PD-ja e Tiranës/ Zgjidhen krerët për degët nr. 3, 6 dhe 13. Basha: Vendimmarrja, në dorë të anëtarëve

0
208

Gëzim Saliu

Basha duke votuar Kreu i PD-së: Qeverisja është shndërruar në agjenci reklamash

 Zgjedhjet në degën e PD-së në Tiranë kanë hyrë në fazën përmbyllëse me zgjedhjen për kryetar dege, ku tashmë për kryeqytetin do të ketë një organizim të ri me jo më një degë të vetme, por 11 të tilla, që përkojnë me numrin e njësive bashkiake. Degët 3, 6 dhe 13 kanë hapur dhe siparin e zgjedhjeve për kryetar në Tiranë. Vetë kryetari i PD-së Lulzim Basha ka ushtruar të drejtën e tij të votës në zgjedhjet për kryetar të grup-seksionit nr. 3, në degën nr. 8, ku është i regjistruar si anëtar partie. Ndërsa ka hedhur votën e tij, kryedemokrati ka kujtuar se në këtë proces, të gjithë anëtarët e PD-së janë aksionerë të barabartë në këtë parti, të gjithë kanë vetëm një votë dhe vendimmarrja në PD do të jetë përmes votës. Sipas tij, Partia Demokratike ka vënë votën e lirë, në themel të organizimit dhe sistemit të karrierës. “Duke bërë këtë riorganizim të Partisë Demokratike në Tiranë në 11 degë, ka për qëllim për të qenë më afër anëtarëve dhe simpatizantëve të PD-së, për të qenë më afër qytetarëve, për t’i marrë vendimet tona të brendshme politike sa më afër anëtarësisë tonë, me sa më shumë përfshirje të anëtarësisë tonë, se pushtetin për vendimmarrje në Partinë Demokratike, dita-ditës po e afrojmë dhe po ua delegojmë anëtarëve të PD-së”, – theksoi Basha. Më tej, kryetari i demokratëve tha se PD ka vendosur standarde të reja, për sa i përket organizimit dhe funksionimit të partive politike, jo vetëm në Shqipëri. “Kjo parti ka sot një regjistër të anëtarësisë të dixhitalizuar, sikundër ka vënë votën në themel të organizimit dhe të karrierës”, – pohoi ai. Në Tiranë do të zhvillohen zgjedhjet për 11 kryetarë degësh e ndërsa Kamza, Paskuqani, zona Farkë-Dajt si edhe komunat përreth Vorës do të kenë kryetarin e tyre. I gjithë procesi zgjedhor do të zgjasë një javë, ku brenda 7 ditëve do të zgjidhen kryetarët e 15 degëve të PD-së në kryeqytet. Ndërkaq dy ditë më parë, kreu i PD-së bëri të ditur udhëzimin e ri për zgjedhjet në kryeqytet, ku sipas tij, të gjithë drejtorët e Bashkisë së Tiranës që kanë ambicie politike për drejtimin e degëve të Partisë Demokratike, por që kanë zgjedhur të mbajnë postet e tyre në kryeqytet, mbeten jashtë gare. Ky udhëzim vjen në një kohe kur gara në Tiranë është në kulmin e saj dhe plotëson udhëzimin e mëparshëm që ndalonte edhe deputetët, kryetarët e bashkive apo komunave që të garonin edhe për poste drejtuese. Me anë të klëtij vendimi, kryedemokrati synon të shpërndajë më shumë pushtetin politik dhe shmangien e personave në dy poste njëkohësisht.

 

Situata ekonomike

Në fjalën e tij përpara anëtarëve demokratë, lideri i opozitës u ndal dje edhe në krizën ekonomike që ka përfshirë vendin, ku theksoi se në këto 300 ditë, “Rilindja” e famshme e Kryeministrit Rama rezultoi, sipas tij, një parullë propagandistike që nuk ka sjellë asgjë të mirë për qytetarët. “Sot, asnjë premtim i tyre, asnjë i vetëm, jo vetëm që nuk është mbajtur, por nuk është as në rrugën e mbajtjes. I plasi një tullumbace elektorale, i mashtrimeve për legalizim falas e për shëndetësi falas, për 300 mijë vende pune e për ulje çmimesh përmes heqjes së taksave e përmes heqjes së TVSH-së për energjinë. Papunësia rritet, borxhet rriten, taksat rriten, ekonomia bie, bizneset mbyllen, mjeshtrat e propagandës krihen me iluzionin e fanarit ndriçues. Investimi kryesori i tyre, siç e shihni janë reklamat, qeverisja e këtij vendi është shndërruar në agjenci reklamash”, – deklaroi kreu i PD-së.

 

Pas zgjedhjeve të Tiranës, PD me kupolë të re drejtuese

Me mbylljen e zgjedhjeve të brendshme në Tiranë, pas përfundimit të procesit në rrethe me zgjedhjen e krerëve të rinj të degëve në të gjitha qytetet e vendit, PD do të mbledhë Kuvendin Kombëtar. Ky forum do të zgjedhë fillimisht Këshillin Kombëtar dhe do të miratojë, nëse do të ketë ndryshime në statusin e selisë blu. Më pas do të jetë Këshilli Kombëtar që do të zgjedhë kupolën e re drejtuese të forcës më të madhe politike në opozitë, duke nisur nga kryesia e re, nënkryetarët, sekretarin e Përgjithshëm dhe sekretarët e çështjeve specifike.

 

 20 ditë nga ngjarja/ PD: Kriminalizimi i Kuvendit, heshtja e Ramës, turpëruse

Partia Demokratike ka vazhduar dje akuzat ndaj Kryeministrit të vendit në kuadër të mosreagimit të këtij të fundit lidhur me goditjen e deputetit të opozitës në Kuvend si edhe kërcënimin e përfaqësuesve të PD-së. “Edi Rama ka 20 ditë që i vidhet përgjegjësisë së drejtpërdrejtë që ka për kriminalizimin e Parlamentit dhe pasojave që kjo ka sjellë në dhunimin e opozitës dhe tensionimin e situatës politike në mënyrë të paprecedentë. Botërisht u pa me prova dhe me dokumente se lidhjet e tij kriminale kanë depërtuar në Kuvend. Por Edi Rama hesht dhe përpiqet që me propagandë boshe të largojë vëmendjen nga faktet tronditëse rreth të kaluarës së deputetit të tij, Arben Ndoka”, – theksoi deputeti demokrat Bedri Hoxha. Më tej, ai pohoi: “Duke mos mbajtur përgjegjësi për aktet e organizuara prej atij vetë, për faktin se ai i ka dhënë imunitet dhe mandat parlamentar një të dënuari për vepra të rënda penale, Edi Rama turpëron një vend anëtar të NATO-s, një vend që ka fituar statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian”. Sipas deputetit demokrat, me mosreagimin e tij, kreu i qeverisë turpëron mbarë shoqërinë shqiptare, e cila, theksoi ai, nuk do dhe nuk mund të përfaqësohet nga deputetë të tillë, që përdoren nga Kryeministri si instrument dhune ndaj kundërshtarit politik. “Partia Demokratike është më e vendosur se kurrë që të bëjë transparencë para shqiptarëve për aferat e Kryeministrit dhe lidhjet e tij kriminale që kanë kapur administratën duke shtrirë tentakulat edhe në Parlament”, – tha Hoxha.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency