Drejt Vlorёs / (Mbresa udhёtimi)

0
196

Artan FUGA

 

Fuga_-_Photo1Ndofta ёshtё pak qesharake ta thuash por nuk e kisha kaluar kurrё rrugёn e re tё shpejtёsisё tё  madhe qё tё con nё drejtim tё Fierit dhe Vlorёs.

Nja dy herё qё duhej ta kisha marrё atё nё fakt e kisha humbur aty afёr Manastirit tё Ardenicёs. Duke dashur tё bёja njё kthesё te ky i fundit, zakon i mbetur qysh nga koha kur ishte pikё turistike dhe restorant me famё, kёnaqesha pёrsёri jo pak duke e rivizituar si kuvend, si manastir. Njё vizitё te kisha e vogёl por gjithё sharm brenda manastirit, e vjetёr, me histori, por jo fort e mirёmbajtur, sytё i kam kthyer si vjedhurazi pёr tё parё gjёkundi nё oborr tre murgjit e mbetur atje, sikurse mё kanё thёnё. Por, gjё nuk kam parё. Doja tё flisja me ta duke dashur tё ndjej konservimin e tyre qё ngjason dhe dallon njёherёsh nga eremitёt e vjetёr, nga tё ngujuarit qё nё cdo komb, dhe te ne, sikurse aq bukur ka treguar Ismail Kadare te “Prilli i thyer”, ёshtё rasti edhe i tё ngujuarve nga gjakmarrja. Dramё dhe tragjedi njёherёsh, sigurisht, por sikurse cdo dramё me madhёshtinё e vet shpesh herё tragjike. Pikёrisht aty te manastiri i Ardenicёs kam pas humbur rrugёn pёr nё Fier dhe Vlorё duke vazhuar pastaj gabimisht nё rrugёn e vjetёr gjithё gropa e kthesa tё forta, mbuluar anёt me ferra dhe bimёsi.

Kush gjurmon tё vjetrёn mund ta paguajё kёtё cmim, pra tё humbё rrugёn e sё resё…

Nejse kёtё rradhё miku im qё drejtonte veturёn nuk e bёri kёtё gabim qё mё conte mua nё shtigje tё vjetra dhe tё rrahura, si njё forcё zakoni.

Rruga e re na paskёsh qenё sipas meje e nivelit vёrtet europian. Thonё se do tё ketё nё plan Europa njё rrugё tё dytё pёrgjatё bregut, pra nё ultёsirёn perёndimore shqiptare. Mbase. Nё e bёftё me paratё e saj, pra me euro, hallall i qoftё, nga xhepi i vetё i nxjerr. Dhuratёs nuk i thuhet kurrё jo, por edhe disa negociime me dhuruesin mund tё bёhen se nuk ka asnjё tё keqe. Por, nёse ёshtё fjala pёr lekёt e buxhetit shqiptar, sepse mё duket qё kjo rrugё e re qё tё con nё drejtim tё Llogarasё, tё paktёn ky segment, gjynah tё braktiset, se ne cdo gjё qё braktisim e lёmё tё shkrumohet si rruga qё tё con nga Tirana te Plepat e Durrёsit, duke kaluar nga Ndroqi. Ne po morrёm rrugёn e sё resё e lemё nё shkatёrrim dhe harresё tё vjetrёn, mos e diskuto. Gjithmonё marr shembullin e pёrdorimit tё celularёve duke harruar pothuajse fare telefoninё fikse.

Rruga pёr nё Fier e Vlorё, me pёrjashtim tё njё segmenti pikёrisht aty poshtё kodrave tё Ardenicёs, duket si mjaltё. Ёshtё mbrёmje dhe vetura e kapёrcen vetiu njёqindshin. E vijёzuar mirё e bukur, me njё ndarje tё fortё metalike midis dy krahёve tё saj, e shenjuar nё tё dy anёt me pllakёza fosforeshente qё ndrisin pa harxhuar energji nёn fashat e fenerёve tё veturёs. E pse duhet nё kёtё segment rrugё tjetёr, mirё do tё kishte qene andej nga Llogoraja e tutje, andej nga shkohet pёr nё Sarandё, aty ka nevojё. Se ne edhe duam tё lidhim ndonjё port tonin, kam ndrojё se nёnkuptojnё Vlorёn, packa, me portet e Detit tё Zi, sa mirё, por edhe harrojmё se kjo ide europiane duhet tё na turpёrojё pakёz meqё ne ende nuk lidhim mes tyre nё rrugё detare portet tona, pra Durrёsin, Vlorёn, Sarandёn, Shengjinin me njeri tjetrin. Cfarё komunikimi mund tё jetё ai detar pёr mallra dhe urdhёtarё! Hipёn njeriu nё Sarandё dhe nё rrugё detare me njё traget tё shpejtё pёrfundon nё Durrёs a Shengjin pa pasur nevojё tё strapacohet rrugёve, pale pastaj pёr mallrat.

Vё re me kujdes se rruga qё pёrshkruajmё herё pas here ka segmente dalёs dhe hyrёs. Sidomos aty ku duket se ka ndonjё fshat a lokalitet me biznese, hotele, koncesionarё veturash, pompa karburanti, depozita karburanti etj. Ja paskan gjetur marifetin tё keqes tё rrugёs mё nё fund, mendoja sa kohё vetura jonё cante drejt Dhёrmiut atё mbrёmje. Dhe bёhej fjalё pёr segmente dalёs dhe hyrёs nё rrugёn e shpejtёsisё tё madhe me nivel cilёsor fort tё mirё, pa rrezikuar aksidente. Jo si ato qё shohim ndonjёherё nё rrugё tё tjera, pa  respektuar asnjё siguri dhe ku pёr tё hyrё nё trasenё e e shpejtёsisё tё madhe nuk duhet pёrshpejtuar ecja, sikurse ёshtё e udhёs, por, thuajse duhet ndaluar, parё pas e pёrpara, hapur sytё, ndryshe thyhen kokёn.

Fierin e kisha parё, por frikёn qё nё nisje ja kisha rrugёs tё Ujit tё Ftohtё nё Vlorё sepse dikur rradha e veturave qё kёrkonin tё kalonin tunelin aty ka pas qenё si rradhёt e qumёshtit nё monizёm kur te lagjia kalonim orё tё tёra pёr njё bidon lёngu tё bardhё lope a deleje, shpesh holluar me ujё. Nё fakt edhe aty isha i vonuar. Kisha pas ardhur deri te Hotel Nju Jorku, nё tё dalё tё Vlorёs dhe nuk kisha vёnё re se pёrtej, tuneli i vjetёr ishte zgjeruar, rindёrtuar, kthyer nё parametra thuajse cilёsorё. Problemi nuk paskёsh qenё atje por te detyrimi qё pёr tё kaluar Vlorёn dhe dalё udhёs tё Llogarasё duhej tekjshkuar mespёrmes Vlora.

Mbrёmje, njerёzia gjysёm zhveshur edhe tani nё mbrёmje duket sikur e gjitha ka dalё nё rrugё pёr tё shёtitur. Jemi mesdhetarё ne nё mendje dhe mentalitet, mё shumё qendrojmё jashtё, rrugёve, sesa nё shtёpitё tona, qenie ekstravertite.

Nuk kisha qenё nё Vlorё qё prej ndofta pesё ose gjashtё vjetёve. Nuk e di pёrse. Nganjёherё njeriut i tiposen disa klishe nё kokё dhe pёr njё kohё mbetet rob i tyre derisa nёn presionin e rrethit tё vet tё ngushtё i hedh tej dhe risheh botёn me syze tё reja. E vёrteta ёshtё se mua personalisht mё pёlqen ta shoh pasqyrёn e detit rrafsh me detin, dhe jo ta kundroj nga lart – poshtё. Deti i Jugut shihet shpesh nga maja malesh tё thepisura, kodrash me lartёsi tё konsiderueshme. Njё bukuri e frikshme. Ndofta kjo frikё dhe tmerr mё ka mbetur nga vegjёlia kur kalimi i qafёs tё Llogarasё ishte sa madhёshtor aq edhe i frikshёm, ishte si tё thuash njё kok a pil i pёrjetshёm, kishe mundёsi ta kaloje qafёn dhe te shkoje nё parajsёn e Jugut, ose ta thyeje qafen, e pёrfundoje nё rrёpirat e gurta qё zbresin thikё ne det duke kaluar nё atё parajsёn tjetёr ku shkohet vetёm nёse ke qenё njё njeri i mirё, thonё. Ndofta ajo kohё e kapёrcyer tashmё mё jep ndjesinё e frikёs nga lartёsitё, sado qё nё tё folur, citoj njё gjeograf tё njohur francez, Lacoste, i cili thotё se kur njeriu admiron pejsazhe nisur nga njё lartёsi e caktuar, ky gёzim i frikshёm, kjo ndjesi bukurie, i vjen nё fakt nga inkoshienti kolektiv i trashёguar prej mijra shekujsh, ku lartёsia ёshtё edhe pozicion pushteti dhe sundimi, lufte karshi dhe kundёr tё tjeёve. Ja pse mua durrsaku mё duket njeri i butё dhe paqёsor, edhe kavajsi, qerretsi, golemsi, malirobsi, karpensi, etj., kurse po kalove Fierin ke karaktere mё tё ndryshme, gjithsesi shqiptare dhe interesante, por paksa tё ashpra dhe luftarake. Kur dikush mё thotё se pёlqen detin e Jugut, ndonёse e kuptoj fare mirё se ka tё drejtё pёr bukuritё e paana tё atyre anёve, me vete, ndoshta nga zilia, them, hopa ja edhe njё njeri tjetёr qё vdiska pёr ca pushtet, qё do ta shohё detin nga lart. Nё Durrёs njё anije parё nga bregu duket si njё gjigand i madh, kurse njё anije parё nga maja e Llogarasё, njёsh me retё, duket si prej letre nёn mёshirёn e njё pasqyre te paanё blu qё e rrok deri larg tutje.

Shohin larg malёsorёt e Jugut, sepse nganjёherё ne harrojmё se edhe ata janё malёsorё sikurse malёsorёt e Veriut. Ka malёsorё deti dhe malёsorё malesh. Sikurse shpesh herё, sikurse gjithmonё mё ka habitur, dhe interesuar, ka luanё toke dhe luanё deti. Sigurisht nё kёtё rast ёshtё ndofta vetёm emri qё i lidh, por nё tё dy rastet flitet ama pёr luanё… pra nё njё farё mёnyre pёr qenie me pushtet.

Natёn Vlora ёshtё e hatashme. Poqese dikush do tё me kishte shpёnё atje me sy mbyllur, dhe tё mё pyeste : Na thuaj tani ku je, sigurisht do tё kisha thёnё se ndodhem nё ndonjё nga brigjet europiane perёndimore tё Mesdheut, nga ato portet e mёdha ku Europa ka derdhur histori dhe flukse parash. Duhet tё jetё derdhur para e madhe, e paparё, nё Vorё, nё kёtё pesёvjecarin e fundit. Pallate pa fund, dhe tё njё stili arkitekturor tё pёlqyeshёm, ballkone tё gjёra, tё harkuar, dritare tё larta, tarraca, ngritur nё njё farё lartёsie, shpesh vendosur nё shpatet e kodrave tё buta, natёn, njё gjerdan dritash qё shkojnё tutje e ndjekin njera tjetrёn drejt Orikumit e i vinё pёrqark gjithё gjirit tё Vlorёs.

Pa fund ndёrtime. Poshtё kateve tё pallateve te larta, bare, restorante, kafene, klube, pa fund. Emrat italianё tё tyre pёrzihen me emra cunash vlonjatё. Bar “Beni” sepse pronari ka dashur tё pёrjetёsojё emrin e vet dhe ta shkruajё me drita natёn e ta shohin tё tjerёt. Nuk ka turp fare nga vetja, sikurse ka deputetё qё ende nё disa cepa rrugёsh lёnё afishet e tyre elektorale tё qendrojnё ngjitur nё mure tё vjetёr, shpesh herё afёr kazane plehrash. Afishe tё vjetruara nga koha. Por, hiqi more ditёbardhё, pse i le mё aty, fushata ka kohё qё ka mbaruar dhe po afrohet tjetra.

Vetura jonё tashmё ka ngecur dhe lёviz si ndonjё breshkё, ajo luanesha e rrugёs Fier –  Vlorё. Rroftё kondicioneri se pёrndryshe me siguri do tё ishim zёnё me njeri tjetrin sepse thonё qё vapa e rrit agresivitetin te njeriu. Nuk ka ngecur asfare te tuneli i Ujit tё Ftohtё sikurse kisha pas frikё unё, por te tuneli i rrugёs poshtё pallateve. Vetura qё pёrpiqen tё hapin rrugё me ndihmёn edhe tё policёve tё lodhur dhe djersitur qё duken tё stresuar, kanё ngut qё qarkullimi nё aksin qё con drejt Ujit tё Ftohtё tё mbetet fluid, qoftё edhe duke na devijuar nё rrugё anёsore dhe dytёsore ku tё gjendet drejtimi i duhur pёr tё dalё nga qyteti ёshtё pothuajse e pamundur. Asnjё tabelё shenjuese nё kёto rrugё dytёsore.

Me sigurit qё tani Vlora ka nevojё tё urbanizohet me rugё, njё unazё thotё i afёrmi im qё drejton veturёn, kёtu ёshtё bёrё urgjente. Pёrndryshe Vlora ёshtё edhe qytet edhe udhё, dhe njё vend pushimesh kёtё nuk e pёballon dot. Me siguri udhёtarёt nё vetura janё tё pakёnaqur me shёtitёsit e rrugёs, por edhe kёta tё fundit nuk kanё pёrse durojnё veturat. Mbase ajo Lungomarja e famёshme do ta zgjidhё disi kёtё problem. Pёrzihet aktualisht aroma e birrёs, e qofteve, e bёrxollave tё pjekura, edhe e peshkut tё skarёs a tё fёrguar me aromat e naftёs apo tё benzinёs, e gazrave qё lёshojnё lloj lloj veturash qё pёrdhosin rrugёt ku shёtisin turistёt. Pёrtej xhamit tё veturёs, sapo ai ulet pak, dёgjon sesi pёrzihen jugorja si dialekt, me kosovarcen, tingujt tё fjalёve dhe fjalive nё italisht, greqisht dhe gjuhёsh tё tjera qё nuk i dalloj se cfarё janё sepse mё vijnё si jehona tё largёta pёrzjerё me zhurmat e detit, tё uturimave tё veturave.

Pesё vjet kaluar pa vajtur nё Vlorё, dhe ndodhem pёrpara njё fakti tronditёs. Fakt i bukur, Vlora na paskёsh qenё krijuar njё pol urban i hatashёm, pёr nga pasuria, nga investimet, ndёrtimet. Njё pol urban i drejtuar nga turizmi dhe drejt ekonomisё tё turizmit. Shqipёria mё duket tani si njё gomone qё duke ecur me shpejtёsi ne det tё hapur, ngre majёn pёrpjetё sepse pesha e rёndesёs i shkon nё fund, atje ku ndodhet motorri. Gjithmonё mё ka mahnitur kjo pamje motorrike ne det. Pesha e rёndesёs qё shkon nё nje cep tё varkёs, atje ku ёshtё motorri, e domosdoshme pёr tё ecur shpejt, por edhe me dy rrisqe tё mёdhenj qё njё drejtues barke duhet t’i mbajё mirё parasysh, i pari sepse nёn kёtё shtysё varka mund tё pёrmbyset, duke humbur ekuilibrin, dhe e dyta qё mund tё pёrmbytet sepse pikёrisht aty mund tё hyjё uji.

Gjithsesi mendoj se industria e turizmit kur theksohet i jep zhvillim zonave bregdetare dhe kjo medoemos nё rastin e Vlorёs duhet tё ketё pas sjellё edhe ndryshime nё kartёn e sjelljes elektorale dhe nё raportet e reja tё vendosura mes forcave politike, aleancave politike nё Shqipёri. Kjo mbetet pёr t’u studjuar, pra cfarё pasojash paten nё hartёn e shpёrndarjes tё votёs, zhvillimet urbane nё Vlorё dhe nё bregdet pёrgjatё dhjetvjecarit tё fundit. Se aktualisht kemi njё pёrqendrim force politike pushtetesh mё shumё ardhur nga Jugu sesa mё parё nga Veriu, mё shumё me origjina fetare ortodokse, sesa myslimane, por fundja kёshtu ёshtё alternanca e forcave politike nё pushtet kudo. Pas alternancave politike fshihen kudo edhe ndryshime nё raportet mes popullsive a krahёve politikё me identitete rajonale, origjinash fetare, gjuhёsore a tё tjera tё ndryshme. Para njё viti Veriu kishte mё shumё akses nё pushtet, sociologjikisht flas, kurse tani mbizotёrimi i jugorёve ёshtё mё i pranishёm. Majtas – djathtas, jugorё – veriorё, malёsorё deti – malёsorё malesh, ortodoksё – myslimanё, shoqёria i ka tё gjitha influencat dhe nuk mund tё thjeshtёzohet vetёm nё disa skema tё caktuara ideologjike. Politika fsheh raporte tё reja qё krijohen.

Vlora mё jep kёnaqёsinё e zhvillimit, por pёrse ta fsheh mё ngjall edhe ndonjё xhelozi tё vockёl. Mё mirё ta them sesa ta mbaj brenda meje. Xhelozia qё thuhet hapur quhet sinqeritet dhe dashamirёsi, quhet stimul pёr tё ecur pёrpara. Xhelozia e fshehur e tharton shpirtin dhe vetveten dhe nga vera kthehet e bёhet uthull. Ka pabarazira tё mёdha territoriale tani me kёtё industri tё fuqishme turizmi qё po ravijёzohet rreth Vlorёs dhe qyteteve tё bregut tё Jugut. Kush nuk e pranon, mund t’i jap shifra qё e vёrtetojnё kёtё. Mos bёjmё llogje pazari kot me njeri tjetrin. Fakti ёshtё fakt. Duke parё Vlorёn mendja mё shkon te Berati i tё parёve tё mi, por edhe drejt Gjirokastrёs, mё tej te zona qё nuk kam ndonjё lidhje tё privilegjuar drejt Librazhdit, Gramshit, Skraparit, pse jo edhe andej nga Lushnja, Rrogozhina, Peqini, Elbasani… Dallime qё po rriten, pabarazi tё mёdha midis zonash tё ndryshme urbane, midis territoreve bregdetare dhe atyre tё zonave lindore, ku duket se jemi nё Kinёn e madhe, atje ku kёto pabarazi mes bregut dhe territorit kontinental janё bёrё tё famshme pёr nga padrejtёsia e tyre. Por, Shqipёria ёshtё njё margaritar i vogёl dhe nuk ka pёrse ta pёsojё kёtё. Duhet shumё kujdes. Berati im i lёnё nё harresё e pa investime, me atё shesh tё vockёl qё mё kujton pёrherё e mё shumё filmin Koncert ne vitin 1936… Kur e krahason me investimet gjigande nё Vlorё.

Por, industria e turizmit, mendoj ndёrkohё qё vetura ka ngecur nё pyllin e njerёzve nё rrugёt e Vlorёs, nuk kam se cfarё bёj tjetёr dhe nis e mendoj, ka edhe njё pabarazi tjetёr qё krijon, midis fshatit dhe qytetit ose zonave turistike. Nёse ekonomia e turizmit mbёshtetet harmonishёm nё zonёn rurale pёrqark, kjo e fundit ka shanse tё zhvillohet. Por, nёse jo, atёhere qyteti, duke pёrthithur edhe komunat pёrreth, tanimё mund ta shpёrdorojё pushtetin qё mendon tё marrё, duke e shprehur kёtё pushtet si pushtet tё qytetarit dhe politikanit qytetas kundrejt elektoratit rural, dhe politikanit fshatar. Nuk e idealizoj kёtё tё fundit sepse nё shumё raste edhe ky e shpёrdoroi mjaft pushtetin qё iu dha nё kёto njёzet vite, por edhe shoqёria nuk e ndihmoi sa duhet qё ai demokracinё lokale tё mos e kthente ne egoizёm lokal kundёr interesit tё pёrgjithshёm. Ndarja e re territoriale, kёtё presupozon sipas meje, pёrqendrim fuqish dhe kompetencash cka sjell mundёsi zhvillimi, por edhe njё rivendosje e politikave rurale tё ushtruara nga vetё ruralёt nёn thundrёn e politikanёve urbanё dhe elektoratit urban. Ta shohim nёse kёta tё fundit do tё dinё ta ushtrojnё me drejtёsi pushtetin e tyre, apo do tё abuzojnё me tё duke i kthyer flukset e investimeve drejt zonave urbane ose bregdetare tё urbanizuara, nё favor tё turizmit dhe kundёr dinamikave rurale. Monodrejtimi dhe orientimi ekskluziv ekonomik bazuar te turizmi dhe vetёm aty mund tё jetё me pasoja tё dёmshme mbi territorin dhe zhvillimin e vendit.

Bashkia e Vlorёs duhet tё ketё bёrё para tё madhe kёto pesё vite me gjithё ato taksa qё duhet tё ketё ngritur nga tёrё kёto ndёrtime. Por, si kudo, ajo nuk i ka shpёtuar si vendimmarrje lokale trajtimeve tё njёanshme, krahas kthimit tё fytyrёs nga moderniteti. Kot i biem mё qafё politikanit fshatar, duke ngritur vlerat e politikanit qytetas. Edhe ky i fundit ka pasur mangёsitё dhe gjynahet e veta. Ja si kudo duken pabarazitё e mёdha, ndёrtime por pak hapёsira tё gjelbёra kanё mbetur nё qytet. Palmat e dikurshme me famё tё bulevardit tё Vlorёs duken shumё tё lodhura, tё drobitura. Veturat janё parkuar si mos o Zot poshtё pallateve nёpёr disa hapёsira gjithё gropa, gurё e shkretim. Sapo mbaron pallati luksoz nis njё hapёsirё pёrreth ku askush nuk ka vendosur dorёn e vet, kanalizime tё hapura, gropa, ferra. Vetura qё nё disa rrjeshta tё pengojnё tё hysh nё shtёpi, nё bare, nё restorante. Kush turist i huaj do ta pranonte kёtё pamje tmerri vecse ndonjё zёmёrmiri qё ka bёrё krushqi me shqiptarё!

Turistёt shёtisin nё ca vende tё ngrituar gёrxhe gёrxhe qё dikur kanё qenё trotuare. E cfarё tё bёn kapitali poqese nuk e kontrollon tregun sipas interesit publik! Jep trotuare tё shkatёrruar dhe parkingje tё munguar sikurse edhe diploma fallco.

Por rreziku i kёtyre ritmeve tё larta tё urbanizimit turistik ёshtё se cikli ekonomik urban njeh pastaj ulje tё forta. Pallati i banimit nxjerr jashtё fabrikёn dhe uzinёn, Puna del jashtё qytetit. Pasuria polarizohet nё duart e ndёrtuesve dhe nuk jep mundёsi integrimi eknomik dhe profesional pёr tё gjithё atё popullsi qё industria e ndёrtimit ka ftuar pёr tu mbledhur nё qytet. Ndёrtimi punёson nё fazёn e tij tё parё, shumё domethёnёse, kur ndёrtohet pallati, por mё pas, e kthen banorin nё parazit, sepse i heq mundёsinё pёr tё pasur fronte pune, qyteti kthehet nё njё fjetore tё madhe. Kujdes sepse kurthi ёshtё pikёrisht atje. Zhvillim – bjerrje. Kurse industria e turizmit ose ёshtё e plotё dhe e kompletuar tёrёsisht ose nuk ёshtё fare. Pёrse do tё vijё turisti gjerman nё njё qytet me trotuare tё shkatёrruar pёr tё lёnё ta zemё zonat turistike tё Korfuzit!!! E kjo na bёn pastaj qё investimet tё mbeten tё pashfrytёzuara. Turisti qё kthehet vetёm drejt detit dhe jo edhe drejt zonave nё brendёsi tё vendit nuk gjeneron para vecse pёr disa hotele, pra pasuria pёrqendrohet nё disa duar, por nё fakt ajo pa kujdesin menaxherial qё duhet nis dhe i bёn gropёn vetvetes, nuk punёson dhe bukuria nis e venitet…

Por, le tё mos humbim shpresёn dhe optimizmin e kёtij udhёtimi mbrёmёsor, ndёrkohё qё vetura po i afrohet tunelit, tuneli tё Ujit tё Ftohtё… Na duhet tё ecim drejt Bregut, drejt disa zonave me konotacion politik, gjeografik, ekonomik, kulturor, gjeostrategjik krejt tё vecantё, po aq sa edhe lugina e Valbonёs, drejt fshatrave me emra ndjellёs, Palasё, Dhёrmi, Qeparo, Jalё …

(vijon tё shtunёn tjetёr)

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency