Anxhela Tato
Policia kërkon informacion nga Komuna për vendimet e fundit të Këshillit dhe konflikte mes këshilltarëve.
Saimir Allushaj: Vëllai më tha që nuk ka konflikte as kërcënime. Atentati nuk ka lidhje me detyrën time
Atentati ndaj Sulejman Allushit rihap dosjet e vjetër të konfliktit të pronësisë dhe sulmit ndaj vëllait të tij para një viti. Uniformat blu kanë kërkuar informacion të detajuar nga Prokuroria rreth ngjarjes së vitit 2011, kur Sulejman Allushi u kofliktua me armë zjarri me vëllezërit Zallini për një sipërfaqe trualli në fshatin Brar. Pjesë e hetimeve do të jetë edhe mundësi për ndonjë lidhje të mundshme me atentatin ndaj Çlirim Allushit, i cili u plagos me 25 mars të vitit 2013. Ndërsa në total janë 25 persona, që janë shoqëruar në komisariat për tu marrë
në pyetje në lidhje me shpërthimin e së hënës. Në listën e të shoqëruarve kanë qenë edhe vëllezërit Zallini, të cilët kanë mohuar në mënyrë kategorikisht që të jenë të përfshirë në këtë ngjarje. Ata kanë rrëfyer për debatin e ndodhur në vitin 2011 duke sqaruar se mes tyre dhe Allushit nuk ka më konflikte apo hasmëri. Ndërkohë që nga ana e policisë është përjashtuar pista e lidhur me detyrën e vëllait të
Sulejman Allushit, i cili është drejtor i burgut 313. “Nuk ka lidhje me mua ngjarja, pasi detyrën time e ka kryer në zbatim të ligjit. Kam folur me vëllanë dhe ai me tha se nuk ka pasur kërcënime. Ne nuk kemi konflikte me askënd”, – është shprehur Saimir Allushaj, drejtor i burgut 313.Sipas policisë, krimi është i lidhur vetëm Sulejman Allushin, i cili mban detyrën e kreut të këshillit të komunës Dajt, pistë e cila do të hetimet nga policia. Blutë pritet që këto ditë të sekuestrojnë dokumente që mbajnë firmën e Allushajt, për të kuptuar nëse ai ka
qenë i përfshirë në situata që mund të sillnin konflikte. tabulatet telefonike do të jenë një ndihmë për blutë, për të zbuluar nëse Allushi është kërcënuar apo ka pasur probleme që mund të jenë motivi i këtij atentati.
Ngjarja
Rreth orës 20:00 në zonën e “Rruga Urës” është dëgjuar një shpërthim i fuqishëm, i cili është raportuar menjëherë nga kalimtarë, të cilët të tmerruar kanë dashur që të ndihmojnë personin e plagosur në automjet. Sipas bluve eksplozivi ishte i vendosur poshtë shasisë së gomës së majtë nga krahu i shoferit. Bëhet fjalë për një sasi të vogël lënde plasëse të tipit tritol. Ka dyshime se shpërthimi ka qenë një shenjë paralajmërimi ndaj Sulejman Allushit, i cili indohet në gjendje kritike në spital. Dyshimet e bluve janë se eksplozivi ka qenë i telekomandua dhe duhet të jetë montuar kur automjeti ka qenë në parkim. Ndërsa pritet ekspertiza e pjesë së mbetur së lëndës plasëse me shpresën e gjetjes së ndonjë karte celulari që mund të çojë në identifikimin e autorëve. Për blutë Allushi duhet të ketë
qenë gjatë gjithë kohës në survejim, ku është kontrolluar çdo lëvizje e tij. Autorët kanë gjetur momentin e përshtatshëm për të shpërthyer lëndën plasëse. Këto lloj krimesh janë të vështira për tu zbardhu për shkak të shkatërrimit të gjurmëve të gishtave si dhe faktit që në pjesën më të madhe të rasteve karta SIM i përket personave të vdekur ose individëve që e kanë shitur. Pritet sekuestrimi i kamerave të sigurisë së bizneseve në afërsi të vendit të krimit si dhe zbardhja e tabulateve telefonike të Allushit. Ndërsa do të shoqërohen për tu marrë në pyetje dëshmitarë okularë si dhe të afërm të Allushit, përfshirë vëllezërit Zallini.
Dosja e Gjykatës
“I pandehuri Sulejman Allushi është më banim në qytetin e Tiranës. Me datë 16.4.2011, shtetasi Artur Zallini së bashku me të vëllanë e tij, shtetasin Bardhyl Zallini dhe kushëririn e tyre, shtetasin Elvis Zallini, ndodheshin në fshatin Ferraj, tek sipërfaqja e tokës në pronësi të tyre. Ndërkohë, në atë moment ka kaluar i pandehuri Sulejman Allushi. Ndërmjet të pandehurit Sulejman Allushi dhe shtetasve Artur Zallini, Bardhyl Zallini dhe Elvis Zallini ka lindur një debat me fjalë. Në këtë debat janë përfshirë dhe shtetasit Pajtim Allushi dhe Erjon Alushi. Më pas debati ka vazhduar ku palët janë konfliktuar duke qëlluar njëri-tjetrin me mjete rrethanore. Në një moment, i pandehuri Sulejman Allushi, pretendohet se me anë të një arme luftarake ka qëlluar ndaj shtetasit Artur Zallini duke e plagosur atë. Pas ngjarjes, shtetasit Sulejman Allushi, Pajtim Allushi dhe Erjon Alushi janë larguar nga vendngjarja ndërsa shtetasi Artur Zallini është dërguar për ndihmë mjekësore. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes është gjendur e sekuestruar dhe një gëzhojë luftarake. Në bazë të akt ekspertimit balistik Nr.3814, datë 9.5.2011, ka rezultuar se, gëzhoja objekt ekspertimi është e rregullt teknike. I pyetur me cilësinë e personit nën hetim dhe si i pandehur, si në hetimet paraprake ashtu edhe para Gjykatës i pandehuri Sulejman Allushi ka pranuar akuzën dhe shprehet i penduar. Deklarimin fajtor të të pandehurit Sulejman Allushi, për kryerjen e veprës penale të “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake“, parashikuar nga neni 278/2 i K.Penal dhe në bazë të këtij neni, dënimin e tij me 300 000 lekë gjobë. Me gjykim të shkurtuar i ulet 200 mijë lekë”.
Azilkërkuesit/ Tahiri në takima me homologët gjermanë dhe francez: Nuk ka rrezik për kthim vizash
Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe homologët e tij francez dhe gjermanë deklaruan njëzëri se nuk ka asnjë rrezik për rikthim të
vizave për Shqipërinë. Pyetjes së përbashkët nëse rrezikon Shqipëria t’i rikthehen vizat për shkak të numrit të lartë të azilkërkuesve,
ministri i Brendshëm i Republikës Federale të Gjermanisë, Thomas de Mazière, ministri i Brendshëm i Francës, Bernard Cazeneuve, dhe ministri Tahiri iu përgjigjen se një rrezik i tillë nuk ekziston. “Nisur nga statistikat e deritanishme mendojmë se ky rrezik nuk ekziston, por dëshirojmë të bëjmë ç’është e mundur për të ndaluar këtë lëvizje të paligjshme”, – u shpreh ministri i Brendshëm i Gjermanisë. Ndërsa ministri francez theksoi se nuk vihet në dyshim ajo që tashmë është arritur, por diskutohen mënyrat se si mund të zgjidhet problemi. “Ne nuk kemi ardhur në Shqipëri të vëmë në dyshim atë që është arritur, por për të gjetur rrugët dhe mjetet për të përforcuar bashkëpunimin tonë në mënyrë që këto fenomene të eliminohen”, – deklaroi Bernard Cazeneuve. Ministri Tahiri u bëri apel qytetarëve shqiptarë që të mos e provojnë të shohin të ardhmen e tyre nëpërmjet mënyrave të paligjshme siç është kërkimi i azilit politik.





