Kërkesa/ Vrasja e Santos, Prokuroria i kërkon Gjykatës lirimin e dy kushërinjve Gjozi

Sonila Mesareja

santo Përgjigjja e ekspertizave/ Dy të rinjtë nga Bubqi nuk kanë qenë në Tiranë ditën e ngjarjes, mbetjet e barutit, jo të armës mulli të përdorur në krim

 Përgjigjet e ekspertizave dhe përfundimi i afatit 15-ditor i masës së caktuar nga Gjykata për dy kushërinjtë Klodian e Sajmir Gjozi detyrojnë Prokurorinë e Tiranës t’u drejtohet togave të zeza për lirimin e tyre dhe caktimin e masës së sigurisë “Detyrim paraqitjeje”. Prokuroria e kryeqytetit ka dorëzuar dje në Gjykatën e Tiranës kërkesën për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj dy kushërinjve nga Bubqi, të ndaluar si të dyshuar në atentatin ndaj bankierit Artan Santo në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Pritet që vendimi të jepet paraditen e sotme nga Gjykata, pasi skadon edhe afati i arrestit për ta, dhënë nga e njëjta Gjykatë më 30 qershor.

 

Kërkesa

Kërkesa e Prokurorisë së Tiranës vjen 2 javë pas arrestimit të tyre, pasi policia nuk arriti të gjente prova që implikojnë Klodian e Sajmir Gjozin në vrasjen e bankierit Artan Santo. Sipas akuzës, janë 15 dëshmitarë të ndryshëm, të cilët provojnë se dy të rinjtë në momentin e vrasjes së Santos kanë qenë në fshatin e tyre, në Ishëm të Durrësit. Edhe zbardhja e tabulateve telefonike, të numrave që dy kushërinjtë kishin në përdorim, tregojnë se Klodian e Sajmir Gjozi nuk kanë qenë në Tiranë ditën e ngjarjes. Nga ana tjetër, ekspertët e Policisë Shkencore thanë se Klodian Gjozit i janë gjetur në trup mikrogrimca të mbetjeve të barutit. Por ndryshe u shprehën për këtë provë avokatët, që sipas tyre, janë mbetje të blozës, të ardhur si pasojë e punës që të rinjtë bënin ditën e ngjarjes me gur fleksibël. Në lidhje me motorin që kishte në pronësi Klodian Gjozi, ekspertët thanë se nuk është ai që është përdorur nga dy ekzekutorët ditën e vrasjes së bankierit Santo.

 

Arrestimi

Vetëm pak orë pas vrasjes së bankierit Santo, Klodian dhe Sajmir Gjozi, u arrestuan në fshatin e tyre në Bubq, si të dyshuar për këtë ngjarje. Gjatë kontrollit në banesat e tyre, policia gjeti dhe sekuestroi me cilësinë e provës 8 fishekë të armës automatike “Kallashnikov“, fishekë të cilat u përdoren për t’u caktuar atyre masën e sigurisë “Arrest me burg“ me afat 15-ditor. Ky afat përfundon sot, kur dy kushërinjtë Gjozi do të dalin para Gjykatës për t’iu ndryshuar masa e sigurisë. Për vrasjen e bankierit Santo, policia dhe prokuroria nuk kanë ndonjë provë konkrete për personat që kanë kryer këtë krim, por po hetojnë në disa pista të ndryshme, që deri më tani nuk ka ndonjë fakt konkret. Megjithatë, policia deklaroi se kishte arrestuar dy të dyshuar me një të kaluar kriminale jashtë vendit. “Vëllezërit Klodian dhe Arjan Gjozi konsiderohen shumë të rrezikshëm nga ana e policisë Greke (për veprën penale të vjedhjes me armë). Gjithashtu shtetasi Arjan Gjozi para shumë vitesh, përdorte identitetin Dilaver Gjozi. Po ashtu lidhur me motorin 650 cc Suzuki, bllokuar këtyre shtetasve më datë 26 qershor nga ana e Policisë së Shtetit, sipas Interpol Athina, Greqi, rezulton të jetë denoncuar i vjedhur më datë 16.1.2014, në rajonin e Selanikut me pronar shtetasin grek D.G.”, – thuhet në një deklaratë të policisë pas arrestimit të vëllezërve.

 

Gjykatë Administrative/ Rrëzohet padia e Ina Ramës për t’u kthyer si gjyqtare në Apel

Në një seancë me dyer të mbyllura, Gjykata Administrative rrëzoi dje padinë e Ina Ramës për rikthim si gjyqtare në Gjykatën e Apelit të Tiranës. Gjykata la në fuqi vendimin e KLD-së, i cili kushtëzon znj. Rama me konkurrim, nëse ajo dëshiron të rikthehet në sistemin e drejtësisë si gjyqtare. Gjykatësi i çështjes, Emiljano Ruli, vendosi të rrëzonte kërkesën e Ina Ramës, ndërsa pranoi pretendimet e ngritura nga pala e paditur, përfaqësuesja e KLD-së. Ndërkohë, mendohet që kjo çështje mund të përfundojë dhe në gjykatën e Strasburgut. Këtë e konfirmoi dje për mediat avokati mbrojtës i znj. Rama, Fatmir Brraka, i cili e cilësoi politik vendimin e Gjykatës Administrative. Më 24 shkurt të këtij viti Këshilli i Lartë i Drejtësisë rrëzoi kërkesën e ish-kryeprokurores për t’u rikthyer në detyrën e mëparshme duke argumentuat se ajo duhet ti nënshtrohet konkurimit. Në padinë civile të depozituar në sekretarinë e Gjykatës Administrative, ish-kryeprokurorja Ina Rama bënte përgjegjës kryetarin Bujar Nishani dhe nënkryetarin Elvis Cefa për refuzimin e kërkesës për futjen e saj në punë pranë Gjykatës së Apelit Tiranë. Në padi, Rama pretendonte se është shkelur ligji për funksionimin e Prokurorisë së Përgjithshme dhe më konkretisht neni 7, si dhe ligjin për funksionimin e KLD-së. Rama pretendon se qëllimisht dhe në mënyrë të paligjshme është mbajtur në sirtarë prej një viti, kërkesa e saj për rifillimin e punës.

 

Durrës/ Lejet e ndërtimit në bregdet, lihet në burg kryekomunari i Rrashbullit

Gjykata e Durrësit ka lënë dje në burg kryetarin e Komunës së Rrashbullit, Hysen Gashi. Gjatë seancës për vlerësimin e kushteve të zbatimit të masës së sigurisë, mbrojtja ka kërkuar masë më të lehtë, por Gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë për lënien në fuqi të masës së marrë në mungesë. Burg ka dhënë Gjykata edhe për të arrestuarit Vasil Gjoni, Viktor Ndreka, Indrit Hamiti, Sabri Troci. Ata akuzohen për shpërdorim detyre në dhënien e 15 lejeve për ndërtim në zonën turistike të Shkëmbit të Kavajës. “Detyrim paraqitjeje” është caktuar për tre anëtarët e tjerë të KRRT-së, Erifili Theollari, Nevjana Isufi dhe Fatjon Aliaj, që hetohen në masën e detyrimit për paraqitje. Ndërkohë që Prokuroria ka kërkuar verifikimin e pronave të patundshme në emër të zyrtarëve që janë tashmë në arrest apo hetim, si dhe është kërkuar informacion për bankat e nivelit të dytë edhe për numrat e llogarive që kanë vetë ata apo familjarët e afërt.

 

 

Share it :