Të gjitha ndryshimet e taksave, ja sa lekë do të paguajnë më shumë qytetarët

0
201

ambulanca urgjencaTarifë vjetore për shërbimin e urgjencës mjekësore për çdo kartë telefonike SIM të përdorur

Qeveria ka vendosur të bëjë ndryshime të tjera të taksave duke rritur në këtë mënyrë disa pagesa dhe duke shtuar taksa të reja. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008, “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar” tashmë është në qeveri dhe do të miratohet brenda kësaj jave. Me propozimet e paraqitura, në projektligj është reflektuar nevoja e ndryshimeve me qëllim që t’i hapet rrugë ligjore implementimit të sistemit të ri informatik të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, në përshtatje me praktikat më të mira të njohura gjerësisht. “Në kuadrin e realizimit të projektit për implementimin e sistemit të ri informatik të tatimeve, janë të nevojshme disa ndryshime procedurale dhe teknike, me qëllim lehtësimin e procedurave për tatimpaguesit, në kuadër të sistemit të ri e-taxation dhe lehtësive që ky sistem parashikon të ofrojë. Propozimet e paraqitura kanë të bëjnë me ndryshimet e mëposhtme: Është propozuar të bëhet një saktësim në nenin 1, të ligjit bazë nr. 9975, datë 28.7.2008, për të evidentuar në mënyrë të drejtpërdrejtë faktin se në qëllimin e këtij ligji, përveç taksave kombëtare, janë edhe tarifat kombëtare. Në nene të veçanta të ligjit aktual në fuqi flitet për tarifat kombëtare, por në qëllimin e tij një gjë e tillë, në mënyrë të paarsyeshme, mungon. Në ligjin bazë ka munguar përkufizimi për tarifat kombëtare, duke krijuar në këtë mënyrë boshllëk dhe paqartësira lidhur me përmbajtjen e tarifave, mënyrën e mbledhjes dhe administrimit të tyre. Për këtë qëllim, në nenin 2, pikat 3 dhe 4, të projektligjit, është dhënë përkufizimi i termave “Tarifë kombëtare” dhe “Agjent i taksave dhe tarifave”. Në bazë të ligjit nr. 10270, datë 22.4.2010, të ndryshuar, individët që kanë në përdorim trojet e paprivatizuara të ndërtesave dhe personat juridikë tregtarë që kanë përfituar të drejtën e përdorimit të trojeve shtetërore paguajnë taksë mbi të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror në përdorim”, – thuhet në relacionin e qeverisë. Administrimi sipas procedurave dhe rregullave unike për të gjitha taksat kombëtare dhe përfshirja e të gjitha taksave kombëtare edhe në sistemin e ri informatik bën të domosdoshme përfshirjen kësaj takse në listën e taksave kombëtare. Lënia e kësaj takse jashtë ligjit të taksave kombëtare, do të kërkonte zhvillime të reja në sistemin informatik si një taksë më vete, me një deklaratë pagese më vete, gjë që do të ishte e pajustifikuar për shume arsye dhe do të kërkonte rritje të kostos së projektit të ri informatik.

 

Taksat

“Përfshirja e taksës mbi të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror në përdorim, në ligjin e taksave kombëtare, nuk shfuqizon ligjin nr. 10270, datë 22.4.2010, të ndryshuar. Për këtë qëllim në nenin 4, të projektligjit të paraqitur është parashikuar se niveli i kësaj takse, aplikimi, llogaritja dhe pagesa e saj bëhet sipas përcaktimeve të ligjit nr. 10270, datë 22.4.2010, “Për të drejtën e privatizimit të truallit shtetëror në përdorim dhe për taksën mbi të drejtën e përdorimit të tij”. Është propozuar të bëhen ndryshime në nenin 4/1, të ligjit ekzistues, me qëllimin për të vendosur detyrimin për të paraqitur një deklaratë për çdo muaj, jo më vonë se 15 ditë pas përfundimit të muajit paraardhës për të cilin bëhet deklarimi nga të gjithë personat fizikë dhe juridikë, subjekte të neneve 4 dhe 11, të ligjit si dhe nga agjentët e taksave dhe tarifave, në rastin kur taksat dhe tarifat mblidhen nga këta të fundit. Në këto dispozita përcaktohet se personat fizikë dhe juridikë apo agjentët e taksave dhe tarifave paguajnë taksat dhe tarifat kombëtare për atë muaj në datën ose para datës së detyrueshme të deklaratës. Deri tani tatimpaguesit e taksave dhe tarifave kombëtare nuk kishin një datë unike dhe një formë unike për të paguar detyrimet e tyre. Implementimi i sistemit të ri informatik, kërkon me domosdoshmëri unifikimin e datës së pagesës, të deklaratës dhe të mënyrës së deklarimit.  Në nenin 6, të projektligjit, është përcaktuar se taksa mbi të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror mblidhet nga administrata tatimore, siç është përcaktuar edhe në ligjin nr. 10270, datë 22.4.2010, “Për të drejtën e privatizimit të truallit shtetëror në përdorim dhe për taksën mbi të drejtën e përdorimit të tij”. Në nenin 7, të projektligjit, është përcaktuar detyrimi i agjentëve të taksave dhe tarifave kombëtare për të transferuar, për llogari të administratës tatimore qendrore (në drejtoritë rajonale tatimore përkatëse) dhe për llogari të njësive të qeverisjes vendore, të gjitha të ardhurat e arkëtuara prej tyre, në zbatim të këtij ligji. Neni 8, i projektligjit, ka të bëjë thjesht me faktin se për mbledhjen e taksës mbi të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror, administrata tatimore, si e ngarkuar me një detyrë të tillë, nuk përfiton komisione”-thuhet në relacionin e qeverisë.

 

Ndryshimet

“Në nenin 9 të projektligjit “Përjashtimet nga taksat kombëtare”, përcaktohet se taksa mbi të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror nuk zbatohet mbi trojet turistike, mbi objektet dhe trojet e pranuara në proces legalizimi apo mbi trojet shtetërore, të dhëna me qëllim investimin mbi to, të cilat rregullohen nga ligje të tjera. Gjithashtu, në rastet e përjashtimeve përfshihen dhe individët të cilët, në rastin e privatizimit të këtij truallit shtetëror, paguajnë në mënyrë të menjëhershme vlerën e plotë të truallit që privatizohet. Në nenin 10 propozohet të shtohen dy tarifa shërbimi, të cilat lidhen me shërbimin e urgjencës mjekësore: -tarifa vjetore për shërbimin e urgjencës mjekësore për çdo kartë telefonike SIM të përdorur.

Efekti neto në buxhet vlerësohet të jetë 627 milionë lekë. Në nenin 11, të projektligjit është propozuar, në logjikën e përjashtimeve aktuale, që makinat bujqësore të jenë të përjashtuara nga pagesa e këtyre dy tarifave (të tilla makina janë aktualisht të përjashtuara nga pagesa e taksës vjetore të mjeteve të përdorura të transportit), si dhe personat e verbër, invalidët apo veteranët e luftës. Është propozuar të shtohet një nen i ri, 11/1, me qëllimin për të vendosur detyrimin për të paraqitur një deklaratë për çdo muaj, jo më vonë se 15 ditë pas përfundimit të muajit paraardhës për të cilin bëhet deklarimi, nga të gjithë personat fizikë dhe juridikë, subjekte të neneve 4 dhe 11, të ligjit si dhe nga agjentët e taksave dhe tarifave, në rastin kur tarifat mblidhen nga këta të fundit. Në këto dispozita përcaktohet se personat fizikë dhe juridikë apo agjentët e tarifave paguajnë tarifat kombëtare për atë muaj në datën ose para datës së detyrueshme të deklaratës. Deri tani tatimpaguesit e tarifave kombëtare nuk kishin një datë unike dhe një formë unike për të paguar detyrimet e tyre. Implementimi i sistemit të ri informatik, kërkon me domosdoshmëri unifikimin e datës së pagesës, deklaratës dhe të mënyrës së deklarimit”, – përfundon relacioni.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency