Florenc Drizari
12 qarqe dhe 61 bashki, qeveria ndryshon disa fshatra
Miratohet 9 me 1 vota harta territoriale në komision, Idrizi i bashkohet mazhorancës, Marvo kundër
Komisioni i Posaçëm për Reformën Administrativo – Territoriale miratoi dje variantin zyrtar të hartës të ardhur nga qeveria me 12 qarqe dhe 61 bashki. Me 9 vota pro dhe një kundër (deputeti i Qarkut të Vlorës, Andrea Marto), anëtarët e mazhorancës miratuan projektligjin duke ia kaluar Kuvendit të Shqipërisë për votim në sancën plenare që pritet të mbahet javën e ardhshme. Harta e re administrativo-territoriale e Republikës së Shqipërisë do të ketë 61 bashki, ndërsa ky variant do të jetë funksional pas zgjedhjeve të lokale të vitit 2015. Në mbledhjen e djeshme të komisionit, Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi propozoi ndryshimet e fundit të qeverisë qëlidhen me funksionalitetin infrastrukturor të komunës së Manzës, infrastruktura e së cilës sipas shumicës është në harmoni me bashkinë e Durrësit. “Dy komuna në Fushën e Gjirokastrës, Odrie dhe Lunxheria, që kalojnë përmes Gjirokastrës dhe infrastruktura e tyre lidhet me atë të kësaj bashkie”,-tha Çuçi. Mbledhja e djeshme e Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo – Territoriale u shoqërua me debate të forta mes përfaqësueve të mazhorancës. Deputeti i Qarkut të Vlorës, Andrea Marto kërkoi disa ndryshime në propozimet e qeverisë, duke thënë see reforma nuk duhej të degjeneronte vetëm në shkëputjen e disa fshatrave. “Ne kishim kriterin bazë mosndryshimin e kufijve kriter që u thye, kjo njollos reformën. Unë do votoj kundër, nëse nuk i qëndrojmë kritereve që kemi vendosur”,-tha deputeti Andrea Marto. Nga ana e tij, deputeti i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, i cili bëri edhe shumicën për mazhorancën në komisionin e reformës, kërkoi që t’i lihej edhe më shumë kohë opozitës, ndërsa shtoi se ndarja e re duhet të miratohet me dakordësinë e të dy forcave më të mëdha politike. “Kjo reformë duhet të bëhet në radhë të parë në dakordësinë e dy forcave të mëdha politike. Ajo që pamë ishte vullneti i mirë që në zonën e jugut të Shqipërisë të krijohej një mega njësi e re administrative ku grupoheshin për herë të parë njësitë me shumicë minoritare. Janë marrë dy komuna nga Delvina, dy nga Saranda dhe disa poshtë dhe janë bashkuar bashkë për të bërë një njësi të re administrative me shumicë minoritare.
Pas diskutimeve, Komisioni vendosi që të miratojë vendimin në të cilin parashikohet: 1-Miratimi i nismës ligjore për depozitimin në Kuvend të projektligjit “Për ndarjen administrative-territoriale të njësive vendore në Republikën e Shqipërisë”, sipas tekstit dhe relacionit shoqërues bashkëlidhur këtij vendimi.
2- Projektligji “Për ndarjen administrative-territoriale të njësive vendore në Republikën e Shqipërisë”, bazuar në nenin 81 të Kushtetutës dhe nën nenin 68 të Rregullores së Kuvendit, depozitohet në sekretari dhe i dorëzohet Kryetarit të Kuvendit për të vijuar me procedurat parlamentare.
Debatet për “Facebook”-un mes Finos e Martos në komision e reformës territoriale
Fino: “Çdo deputet do të ketë dijeni për draftin, Jemi të hapur, ka pasur edhe deputetë kundër”
Deputeti Andrea Marto-Finos: “Më keni paragjykuar për Konispolin”
Bashkim Fino-Martos: “Ju kërkoj ndjesë nëse jeni fyer”
Idrizi: Kjo reformë duhet të bëhet në radhë të parë në dakordësinë e dy forcave të mëdha politike. Ajo që pamë ishte vullneti i mirë që në zonën e jugut të Shqipërisë të krijohej një mega njësi e re administrative ku grupoheshin për herë të parë njësitë me shumicë minoritare.
Vasili: Unë mendoj që duke qenë në fundin e një procesi të gjatë dhe të vështirë, unë mendoj se duhet të vazhdojmë të ruajmë thelbin. Përpara kemi një produkt që na bie 61 njësi, i vetmi rast ku nuk teprohet fjala historike.
Marto: Në Facebook thuhet jo këta duan një bashki të madhe…
Fino: Unë nuk jam kryetar i “Facebook”-ut, jam kryetar i komisionit. Nuk merrem me komente Facebook-u. Unë nuk marr përsipër të kthej përgjigje se çfarë shkruajnë njerëzit në Facebook.
Projektligji i zbardhur/ “Ndarja administrativo-territoriale e njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”
Neni 1
Ndarja administrativo-territoriale e njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë është si më postë:
1- Qarqe 12
2- Bashki 61
Neni 2
Elementet përcaktues të njësive të qeverisjes vendore
Shtrirja territoriale, emri, qendra e çdo njësie të qeverisjes vendore dhe ndarjet e tjera të bashkive janë të përcaktuara në hartën dhe në tabelat që i bashkangjiten këtij ligji dhe janë pjesë përbërëse e tij.
Neti 3
Dispozitë kalimtare
Organet e njësive të qeverisjes vendore, të konstituuara pas zgjedhjeve vendore të vitit 2001 dhe me juridiksion territorial sipas ndarjes administrativo-territoriale të përcaktuar me ligjin nr.8653, datë 31.07.2000 “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë“, të ndryshuar me ligjin nr.8654, datë 31.07.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Bashkisë së Tiranës”, vazhdojnë funksionimin e tyre me organizimin ekzistues deri në konstituimin e organeve të qeverisjes vendore në zgjedhjet e vitit 2015.
Neti 4
Fillimi i efekteve juridike të ligjit
1.Ndarja territoriale-administrative, e miratuar me këtë ligj, do të fillojë të zbatohet për procesin e zgjedhjeve të organeve të qeverisjes vendore të vitit 2015.
2.Funksionimi i organeve të qeverisjes vendore, të konstituuara pas zgjedhjeve të vitit 2015, do të bëhet bazuar në juridiskionin territorial sipas këtij ligji.
Neni 5
Shfuqizime
Ligji nr.8653, datë 31.07.2000 “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar dhe ligji “Për organizimin dhe funksionimin e Bashkisë së Tiranës”, shfuqizohen me konstituimin e organeve të qeverisjes vendore në zgjedhjet e vitit 2015.
Neni 6
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren Zyrtare”
“Universiteti i Sigurisë”/ Rama: Çfarë drejtësie do të presim ne nga gjykata e plepave dhe një polici plepash
Kryeministri Edi Rama gjatë analizës së 300 ditëve të para të punës së Ministrisë së Brendshme, theksoi se tashmë Policia e Shtetit është në krye të detyrës. Duke folur për domosdoshmërinë e ngritjes së Universitetit të Sigurisë, Kryeministri tha se ka ardhur koha që në Shqipëri t’i jepet fund paqartësisë lidhur me edukimin e kuadrove të policisë. “Nuk duam ta bëjmë policinë e plepave dhe të presim në hijen e plepave. Çfarë drejtësie do të presim ne nga gjykata e plepave dhe një polici plepash, duhet të ndërtojmë universitetin e Sigurisë, Shkollën e lartë të policisë së Shtetit me të gjitha standardet. Në mënyrë që të mos kemi më policë që nuk dinë të flasin shqip dhe si t’i drejtohen qytetarit që ndalon në rrugë dhe mirëmbrëma në mëngjes”- deklaroi kryeministri. Ndërsa shtoi se: “Ne duhet t’i japim vetes mundësinë që të përgatisim gjeneratën tjetër përmes një edukimi te plotë policor. Nuk është kjo një çështje kursesh as tre mujore as 6 mujore, ne nuk duam të bëjmë policinë e plepave, gjykatën e plepave e kemi, nga plepat e para dy dekadave ja ku u katandisëm sot nën plepa dhe presim në hije të plepave drejtesione , çfarë drejtësie mund presim ne nga gjykata e plepave dhe çfarë sigurie do presim ne nesër nga një polici plepash”.





