Prokuroria /Kryekomunari i Mollasit në gjyq, i ndërpreu abuzivisht pagesën një invalideje

0
212

Sonila Mesareja

Hakmarrja e zyrtarit, për zaptimin e një rripi toke që shërbente si rrugë

Për një vit, gruaja invalide nuk mori pagesën në postë

 

gjykata_elbasanHakmarrja e një njeriu me pushtet nuk mund të kursejë askënd, edhe kur personi është një invalid dhe mbi të gjitha një grua invalide që vuan nga një sëmundje, prej së cilës çalon nga të dyja anët. Në pamundësi për të zgjidhur punët e Komunës, kryekomunari i Mollasit në Elbasan përdori pushtetin duke ndërprerë një pagesë invaliditeti që nuk ishte autorizuar prej tij, por prej një sërë komisionesh dhe zyrash. Gjithçka erdhi për shkak të pamundësisë për të zgjidhur me familjen e gruas invalide një konflikt pronësie, zaptimin e një rripi toke që shërbente si rrugë në fshat. Në përfundim të hetimit, Prokuroria e Elbasanit dërgoi për gjykim kërkesën ndaj kryetarit të Komunës Mollas, Agron Hysa, i akuzuar për “Shpërdorim detyre”. Nga hetimi i Prokurorisë ka rezultuar se funksionari lokal, nëpërmjet pozitës së tij, ka urdhëruar në mënyrë të padrejtë ndalimin e pagesës së paaftësisë për shtetasen B. Gjata, invalide. Shkak është një konflikti për një hapësirë publike, të rrethuar në mënyrë të padrejtë nga e dëmtuara. Në mënyrë reaguese për mungesën e zgjidhjes së këtij konflikti administrativ, kryetari i Komunës ka ndërmarrë veprimin e kundërligjshëm të ndërprerjes së pagesës së paaftësisë, pavarësisht se kjo masë penalizuese nuk është zgjidhja e duhur e konfliktit administrativ. Ndalimi i pagesës së paaftësisë për shtetasen B. Gjata është kryer prej muajit mars 2013 e në vijim, ndërkohë që këtë pagesë kjo shtetase e përfiton bazuar në dokumentacionin dhe ekzaminimet e kryera nga institucionet përkatëse.

 

Ndërprerja e pagesës

Nga hetimi rezulton se shtetasja B. Gjata rezulton të vuajë nga një sëmundje, prej së cilës çalon nga të dyja anët. Që nga data 4.4.2006 e në vijim, kjo shtetase rezulton në bazë të vendimeve përkatëse të KMCAP të trajtohet si invalide e grupit të dytë e për këtë shkak të përfitojë pagesë paaftësie. Kjo shtetase rezulton të jetë banore në lagjen Dasar, Komuna Mollas, Elbasan. Pagesën e paaftësisë e tërheq çdo muaj, pranë postës së Komunës Mollas. Pagesa e fundit që ajo ka marrë ka qenë e muajit shkurt të vitit 2013. Në vijim kjo shtetase konstatoi se nuk i kalonte më pagesa për paaftësi në punë. Pasi është interesuar pranë postës së Komunës Mollas, ka ardhur në dijeni nga punonjësja e kësaj poste, shtetasja Kristina Frakulli, se pagesa që i përkiste B. Gjatës për paaftësi në punë, ishte shënuar 0 (zero). Nga hetimet e kryera ka rezultuar se pagesa për paaftësi e shtetases B. Gjata ishte ndërprerë nga ana e Komunës Mollas, mbi bazë të një urdhri të kryetarit të kësaj Komune, shtetasi Agron Hysa. Ky i fundit kishte urdhëruar vartësit e vet, si administratorin social ashtu edhe zyrën e Financës, që shtetases B. Gjata të mos i paguhej pagesa që përfitonte për shkak të KMCAP. Shtetasja B. Gjata ka nisur odisenë e interesimit të saj, me qëllim përfitimin e kësaj pagese. Ajo është interesuar pranë Komunës Mollas, konkretisht pranë administratores sociale të Komunës, shtetases Marsida Broshka. Kjo e fundit e ka bërë me dije se arsyeja që nuk i kalonte pagesa e paaftësisë, pasi kryetari i Komunës e konkretisht shtetasi Agron Hysa, refuzonte të nënshkruante kalimin e kësaj pagese. Atëherë B. i është drejtuar prefektit të Qarkut Elbasan më datë 30.9.2013. Ky i fundit i është adresuar kryetarit të Këshillit të Komunës Mollas, duke i kërkuar të merren masat e duhura dhe të informohet institucioni i prefektit. Gjithashtu, B. Gjata është ankuar edhe pranë Drejtorisë Rajonale Elbasan të Shërbimit Social Shtetëror dhe pranë kësaj Drejtorie në Tiranë. Specialistet e Drejtorisë së Shërbimit Rajonal Shtetëror Elbasan, Dafina Papa dhe Hyrrjeta Spahiu, kanë kontaktuar administratoren sociale në lidhje me këtë problem. Me shkresën datë 24.10.2013, administratorja shoqërore pranë Komunës Mollas, shtetasja Marsida Broshka, ka dorëzuar pranë Drejtorisë Rajonale Elbasan, Shërbimi Social Shtetëror, një relacion mbi shtetasen B. Gjata. Ajo ka parashtruar se B. Gjata ka përfituar pagesë për paaftësi që nga muaji qershor i vitit 2006 deri në muajin shkurt të vitit 2013. Marsida ka filluar punë pranë Komunës Mollas më datë 1.6.2013 dhe ka konstatuar se B. nuk paguhej më që prej datës 1.3.2013. Bazuar edhe në procesverbalin e dorëzimit të dosjeve nga administratori paraardhës ku ishte shënimi se personit i ishte ndërprerë pagesa për shkak të një urdhri verbal të kryetarit të Komunës, ka bërë verifikimet për rregullsinë e dosjes. Në datë 12.6.2013, ka dërguar dosjen e B. pranë Drejtorisë Rajonale të Shërbimit Social dhe më datë 17.7.2013 i është konfirmuar se vendimi i KMCAP është i rregullt dhe nuk ka asnjë arsye ligjore për të mos u paguar B. Megjithatë, ajo thekson që prej muajit gusht të vitit 2013 të gjithë personat me aftësi të kufizuar nuk janë paguar për shkak të mungesës së fondit. Marsida thekson se nga të gjitha verifikimet e kryera nuk ka asnjë arsye ligjore që B. Gjatës t’i ndërpritet pagesa e invaliditetit. Edhe me relacionin e datës 9.10.2013 Marsida ka vënë në dijeni për të njëjtat rrethana Prefektin e Qarkut Elbasan.

 

Verifikimi

Menjëherë janë vënë në lëvizje specialistët e Zyrës Rajonale të Shërbimeve Sociale, konkretisht shtetaset Dafina Papa dhe Henerieta Spahiu, të cilat janë paraqitur pranë zyrës së Ndihmës Ekonomike të Komunës Mollas dhe kanë mbajtur një akt verifikimi. Nga ky akt verifikimi, datë 25.10.2013 rezulton se është verifikuar dosja me nr. 97 që i përket personit me aftësi të kufizuar B. Gjata dhe ka rezultuar se është person me aftësi të kufizuara që nga muaji qershor i vitit 2006 e në vazhdim. Me vendimin e KMCAP-it me nr. 1611 datë 12.3.2013 B. është rikomisionuar si PAK e grupit të dytë me periudhë përfitimi 1.4.2013 – 31.3.2014. Që nga muaji mars 2013 e në vazhdim, me urdhër verbal të Kryetarit të Komunës, B. nuk është paguar me ndihmë paaftësie edhe pse dokumentacioni në dosje është i plotë, në respektim të VKM nr. 618 datë 7.9.2006. Nga ballafaqimi i specialistëve të Zyrës Rajonale me kryetarin e Komunës, për arsyet e pezullimit të pagesës, punonjëset e Zyrës Rajonale të Shërbimeve Sociale kanë marrë dijeni se personi PAK kishte konflikt me Komunën për zaptimin nga ana e saj të një rripi toke që shërbente si rrugë kalimi. Sa më sipër është konstatuar se nuk ka asnjë bazë ligjore, që të justifikojë pezullimin e pagesës për personat me aftësi të kufizuar. Për këtë shkak është lënë si detyrë që të bëhet pagesa e personit me aftësi të kufizuar B. Gjata për periudhën nga Marsi 2013 e në vazhdim. Me shkresën nr. 76 prot., datë 25.10.2013, Zyra Rajonale Elbasan e Shërbimit Social Shtetëror, i ka dërguar Shërbimit Social Shtetëror, Drejtoria e Zbatimit të Legjislacionit të NE dhe PAK, informacionin mbi verifikimin e mësipërm. Në këtë informacion theksojnë se iu bë e qartë Kryetarit të Komunës se nuk ka asnjë bazë ligjore që të justifikojë pezullimin e pagesës për personat me aftësi të kufizuar.

 

Urdhri

Gjatë hetimit ka rezultuar i vërtetë fakti i parashtruar nga Marsida Broshka se B. Gjatës i ishte ndërprerë pagesa e paaftësisë që në muajin mars të vitit 2013 mbi bazë të urdhrave verbalë të kryetarit të Komunës. Ky fakt evidentohet në procesverbalin datë 31.5.2013 të mbajtur në zyrën e Ndihmës Ekonomike të Komunës Mollas mbi dorëzimin dhe marrjen në dorëzim të dokumenteve në prani të ish-administratorit social Eldjan Ago dhe administratores së re në detyrë Marsida Broshka. Për dosjen me nr. 97, që i përket B. Gjatës si invalide, person me aftësi të kufizuar që nuk është paguar që prej muajit mars është bërë shënimi se kjo ndërprerje ka ardhur si rezultat i një urdhri verbal të kryetarit të Komunës Agron Hysa. Janë administruar listë-pagesat për personat me paaftësi nga muaji janar i vitit 2013 deri në muajin shkurt të vitit 2014 pranë zyrës së Postës së Komunës Mollas. Vërehet në këto lista se shtetasja B. Gjata është paguar për muajt janar dhe shkurt të vitit 2013 në shumat respektive prej 9500 lekë. Në vijim për muajt mars, prill, maj, qershor, korrik, gusht, pagesa e saj është shënuar 0 (zero) ndërkohë që rezulton të jenë bërë pagesa për shtetasit e tjerë. Në muajin shtator të vitit 2013 është paguar në shumën 9500 lekë për muajin mars të vitit 2013, ndërkohë që në muajin tetor të vitit 2013 pagesa e saj rezulton sërish 0 (zero). Gjithashtu kjo shtetase nuk është paguar në vijim as për muajt nëntor dhe dhjetor 2013. Gjithsej ajo nuk është paguar për 10 (dhjetë) muaj. Vetëm në muajin janar 2014 kjo shtetase ka marrë pagesat e prapambetura.

 

Motivi

Konkretisht, me procesverbalin e datës 3.2.2013 është dokumentuar verifikimi në terren i kryer prej Durim Cërrikut – nënkryetar i Komunës, Petrit Çala – urbanistika dhe Lutfi Çala – kryetari i fshatit Dasar. Nga ky verifikim ka rezultuar se Gëzim Gjata ka rrethuar me rrjetë teli rrugën e lagjes, me nr. pasurie 109/54, e cila i shërben lagjes dhe veçanërisht shtetases F. Gjata. Për sa më sipër, iu la për zbatim Gëzim Gjatës, duke iu bërë e ditur se kjo pronë nuk është e tij, por është rruga e lagjes, që të heqë rrjetën e telit brenda dy ditëve. Me procesverbalin e datës 2.3.2013 në vendin e quajtur fshati Dasar, në prani të shtetasve Agron Hysa – kryetari i komunës, Durim Cërriku, Petrit Çala, Tajar Cërriku, Fred Frakulli dhe Lutfi Çuta, pas një verifikimi të bërë në terren, ka rezultuar se shtetasja B. Gjata ka bllokuar me rrethim, rrjetë teli rrugën hyrëse për tek shtëpia e F. Gjatës. Territori është pronë shtet, brenda vijëz kufizuese për ndërtime. Për sa më sipër, iu la për zbatim B. Gjatës të largonte rrjetën e telit, me qëllim që F. Gjata të futej pa pengesë në shtëpinë e saj. Pikërisht për shkak të këtij konflikti, kryetari i Komunës Mollas, Agron Hysa, ka vendosur që t’i ndërpritej pagesa e paaftësisë shtetases B. Gjata. Këtë vendimmarrje të tij ai ia ka bërë të ditur qoftë administratorit social, ashtu edhe zyrës së Financës.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency