5 gardianët magjikë të Brazilit 2014

0
148

OchoaNjë ndër gjërat më të bukura që kemi parë gjatë këtij Botërori në fazën e eliminatoreve kanë qenë edhe ndërhyrjet vendimtare të portierëve, pjesë mjaft e rëndësishme e çdo skuadre, duke u kthyer në shtyllën e ekipit.

 

Vendimtarë të saktë dhe të pathyeshëm. Këto kanë qenë cilësitë e portierëve të këtij Botërori. Shumë gardianë të kombëtareve kanë treguar që janë një kockë e fortë dhe ka qenë shumë e vështirë për t’u thyer. Disa prej tyre tashmë janë të eliminuar, por kanë dalë nga sfidat me kokën lart.

 

 1) Hauard, SHBA

SHBA tregoi që është një ekip, i cili sa vjen edhe rritet. Një ekip që në drejtimin e Klismanit ka treguar mjaft progresion dhe shumë pritshmëri për të ardhmen. Një nga yjet e ekipit ndaj Belgjikës ishte edhe gardiani i portës, Hauard. Shumë përcaktues me pritjet e tij. Në ndeshjen ndaj Belgjikës ai theu edhe një rekord për sa i përket edhe pritjeve të bëra në një lojë. Ishte shumë e vështirë të mposhtej amerikani, edhe pse lojtarët e Belgjikës ishin në ditën e tyre më të mirë. 90-minutëshi mbeti me rrjeta të paprekura dhe kjo vetëm falë Hauardit. Ndërsa në shtesa rezultati mund të ishte edhe më i thellë, mirëpo gardiani u sigurua që kjo të mos të ndodhte. Lojtari pas ndeshjes u shpall një hero nga amerikanët. Madje, arriti deri aty, saqë morri një telefonatë nga Presidenti Obama, duke e përgëzuar për lojën e bërë. Tashmë portieri është bërë edhe një element mjaft i përdorur i rrjeteve sociale.

 

2) Manuel Nojer, Gjermani

Gjermanët kanë lojtarë mjaft të mirë në skuadër. Mirëpo në fazën mbrojtëse mund të rrinë të qetë, pasi në portë është një mur. Bëhet fjalë për Manuel Nojerin që ka treguar edhe një herë se është një ndër portierët më të mirë në qarkullim. Në ndeshjen ndaj Algjerisë, Nojeri tregoi sërish që është një lojtar i madh. Shumë vendimtar me pritjet e tij, madje duhet thënë që ishte edhe lojtari më i rëndësishëm i gjermanëve. Arriti që të ndalte mjaft mirë topat brenda portës. Ndërsa ajo që ishte e veçantë, ishte edhe loja e tij me këmbë. Paksa në mënyrë komike u komentua edhe nga komentatorët fakti që Nojeri bëri më mirë se vetë reparti mbrojtës. Një lojtar mjaft guximtar dhe shumë i sigurt për daljet e tij. Bavarezi e la shumë herë portën për të dalë në mbrojtje të skuadrës jashtë zonës, duke larguar mjaft topa nga zona, që vinin nga kundërsulme. Mjaft i mirë në veprimet me këmbë.

 

3) Hugo Loris, Francë

Franca ka të vetmin kapiten portier të këtij Botërori, pasi shiritin e mban Hugo Loris, që me qetësinë e tij duket se u ka ulur kokën gjelave që deri dje thjesht për një shirit i kemi parë të ziheshin me njëri-tjetrin. Fakti që ka pësuar gol në vetëm një ndeshje, atë me Zvicrën në grup, tregon se jo vetëm di të drejtojë të tijtë drejt fitores, por gjithashtu organizon në mënyrë perfekte dhe mbrojtjen.

 

4) Benalio, Zvicër

Zvicra bëri një paraqitje mjaft të mirë ndaj skuadrës së Argjentinës. Nga skuadra  helvete, përveç Shaqirit në fazën sulmuese, u dallua edhe një lojtar tjetër. Bëhet fjale për portierin Benalio. Një ruajtës mjaft i mirë i portës që ka treguar mjaft vendosmëri dhe siguri ndaj Mesit me shokë. Shumë vendimtar në ndërhyrjet e tij dhe shumë i zoti në topat afër portës apo edhe ndalimin e gjuajtjeve. Fiziku i gjatë ndihmoi gardianin edhe në daljet e tij në ajër që ishin mjaft të sigurta. Iu desh të mundej vetëm në fund nga një aksion Mesi-Di Maria. Portieri gjatë kthimit në Zvicër është pritur si hero, duke marrë edhe një vlerësim shumë të mirë.

 

5) Oçoa, Meksikë

Një ndër sensacionet e këtij Botërori ka qenë pa dyshim edhe Oçoa. Luku i lojtarit dhe mënyra e të sjellurit në fushë kanë tërhequr edhe vëmendjen e shumë tifozëve që kanë një simpati mjaft të madhe për lojtarin. Gardiani meksikan bëri një lojë mjaft të dalluar dhe tregoi shumë aftësi në ndeshjet e luajtura në veçanti ndaj Holandës. Kaçurrelsi i latinëve ishte dhe muri i Holandës që nuk arrinte të çante vetëm në fazën e fundit. Iu desh minuta e 87-të Shnajderit dhe më pas Huntelari që shënoi nga pika e 11-metërshit. Portieri që luan në Korsikë ishte mjaft vendimtar me daljet e tij dhe gjithashtu me ndërhyrjet në cepa. Aftësi që kanë tërhequr shumë ekipe që janë vënë në kërkim të lojtarit. Një portier të cilin do ta shohim në arenën e njohur evropiane tashmë pas mbresave të lëna.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency