Ndryshimet në ligj/ Pensioni minimal, mesatar dhe maksimal, sa do të përfitohet me skemën e re

0
849

Driçim Çaka

 pension ligjiHiqet pensioni i pjesshëm, rritet mosha për burrat dhe për gratë

 PD: qeveria po mashtron qytetarët. Debate mes mazhorancës në komision

 Skema e re do të sjellë një rritje të lehtë të përfitimeve, për ata individë që do të dalin në pension pas datës 1 janar 2015. Kështu janë shprehur ekspertët që kanë hartuar skemën e re dhe ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, gjatë diskutimeve në Komisionin e Ekonomisë. Në shembujt e dhënë nga ekspertët janë zbuluar edhe shifrat se si do të ndryshojnë pensionet me skemën e re. Në këtë mënyrë një individ që paguan kontribute minimale, sot do të përfitojë pension prej 141 e 740 lekë. Nga 1 janari me pagën minimale pensioni që do të përfitohetdo të jetë 143 mijë e 500 lekë. Për një pagë mesatare me skemën aktuale përfitohet pension prej 240 mijë e 500 lekë, ndërsa me skemën e re do të merret 260 mijë e 70 lekë. Për ata të punësuar që paguajnë kontribute maksimale aktualisht pensioni që merret është 240 548 lekë, ndërsa me ndryshimet që do t’i bëhen ligjit për sigurimet shoqërore do të përfitohet 290 mijë lekë. Shifrat janë zbardhur nga ministri i Mirëqenies Sociale dhe ekspertët që kanë hartuar skemën e re të pensioneve në Komisionin e Ekonomisë. “Pensionistët që do të dalin në pension nga viti 2015 dhe për një periudhë afatmesme do të kenë një rritje të moderuar te masës së pensionit krahasuar me pensionistët aktualë. Ndërsa në periudhën afatgjatë, për personat që kontribuojnë me paga më të larta, pensionet do të jenë më të qenësishëm dhe të mbështetur mbi pagat e tyre reale të deklaruara në listëpagesa dhe të indeksuara sipas rregullave të qarta dhe të qëndrueshme të cilat do të japin një bazë të vlerësuar më të lartë dhe për rrjedhojë një masë më të madhe për pjesën kontributive të pensionit”, – theksoi ministri Veliaj.

 

Ndryshimi i formulës

Sipas formulës së re të llogaritjes së pensioneve, duke filluar nga data 1.1.2015 e në vazhdim nuk do të ketë pension të pjesshëm. “Ndryshimi i formulës së llogaritjes së pensionit duke e lidhur masën e tij me vitet e kontributit dhe pagën mbi të cilën paguhen kontributet. Me ndryshimet e parashikuara në nenin 32, realizohet heqja e tavaneve të cilat kufizonin marrjen e një pensioni më të lartë se dyfishi i pensionit minimal dhe më të madh se 75% e pagës mesatare neto në tre vite të njëpasnjëshme në dhjetë vitet e fundit të punës. Këto tavane krijonin padrejtësi, kishin dobësuar ndjeshëm lidhjen midis pensionit dhe kontributit dhe dekurajonin pagimin e kontributeve me paga të larta duke u bërë shkak për evazion dhe fshehje të pagave”, – përmendi ministri i Mirëqenies Sociale.

 

Rritja e moshës

Skema e re parashikon edhe një rritje të moshës për gratë dhe për burrat. Ndryshimet në ligj parashikojnë rritje graduale e moshës së daljes në pension për gratë me dy muaj në vit, për të arritur në 63 vjeç në vitin2032. Ndërkohë që nga viti 2032 mosha e daljes në pension për burrat do të rritet me një muaj në vit dhe për gratë me dy muaj në vit duke arritur në 67 vjeç si për burrat edhe për gratë në vitin 2056.

 

Pensioni social

Pensioni social do ta përfitojnë të gjithë atë të moshuar që nuk arrijnë të plotësojnë vitet e kontributeve në momentin që mbushin moshën për të dalë në pension. “Vendosjen e pensionit social për të gjithë individët që nuk plotësojnë kushtet e nevojshme për përftimin e një pensioni, i cili mund të përfitohet vetëm nga individët mbi 70 vjeç që kanë qenë rezident në Shqipëri gjatë 5 viteve të fundit. Masa e këtij pensioni do të jetë jo më e madhe sesa masa e pensionit të pjesshëm që arrihet nga skema kontributive. Ky pension do të jepet duke pasur si kusht verifikimin e të ardhurave dhe do të financohet nga buxheti i shtetit”, – u shpreh Veliaj.

 

Ripërcaktim i koefiçentëve

Bazuar në ndryshimet e parashikuara në ligjin për sigurimet shoqërore, për efekt të llogaritjes fillestare të pensioneve duke filluar nga data 1.1.2015 e në vazhdim do të bëhet ripërcaktimi i koefiçentëve të indeksimit të bazës së vlerësueshme. Gjithashtu do të bëhet përcaktimi i një page referuese për vjetërsinë e punës në ish kooperativat bujqësore. Ndryshimet në ligj parashikojnë edhe eliminimi i dyshemeve administrative që krijonin shkëputje në llogaritjen e pensioneve fshat-qytet.

 

Si ndryshojnë pensionet

                                                             Është              Pas 1 janarit 2014

Pensioni minimal                14 170 lekë   14 350 lekë

Pensioni mesatar                24 500 lekë   26 700 lekë

Pensioni maksimal             24 548 lekë   29 000 lekë

Ndryshimet përfshijnë vetëm ata që do të dalin në pension pas datës 1 janar 2015, jo pensionistët aktualë

 

 

Debatet

 Pavarësisht prej mungesës së opozitës, mbledhja e Komisionit të Ekonomisë është zhvilluar me debate mes deputetëve të mazhorancës, ministrit Erion Veliaj dhe ekspertëve që kanë hartuar skemën e re. Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe, kërkoi nga Ministria e Mirëqenies Sociale të jetë më e qartë më mënyrën si do të mbushet deficiti dhe si do të shkojnë përfitimet për individët sipas viteve. Ndërkohë që deputeti Anastas Angjeli ka paqartësi në shumë pika pas krahason një ushtar me një ministër.

Anastas Angjeli: Mua më duket se skema duhet parë me kujdes, sepse është e paqartë teorikisht në disa pika. Ngatërrohen policët me akademikët, ngatërrohet që një ushtar që sot është me rrogë, pasi nuk kemi ushtri të detyrueshme, me një ministër.

Erjon Braçe: Ata që na dëgjojnë, kërkojnë të dinë që paratë që marrin sot do cenohen apo do ulen apo jo.

Erion Veliaj: Jo, vetëm do të rriten siç bëmë indeksimin.

Erjon Braçe: Si mbushet deficiti? Si shkojnë përfitimet për njerëzit sipas viteve? Duhet të qartësohen këto pika.

 

 PD: Qeveria po mashtron qytetarët me skemën e pensioneve

 Deputeti i Partisë Demokratike, Sherefedin Shehu, akuzoi dje qeverinë se po mashtron qytetarët me skemën e re, pasi do të ulë pensionet. Po mashtrohen dy grupe të cenueshme. E para ulen përfitimet për të gjitha kategoritë e pagave mesatare nën 400 mijë lekë dhe e dyta ulen fitimet për fermerët që sipas sistemit ekzistues përfitojnë pension të unifikuar nga shteti. Ndryshon baza e llogaritjes ose pensioni bazë. Nga 127 mijë lekë zbret në 67 mijë. Pra, përgjysmimi i këtij pensioni është treguesi më i qartë i uljes së përfitimeve të kategorive me paga të ulëta”, – shprehet Sherefedin Shehu. Për deputetin e PD-së, skema e re ul përfitimet pasi nuk mund të ulet deficitin i skemës pa rritur përfitimet ose kontributet. “Kur nuk kemi prekje të kontributeve, deficiti do përballohet nga ulja e pensioneve për pjesën më të madhe të popullsisë”, – thekson Shehu. Partia Demokratike nuk pritet të japë votën pro për skemën e re të pensioneve.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency