Ish-ministri i Drejtësisë/ Alibeaj: Arsyet pse me ligjin e ri mazhoranca synon shkarkimin e anëtarëve të KLD-së

0
124

alibeaj“Nuk kërkohet një reformë në rrafshin ligjor, por një reformë emrash, kokash, funksionarësh”

Ish-ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, e cilëson projektligjin e ri të qeverisë për Këshillin e Lartë të Drejtësisë si një tentativë të mazhorancës për të kapur sistemin e drejtësisë përmes shkarkimit të anëtarëve aktualë të KLD-së. Në një intervistë për “News 24”, Alibeaj theksoi se mazhoranca e konsideron reformën vetëm si reformë emrash, kokash dhe si një reformë të funksionarëve. “Ajo çfarë është parë deri tani është thjesht një ligj i vetëm i përbërë nga 7 dispozita, ndër të cilat dy janë ato që mund të konsiderohen si ndërhyrje në sistemin e drejtësisë. Bëhet fjalë për projektligjin e KLD-së, të dy ndërhyrjet prezantojnë defekte të mëdha kushtetuese. Ajo çfarë kërkohet me këtë ligj është shkarkimi i anëtarëve të KLD-së që shpreh qasjen e kësaj mazhorance për të shtrirë tentakulat e veta në sistemin e drejtësisë. Nuk kërkon një reformë të rrafshit ligjor, por e konsideron një reformë emrash, një reformë kokash një reformë të funksionarëve. Kjo mazhorancë kërkon të zëvendësojë të gjithë ata funksionarë, duke filluar me Presidentin, duke vazhduar me Prokurori, me nënkryetarin e KLD-së, duke i zëvendësuar me emra që i konsideron beniaminë politikë”, – pohoi ai.

 

Projektligji

Sipas Alibeajt, në përmbajtjen e njërës prej dispozitave të projektligjit për KLD-në kërkohet haptas nga mazhoranca shkarkimi i anëtarëve të këtij Këshilli për shkelje të Kushtetutës ose ligjit. “Më duhet të them që përkundër të gjitha premtimeve të kësaj mazhorance, duke parë programin e tyre, një nga risitë që do të risillte kjo qeveri në lidhje me procesin e artikulimit dhe formësimit të ligjeve do të ishte procesi i konsultimit. Në fakt ky ligj, kaq i vogël, kaq i thjeshtë, i mbirë nga asgjë, nuk ka mbajtur asnjë nga premtimet e konsultimit ndërkombëtar, se për ato vendas jo e jo”, – tha ai. Duke u marrë specikifiksht me dispozitën e ligjit ku kërkohet pezullimi i gjyqtarëve, ish-ministri i Drejtësisë e analizoi atë duke marrë edhe një shembull për të treguar sipas tij se sa absurde është kjo pikë. “Mund të niset edhe në mënyrë të pamotivuar kallëzimi. P.sh. për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor nga një gjyqtar. Veprimtari e cila është shoqërisht e qortueshme, por që nuk ka lidhje me cilësinë e kryerjes së detyrë së gjyqtarëve, mund të jetë edhe e montuar si procedurë. Sa herë që paraqitet një kallëzim, prokuroria është e detyruar të regjistrojë, hetimet vazhdojnë minimalisht për tre muaj. Mendoni një situatë absurde, sikur një njeri i vetëm, jo më struktura shtetërore, të ulen në një ditë e të paraqesin kallëzime penale për 250 gjyqtarët e shkallës së parë dhe apelit. Këto kallëzime do regjistrohen nga Prokuroria, do të marrë kohën e duhur ta verifikojë nëse është i bazuar dhe gjatë gjithë kësaj kohe, e cila zgjat nga tre muaj minimalisht deri në dy vjet maksimalisht, të gjithë gjyqtarët e Republikës do të jenë të pezulluar. Kjo është absurde, një situatë qesharake”, – deklaroi Alibeaj. Nga ana tjetër, ai i kërkoi Partisë Demokratike që për këtë çështje të ketë të njëjtën qasje siç pati me reformën administrative-territoriale. “Opozita nuk mund të jetë një pjesë e cila vjen në vitrinën politike thjesht dhe vetëm për propagandë e pastaj produkti të jetë ai i cili gatuhet në bodrumet e Kryeministrisë. Kjo është e papranueshme”, – theksoi ai. Ndërkaq, paralelet e kësaj çështjeje me atë të rastit të nënkryetarit të atëhershëm të KLD-së, Kreshnik Spahiu, Alibeaj i hedh poshtë, duke theksuar se ka dallime të mëdha. Sipas tij, përfshirja e një anëtari të KLD-së në aktivitet politik nuk justifikohet dhe as legjitimohet, ndërsa në rastin konkret, pohoi ai, kemi të bëjmë me tentativë të pastër nga ana e mazhorancës për të shkarkuar anëtarët e KLD-së.

 

Pezullimi i gjyqtarëve/ Unioni i Gjyqtarëve kundër ligjit të qeverisë: Cenohet balancimi i pushteteve

Unioni i Gjyqtarëve shpreh qëndrimin e vet kundër draftit të qeverisë për ligjin e KLD-së, ku e cilën cenuese për balancimin e pushteteve dispozitën, sipas së cilës në rast procedimi penal ndaj një gjyqtari, Këshilli duhet ta pezullojë nga detyra derisa të merret vendim gjyqësor i formës së prerë. Në një letër që Unioni i ka dërguar Komisionit të Ligjeve që mban datën 17 korrik 2014, nënvizohet se “imuniteti i gjyqtarëve është kufizuar në Kushtetutë dhe ata mund të ndiqen penalisht pa asnjë pengesë. Ndërsa një veprim i tillë nga KLD-ja do të ekspozonte pavarësinë e gjyqtarëve dhe gjyqësorit ndaj një rreziku të shtuar, jo vetëm nga pushtetet e tjera, por edhe nga vetë palët ndërgjyqëse”. Sipas Unionit, kjo cenon parimin e palëvizshmërisë së gjyqtarëve, si një ndër garancitë themelore të pavarësisë së tyre, si dhe parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, të parashikuara, respektivisht, nga neni 145 dhe neni 7 i Kushtetutës. “Ky parashikim, në optikën tonë, nuk është në pajtim me Kushtetutën, përkatësisht me nenin 138 të saj, pasi cenon kohën e qëndrimit në detyrë të gjyqtarëve, për sa kohë nënkupton pezullim automatik nga ushtrimi i funksionit, thjesht dhe vetëm me regjistrimin e procedimit penal, përtej masave ndaluese të parashikuara në Kodin e Procedurës Penale. Bazuar në sa më lart, mendojmë se kjo dispozitë nuk duhet miratuar siç është parashikua”, – thuhej në letrën dërguar kryetarit të Komisionit të Ligjeve Fatmir Xhafaj.

 

 Plani kombëtar për qendrat urbane/ PD, Bogdani: Rama, Kryeministër i fasadave, hakmerret ndaj Tiranës duke bllokuar çdo gjë

Partia Demokratike ka reaguar dje lidhur me planin kombëtar për qendrat urbane të bërë të ditur dy ditë më parë nga kreu i qeverisë, Rama, duke e cilësuar këtë si një fasadë pasi qeveria deri më tani ka bllokuar të gjitha projektet zhvilluese të kryeqytetit. “Pas 300 ditë dështimesh, pa asnjë bilanc pozitiv, pa asnjë investim, pa asnjë vend të ri pune, Edi Rama u rikthye tek fasadat kësaj here tek ato të Korçës. Si ish kryebashkiak i dështuar, Edi Rama në këto 300 ditë është kujdesur vetëm të bllokojë çdo investim për qytetarët e Tiranës. Në 300 ditë Rama ka bllokuar strehimin dhe banesat sociale, kopshte të reja, çerdhe të reja, shkolla të reja dhe çdo investim për qytetarët e Tiranës.  Në 300 ditë Edi Rama bllokoi varrezat e qytetit të cilat për më tepër i kishte lënë në mëshirë të fatit për 11 vite me radhë kur ishte kryebashkiak. Në këto 300 ditë Edi Rama bllokoi zgjatimin e bulevardit. Fakti është se në 300 ditë Edi Rama nuk i akordoi asnjë lekë për investime për qytetin dhe qytetarët e Tiranës”, – deklaroi deputeti demokrat pas vizitës në një lagje autoktone të Tiranë, për të cilin tha se kryeministri ka bllokuar projektin e zonës si një hakmarrje primitive për zgjedhjet e 8 majit 2011. “Kjo është një hakmarrje që Rama sot si Kryeministër ua bën qytetarëve të Tiranës të cilët dje e nxorën nga Bashkia e Tiranës. Pak por e saktë, Edi Rama në këto 300 ditë nuk po sillet dhe nuk po di të punojë si Kryeministër i vendit, por sillet si kryebashkiak i dështuar duke iu rikthyer edhe njëherë fasadave me shpresën për të mashtruar qytetarët me fasada, por duke harruar se shqiptaret duan më shumë punë, më shumë rritje ekonomike, shqiptarët duan më shumë siguri për jetën e tyre”, – deklaroi Bogdani.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency