Legalizimet / Me vendim qeverie, si do të merren tapitë për 210 pallate pa leje

0
193

Florenc Drizari

 Ekzekutivi: Asnjë ligj nuk e zgjidh posaçërisht problemin me lejet e ndërtimeve në 210 pallate në Tiranë, zgjidhja do të vijë si shembulli i ndjekur me pallatet “Hawai”

 

PallatePër legalizimin e rreth 210 pallateve në Tiranë që kanë probleme me lejet e ndërtimit, apo investitorët e tyre nuk kanë shlyer detyrimet ndaj shtetit, pritet të ndiqet e njëjta rrugë për hipotekimin e tyre si ajo e pallateve “Hawai”. Burime nga qeveria bëjnë të ditur se ende nuk ka asnjë ligj konkret që t’i bëjë krejtësisht të ligjshme këto ndërtesa kundrejt shtetit, paçka se ligji i ndryshuar për legalizimet ka hyrë në fuqi. Për qindra banorët e këtyre pallateve që kanë blerë apartamente, por që nuk kanë në dorë dokumentin e pronësisë, qeveria pritet të nxjerrë për çdo pallat apo grup ndërtesash një vendim të Këshillit të Ministrave (VKM). Aktualisht, ky proces u ndoq pak ditë më parë nga ekzekutivi me pallatet “Hawai” në Tiranë. Ndërsa për këtë proces qeveria është në fazën e lajmërimit të banorëve që kanë blerë apartamente për të shkuar pranë dyerve të ALUIZNI-t, duke bërë deklarimet e tyre dhe kjo për faktin se afati i lënë në dispozicion është dy muaj kohë. Ndërkohë, sipas burimeve nga qeveria, nuk ka dhe nuk mund të këtë afate konkrete për legalizimin e këtyre 210 pallateve, shifër kjo e bërë publike pak ditë më parë nga Kryeministri Edi Rama, gjatë një aktiviteti për shpërndarjen e dokumenteve të pronësinë në kryeqytet.

Mungesa e afateve kohore se kur mund të bëhen këto legalizime, sipas përfaqësuesve të qeverisë, vjen për faktin se çdo ndërtesë e ngritur gjatë këtyre viteve ka specifikat dhe probleme të ndryshme që nuk mund të zgjidhen me një ligj të vetëm. Zgjidhja, sipas ekzekutivit, do të vijë vetëm me anë të vendimeve të ndara që do të jepen me anë të VKM-ve. Kjo pritet të zgjasë në kohë, edhe për faktin se për legalizimin e pallateve “Hawai” qeverisë ose qeverive të mëparshme, iu deshën më shumë se një dekadë. Edhe pse përfaqësues të qeverisë theksojnë se brenda muajve të fundit janë miratuar aq shumë vendime në fushën e legalizimeve sa asnjë qeveri tjetër krahasuar me po të njëjtën periudhë nuk ka miratuar më parë, një zgjidhje afatshkurtër shihet e largët, edhe për faktin se këto pallate janë ndërtuar në vite të ndryshme. Për ato ndërtesa që janë ngritur pas vitit 2009, kur hynë në fuqi ndryshimet në Kodin Penal, zgjidhja bëhet edhe më e vështirë, për faktin se ligji i konsideron vepër penale ndërtimet pa leje pas këtij viti. Legalizimi i këtyre ndërtesave do të kërkonte ndryshime në Kod, gjë për të cilën duhet një vullnet i gjerë politik mes pozitës dhe opozitës në Kuvendin e Shqipërisë. Edhe pse ky proces vazhdon me legalizimin e pallateve “Hawai”, përfaqësuesit e qeverisë kanë premtuar se qytetarët nuk do të paguajnë asnjë lek nga ky proces.

Ajo që pritet zyrtarisht nga Këshilli i Ministrave, është miratimi zyrtar i hartës me çmimet e tokës. Ky vendim pritet të dalë në mbledhjen e ardhshme të qeverisë, ndërkohë që variante jozyrtare të publikuara në media të ndryshme tregojnë se në kryeqytet do të këtë ndryshime drastike të çmimeve. Çmimet në qendër të Tiranës pritet të jenë më të lira se më parë, ndërkohë që rritje kanë pësuar zonat përreth kryeqytetit.

 

 

Kodi Penal

Neni 199/a

Ndërtimi i paligjshëm

 

Ndërtimi i paligjshëm i një objekti në tokën e vet dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit.

Po kjo vepër, e kryer në tokën publike ose shtetërore apo në tokën e tjetrit, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.

 

 

Rama: Banorët e 18 pallateve kanë dy muaj kohë për procedurat e legalizimeve

Duke folur për legalizimin e pallateve “Hawai”, Rama ka thënë pak ditë më parë se “janë 18 të tilla që i përkasin të njëjtit investitor të njëjtit ndërtues dhe 210 që kanë të njëjtën problematikë. I zoti i kësaj pune nuk jeton më dhe ju nuk keni nga të drejtoheni tjetër veçse nga Bashkia, por Bashki në Tiranë nuk ka, ndaj mbetet që këtë punë ta bëjë qeveria nga A-ja te ZH-ja. Ju japim në dorë dokumentin e legalizimit dhe ju nuk do paguani asnjë kokërr leku. Keni dy muaj kohë për të bërë të gjitha procedurat e nevojshme për të cilat do t’u asistojë ALUIZNI. Brenda dy muajsh ju të gjithë jeni të ftuar të kërkoni ndihmën e ALUIZNI-t. Flas këtu për familje që janë në kurbet, por me siguri lajmin do ta marrin vesh. Në më pak se 300 ditë ne kemi bërë më shumë legalizime se ç’kanë bërë ata në 8 vjet. Dhe ndërkohë kemi marrë përsipër që ta kryejmë këtë proces falas në një periudhë më të shkurtër sesa mund të parashikohet. ALUIZNI do bëjë asistencën e çdo familjeje”, – ka thënë Kryeministri Rama.

 

18 pallatet “Hawai”, ALUIZNI: Qytetarët të aplikojnë pranë drejtorive

Drejtoria e Përgjithshme e ALUIZNI-t njoftoi të gjithë qytetarët që kanë një apartament në pallatet “Hawai” në Tiranë dhe në Durrës t’u drejtohen zyrave të ALUIZNI-t. “Bëhet fjalë për ata qytetarë që e kanë blerë, por nuk jetojnë në këto apartamente. Mungesa e tyre është bërë pengesë për punonjësit e ALUIZNI-t për të bërë matjet e duhura për të plotësuar dosjen për marrjen e lejes së legalizimit. Ata që kanë një apartament në Tiranë të drejtohen në Drejtorinë e ALUIZNI-t Tirana 1 ose Tirana 2, ndërsa ata që kanë një apartament në Durrës t’i drejtohen zyrave të ALUIZNI-t Durrës për t’i kontaktuar”, – ka lajmëruar Drejtoria e Përgjithshme e ALUIZNI-t.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency