Sonila Mesareja
Një sms e ardhur në telefonin e tij dhe më pas një zarf i gjetur në vendin ku përshkruante kjo sms do t’ia trondiste fort jetën jo vetëm Mark Lleshit, por gjithë familjes së tij. Në zarf gjendej një plumb dhe një letër ku shkruhej se duhej të dorëzonte 5 mijë euro. Nëse nuk i dorëzonte këto, fillimisht do t’i vrisnin mbesën e vogël, pastaj fëmijët dhe më pas vetë atë. Por, edhe nëse i dorëzonte dhe tregonte që kishte dhënë paratë, sërish do ta vriste atë dhe familjarët e tij. Pasi ka tentuar t’i bjerë numrit mbrapsht, të dërgojë një sms dhe të mos marrë përgjigje, Mark Lleshi i është drejtuar policisë me një kallëzim penal, duke vendosur në dispozicion telefonin e tij, sms e ardhur dhe numrin nga ishte dërguar.
Kallëzimi
Më datë 4 nëntor të vitit të kaluar, shtetasi Mark Lleshi i është drejtuar policisë me një kallëizm, ku tregonte se në një zarf I ka ardhur një plumb dhe një letër ku kërcënuese ku i kërkoheshin 5 mijë euro. Sipas Lleshit, një ditë para kallëzimit, më datë 3, në numrin e tij celular i ka ardhur një sms ku shkruhej se “tek pema mes dy portave të kam dërguar një dhuratë, një zarf. Merre shikoje, është për ty zoti Mark”. Kallëzuesi ka dërguar të birin, i cili ka marrë zarfin dhe ia ka dhënë të atit. Në kapakun e zarfit shkruhej “Mark Biba”. Pasi e ka hapur, ka gjetur brenda një plumb dhe një letër të shkruar me kompjuter ku shkruhej: “Zoti Mark. Për punët që kë bërë dhe bën duhet të ishe menduar mirë. Nëse nuk sjell 5 mijë euro në vendin që do të them do të zhduk mbesën e vogël të parën dhe pastaj juve dhe do ta paguash shumë shtrenjtë. Dhe po guxove të hapësh gojën do të zhduk ty dhe fëmijët e tu. Nëse nuk i sjell të pret plumbi. Dhe nëse i sjell dhe ia dëgjoj njeriu do të zhduk. Dhe njëherë po të them, nëse nuk i sjell mendohu mirë”. I tronditur, i dëmtuari është mundur të telefonojë mbrapsht numrin nga i erdhi sms-ja, por i ka dalë i fikur. I ka dërguar edhe vetë por nuk ka marrë përgjigje. Kjo e ka detyruar të niset drejt Drejtorisë së Policisë së Tiranës për të bërë kallëzimin. Falë teknikave të përdoruara, shkresës së sjellë nga kompania telefonike të numrit të dërguesit, u arrit të bihej në gjurmët e kërcënuesit. Policia ka bërë të mundur arrestimin në flagrancë të shtetasit Dorjan Jaka më 26 nëntor të vitit të kaluar, i akuzuar tashmë për veprën penale “Shtrëngimit me anë të kanosjes apo dhunës për dhënien e pasurisë”. Dosja do të gjykohet nga Gjykata e Krimeve të Rënda.
Teksti kërcënues në zarfin me plumb brenda
“Zoti Mark. Për punët që kë bërë dhe bën duhet të ishe menduar mirë. Nëse nuk sjell 5 mijë euro në vendin që do të them do të zhduk mbesën e vogël të parën dhe pastaj juve dhe do ta paguash shumë shtrenjtë. Dhe po guxove të hapësh gojën do të zhduk ty dhe fëmijët e tu. Nëse nuk i sjell të pret plumbi. Dhe nëse i sjell dhe ia dëgjoj njeriu do të zhduk. Dhe njëherë po të them, nëse nuk i sjell mendohu mirë”.
Krimet e Rënda/ Trafiku i 30 kg kanabis për në Mali i Zi, në gjyq Edmond Gjinaj
Tentativa e trafikut të 30 kg drogë drejt Malit të Zi e ka vënë pas hekurave shtetasin Edmond Gjinaj, i akuzuar për veprën penale “trafik droge” mbetur në tentativë. Në prag të festave të fundvitit, nga policia kufitare e Muriqanit, gjatë një kontrolli të imtësishëm të ushtruar në automjetin e 26-vjeçarit nga Laçi, ka gjetur 29 pako të mbështjella me plasmas ngjyrë alumini. Pakot janë gjetur të fshehura në gomat rezervë të vendosura në pjesë të ndryshme të makinës. Brenda pakove kishte lëndë bimore të presuar me erën karakteristike të marijuanës. Në total gjendej 30 kg e 221 gramë lëndë narkotike e llojit kanabis sativa. Më pas, policia ka bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit Edmond Gjinaj, i akuzuar për veprën penale “trafik të narkotikëve”, mbetur në tentativë dhe dosja ka kaluar për hetim te Prokuroria e Krimeve të Rënda. Pas përfundimit të hetimit, dosja është dërguar për gjykim në Gjykatën e Krimeve të Rënda.
Sarandë/ Zbulohet parcelë me drogë në kufi me Greqinë, asgjësohen 130 rrënjë
Kultivuesit e drogës tashmë kanë menduar mënyra nga më të ndryshmet për ta mbjellë atë. Pse jo, për të mos u munduar shumë për ta trafikuar, e kanë mbjellë gati kufi me Greqinë. Një parcelë me 130 bimë narkotike kanabis sativa është zbuluar dhe asgjësuar dje në Sarandë, e cila raportohet se ishte mbjellë në vijën kufitare me Greqinë. Lënda narkotike u zbulua e mbjellë në fshatin Gravë nga policia kufitare, ndërsa asgjësimi i saj u bë i mundur me anë të djegies po nga Policia Kufitare e Sarandës. Sipas burimeve policore, kultivuesit ishin kujdesur për këtë parcelë duke shtuar edhe zorra për vaditje, si dhe sende të tjera që i duheshin për kultivimin e bimës narkotike. Ndërkohë ende nuk janë identifikuar kultivuesit, por policia po punon për zbulimin dhe arrestimin e tyre.