e parave se dikush ua ka mbyllur gojën. Këto gojë janë mbyllur me para. Me qindra milionë dollarë dhe jo për 7.2 sa kanë përsëritur deri tani se janë zhdukur. Deputetët kanë frikë të mos u dalë në ekranin e votimit për shkarkim guvernatori Fullani se i tremb më shumë se ferri dhe djalli. Jo, thonë ata, pushtetarë dhe ish-pushtetarë, këtë mos na e kërkoni, nuk e bëjmë dot. Na kërkoni reformë territoriale, këtë e bëjmë pa pyetur askënd. Na kërkoni të shkarkojmë Presidentin, e bëjmë brenda ditës. Na kërkoni të bëjmë përshesh gjykatat, prokurorinë, inspektoratet. Të gjitha këto i bëjmë për qytetarët, thonë parlamentarët tanë, paçka se këta janë të papavarur. Por jo guvernatori, thua të ketë sekrete për politikanët tanë të vjetër e të rinj në miliarda dollarë, në bankat në Zvicër e Qipro apo vende të tjera”, – tha Basir Çollaku, aktivist i shoqërisë civile. “Jemi këtu për të përçuar zërin e qytetarëve. Deri më tani janë mbledhur 13.000 firma. Fullani është qytetari shqiptar më i papërgjegjshëm pas atij skandali shekullor. 13 mijë firmat do t’i dërgohen Parlamentit si zëri i deputetit që i mungoi përfaqësimit të qytetarëve në këtë Parlament”, – tha përfaqësuesi i shoqërisë civile Zirkon Disha. Protestuesit i kanë bërë thirrje edhe Kryeministrit Edi Rama që të firmosë peticionin për shkarkimin e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency