jeta na iku, për buzësh u çputhëm!

0
169

Entela Tabaku Sorman

Claude Monet women-in-the-gardenEntela Tabaku Sorman, poetja “e mbyllur” deri tani në “guaskën” e lirikave të saj, shpërthyese në tufën e poezive që paraqesim ekskluzivisht më poshtë; një përfytyrim i lëndës shpirtërore ku ndjenjat gjejnë strehën sa të brishtë aq dhe të fortë, duke krijuar metaforën e gjallë që lëviz një me natyrën, me shqisën, me njeriun, që transformon perceptimin në një realitet gjurmëlënës. Paralelja e ciklit të jetës, që zbrazet nga embrioni i imagjinatës e pështjellohet në prekjen e gjallë të qenies, duke dëshmuar qëndresën shpirtërore dhe forcën e personalitetit femëror

 

      Kange guackash

Prolog

guacka

gjithkund

të qeta

si në fund të detit

s’e dinë

deti i ka hedhë në breg

me kohë

nën kambët e mija i ka hedhë

po unë i shkel me kambë të buta

e qeshem

m’i gicilojnë thembrat

 

guacka

gjithkund

mospërfillëse

si kur ishin të mbylluna

s’e dinë

deti ia ka gërrye përmbajtjen

me kohë

nën kambët e mija i ka hapë

po unë i shkel me kambë të buta

e qeshem

m’i gicilojnë shputat

 

guacka

gjithkund

por unë

veç qeshem

 

                       1. unë jam një guackë e thyeme

sa pa u thye

isha e pathyeshme

derisa thyemja erdhi

pathyeshëm

pakthyeshëm

 

tash rri thyeshëm

guackë e thyeme

gjithshka thehet

në thyemjen teme

të pakthyeshme

 

 

        2. unë jam një guackë e bukur

kaq e bukur

sa as ti nuk po mundesh

me m’i nda sytë

veç më vështron

bojë alle jam

më lakmon

në gishta të ndihem mirë

brenda jam e butë

jashtë jam e vrazhdë

nuk mund t’i përmbahesh

kësaj bukuri

ti më don

e di

 

prandaj

më merr

mos më len këtu

kaq e bukur në një ranishtë

sonte vjen batica

më gropos

nesër s’më gjen

mbasnesër

më merr sot

me vedi

më var në qafë

hajmali

ose më ço tek ai

t’i baj magji

t’i bahem ti

3. ne jena dy guacka

ne jena bashkë

kështu ka kenë

kështu ka me kenë

gjithmonë

 

në fillim kur putheshim

puthiteshim

brenda kishim jetën

gjallë

valë

njomë

shtrëngoheshim

mos me e humbë

mos me e tretë

 

mandej na mori deti

lumi na mori

jeta na iku

për buzësh

e u çputhëm

çputhitëm

 

kujdes kur na shkel

tash

një fije e hollë na lidh

na mban

mos me u humbë

mos me u tretë

pa njena tjetrën jena vetëm

me njena tjetrën jena

bashkë

   4. unë jam guacka që mblodhi dje jot bijë

mos më pyet pse

se nuk e di

më solli këtu

e më harroi në shi

por rrugës më shtrëngoi fort

11 vjetët e saj më mbështollën

përqafim

në ta u pastrova

pagëzova

ia ndjeva andrrat dhe lojnat

frikën

dashurinë

më mbushi me shpresë

me adhurim

nëse një shpirt i tillë ekziston

gjithshka ka kuptim

prandaj në shi po rri

në verandë po rri

larg detit

larg ranës

për të po rri

e lumja unë

e lumja ti

 

 5. unë jam mbretnesha e bardhë

 

ulë në fronin e zemrës

mbretin tem po e pres

rana më mblon

e vala më zblon

dielli më vlon

e hana më zbardhon

zbardhet e erret

zbardhet

erret

zbardhem

errem

kur

kur vjen

kur vjen mbreti

jem?

 

     6. unë jam një “ostron” “ostrica” “oyster”

ti emnin në shqip nuk ma din

mos më thuej se s’jam gocë deti e vërtetë

se jam veç një guackë

langu jem

dashuri

të ndez

të përpin

të rrëshqas në grykë

dëshirë

buzët

një herë po më shijove

magji

dridhen

e afshojnë

e më duan

sërish

 

mos më thuej se pa shpresë

guackë po rri

pse edhe kështu

ti kur më sheh

më din

                                          Epilog

çudi e madhe para dy javësh

thotë pronari i shtëpisë

tamam atë mbrëmje që mbërritët ju

plazhi i madh u mbush tej për tej me guacka

kishte kohë që nuk ndodhte

katër netë me radhë nga nuk mbinë

të mëdhaja sa pëllëmba ime

portokalle

të bardha

të zeza

mbas çdo zbatice i shihje

si i ikshin oqeanit

si hapeshin

e shfaqeshin

sikur i përgjigjeshin një thirrje

vinin e vinin

këndonin

u çmendëm pas tyre

të gjithë

kishte kohë që nuk ndodhte

tamam atë mbrëmje që erdhët ju

tashti që po shkoni

plazhi është bosh përsëri

veç ato guackat e holla e të tejdukshme

na bëjnë shoqëri

ato memecet që nuk flasin

qetësi

ndërsa ai flet

gishtat i zhys në rërën e lagët

lamtumirë!

(Bretagne, qershor 2014)

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency