1952/ Letra e Krujës për të riun, komunistët po mashtrojnë rininë e mitur, nga rrjedh emri shqiptar

kopertiveKuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja e përfshirë në katër vëllime jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën e komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit, nis ciklin e publikimit, çdo ditë, të disa letrave të rralla

 Kuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja e përfshirë në katër vëllime jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën e komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit nga “OMSCA-1”, nis ciklin e publikimit të disa letrave të rralla, me personalitete politikës e të kulturës. Pas çështjeve politike, të organizimit të partive në emigrim, letrat e Krujës shkojnë edhe në një dimension kulturor, siç është diskutimi me Zef V. Nekajn ku duhet shënuar se ky ishte studiues dhe personalitet i letrave shqipe, i njohur me botimet e artikuj shkencore, të shkruar në të shumtën e herëve me pseudonime. Polemist mbi të vërtetën, në këtë frymë Nekaj argumenton në histori e gjuhë në letrat e rralla që ka pasur me Mustafa Krujën, të dy në vitet ‘50 në emigrim.

Letrën e mëposhtme e ndajmë në dy numra, ku Kruja çmon te Nekaj frymën e debatit, kuvendit mbi shkrimin e historisë së Shqipërisë. Edhe pse letërkëmbim, ajo që çmohet në to është sqima e dijes, sikur këta të ishin artikuj të publikuar për lexues, e jo mes vetes. Ndoshta kjo ishte një projekt perspektivë e Krujës, gjë që ia impononte çdo letërkëmbyesi, si në këtë rast duke na dhënë një shkollë të mendimit.

 

                                                                            ***

Ramleh, 3 dhetuer 1952

            I dashuni Zef,

Na pleqt, përgjithsisht, ndër shumë tjera, kemi edhe këtë të mêtë: na pëlqen me u folë të rijvet ex cathedra ase me nji qëndrim atnuer. Un bâj njânën e tjetrën. Për t’u kuptuem mirë, veç, po të siguroj se jo me çdo të rí. E qe pra se i a nisa tue të thërritun “i dashuni Zef”. Këtë zdatuní m’a ka dhânë vetë letra e jote. Porsa e mbarova atê së kënduemi m’u duk se u bâna edhe me tý si me Nduen. Dhe në kundrështim me mênden, rrallë ka ndodhun qi të më rrêjë zemra.

Shpresoj se s’do të më keshë vûmë faj sepse t’a vonova përgjegjen. Hŷni ndërmjet edhe smunda. Por edhe pa këtê, nji letre aqë të gjatë e të çëmueshme dojsha me i u përgjegjun siç e meritonte, pra me ngê. Se si kam me e nisun e sosun as vetë s’po dij. Ndoshta kam për të përziem nji argument me nji tjetër, aty-këtu me dalë jashta themet e mbasandej me u kthyem prap në tê ase me e lânë diku mângut e ndonji skânj në t’errët. Mâ së mbrapmi, dij qi sod e fillova, por nuk dij se kur kam për t’a kryem.

Pra qoftë bekuem ai artikull i im qi të paska nxitun me hymë në letërshkëmbim me mue, qi mbaj uzdajë se ka për të qênë i papremë, e mbi tê po e tjerrim nji herë kuvêndin. E drejta, as bash mbi tê jo, por mbi nji themë të përgjithëshme qi paskan zgjuem në mênden t’ânde ai e nji tjetër studim historik qi un kam pasë botuem dikur para tij prap në fletoren Shqipnija e Lirë a, si po vazhdon kâmbëngultas me u shkruem, Shqipërija…… ( t’ishte nemose Shqiprija!). Do të bisedojmë, pra, mbi historinë, se si duhet shkruem historija.

Fjala historí e ka rrânjën në greqishten e vjetër historia, qi, simbas Larousse-it, dashka me thânë “information, recherche de la veritê”. Po me nj’atë formë, me të njâjtat shkrola, ka kaluem fjala edhe në latinishtet. E Qiqeroni e përskânjon a përcakton “deshmitare të kohnave, dritë të së vërtetës, jetë të kujtesës, mësuese të jetës, lajmtare të kohnave të lashta”, ndërsa edhe nji historjan frêng i qindvjetës XVII-XVIII, Charles Rollin, sillet po andej pari me këto fjalë: “Historija âsht drita e kohnavet, amanetqarja e ndodhivet, deshmitari besnik i së vërtetës, gurra e kshillevet të mira e e urtisë, regulla qi na mëson ç’qëndrim duhet të mbajmë e si do të sillemi me tjerët”. Qe kështu e kam kuptuem edhe un historinë, atê të vërtetën, atê qi meriton të quhet historí. Por ka tjerë, e jo pak, qi, të pushtuem e të hypnotizuem prej nji afshi ideologjik, ase kombtar deri personal, kanë formuem nji tjetër koncept për këtë shkencë, madje nji koncept qi âsht mohimi vetë i historisë, si rrêna me të vërtetën, si terri me dritën, si e shtrêmbëta me të drejtën. Kur të gjykohen faktet historike tue u shikuem nëpër prizma të këtila ideologjike ase idealistike shoviniste apo personale, ajo s’âsht mâ historí, por nji shformim i historisë. Për shêmbull, historjanët e Greqisë së hershme, t’ushqyem brez mbas brezi me liritë demokratike të popullit të tyne a, mâ mirë me thânë, të popujve të tyne të damë n’aqë Shtete sa qytete e katunde kishin, derdhin lotë mbi fatin e Egjyptjanvet qi paskan qênë të shtrënguem me punuem si shtâzë nën vullnetin despotik të Faraunvet e të kishtarve të vet për me ngrehun gjith’atë morí pyramidesh e tempujsh e me gërmuem gjith’ato kanale të Nilit, qi edhe sod mbas dyzet e sa shekujsh lânë pa mênd ata qi i shohin mbë kâmbë të paprekun ase teprica e gërmadha e qi janë bâmë burim’i nj’asaj drite qytetnije mesdhetare prej së cilës vetë Grekët mâ së pari mujtën me përfituem për lavdí të përjetshme të tyne e nëpër ta, nëpër Romakët e nëpër kristjanizëm, pa ua mohuem pjesën e vet as Arabvet, ndriti krejt bota e jonë. E pra nënpushtetasit e Faraunvet kanë punuem, po, si shtâzë për monumentat e kanalet e vêndit të vet nën urdhnat e mbretnavet zotën, të përkrahun gati gjithmonë prej klerit; por ata, tue bâmë kështu, s’e kanë ndiem veten as shtâzë as skllavë, përkundras e kanë ndiem aqë të lumtun sa Greku kur epte votën e tij në sheshin e Pnyksit t’Athinës, madje si nji besimtar kur del nga nji faltore ku ka kryem detyrat e tija ndaj Perëndisë. Prova âsht qi shi nj’ata Faraunë qi historjanët grekë kanë shamë mâ tepër si despota të padurueshëm kanë qênë adhuruem mâ së forti e brez mbas brezi prej popullit të tyne. Ndërsa Grekët e asaj demokratije qi tekembramja u çorodit e u bâ demagogjí, atheizëm e sofizëm sa me i dhânë zekuten nji Sokrati, me i ulë qafën hegjemonisë së Filipit të Maqedonisë e me dekretuem hyjnin’e Aleksandrit, ata Grekë, fatosat mâ të mëdhajt të tyne i qitshin jashta atdheut si njerëz të rrezikshëm për hyjneshën demokratí! Perëndorija romake për disa historjanë, viktima t’ideologjisë marksiste, ka qênë nji përbindsh i mëndershëm; botpushtuesat e mëdhaj, deri Aleksandri, idealist’i vllaznimit e barasimit të gjithë popujve të rruzullimit, për Alfred Padovanin e sa ândrratarë tjerë të pêndës kanë qênë mâ të mëdhajt gjaksorë të njerzisë. Athue historí do t’u thomi veprave të këtyne shkrimtarve kataremzash (romancash)? Besoj se edhe ti, ke me thânë “jo” bashkë me mue.

Por mue më muer rryma e dola jashta objekcjoneve të tuja. Ti hŷn në nji tjetër kategorí, ti s’je tue e mohuem se historija âsht nji shkencë dhe për t’u çëmuem, nderuem e studjuem si e tilë; por mbasi kjo, tue u studjuem si shkencë me kuptimin e vërtetë qi ka, me zyrën e vërtetë qi i përket, na dâmton Shqiptarinë, të bâjmë sikur s’i a dijmë atë kuptim e atë zyrë, tekembramja nj’ashtu sikur bâjnë edhe tjerë, në mos të tânë tjerët. Madje shi pse edhe tjerë bâjnë ashtu duhet të bâjmë edhe na, për me i u ruejtun sherrit të tyne. Tý nuk të lodh asnji ideologjí, por vetëm ideja e kujdesi i kombit e i kombsisë. Ti ke folë n’atë letër, në të parën letër t’ânde qi do të ketë jetë aqë sa do të rrojë edhe arqiv’e ime e këtij mërgimi, sikur përpara nji pushteti epruer e atnuer, me saí të madhe si djelmt e rij shqiptarë të dikurshëm, deri me brezin t’em, përpara pleqvet, si tue drashun se athue po më prek ndokund në sedër. E nuk e din se sa më ke mallëngjyem tue më ngjallë kështu përpara syvet ato kohna qi, ofshé, s’kanë për t’u këthyem mâ kurrë, e tue më kujtuem edhe veten t’eme t’atëhershme, kur ndiejsha e mendojsha krejt si ti sod! E ashtu, tue u bâmë qind për qind shoq me tý, të thashë: “Të lumtë, Zef, bash q’ashtu âsht si po thue ti e s’ka tjetër!” Thonë disa, por un në nja dhetë bijografí qi kam kënduem s’e kam gjetun askund, se kur po përgatitej Leka i Madh – un sod thom Aleksandri e jo mâ Leka si atëherë qi kisha moshën t’ânde – për me pushtuem botën, e paska pasë kshilluem Mjeshtr’i tij Aristoteli qi do të kishte qênë mâ mirë për tê qi të pritte edhe do kohë për me u pjekun e me u vaditun me punët e Shtetit e të luftavet; e Aleksandri i paska qênë përgjegjun: “Paj mirë je tue folë ti, Mjeshtër; veç kush më siguron se ça kam me fitue në pjekuní e në proví s’kam me e bjerrë edhe mâ tepër në guxim e n’enthusjazëm”? Ai dha provat mâ të shkëlqyeshmet qi kanë pamë gjithë kohnat deri sod se s’kishte pasun nevojë për kshillet e Aristotelit. Por ai qe nji e ndoshta s’ka për të lemë kurrë nji shoq i tij. Me gjithë këtê, tue i marrë Mjeshtër e Nxânës, ato dý gjení të pashoqe, vetëm si shêmbëlltyra, njânën të matunisë e t’urtisë pleqnore e tjetrën të guximit e të marrisë së shênjtë djaloshare, them se e mbara e e mira e shoqnisë, e kombit e e njerzisë vijnë vetëm si resultant i atyne dý forcave të kombinueme në nji harmoní të plotë. Pra edhe në themën t’onë un plaku po them t’emen e ti i riu merr soje ça ka me të pëlqyem e lê ça s’i përshtatet kurrsesi konceptit t’ând. Po shtoj edhe se nuk don me thânë qi kuvêndi do të quhet pa tjetër i mbyllun me këto dý letra në qoftë se tý ka me t’u dukun i nevojshëm vazhdimi në ndonji pikë.

S’ka për të marrë fund kurrë gjyqi nëse artet e bukura janë qëllim mbë vete e për vete apo mjet i nji qëllimi mâ të naltë se me i shërbyem shijes artistike të njerzisë, nëse artisti do të ketë para syshë vetëm esthetikën, tue mos çamë kryet aspak për ethikën, apo do t’a vênë artin e vet në shërbim të ksaj së dytës. Ky gjyq âsht e jet i hapët, sepse regullat e konceptet e arteve janë relative, mund të ndryshojnë mbas kohës e vêndit. Kurse këta nuk mund të thuhet për shkencën, kjo âsht absolute, âsht nji për të tâna kohët e të tâna vêndet. Ndryshimet në këtê janë gabime të njerëzvet qi s’kanë mbërrîmë me e zbuluem të vërtetën ase kanë dashun t’a shtrêmbnojnë këtê mirakândas për qëllime të veçanta. Edhe sikur këto qëllime të jenë të nalta e të shênjta, shkenca proteston me sa fuqí ka për dhunën qi i bâhet, bërtet: “Un nuk jam ajo qi thue ti!” Shkenca do t’i shërbejë njerzisë vetëm atje ku mundet me i shërbyem ashtu siç âsht përnjimênd. Prap ashtu siç âsht mundet edhe me e dâmtuem njerzinë, por me e përdorë në njânën ase në tjetrën rasë âsht në dorë të njerëzvet vetë.

Le t’i zbatojmë tash këto parime të përgjithëshme në themën t’onë të veçantë, n’atê të historisë. A kemi të drejtë na me i shtrêmbnuem faktet historike, dmth. me gënjyem për me lavdruem kombin t’onë? Un them njiqind herë jo. Kishte me qênë edhe nji marrí foshnjake, se bota nuk hanë bar. Këtu flas për botën e përjashtme, për botën e huej. Na mund të rrêjmë vetveten, po, botën shqiptare, sidomos turmën e padijshme e nxânsat e shkollavet. E lâmë turmën, se kjo s’ka për të kënduem as për të kuptuem historí, për mirë a për keq ka për të ndëgjuem ndo interesën e vet, ndo prinjsat tradicjonalë ndose gojtarët politikanë, mâ të shumtën demagogë. Por të rijt qi mësojnë ndër shkolla? Ah, këta kishte me qênë përnjimend nji krim kombtar e njerzuer njiheret me i mbjellë shtrêmbët faqe së vërtetës! Nuk e mohoj se ka shumë popuj tjerë qi e bâjnë këtë krim, edhe të qytetnuem, e komunistat po e dij edhe un qi s’bâjnë tjetër veçse këtê. Por ça? Athue se shêmbujt e këqij do të marrim na mbrapa për me edukuem popullin, rininë t’onë? Mirpo, do të pyesish ti me arsye, a s’do të kemi kujdes edhe për edukatën patrijotike të fëmijve t’anë në nji botë shoviniste qi don me na përpimë? Posi, pa tjetër. Por për këtê s’kemi aspak nevojë me e mashtruem rinin’e mitun. Athue s’kemi aspak na vërtyte kombtare të provueme me shumë fakte historike? Qe, mjafton kjo pjesë e historisë s’onë për edukimin patrijotik të moshës së njomë; tjetrën, qi përfshîn të mêtat e marritë t’ona, atê e ruejmë me e mësuem shkallë-shkallë ndër klasë të nalta me gjithë shkaqe e rrethana qi i përkasin dhe mënyrën e shërimit të veseve atavike. Ksaj i them un edukatë patrijotike. Âsht vetëm çâshtje methodet.

Për të huejt fola rrëshqitas mâ nalt, tue thânë se ata nuk hanë barë. Por po zgjatem edhe pakëz mbi kët’argument, mbasi ti kryesisht këtë pikë ke prekun. Për të huej, këtu do të kuptojmë historjanët, shkrimtarët përgjithsisht qi janë marrë e merren me problemat t’ona historike, politike e ethnike sidhe kënduesat e tyne. Sa prej këtyne t’a merr mêndja qi kanë me dijtun e me u denjuem me i lexuem shkrimet t’ona shqipe? E tekembramja, un e kushdo tjetër si un, në studimet t’ona s’jemi tue bâmë tjetër veçse me sqyrtuem, ndrequn e kritikuem ça s’kanë thânë të drejtë për ne vetë nj’ata të huej në gjuhë të tyne qi ti po dron se kështu mos po u apim armë në dorë për me luftuem kundra nesh; si dhe me u treguem Shqiptarvet të vërtetat e favorshme qi ata kanë pohuem për ne. Âsht e dijtun se aty-këtu duhet me pohuem edhe ndonji të vërtetë t’idhët qi na âsht hjedhun turîjvet prej ndonji historjani të huej, nga nji herë edhe mik ase dashamirë i kombit t’onë. Porsa të kemë pak ngé, kam me kopjuem prej studimeve të mija nji qi ka për subjekt Arbreshët e Greqisë e gjithça lidhet përgjithsisht me ta e me i a dërguem gazetës s’onë. Ke me pamë atje se me ç’farë fryme e argumentash i kam setun disa padina qi na bâhen prej disa historjanve të huej, e ke me m’a shkruem, besoj, mendimin t’ând.

Nji tjetër objekcjon i yt i përket mënyrës tepër shkencore e demonstrative me të cilën i kam rrahun themat e mija, e më kshillon qi t’i bie drejt e shkurt, se kështu Shqiptari profan do të më kuptonte mâ lehtë. Të përgjigjem pikë së pari se kjo âsht punë styli e se Buffoni ka thânë: “Styli âsht vetë njeriu”, qi don me thânë se styli s’mund t’i merret as t’i epet kuj, por âsht vetëm i shkrimtarit qi e përdor; së dyti, të them se studimet e mija shkencore ka njerëz qi munden me i paraqitun shkurt si të vërteta të provueme për profanë, por të kundërtën s’i epet kujdo me e bâmë. E po ti, Zef, a s’i ep dum ndopak stylit t’ând qi e ke mjaft proliks, dmth. të zgjatun si tepër, shumë herë edhe pa nevojë?

Mbasi biseduem për arte e shkenca, mos të harrojmë as politikën. Sidomos të ruhemi së ngatërruemi historinë me politikën. Kjo e fundit kur bâhet me të huej, dmth. kur âsht politikë kombtare e jo partizane, âsht vetë rrêna e ligjueme, në qoftë se e lypin interesat e nalta të kombit. Kur âsht politikë e mbrêndshme, e veshun mirë, ndonëse gjithmonë e pamoralshme, prap se prap e ka nji farë feje me qênë e përzieme me rrêna, e shumë herë me masë, urtí e çinteresim personal âsht edhe e nevojshme për të mirën e kombit. Veçse gënjeshtrat në politikën partizane, shpifat personale ndërmjet shemrash ase prej nji partije kundra nji tjetre janë të mënishme. Me gjithë këtê, kush thotë se bân politikë pa rrêna faret, të jashtme ase të mbrendshme, ai sall me këtë fjalë nuk thotë tjetër veçse nji rrênë. Prandej politika âsht nji gjâ e flliqët qi mjerë kush âsht në tê!

Un në dy studimet e mija historike qi janë botuem kam thânë: besoj se emni shqiptar (shqip+tar) u sajue aty kah gjys’e dytë e qindvjetës XVIII e u përhap ndër ne prej klerit katholik; parandej emn’i ynë ishte arbnesh, vênd’i ynë quhej Arbní, Arbnija rrjedh prej emnit kombtar mâ të vjetër arban (arë+bân), ky ndoshta ka qênë dikur emn’i përbashkët i krejt fisevet thrako-ilire, sikur emni sërb (këtê e kam pasë lânë përjashta shkrimit të botuem në gazetët) ka përfshîmë në fillim të tâna fiset slave, tue i a lëshuem vêndin mâ vonë këtij emnit të mbrapëm. Mbasandej thashë se i pari Kastrijot nuk quhej Branilo, sikur kanë thânë disa historjanë të huej, se nji prej asaj dynastije ka mujtun, po, me marrë pjesë në luftën e parë të Kosovës, siç ka shkruem Hammeri, e se ajo s’ka mujtun me i pasun rrânjët në Has e prej andej me pasë fluturuem në Kastrijot të Dibrës. Mue s’më duket se anmiqt t’anë mund të gjêjnë në këto pohime e mohime armë për t’i përdorë kundra nesh. Do të thânkan, shkruen ti, e paskan të drejtë me thânë: “Ç’janë e ç’liri kërkojnë këta farë Shqiptarësh, të cilët ende sod nuk e dijnë si duhet as emnin e tyne”! E po kështu mund të thânkan edhe për emnin e rrjedhën e Kastrijotvet… E un po të përgjigjem pa dorza si P. Gjergji Hilë Mosit: Gabove Zef! E po t’a hjek krejt gjith’atë frikë të madhe qi të paskan shtimë dý shkrimet e mija. Qe se pse e se si:

   1.Të dý problemat në fjalë s’i krijova un, por janë vúmë në tryezë të bisedimit e rrahun ka mot prej historjanësh e shkencatarësh të huej e me sa dij un asnji anmik s’i ka gjetun t’afta për t’i përdorë si armë kundra nesh. Â shkruem mbi to me gjuhë ndër mâ të njohunat të botës: gjermanisht, frëngjisht, italisht, hungarisht, tyrqisht, sërbisht, greqisht (për anglisht e spanjollisht nuk dij gjâ), posë shqipes.

2. Mue më rrên mêndja se me shkrimet e mija, jo vetëm qi s’e kam rânduem positën t’onë ethnike e historike në krahasim me botimet e hueja, por e kam përmirosun e forcuem. Âsht e dijtun se ka edhe populli shqiptar nji historí, por gati krejt të pashkrueme si historí shqiptare, posë perjodës së plotlavdishme të Gjergj Kastrijotit, pra të panjohun prej Shqiptarvet. Pra duhet shkruem e njohun kjo historí, s’mjafton me thânë se po, për Zotin, kemi edhe na nji historí; sepse ku dhe cila âsht ajo historí? Dhe kur të shkruhet duhet shkruem historija historí, mythologjija mythologjí e gojdhâna gojdhânë. Këto studime të mija janë vetëm nji sprovë modeste e vogël, mâ fort për të hapun nji shteg e për t’u dhânë zêmër bashkatdhetarve tjerë, intelektualve të rij sidomos. Këndo fillesen e shkrimit të fundit qi të dha rasën, shumë të kândshme për mue, për me më shkruem.

S’ka për t’i kënduem askush i huej ndoshta shkrimet e mija shqipe, por në qoftë se po e po qe se ndokush do të mundohet me gjetun halë në përpeq në to kundra shqiptarisë, besoj se kam me qênë i zoti me i u përgjegjun disi edhe mâ mirë se nji shkrim i vjetër i nji Dibrani, qi pat polemizue me atë profesorin grek, botuem tash vonë n’Albanie Libre.

Ndërresat e ndyta duhen lamë në shtëpí, thotë nji proverb i huej. Ti pra ke të drejtë qi thue se disa vese kombtare e shoqnore të popullit t’onë s’duhet t’i a shpallim botës. Por vetëm ato qi bota s’na i ka përplasun turîjvet ende, se përndryshe do t’u bâjshim strutha edhe na! Gjorgjeviqi ka derdhun të tânë vënerin sërb kundra nesh në tri gjuhë, e un e kam përkthyem librin e tij shqip e botuem vetëm me nji parathânë e nji pasthânë për dijen e Shqiptarvet. Edhe jam i bindun qi kam bâmë nji shërbim.

Figura retorike e diellit e e qirit më ka pëlqyem fort si e tilë. Por, t’a thashë edhe diku mâ parë tue folë për stylat, gjithkush ka atë prjerrjen e vet. Mue me më shtimë në nji konkurs për hartimin e nji libri shkolluer gjuhe a historije p.sh. (sepo në këto dý lândë mbahem se diç mund të bâj), drue fort se shumkush kishte me e fituem para meje atë konkurs. Epi nji subjekt shkencuer nji shkrimtari gjerman e nji Frêngu për t’a zhvilluem, e ke me pamë se n’e përmbledhtë Frêngu në nji blê, Gjermani s’ka për të mujtun me shkruem mâ pak se dy blêj mbi tê. E, sidomos, mos gabo kurrë me besuem se bâhet përnjimênd shkencë e dogëm nji pohim pa prova prej njânës anë e pa frikë në tjetrën, ani mâ ndër Shqiptarë, të cilët s’janë asnji qi mos t’a dijë veten për nji Einstein a për nji profet! Për oportunizëm e përkohsisht po, por me zêmër qe besa jo.

Me kaqë merr fund për mue kapitull’i parë i përgjegjes. Për të dytin qi u përket Kastrijotvet e Dukagjinvet ke me pritun edhe do kohë, se do t’a bâj objekt të nji letre të dytë. Un jam plak, kam qênë tash vonë i sëmútë, kam edhe do kujdese tjera e prandej më duhet me të lypun edhe pak durim. Po i shtoj, veç, ksaj pjese edhe nji bisht gjuhuer, se na të dy mund të përfitojmë prej shoshoqit edhe në këtë lâmë. Pra:

1.Po të lutem qi të bâhesh, sa kohë qi të jeshë aty i papunë si un këtu, nji bashkpuntuer i im për t’i ndihmuem formimit të nji gjuhe shqipe të njâjtë për të gjithë kombin t’onë. Mbi kët’idê qi më ka hymë në krye mâ fort se kurrë ka me të ndriçuem mâ mirë nji vepërz modeste e ime me titullin edhe mâ modest “Abetari i të Mërguemit” qi ke me marrë ndoshta mbas nja nji mueji. Për tash nji herë bashkpunimin ke me m’a falë tue e lexuem me kujdes, si gjuhë, çdo shkrim t’emin, tue filluem prej letrash, e me kritikuem ndër letrat tuja çdo gjâ qi mos të të duket e drejtë dhe me më ndjekun gjithku mos të gjêjsh gjâ me kritikuem.

2. Gjithku të jeshë në dyshim, me më lypun tfillime.

3. Me ju përgjegjun pyetjeve të mija.

 

Po të pyes pra:

A. Fjalët qi vijojnë s’m’i ka zânë veshi a syni ase m’i ka zânë aqë rrallë qi kuptimin e përdorimin e tyne s’i kam aqë kthiellët ndër mênd sa mos me drashun gabim: “kah të shofi të tjerët” – qi të shohë tjerët; un dij për kah vetëm kuptimin ndajfoljuer e parafjalës nga, dhe në gegnishten e epër, në Kosovë sidomos, tue. – “Trapi i fatit”; a ka këtu kuptimin fytyruer të trapit të lumit, të lundrës qi të qet përtej, apo ndonji tjetër? – Ethezohem, si neologjizëm, kushdo e pastë krijuem, s’më pëlqen aspak, apo ka ndonji vênd ku përdoret prej popullit? – Shkita – rrëshqita, t. shkava; e jotja apo âsht e Mirditës? N’e ke prej Elbasanit, te Krist. âsht shqita. – Kërcuq? – Përlotun, Shkokluem? – Tërmhazun? – Rrekin me zdritun të vërtetën; ke na rreken; ndërsa rrekin = mundojnë. – Zdritun, Mirdita? – Lajle, mue më duket si me thânë shkrola stolije a të qendisun, as? E “i shkon për lajlesh” = i a kânda, i bie për shtat? Lale, pers. – tyrq. âsht nji farë lulje. Shumsi qêjt e dij qi âsht forma shkodrane; a kështu edhe në Mirditë? – Fyzë? Zdatk? Hulmëtuem; a e ke me vesh prej goje popullore apo prej shkrimesh? Në të parën rasë (mos kurrë rast, pashë bukë) ku e me ç’kuptim a kuptime? Fraza, dhe eventualisht forma tjera, por krejt siç dalin prej goje të katundarit. – Cupil? Dhajç? Lëmuq?

E po të qërtoj, pa fjalë me të tânë lirin’ e diskutimit:

  B. Profesorët e mëdhaj (i professoroni) të shkollave t’ona (falmë ti për gojën qi po vê mbë mjeshtrat e tuj!) na shpifën nji shkak të turpshëm, qi se âsht krijuem gjuha shqipe s’i ka ramë kurrë ndërmënd Shqiptarit, për me ndërruem formën e nji prej gegnishtes në toskënishte: qi = që! Dhe shkaku i krijuem prej fantasisë së sëmunë e perverse (s’po më ngîn në këtë rasë shqipja e mbrapësht aqë sa fjal’e huej perverse) t’atyne profesorve zûni vênd ndër trút’e marrshëm të rinisë s’onë e kështu i a nisën të tânë gati me shkruem që e jo mâ qi, ashtu si e flet me gojë unjí çdo Gegë e Gege pa mujtun kurrë djalli me i a sjellë ndër mênd kuptimin e fjalës tjetër homonyme, madje as homonyme jo, as fonetikisht as orthografisht, mbasi ajo shqiptohet me i të gjatë e shkruhet me j në funt! Kjo mbrapshtí duhet zhdukun, e gegnishtes, qi me të drejtën.. demokratike të shumicës (së paku 2/3) âsht e ka me qênë gjuha e kombit, i duhet kthyem forma e grabitun e vetja. Kur e pata pyetun Aleksandër Xhuvanin se pse e kishin bâmë këtë turpe, m’u përgjegj, e sigurisht më gënjeu, se vajzat e nji shkolle nji ditë paskan pasë flakun librat tej tue protestuem kundra asaj fjale! Un i a prita: “Ofshê, lum miku! Po ku i paskeni pasë gjetun gjith’ato k… në Shqipní sa me mbushun nji shkollë me to?”

Ti shkruen rraport, Rromë et. Un besoj se fjalve të hueja qi shtijmë në shqipet na shkrimtarët si neologjizma, e aqë mâ pak emnavet veçorë, s’duhet me ua ndërruem orthografinë, veçse aty ku âsht e domosdoshme për me i a përshtatun shqipes. Pra Romë, Roma e raport-i ase raportë, -ta, et. et., me nji r. E shqiptari qi ka r e rr le t’a shqiptojë ashtu si e sheh të shkrueme. Fjalët me rrânjë greko-latine duhet t’i shkruejmë mbas orthografisë frênge, gjermane e anglishte qi kanë ruejtun formën origjinale e jo mbas italishtes. P.sh. jo temë, tezë, teorí e teoremë; por themë, thesë, theor-, mbasi shqipes tingulli th i rrânjës greqishte s’i mëngon. Gjithashtu synonym, analysë et., se shqipja e ka y-në e s’ka nevojë me e kthyem n’i si italishtja.

Në lakimin e emnavet, kudo qi ë-ja mbarimtare e nominatives ndiqet prej nji rrokje tjetër, duhet shlyem. P. sh. Shqiptarët, Shqiptarvet, Shqiptarë, Shqiptarve et. et.

Kaqë mjafton për tash, e kam mbërritë në fund të ksaj letre. Tjetër pjesë gjuhore ke me pasun ndoshta edhe me përgjegjen e pjesës tjetër të letrës s’ate. Këto shtojsa s’i bâhen kujdo, se të verbtit s’i ndizet kandil, n’ujë nuk mih kush, as rreh ujë në havan, as mbiell në rânë!

Pa të pasë pamë ende me sŷ, të përshëndes si t’ishe vlla me Nduen.

Të lutem me u kallzuem edhe Kapidan Gjonit e Ndoit se me shëndet kam kthyem si kam qênë para sëmundjes së fundit: punoj nga pak, dal, pres e bâj vizita, ec, shetis, ha ç’më kanë urdhnuem mjekët. Barin e Ndoit s’e kam marrë ende. Sod mora edhe nji letër prej Gjonit e thueji mos t’a ketë pikën e kujdesit mâ për mue e të flêjë i qetë. S’do të desim, jo, pa e pamë edhe nji here Shqipninë me sŷ. Botën s’e kanë në dorë Stalini e Eisenhaweri, por Zoti!

8/XII. Sot mora edhe barin e Ndoit. Kam për t’a filluem provën porsa të kemë nxjerrë edhe nji radjografi të dytë për t’u sigurue nëse kam për njimênd ulkër. Se disa mjekë tjerë e vênë në dyshim.

 

 

Share it :