1953 / Letra për Mustafa Krujën, Nekaj: Kam zbuluar se Vukë Karaxhiqi ka botuar libra duke vjedh nga “kangët shqipe e zakone tonat”

0
174

Kuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja e përfshirë në katër vëllime jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën e komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit, nis ciklin e publikimit, çdo ditë, të disa letrave të rralla

 

urlKuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja e përfshirë në katër vëllime jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën e komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit nga “OMSCA-1”, nis ciklin e publikimit të disa letrave të rralla, me personalitete politikës e të kulturës. Pas çështjeve politike, të organizimit të partive në emigrim, letrat e Krujës shkojnë edhe në një dimension kulturor, siç është diskutimi me Zef V. Nekajn ku duhet shënuar se ky ishte studiues, dhe personalitet i letrave shqipe, i njohur me botimet e artikuj shkencore, të shkruar në të shumtën e herëve me pseudonime. Polemist mbi të vërtetën, në këtë frymë Nekaj argumenton në histori e gjuhë në letrat e rralla që ka pasur me Mustafa Krujën, të dy në vitet ‘50 në emigrim.

Edhe pse letërkëmbim, ajo që çmohet në to është sqima e dijes, sikur këta të ishin artikuj të publikuar për lexues, e jo mes vetes. Ndoshta kjo ishte një projekt-perspektivë e Krujës, gjë që ia impononte çdo letërkëmbyesi, si në këtë rast, duke na dhënë një shkollë të mendimit.

 

 

***

I ndershmi Z. Mustafa

Mâ së pari Ju uroj shëndet të plotë me gjith tuejët e po shpejtoj t’U falënderoj për shpresë qi më jepshit. U njoftoj se për fat tash gjindem mâ mirë me shëndet. E pse pra pse s’më je përgjegjë, “o i uruar”, do të më thoni! Nuk due me u shfajsue se q’prej 9 Fruer e deri me 25 m.k. kam qenë jashtë Romet i zanun si shum tjerë me punën e belbzimit, a mos u a mbushim menden këtyne specavet të kuq të këtij kopshtit ku jemi se si âsht gjendja e vendit tonë sod. Kjo nisjativë qe ndërmarrë prej intelektualvet të përtej kapërcyellit. Në vende të ndryshme gjatë nja 45 ligjeratash kam trajtue themat: gjendja e sodshme e shkollës, ndjekjet e fetarve e gjendja e kishës e xhamis dhe gjendja e sodshëme ekonomike e shoqnore. Nuk âsht arsye shfajsimi as përpjekja qi kam bà me i këthye n’italisht sidomos dy themat e fundit aq sa me i bâ të pranueshme për ndigjuesat, por vonesa e eme merditçe ftillohet kështu:

“Motrës së Hasanve të Tuçit të Spaçit, Qafë e Malit, qi kishte pasë qenë vajtore në zâ, i kishte pasë dekë vllau, i cili kishte pasë qenë martue me nji bijë prej Hasit të Thatë, përtej Drinit.

Duket se heret paska qenë zakon me i shtrue teshat e dekës (qi përmbaheshin në dollamë të gjatë, në tirq e xhurdî, brez e xhamadan, ksulë të kuqe me tufë të zezë e shami, armët e brezit e të krahut, kutí duhani e qehlibare, openga, meste e çarapë; për të lijta përmbrenda ca fustan e jo kmishë si tash së voni dhe qylim e karrikë) për çdo të diele, deri sa të vijshin për kryet shëndosh prindët e së mbetmes vejë, t’i thomi mâ mirë, vejushës. Mirëpo Hasnjanët u vonuen gjashtë muej me radhë dhe kur iu afruen shpis, ia lëshuen zan e uluruen qent, motra virgjën e vajtore, qi s’e kishte vû ata ujë më zjarm se po i vinte mâ kush për kryet shëndosh e qi prandej i kishte shti teshat n’arkë, me të shpejtë i shtroi teshat e dekës dhe nisi me vajtue me të madhet, sa në krye e pat:

“Kan ardh’ Hasi me të pa, o Vllá!

Mbas gjasht’muejsh vak ka, o Vllá!

Borxhin Hasi me ta la, o Vlla!…”

Krejt Merdita e Epër e përdorin këte vajtim për të qortue vonuesat, aniç…

Sido qoftë U lypi të falun aq ma tepër se mund t’u kemi shtî me mendue se ndoshta a mos jam sëmue mâ tepër ose kush e din se shka tjetër.

Këso radhe po U dërgoj nji kopje të Kunorës së Maleve në shqipet, sikurse u kam pasë premtue, si edhe kopjimin e njij artikulli nga revista letrare “Jeta e Re”. Përkthimi, pa dyshim se ka mjaft të meta si teknike, ashtu edhe gjuhësore, por tue mendue se çdo tjetër intelektual i sodshëm në Kosovë qi do të bashkpunonte me letrarin e ri, Esad Mekulin, (qi natyrisht asht i kuq – nacjonalist) i mtruem1), do të lente me dishrue edhe mâ tepër se sa kemi lanë na, pranova bashkpunimin dhe kryem ate qi mujtëm. Më kanë shkrue se ka dalë nji kritikë mu në “Jetën e re”, të cilën nuk e kam marrë ende pse ata kujtojnë se mos po më mbetet hatri ndoshta, ose nuk duen me m’a dërgue ma revistën, por kam pasë bâ mendim qi ma mirë me ngranë kritikën për punën e bame se sa mos me u ba punën, me ua lanë të tjerëvet. Do të më duhet me iu përmbledhë njifarë vetmprojtjeje e me kërkue edhe ndihmën e z. profesor Koliqit, por do të jetë për te kokçamje e pafryt dhe prandej do të më duhet me shtërngue rrypat e mij. As përkëthimi i italishtes e as ai i frangishtes nuk na kanë pasë pëlqye aspak si për kah besnikija e mendimeve, ashtu edhe për kah teknika e vargut, qi u ka shkue prej 10 rrokshit tue u kalamendë deri te 14 rrokshi, e anasjelltas.

Përsa thojshi për Fishtën, ai nuk ka marrë gjâ ashtu truç, por ka gjasue e mostrue disá ndodhi, ashtu si janë në jetën e vërtetë të nê malsorve e malazezve e për këte Fishtës nuk i ulen vlera, por mù mâ fort meriton m’u lexue e këndue. N’u thantë se p.sh. Fishta ka marrë si shembull vajtimin e motrës së Batriqit dhe e ka vû në Lahutën e Malsis, këtê mund ta hajë nji qi nuk din e nuk ka ndie kurr për hartin e vajit të Merditoreve, nga goja e të cilavet Fishta e muer këte motiv dhe e kombtarizoi mrekullisht. Fjalët e vajit të motrës s’Avdi Hisës janë marrë besnikisht prej vajit qi nji grue e Marocvet të Fandit i thotë të shojt, kur ky u vra me Spaçajt për punën e pashtrakut (taksë e haraç gjâje për kullosën e Bjeshkës së Munellës qi Fandcit u merrshin Spaçajve). N’atë plojë gjaku, ndodhë para mâ se gjashtëdhetë vjetësh, patën mbetë të vramë katër Marocajsh e tre Spaçajsh, posë të plaguemvet. Ashtu si ishte ai vajtim do të mbetej vetëm në vend si shum të tjera, pse nuk nxit kurrgja të hieshme, por i lumnoftë shpirti Fishtës qi dijti ku me e vû e me zgjue kureshtë e krenari nëpër gojë të Merditores e jo të Njegoshit. Simbas, dishirës po U kthjelloj përsa mundem mbi disa vërejtje të vendimevet të Prishtinës, mbasi ndoshta Ju nuk keni letërshkëmbim me ta:

Pika 2: Kosovarët thonë: un vijshe, ti vijshe, ai vijka e jo ardhka; un shkuekem, ti shkueke, ai shkojka e jo shkueka.

Fjalzën “po” përpara foljevet duen me e mënjanue simbas parimit: “Me krye punë pa stërhollim e llukse, por me shpejtí e thjeshtí dhe dinamizëm për të mos i mundue e humbë kohë nxanësavet me gjasende qi nuk sjellin ndonji fitim”. Po kështu ngulin kambë edhe me shkrue përemnat pronorë tem, tim, tand; tonë, sonë, tanë, sanë pa apostrof.

Pika 3: Formën punonja e kanë pranue për të mos iu largue shum dialektit të Dibrës e mâ fort për t’iu afrue atij t’Elbasanit “punoje” e pse mendohet qi kështu diqysh të niset me iu hjedhë baza unjisimit të gjuhës zyrtare të mëvonshme. (Por këtu shkaku simbas meje qi jam ba shpirtdjerrun nuk asht aq shkencuer, sa i shkon për shtat dallaverevet të sodit ku Dushan Mogoshi nxit dasin haptazi ndërmjet Toskvet e Gegvet e për vërtetim ka mbrrijtë të thotë në Mbledhjen e emigrantavet shqiptarë në Shkup: “Çkanë bâ Toskët në Gegni tash 7 vjet e gjymës? E përgjegjen e ka dhanë vetë se vetë: “Asgja, posë gjakut e plojës!…” (E moj Dushë, po kush i mësoi toskët me ua bâ kështu Gegëvet?” Un kishe me thanë: “Dusha se Dusha”.

Pika 4: Nga të gjith të rijt asht pranue si e drejtë trajta e dytë e s’ardhëshmes qi vente A. Xhuvani në gramatikën e vet e qi në gramatikën e Myderrizit, prof. i Medrezes së Tiranës, (Tiranë, Maj 1944) e ka marrë si trajtë mâ të drejtë dhe pra e ka përdorë si të vetme tue e lanë mbas dore trajtën p.sh. kam me punue, qi e spjegojnë kështu: kam me punue do me thanë simbas tyne kam se shka me punue, nuk kam mbetë pa punë. Po ashtu kam me hangër = kam se shka të ha etj. qi ndryshojnë në këte’rasë domethanjen e kohës s’ardhëshme. Un vetë nuk kam mujtë me e përvetsue së paku edhe në letra, por duket se nuk âsht fort larg mendsh. Ju mund ta kthjelloni, ose mund ta keni kthjellue në librin Tuej.

Pika 5 e sidomos 6 me “letër e ndryshun” – në mos qoftë gabim shtypi – qi un nuk kam mujtë me i ra në fije – duket se âsht krejt nji artificjalizëm qi s’shkon kurrsesi.

Pika 7: arsyetohet vetëm me unjisimin e trajtës së shkurtë të gegnishtes.

Me pikën 8 të tyne nuk mund të pajtohem as un kurkund, pse, sado qi merret vesht, shqip nuk thohet “librin e lexova”.

Jo pse ka ndonji lidhje pika 14 me 15, por mbasi në të dyja rrihet çashtja e përdorimit t’ës e Ju te pika 14 në përgjithsi jeni në kundërshtim të përdorimit të saj në mbrapashtesat, në vend të përdorimit të theksit qi do të shkonte fare mirë për fonetikën e gegnishtes. Ju lutem në paçi mundësi ndonji herë të ma spjegoni – natyrisht edhe në mos e marrsha librin – se për ç’arsye duhet shkrue në vend t’as, is etj asë, isë etj.

Parimet e fjalorit janë pikë për pikë ato qi para dymbëdhetë vjetësh keni pasë paraqitë Ju publikut shqiptar me anën e revistës “SHKËNDIJA 1940” në rasë se ju kujtohet.

* * *

Simbas kërkesës suej po U përgjegjem për foljen me u ethezue, qi un e kam përdorë në këte frasë: “…. as paraqes ndonji vërtetim historik për të kërkue me ethezim etj…” Për këte folje u këshillova edhe me tjerë Mirditas. Disa nuk e përdorin si na në Fand, por Nikoll Mëlysh Bajraktari qi e pyeta më prû këte shembull : “Po ethezohen e shpejtojnë si santarët (ata qi venë sanën në mullar, ose ata qi bajnë sanën në shpînë prej bjeshkëve për në vrrîjë) prej shiut (sheiut).” Tash po U thom se kur Kthella puqet me Fand, nuk ka dyshim se kjo folje nuk përdoret në gjuhën e gjallë të popullit dhe prandej nuk asht nji pjellë e emja, ndonse me të vërtetë, si e spjegoni me vend, rregullavet të ndërtimit të foljevet u rrëshqet.

Keni të drejtë se lajle me kuptimin materjal përdoret vetëm në shumës, por me kuptimin ftyruer përdoret edhe në njejsin bj. fj. “Secilla ka lajlen e vet e Drandja të venë”; ose “lajlen tande nuk m’a kande”, këtu me kuptimin naze e “papëlqyeshme moralisht”.

U falënderoj për etimologjin e fjalës rasë, por po U pyes se për lehtësi e dallim fjalësh a nuk do të këshillohej me përdorë teknikën e shkrimit, aq mâ tepër kur nji fjalë hiri a pa hiri ka hy në gjuhët edhe dishka shërben si puna e (t)s ke fjala ras(ë)t?

Cingrîmë-a(t) asht britma e stërkeqme, e hollë dhe me të nxjerrë veshët, e qejve, e ujqve dhe e fëmijve të vogjël. Baza e cingrimës merret prej qenit, pse u thohet fëmijve; “Shu(e)ni e mo’ cingroni si qêj, se për Faqe TënZot u zdërvola (u hoqa lvoren, lëkurën, u zdorgja lvoren) m’shtagjt si t’mo’ u vije era njeri!” Në Mirditë kjo fjalë nuk ka shum të bajnë me atê qi përdorka Kristoforidhi “për të shkrepë unët e zjarmit, qi edhe ke na i thonë me shkrepë ûnët, por mâ fort me cicmue ûnët, p.sh.”I vû drût cic e m’cic e mani (mandej) i cicmoj me másh e u rrzuen e u shue zarmi e tahê (o tash) po u frên si shakulli, po s’po nizen”. Na mund t’afrohemi me atê qi përdorë Kristoforidhi vetëm në këte pikë: përsa i përket cingrimës së zjarmit, po jo shkrepjes. Kur vehen dru të holla ujse, shelnje e plepi në zjarm, ato bajnë nji zhurmë qi disa vetë ke na i thonë cingrimë – po cingrojnë ûnët, por shumica thonë: “po cîllojnë shelnjat m’zarm” e jo cingrojnë. Pra edhe këtu folja me cîllue âsht mâ e drejtë fonetikisht e mbasi e kemi s’duhet ta ngatrrojmë. Kështu thohet për mijt = me cîjue e jo me cingrue. Urdhnoni nji shembull tipik: Asht heshtje e njani trembet nga nji fësht – fështe e tjetri i thotë si në qestí: “Paj s’luen burri se cîjon mêu e se vëzhllon hardhuca, ortei!” Mandej veçanisht e të gjith e thonë foljen me cingrue për veshët; “Cili vesh â tu’ m’ cingrue?” e duhet me u përgjegjë gjithmonë: “I djathti” dhe me e urue: “I djathtë qo(f)sh!” Apo nuk âsht urim me vend ky i fundit?

Reshtë (me) ke na përdoret me kuptimin me kthye, me ndalë; qenin, bagtin, veten: “Reshtu për së mbari kah sofra! – Qe, po reshtem. “Reshti dhent kah pëlla (pylla)!

Sogje ka hy edhe në Mirditën e poshtme kah Mnela, Gomsiqja, Zadrima, por jo ke na. Un e kam përdorë prej shkodranishtes.

Sa për kônë âsht e vërtetë se thohet ashtu, por jo gjithkund në Kosovë: në mâ të shumtën e Metohis, në Plavë, Gusi e Mal të Zi, Rugovë, Rozhajë e Tutin thohet kânë; tue hy mbrenda në Kosovë thohet kônë, por edhe atje me përziemje breza breza; pra nuk asht absolute, ndonse mbisundon kônë. Në shqiptim mandej nuk asht thjeshtë o me hundake, por nji o hundore përzie me a, si me thanë 2/3 me 1/3.

Mirdita nuk thotë sojd, por sod, qi un kujtoj se âsht mâ e drejtë se sot, qi thotë e shkruen Shkodra etj., mbasi prejardhja e saj mund të spjegohet me (k)so-d(ite).

Shtyllak-u (m.) -e (f.) âsht mù Merditçe, e përkundërta e rrapaçuk, njeri i shkurtë e i shalakatun, brumbullak e i lakadredhun a i kaladredhun).

Ndër nê ka vetëm tri lloj pishash: pisha e hala, qi kur nuk âsht e rritun krejt e mbetet çufrrake, e stërkequn, karravâgje (serb. zakrzl(j)ena), quhet xhvê e qi n’italishtet si e thoni përfshihen me fjalën pino. Ka krecet (halat) gjethet gjylpanore sa nji gjylpanë mesatare e tuba tuba, boçat në trajtë të voes picagjate në njanën anë të thepisun, degët të shpërndame e deri diku të thyeshme, trungun shum rrëshinuer, për shka malsorët tonë i lvorzojnë (hjekin lvoren) q’prej rrazës me tokë deri ke t’ua mrrije spata m’atë anë kah len dielli e ato piqen e lëshojnë rrëshinë (shêndërr Mr.) të kuqe si vetë dielli. Ajo pishë merr zjarm si benzina. Prej saj bâjnë peshkve (katran) sidomos fandcit e mij e prandej në tallje na quejnë edhe “peshkvexhi”. Drrasat e pishës dalin të kuqleme. Rritet aty ku mbaron brezi i dushkut e herë herë përzihet me tê. Duron në kodrina, djerrina, djegsina, rrogina e skajesh të thepisme të shkrepavet. E gjuen rêja mâ fort se çdo tjetër drû.

Brê-u (nj) brena, brej-t âsht verte ai qi thoni Ju abete (it), fr. sapin. Rritet ma shum se pisha (hala), në trup mâ i trashë, ma i drejtë, qi e ruen deri në maje këte cilësi të fundit, degët mâ të holla e të fundit krejt të holla në krahasim me pishën; lëshon pak rrëshinë. I pëlqejnë rrashnaltat pjellore të pyllnajeve të denduna; boçat i ka të lëmueta e ma picagjate se të halës; krecet e buta e të shkurta, trajta e njij gembi të breut duket sikur nji gjeth firi dhe asht simetrike sikurse degët kryesore, të dytat, të hollat e krandet e holla e ma në fund edhe krecet, të cilat përse janë të buta, katundarët i përdorin për fshîsa e hera herë edhe për t’i shtrue në vend të sanës e të firit. Drrasa i del e bardhë, punohet mâ lehtë se hala e me te malsorët mbulojnë shpijat, veç atëherë nuk quhen drrasa, por frugja (fruga), qi pse janë shum të lehta e çahen me thikë, duhen gozhdue mirë.

Pisha e tretë me randësi ndër vendet tona quhet arrnë-u-ni; j-t. Rritet në nji brez me breun e ahin, madje shkon deri afër brezit të zdeshun të majeve. Për kah trajta e jashtme ia ngjet gati krejt halës, por âsht mâ i gjat e mâ i drejtë, mâ i bardhë në lëvore të jashtme, shum mâ i lakueshëm; prandej barijt e mjeshtrat i rrenojnë për të bâ rrathë shegash, tinarësh e tanash (fuçija të mdhoa), vozash, mtîjsh, bulirash, vedrash etj. Punohet fort lehtë; dërrasën e ka të bardhë si biluri; lëshon rrëshinë mâ shum se breu, por ndizet fare pak; asht shum mâ i randë se breu e mâ i randë se hala.

Bima parasite qi it. i thonë vischio e fr. gui, bima gjithmonë e gjelbër e si me thanë shejtnore, vërtetë me kokrra të helmueme pse ua japim edhave si “ilaç” për të dalë në pranverë, sidomos kur asht dimni i vështirë, ke na quhet “veshtull” (i-at). Rritet çufrrake, gjethen e ka si të larit, por pak mâ rrumbullak dhe shum t’ambël e prandej e hanë shtrrijt (edhat e kingjat) me andje të madhe e pshtojnë prej ushqimit qi përmban e jo përse ka kokrrat e idhta, të cilat ua gjasojnë atyne të “cavoli fiori” për kah trajta.

Ajo qi n’italishtet quhet betulla, s’mujt me u gjetë as në fjalorët qi pat Z. prof. Koliqi, ndoshta âsht avanë-ni, po ai tha se jo.

Fouleau mund të jetë padyshim shqip “fojletë-a”1).

Skrapthi, si kam pasë qenë mundue herën tjetër me e spjegue, ka kuptimin e lajlevet me vija të drejta, a të thyeme, të palakueme, me të cilat malsoret qendisin grykat, skundijt e krycet e mbasshpinës së xhupave e të zhgunave dhe marrin formën e njij zigzagu të drejtë. Kishem me thanë se në rravizimin mâ të thjeshtë âsht zanafilla e stilit gotik.

Ftyrisht thohet: “He, ç’â rritë (q)aj djalë si skrapthi!”, ose “ç’ka marrë termal si skprath!” D.m.th., se s’ka në veti vija të lakueme e sheje të majuni, të zgjanuem e të burrnuem, por ka mbetë gisht, pip i hollë, krande e thatë, ashtu si skrapthi në xhup.

Me miklue âsht edhe merditçe. Urdhnoni nji shembull: “Filani ka pá miklue mâ fort shtast se fmijt e pratâ Zoti e la pa ta”, mandej: “Mikloe (filanin) sa të duesh se qet e qet më shqelm si lopa, (si mushku)!”.

Trikë-a-t = pip-i, punil. Filiz, degëz e re, e njomë dhe e drejtë e vjetit të parë e çdo bime o druni.

Loze-zja; e-t âsht trupi i bimës rrëshqanore, kacavarse, prej së cilës rritet kungulli. Kanë lozë trangujt, kungujt, bostanat, pjepnat etj.

Boshtërr-a – t bimë e brigjeve të lumejve qi rritet deri në zonat afër 1500 m. Âsht bimë e hajthme, shkon drejt si nji tufë rrezesh qi dalin prej toke deri më 5 m. përmbrenda _______________

1) Moj e bukura nën fojletë!

A je çuet, mori a je fjetë?

Kam ni fjalë, mori me ta pvetë. etj

âsht bosh, fyzë, tytë e përjashta më çdo 15 – 20 cm. ka nji nyje si unazë. Prej tyne bajnë kalamajt (carrokët, camërdhokët, djelmoshat) zamare. Lulzon heret lule të verdha e duket trushull (plot e përplot, plim) vendi me to mu si livadhi me luleverdha a luledelesh.

Cupil-i; a-t hyjnë në punë me prefë huj të shkurtë, qi mandej u thonë edhe kuja, përdoren si ngrefca a nevojë për ngarkimin e kafshëve bartëse t’ulta, si ndërbishtze gomari, mushku e kali, si tundse maze ose për kurrgjâ e mbetet për t’u djegë si dru i çfardoshëm, porse ka atë emën “cupil” për t’a dallue prej hynit të gjatë, prej mullarit etj. Ftyrisht ka kuptim të pahieshëm me u përmendë.

Sall përdoret në Mirditë e jo soll si e kam përdorë un e Ju me të drejtë më keni ba pyetjen. Mue më ka pshtue prej kosovarçes.

Në mâ të shumtën e vendeve të Mirditës përdoret tash e jo tahê e kaq asht e vërtetë, sa né Fandcve e bijave tona qi ende vijojmë ta përdorim tahê të tjerët – me Oroshasit në krye – na qestisin (nuk asht merditçe) tue na bëzâjt “tahê hejdi!”, qi do me thanë “tash pra”.

Dhâ-ni; (j-t) âsht rraza e degës së pishës, qi mbetet në trung dhe âsht zor me e pré dhe kur i delet, mbetet vend i fortë (dhajç) qi nuk mund ta lëmojë strugu, pse aty asht kryqzimi i pejzave të degës me trup. Drita qi ban pisha e dhanit âsht e durueshme, pse molekulet (drudhëzat) përbase të tij janë shum të ngjeshuna; prandej edhe ka nji peshë specifike shum ma të randë se të çdo pjese tjetër të drunit. Nuk ban as tym, në qoftë se dhani âsht prej pishe, e, në rasë se âsht burget, digjet kadalë e mban shum.

 

* * *

 

Më pyetshi në se kam mbledhë gja nga kangët popullore, folklori etj. përpara se të bijshe në burg kam pasë ba paksend në këte lamë. Tue lexue Vukë Karaxhiqin në burg e tue pa se sa kangët shqipe e zakone tonat ia kishte përvehtësue nacjonalizmës serbe, ose së paku tue pa se si kishte përfitue, natyrisht më hynte zekthi. Mbas kryemjes së burgimit nuk dijshe se si do të bahej me mue dhe as vetë deri vonë nuk kam pasë vendosë se shka me bâ: a me u riatdhesue, a me ba ndonji përdreqe të re, apor me ikë a me emigrue po të gjejshe rasën.

Në mes kësaj dileme të pesfishët, me anë të vllaut qi porsa e mbaroi shkollën Normale të Gjakovës, ku un kishem sherbye ma përpara, u mundova me shtypë në “Jetën e re” dishka nga ato qi më kishin pasë mbetë pa u stërvjedhë e ndrupërthue. Nga Drejtorati i Arsimit për Kosovë e Metohi qe caktue për kësi qëllimi nji grup folkloristik, në mes të të cilëve bante pjesë edhe im vlla, mbassi un nuk kisha të drejtë me luejtë nga Prishtina për asnji arsye, vetëm kishe të drejtë me punue ate qi më caktojshin si nëpunës dituer e muejuer me kontratë. Mbledhja e parë e folklorës – kash’e lasha e kangë n’emën të vllaut (komentue dishka prej meje) patën qenë shtypë; por punën e grupit qi na nga komisjoni patëm organizue e shfrytzoi profesori i universitetit të Beligradit qi ep albanologjin, Vojisllav Dancetoviq-i prej Podujeve, i cili në 1945 ka pasë bashkpunue me Xhuvanin, Mark Ndojën, Qabejn, etj. në përpilimin e njij fjalori Kroatisht – serbisht – shqip. Ende përmbledhja folkloristike nuk ka dalë në dritë. Pritet të dali kësi vjeti dhe do të jetë një vëllim bukur i rrastë, natyrisht i komentuem simbas shkencës sllave e asaj marksiste. Un me veti nuk kam mujtë me tërhekë asgja prej Jugosllavije nga librat e shënimet e mija atje. Mbas ikjes seme as vllaut nuk i kanë botue asgja; i falem nderës Zotit të mos e ngujojnë! Në qoftë thanë me u këthye ndojherë, tashmâ e kam at zekthin e bubrrimit të thesarit tonë gjuhsuer, por nuk po dij si bahet, pse velat nuk po i frynë era për kërkah. Me sa më duket e në paça shëndetin, kam mbetë me i thanë lamtumirën kësaj gjysintelektualizmës e me u përveshë krahësh e me provue pale a mund të jemë së paku i vlefshëm me u sherbye atyne qi aq bukur dijnë të luejnë me fatet e kombevet të vogjël, se ma të njerzve të pazotë po se po.

Përsa u takon varrëvet, un kam vetëm nji: ate kur më 1 Gusht 1946 patëm sulmue e thye burgun e Pejës dhe ku patën mbetë të vramë për nji ditë 24 vetë. Për fat nuk vuej aspak nga ajo plagë, se e kam pasë lehtë e vetëm atëhere pata humbë shum gjak e mandej u shndosha. Ai qi ka shum varrë në shtat asht kushrini i kapidanit, gjon Pjetri, qi rri me mue. Un çaloj nga shëndeti e ma fort shpirtnisht; pse posë shpis, prindve, familjes, vendit, kjo grindja e shqiptarve emigranta nuk më len të qetë asnji t’imtë, a thue se kush e di shka varet prej meje e ndiesive të mija, qi s’kam dijtë me rregullue e kqyrë shpin teme! M’a keni pre për të mos rrahë këso çashtjes dhe prandej nuk po thom kurrgjâ mâ.

Do të dishrojshe vetëm me dhanë ndonji mendim Tuejin sado të shkurtë e tak – tuk përsa i takon shijimit e mosshijimit gjatë leximit të kësaj pune qi kemi bamë me Mekulin, e qi përsa i takon sidomos trajtës shqipe faji duhet të më mbetet ndërgjegjëshmenisht mue.

Z. Nikoll Mëlyshi U falet me shëndet shum e U falënderon për kujtim. Gjithnji u ka në zemër dhe u përmend. Kujton edhe episodet e kalueme e bisedimet e të jatit në lidhje me përpjekjet e ndryshme për liri qysh heret e vonë. Këso here i ka ra shpis së tij me dhanë fli në lterin e atdheut jo mâ pak se 7 mashkuj, e përsëri disa prej tyne po qindrojnë.

Z. Kapidani, Ndoi e Gjoni janë mirë dhe u përshëndesin përzêmërsisht.

U kërkoj ndjesë edhe nji herë për vonesë si edhe për gabimet e pavullnetëshme.

Uroj t’i plotsoni qëllimet Tueja dhe lus qi Zoti t’U kursejë për t’i shërbye edhe e mâ së miri gjuhës e Atdheut tonë të shumvuejtun.

 

 I Jueji me përvujtni

 Zef Nekaj

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency