Jerm

0
235

natasha lushajNatasha Lushaj

                          1.

barkë e braktisur tek moli i vjetër

përkundet lëkundur

me xixëllima qiejsh

sirenë që fle mbi ujë e magjepsur

 

cima rënë thellë,

tendosur prej makthesh

myshk algash mbështjellë shpështjellë

gërsheta lianesh

 

                                   2.

dielli i kuq

detit tutje përflaket

një “ffshshshsh…” vjen si frymë

e zbrazet

me dritën që sa vjen e mpaket

një pëshpërimë përshpirtje shtyn dhe ysht

valëzat rreth barkës

ia rrënqethin buzën

me mijëra xixëllima t’ylberta fjale

me afsh e aht ajri i ndezur njelmet

përzishëm uji blujeshiltë bruzet.

 

                                     3.

një pulëbardhë atje lart

shkund pendlat me grimca të kaltre

çukit çuditshëm furishëm direkun

kryquar me kulm drejt polit

goditja jehon si kordë harpe

mors i ethshëm alarmi

sikur zogu po shkruan një tekst drame:

 

mesnatës së shurdhër a mëngjesit si qelqi

nga llurba ku prehen si gjarpërinj lianet e gjelbra

do të ngrihet një masë e stërmadhe deti

barkën ta rrënojë megjithsej

në heshtje ta përpijnë humbellat e zeza!

 

                                   4.

i zi nga ndajnata

kërcet e hepohet direku

përgjysmë e ndan qarkun që mbytet bojëgjaku

 

si sirena alarmi

rrahin furishëm palët e ajrit

dy vela të bardha të bardha

në elipsën mes kiçit dhe bashit

 

ritëm trokéu ajo klithma: fi-fiiu!

me patkonj ajri ngarend në t’errët

një kod mors me ngricë veriu

çan mugun e njelmët t’eterit

 

                                   5.

dhe ra qarku i diellit

martir i zjarrit të vet në humnera

si bir njeriu shuhet në det

mes flakërimash i vetmi

heshton ulërimë pëshpërima

gjithkëndi e gjithkahja

 

                                   6.

zogu orakull

prek ujërat e lashta

me gjoks e me flatra

bojëgjaku

me gjoks e me flatra

 

barka trok ere velëhapur

çliruar lianash

me klithma qiell-valën e matka

 

                                     7.

o fat i vulosur përjetë

nën dallgë ma fsheh çarkun

o qiej përpirës njësohi një çast me honin e thellë

e ndritmani tej e përtéj udhën e shkretë

dhe hapu o det

si gjoks nositi,

ti hapu

qiell-det

një grimëkohë të vetme

ta kem sërish atë mall në jetë!

 

po barkë e braktisur as merr e as jep

 

                             8.

në jerm

pulëbardha s’e di

që n’akullin-eter

po e nis tekst-dramën e vet

 

2012 – 29.8.2014

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency