Sa më shumë vite pune të kenë njerëzit e të kenë kontribuar në skemën e sigurimeve shoqërore, aq më i lartë do të jetë pensioni
Dua të siguroj të gjithë ata që janë në skemën aktuale të sigurimeve shoqërore, se nuk do të ketë ndryshim në masën e pensionit që ata kanë përfituar deri tani dhe pas miratimit të skemës së re, pas datës 1 janar 2015, që do të futet në fuqi. Kështu është shprehur drejtorja e Përgjithshme e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Vjollca Braho, gjatë një interviste në “Ora News”. Braho theksoi se do të ketë një rritje të moshës së pensionit si dhe rritje të kontributeve që do të paguhen.
Çfarë parashikon skema e re e pensioneve dhe çfarë do të ndryshojë në përllogaritje në skemën e re? Cili është ndryshimi ndërmjet tyre?
Nga grupi i punës është hartuar skema e re e sigurimeve shoqërore, e cila javën e ardhshme, pritet që të diskutohet në komisionet e grupeve parlamentare dhe më tej për miratim, në Parlamentin e Shqipërisë. Skema është modeluar në mënyrë të atillë që të bëjë të mundur qëllimin për të cilin është kjo skemë, për të lidhur akoma më mirë kontributet që derdhin të gjithë personat që janë të punësuar dhe që janë kontribuues në skemën e sigurimeve shoqërore për përfitimin e tyre.
Skema e re, në mënyrën e llogaritjes, ka një zëvendësim të pensionit bazë me pensionin social, ndërsa shtesa që është një vit shtesë për çdo vit që kanë kontribuar në skemën e sigurimeve shoqërore, duke marrë për bazë pagën mesatare gjatë gjithë jetës, bën të mundur që gjithsecili të marrë hakun që i takon.
Për të folur për përllogaritjen e re, duke nisur nga janari i 2015-ës, a do të ketë ndryshim, ulje, për ata që dalin në pension në këtë periudhë?
Unë dua të siguroj të gjithë ata që janë në skemën aktuale të sigurimeve shoqërore, nuk do të ketë ndryshim në masën e pensionit që ato kanë përfituar deri tani dhe pas miratimit të skemës së re, pas datës 1 janar 2015, që do të futet në fuqi.
Ndërsa, për gjithë të tjerët nuk do të ketë ulje të pensioneve, por do të ketë, nga mënyra e llogaritjes që ka bërë grupi i punës, që ka bërë mijëra llogaritje dhe për ata që kanë kontribuar me pagë minimale, përsëri do të kemi një rritje të masës së pensionit, të mos flasim për gjithë të tjerët që kanë kontribuar në skemën e sigurimeve shoqërore mbi pagën mesatare ose ata që kanë kontribuar me pagë maksimale, do të marrin hakun e tyre, pasi në skemën e re është hequr ai kufizimi i pagës maksimale dhe asaj minimale, i pensionit maksimal dhe atij minimal, ku pensioni maksimal me skemën e vjetër ishte sa dyfishi i pensionit minimal.
Njëkohësisht duhet të theksojmë që po ta shikosh në pamje të parë, duket se zëvendësimi i pensionit social me pensionin bazë, që ishte në skemën e vjetër, do të ketë një ulje, pasi masa e pensionit social është më e vogël se ajo e pensionit bazë, por duke hequr dy kufizimet, që kanë qenë në ligjin e mëparshëm të sigurimeve shoqërore dhe kufizimi tjetër për përllogaritjen dhe përfitimin sipas skemës së vjetër të 75% të pagës mesatare neto të tre viteve radhazi në dhjetë vitet e fundit.
Këto kufizime, në mënyrën e llogaritjes së re të formulës së sigurimeve shoqërore, bën të mundur që secili të marrë atë që ka kontribuar; sa më shumë vite që të kontribuosh në skemën e sigurimeve dhe sa më kontribut të madh të derdhësh, atëherë edhe përfitimi do të jetë më i drejtë dhe më transparent.
Në fakt, skema e re parashikon rritje graduale të moshës së daljes në pension për gratë si dhe rritje të kohës së punës për të punësuarit. Çfarë do të thotë kjo dhe si pritet të ndikojë?
Është menduar dhe nuk e di në do të kalojë për diskutim në Parlament për rritjen e moshës së grave nga 60 vjeç në 63 vjeç deri në vitin 2032. Rritja do të bëhet në mënyrë graduale me dy muaj në vit. Kjo bëhet për arsyen që legjislacioni shqiptar të përputhet me atë evropian, pasi qeveria shqiptare me në krye Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Sigurimet Shoqërore po bëjnë bisedime dypalëshe me të gjithë vendet e Evropës për të bërë të mundur bashkimin e të gjitha periudhave kontributive për të gjithë ata shqiptarë që kanë kontribuar edhe në skemën e sigurimeve të vendit të tyre dhe vendeve ku ato punojnë. Ndaj duhet të jemi në kushte të barabarta. Kjo është një nga arsyet e mëdha për të bërë të mundur rritjen e moshës së grave deri ën vitin 2032, kur duhet të shkojë 63 vjeç.
Po pjesa e rritjes së viteve të punës?
Sa më shumë vite pune të kenë njerëzit e të kenë kontribuar në skemën e sigurimeve shoqërore, sepse do t’u llogariten të gjitha vitet në formulën e llogaritjes së pensionit, me formulën e re që është: pensioni social + 1% për çdo vit që kanë kontribuar në skemën e sigurimeve shoqërore, kështu që sa më shumë vite që të kesh në këtë skemë, aq më i lartë do të jetë pensioni.
Çfarë ndryshon nga skema aktuale kjo përllogaritje e re?
Me skemën e vjetër llogaritej mbi pensionin bazë, ndërsa tani pensioni bazë është zëvendësuar me pensionin social.
Në ligjin e ri është hequr gjithashtu koncepti i pagës minimale, për efekt të sigurimeve, duke u zëvendësuar tani me një koncept tjetër, vetëm atë të pagës minimale. Çfarë do të thotë, çfarë sjell?
Në skemën e vjetër në Shqipëri ekzistojnë dy paga minimale: paga minimale për efekt punësimi dhe paga minimale për efekt të llogaritjes së pensioneve. Është modeluar që me skemën e re të ekzistojë vetëm një pagë minimale; është hequr paga minimale për efekt të llogaritjes së kontributeve sepse të gjithë të punësuarit në Shqipëri paguajnë kontribute në sigurimet shoqërore në bazë të pagës që ato deklarojnë para organeve tatimore dhe i vetmi ndryshim do jetë për sa u përket të vetëpunësuarve, që shkojnë në rreth 84 mijë persona, që e paguajnë kontributin e sigurimeve shoqërore mbi bazën e pagës minimale. Kjo bëhet edhe për efekt që të ketë një barazim ndërmjet pagës minimale për efekt punësimi dhe asaj për efekt të llogaritjes së kontributeve dhe në mënyrën e modelimit të derdhjes së kontributeve.
Do të ketë rritje pra, të kontributeve për këta të vetëpunësuar?
Po, dhe diferenca do të jetë 3 mijë lekë të reja, baza mbi të cilën do të llogaritet kontributi i sigurimeve shoqërore, sepse paga minimale për llogaritjen e kontributit është 19 mijë lekë, ndërsa paga minimale për punësim është 22 mijë lekë. Diferenca është 3 mijë lekë dhe mbi të llogaritet 21.4%-i i derdhjes së sigurimeve shoqërore për pensionin e pleqërisë, që do të thotë se është rreth 670 lekë në vit.
Është deklaruar tashmë nga ministri Veliaj se haka do të shkojë tek i zoti. Pra, ata që kanë paga më të larta dhe derdhin kontribute më të larta, ashtu do ta kenë dhe pensionin. Por ç’do të ndodhë me pagat e ulëta, me pensionet e tyre?
Ajo që z. Veliaj ka thënë është e drejtë, sepse është modeluar e gjithë skema e sigurimeve shoqërore që do të merret i gjithë kontributi që personat kanë derdhur në skemën e sigurimeve shoqërore dhe të gjitha vitet që ato kanë kontribuar. Sigurisht, edhe për ato që kanë kontribuar me pension minimal, ndaj është hequr ajo mënyra e llogaritjes 3 vjet në dhjetë vitet e fundit, do të merret si bazë e gjithë periudhë kontributive, e gjithë masa e kontributeve në skemën tonë.
“The Guardian”: Bashkia e Tiranës ka ulur ndotjen dhe ka shtuar hapësirat e gjelbra
Gazeta prestigjioze në Britaninë e Madhe “The Guardian” ka vlerësuar përpjekjet e kryetarit aktual të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, për masat që ka marrë për uljen e ndotjes në kryeqytetin e Shqipërisë. E përditshmja britanike ka përmendur faktin se kryebashkiaku Basha ka rritur vijën e transportit publik nga 35 milje në 80 milje. “Bashkia e Tiranës po shton rreth 20 hektarë hapësirë të gjelbër”, – shkruan “The Guardian”. Po kështu gazeta britanike vlerëson masat e marra në të gjithë kryeqytetin për të ulur ndotjen dhe për shtimin e hapësirave të gjelbra.





