Fier/ Ben Qimja drejt lirimit, plas lufta Prokurori-Gjykatë

0
182

Sonila Mesareja

ben-qimja Prokuroria kërkoi zgjatjen e afatit të paraburgimit deri në pritje të vendimit për ekstradim, Gjykata refuzon zgjatjen e afateve të paraburgimit. Prokuroria kërkon përjashtimin e gjyqtares, tre gjyqtarë në Fier dhanë dorëheqjen nga çështja

 Një tjetër betejë është shënuar dje në drejtësinë shqiptare, kësaj radhe mes Prokurorisë dhe Gjykatës në Fier. Shkak është bërë Arben Isufaj, i njohur ndryshe edhe si Ben Qimja. Në pritje të ekstradimit, Prokuroria kërkoi zgjatjen e afateve të paraburgimit për të arrestuarin për llogari të drejtësisë italiane, kërkesë kjo që nuk është pranuar nga gjykata, duke çuar kështu automatikisht në lirimin e Isufaj. Por, ka qenë i menjëhershëm reagimi i Prokurorisë së Fierit, duke kërkuar përjashtimin e Igerta Hysit nga gjykimi i kësaj kërkese, me argumentin se gjyqtarja është shprehur në lidhje me faktin objekt gjykimi. Ndërkohë që vijon lufta Prokurori-Gjykatë në Fier, disa javë më parë Gjykata e Torinos shpalli të pafajshëm Arben Isufaj për veprën penale të pjesëmarrjes në organizata kriminale me qëllim trafikimin, duke lehtësuar akuzën ndaj tij vetëm më shpërndarje e narkotikëve, e cila rrezikon deri në 3 vjet burg.

 

Refuzimi

Burime nga Prokuroria e Përgjithshme bëjnë me dije se Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, me vendimin e datës 15.7.2014, ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë së Fierit për zgjatjen e afatit të masës së sigurisë “Arrest me burg” për shtetasin Arben Isufaj (i njohur si Ben Qimja), ndaj të cilit po shqyrtohet kërkesa e autoriteteve italiane për ekstradim, i akuzuar për “Trafik të lëndëve narkotike”. “Për Prokurorinë e Fierit, ky vendim i Gjykatës së Fierit është i paprecedent dhe në seancën e sotme, ku po shqyrtohet kërkesa për shuarjen e masës së sigurisë për shtetasin Isufaj, Prokuroria ka kërkuar përjashtimin e kryesueses së seancës, me arsyetimin se gjatë ushtrimit të funksioneve të saj gjyqtarja është shprehur në lidhje me faktin objekt gjykimi”, – sqarojnë për mediat burime nga organi qendror i akuzës. Ministria e Drejtësisë ka transmetuar kërkesën e autoriteteve italiane të drejtësisë për ekstradimin nga Italia në Shqipëri të shtetasit shqiptar Arben Isufaj, i biri i Enverit dhe i Fiqiretes, dt. 1.0.1969, lindur e banues në Fier. Sipas akuzës, Arben Isufaj është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane të drejtësisë, për shkak se Gjykata e Torinos Itali, me vendimin datë 22.6.2010, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest ne burg”, si dhe është lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar për veprat penale të pjesëmarrjes në organizatën kriminale, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike, parashikuar nga nenet 110 të Kodit Penal Italian dhe 73, 74 të aktit 309/90 “Për drogën”.

 

Itinerari i çështjes Tiranë-Fier

Pasi Gjykata e Lartë, me kërkesë të palës mbrojtëse, shpalli moskompetente gjykatat e Tiranës për shqyrtimin e kërkesës për ekstradim të shtetasit Arben Isufaj (Ben Qimja), në datë 9.7.2014, Gjykata e Apelit Tiranë (ku po shqyrtohej në themel kërkesa për ekstradim) shpalli moskompetencën dhe shqyrtimi i çështjes së masës së sigurisë dhe themelit i kaloi për shqyrtim gjykatës së rrethit gjyqësor Fier. Në datë 10.7.2014, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier e vlerësoi të drejtë masën e arrestit me burg (të vendosur fillimisht nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe më pas nga Apeli Tiranë). Në momentin që Gjykata e Fierit vlerësoi të ligjshme masën e sigurisë “Arrest me burg”, afatet e paraburgimit (90 ditë) po shkonin drejt limiteve (kishin mbetur edhe 11 ditë) për shkak të “pingpongut” ndërmjet gjykatave të Tiranës, Gjykatës së Lartë dhe më pas në atë të Fierit. Gjithsesi, në bazë të Kodit të Procedurës Penale, organi i Prokurorisë ka në dispozicion edhe një zgjatje të afatit të paraburgimit me 1 muaj në përfundim të afatit 90-ditor. “Ligjvënësi e ka parashikuar këtë mundësi për organin e Prokurorisë, nisur nga fakti se procedurat e ekstradimit mund të kenë vonesa të justifikuara, sidomos për sa i përket mbërritjes së dokumenteve procedurale nga shteti që kërkon ekstradimin”, – sqaron Prokuroria e Përgjithshme. Në asnjë rast, Gjykata nuk ka refuzuar zgjatjen e këtij afati, për shkak edhe të parimeve që ka parashikuar ligjvënësi. Por, në Gjykatën e Fierit ky refuzim po aplikohet për herë të parë. Fillimisht, Gjykata e Fierit, në datë 10.4.2014 vlerësoi masën e arrestit me burg. Pas këtij vendimi, pala mbrojtëse paraqiti kërkesën për përjashtimin e gjyqtarit, me pretendimin se “është treguar e njëanshme”. Para se të shqyrtohej kjo kërkesë nga kryetari i Gjykatës, gjyqtarja që shqyrtoi këtë çështje në Fier dha dorëheqjen. Për vijimin e shqyrtimit të kësaj çështjeje u caktua një gjyqtar tjetër, i cili u tërhoq për shkak të gjendjes shëndetësore. Ndërkohë që u caktua një gjyqtar i tretë, Prokuroria e Fierit, në datë 15.7.2014 paraqiti kërkesën për “zgjatjen e afatit të masës së sigurisë me 30 ditë”, sipas ligjit. Sipas organit qendror të akuzës, në seancën përkatëse, gjyqtarja, në një situatë të paprecedentë, refuzoi kërkesën për zgjatjen e afatit të masës së sigurisë me 30 ditë. Në dt. 16.7.2014, me kërkesë të palës mbrojtëse, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier mori në shqyrtim kërkesën e palës mbrojtëse për “shuarjen e masës së sigurisë” (nisur nga vendimi i një dite më parë për refuzimin e zgjatjes së masës së sigurisë me 30 ditë). Nga ana e saj, Prokuroria e Fierit, në seancën e datës 16.7.2014, kërkoi përjashtimin e gjyqtares, për “njëanshmëri të dukshme në shqyrtimin e kësaj çështjeje”. Ndërkohë, vijon shqyrtimi në themel i kërkesës për ekstradim nga autoritetet italiane për shtetasit Arben Isufaj, akuzuar si i përfshirë në “trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike”.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency