Film / Drama groteske në stilin e Çaplinit

0
130

Nga Gani Mehmetaj

“Grand Hotel Budapest “The Grand Budapest Hotel” (2014) komedi-dramë, sipas skenarit e regjisë së Ues Andersonit (Wes Anderson), i frymëzuar nga “Padurimi i zemrës” i Stefan Cvajgut. Në rolet kryesore Ralf Fiene (Ralph Fienne), Toni Revolori,  Adrien Brodi, Uiliam Dafoe dhe Xhef Goldblum. Prodhuar nga Britania e Madhe e Gjermania.

 

The-Grand-Budapest-Hotel-StillDiku në rrafshulëtat e Evropës, para një lufte të frikshme, së cilës të gjithë ia kanë frikën, një shkrimtar rrëfen historinë e gjatë e me të papritura për jetën e bëmat e një pronari hoteli. Filmi nis me një shpalim panoramik të ambientit me visore e pamje të mrekullueshme, për t’u përqendruar në hotelin sa të zakonshëm, aq edhe të jashtëzakonshëm, ku ndodhin gjëra të çuditshme, të papritura dhe enigmatike. Protagonisti i filmit merr vesh se ia kanë lënë një trashëgimi të madhe, mirëpo po ashtu në mënyrë të papritur i bëhet me dije se ka edhe pretendentë të tjerë për atë trashëgimi. Ata nuk janë paqësor, me ta është vështirë të merresh vesh, ata i duan të gjitha.

Dhe pikërisht këtu fillojnë peripecitë e tensionet dramatike: me vrapime groteske, gati në stilin e ikjes së Çarli Çaplinit apo të Baster Kitoni, në burleskat e tyre, me mënyrën e të rrëfyerit ekspresionist, me interpretimin ndryshe dhe atmosferën që të kujton paqen para furtunës.

Figurat duken groteske, herë-herë të shpërqendruara, jo rrallë argëtuese, përderisa ngjarja të mbanë pezull më mënyrën se si rrëfehet. Për ta dinamizuar rrëfimin, në film futen policët, të cilët vetëm sa krijojnë rrëmujë,  vrapime në stilin e filmave pa zë, pa e zgjidhur asnjë ngatërresë.

Filmi “Grand Hotel Budapest” ka rrëfim interesant, i paraqitur më përkushtim, është komik e dramatik njëherësh, plot tension, i përpunuar me mjeshtri të veçantë.  Është ndër filmat e rrallë evropianë të kohës së re që të bënë ta ndjesh vetën mirë, duke ta kujtuar fillimin e kinematografisë, atëherë kur filmi evropianë shikohej më ëndje edhe në SHBA. Është frymëzuar nga teksti “Padurimi i zemrës”, i shkrimtarit të njohur austriak Stefan Cvajg, ndërsa ashtu sikurse ishte përjetim i një periudhe vepra e tij, ashtu është përjetim i veçantë kjo periudhë e ekranizuar nga regjisori Ues Anderson. Shkrimtari thuhet se e shkroi novelën që e frymëzoi regjisorin në kohën kur priteshin kthesa të frikshme dhe drama që do tronditnin botën. Shkrimtari u detyrua ta braktisë vendin, ndërsa heronjtë e tij ballafaqohen me të papriturat.

Sekuenca nga kjo dramë që shiheshin në horizont, paralajmërohen në një mënyrë të pa imponuar. Duke u përqendruar në përditshmërinë e pazakonshme të heronjve të vet të zakonshëm, të cilët kanë gjakimet, ëndrrat dhe vizionin e tyre për të ardhmen, sikur përpiqet të del jashtë kornizave të rrëfimit klasik. Regjisori, me rrëfimin e adaptuar, vazhdon me historinë e vet, ndërsa shikuesin e shpijnë në Evropën që e kemi parë në filmat bardhë-zi, në Evropën e shkrimtarëve gjerman Stevan Cvajg apo Elia Kaneti.

“Hotel Grand Budapest” është një përzierje e pazakonshme llojesh të ndryshme në stilin e veprimeve e vrapimeve të traditës së mirë të filmave të Çarli Çaplinit. Është ndër filmat e pakët të kinematografisë evropiane, ku ka dinamikë rrëfimi, situata me sharmë e me ritëm të shpejtuar dhe dialog që të ngazëllen.

Rrëfimi kinematografik i kësaj komedie nis me aventurat e portierit Gustav H ( Ralf  Fiene), të përfshirë në vjedhjen e pikturës së njohur, ndërsa rreth këtij veprimi pastaj përqendrohet shtjellim i komedisë dramatike me linjën tjetër të plakës e cila le një trashëgimi të pazakonshme. Personazhi tjetër që i jep sharmë filmit dhe e dramatizon është Zero Mustafa,  në interpretim të Toni Revoloni, i cili shquhet me sharmë të veçantë, që i bënë njerëzit  për vete.

Situatat e veprimet pastaj shtjellohen me intensitet, ndërsa ndonjëherë të ngjajnë me absurdin e Franc Kafkës, por të paraqitura në një ambient me të hapur-hotelin e njohur dhe Evropën tradicionale të viteve të tridhjeta.

Regjisori Ues Andersonit arrin të kap fillin e rrëfimit, ta shtjelloj në një mënyrë të pazakonshme, të tjerrë një intrigë që të bënë për vete, duke të mbërthyer para ekranit gjatë gjithë kohës. Ndërkaq, aventurat e heronjve të filmit herë-herë duken çmendurake, kur ballafaqohen me ndjekësit e tyre, apo kur marrin vrapin si në traditën e filmave të Baster Kitonit e Çarli Çaplinit.

Grand Hotel Budapest”, i prodhuar nga Britania e Madhe e Gjermania, ndërsa i realizuar nga regjisori amerikan nga Teksasi, Anderson, gërsheton jo vetëm kultura të ndryshme nga tradita e mirë e Evropës së prag Luftës së Dytë Botërore, por njëkohësisht, bënë që filmi evropian të thyej barrierat e tregut të kontinentit, duke u bërë i popullarizuar edhe përtej Atlantikut.

Filmin me të drejtë e kanë vlerësuar komedi brilante evropiane, të realizuar nga regjisori amerikan i Teksassit, në bashkëpunim të suksesshëm me aktorë të Holivudit, ndërsa mori Luanin e Argjendtë të Festivalit të Berlinit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency