Pretenca/ Merr fund telenovela “Dajti”, prokurori kërkon dënimin me burgim përjetë

0
132

Sonila Mesareja

dritan-dajti Gjyqi me dyer të mbyllura/ Dajti refuzon të vijë në gjykatë, konkluzionet lexohen vetëm në prani të gjykatës. Kërkohen edhe 25 vite burg për vrasjen e Ledion Marës, Dajti përgjegjës

Telenovela “Dajti” drejt dy pjesëve të fundit. Më në fund, pas 275 seancave gjyqësore të përkthyera në plot katër vjet e gjysmë gjyq me shtyrje, kërkesa nga më të ndryshmet, kërcënime dhe shantazhe, dje prokurori Ardian Nezha tha fjalën e tij të fundit. Burgim përjetë. Kjo qe kërkesa e prokurorit, i cili e deklaron fajtor të pandehurin për vrasjen e katër efektivëve të Skuadrës Operacione të Policisë së Shtetit, të vrarë më 7 gusht në tentativë për të arrestuar të shumëkërkuarin për vrasje dhe trafik narkotikësh. Gjithashtu, prokurori kërkoi 25 vite burg për vrasjen e Ledion Marës për të cilën bën të pandehurin përgjegjës, si dhe një dënim plotësues, atë të dënimit me 1 milionë lekë gjobë. Kërkesa u lexua dje para togave të zeza, në mungesë të vetë të pandehurit, por edhe mediave, pasi prej disa seancash, gjyqi me kërkesë të përfaqësuesit të akuzës zhvillohet me dyer të mbyllura. Konkluzionet përfundimtare me shkrim, të pandehurit Dajti do i dërgohen nga gjykata në qelinë e paraburgimit, ndërsa seancën e radhës pritet që ai të paraqesë mbrojtjen, nëse do pranojë të paraqitet në gjyq. Më pas, do i takojë gjykatës të japë verdiktin e saj përfundimtar për të pandehurin që krijoi një precedencë të pazakontë në Gjykatën e Krimeve të Rënda.

 

Akuza

Sipas prokurorit Nezha, rezulton e provuar se më datë 7.8.2009, rreth orës 13:50 në lagjen nr. 13, Plazh, Durrës pranë pistës së vogël “Iliria” janë vrarë me armë zjarri punonjësit e policisë Fatos Xhani, Altin Dizdari, Sajmir Duçkollari, Kastriot Feskaj, shtetasi Ledjon Mara, si dhe janë plagosur po me armë zjarri shtetasit Dritan Dajti dhe Fatjon Shamku. Në lidhje me këtë ngjarje Prokuroria për Krime të Rënda Tiranë me dt. 7.8.2009 ka regjistruar procedimin penal nr. 62 në ngarkim të pandehurit Dritan Dajti, i akuzuar se ka kryer veprën penale të “Vrasjes në rrethana cilësuese ndaj punonjësve te policisë” Fatos Xhani, Kastriot Feska, Saimir Duckollari, Altin Dizadari, Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave me pasojë vdekjen e shtetasit Ledjon Mara dhe plagosjen e shtetasit Fatjon Shamku, “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake”. Akuza vijon leximin e rrethanave të ngjarjes, duke nisur me momentin kur u mor informacioni mbi vendndodhjen e Dajtit. “Më datën 7.8.2009 Shërbimet e Sektorit të Operacioneve Speciale pranë Drejtorisë së Luftës kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit kanë marrë informacion mbi lëvizjet dhe vendndodhjen e personit në kërkim për vrasje shtetasit Dritan Dajti nga Tirana. Njëkohësisht, nga kjo strukturë, siç u provua dhe në gjykim, i pandehuri Dritan Dajti hetohej dhe për aktivitet kriminal në fushën e trafikimit të narkotikëve. Kjo ka qenë dhe arsyeja që kjo strukturë e policisë së shtetit kishte marrë nën investigim veprimtarinë e këtij shtetasi gjatë kohës që ky ishte shpallur person në kërkim, i listuar i dyti në listat që Policia e shtetit kishte evidentuar si personat më të kërkuar në territorin e Shqipërisë ne vitin 2009. Ne lidhje me këtë fakt nga kjo strukturë është organizuar puna për identifikimin, mbajtjen në vëzhgim dhe kapjen e këtij shtetasi duke hartuar dhe planet e operacionit përkatës plan i cili është dokumentuar me dt 7.8.2014 ku nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së shtetit dhe Komandanti i repartit janë ndarë detyrat dhe janë marrë përgjegjësitë për kryerjen e këtij operacioni”.

 

Plani i masave

Hetimi ka provuar se më datë 6.8.2013, drejtori i Shërbimeve të Sektorit të Operacioneve Speciale, pranë Drejtorisë së Luftës Kundër krimit të Organizuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, dëshmitari A. M. ka marrë dijeni nga shërbimet e tij në terren për vendndodhjen e të pandehurit Dritan Dajti, i cili përveçse ishte një prej personave të shpallur në kërkim në listën e personave që dispononte Policia e Shtetit, por ishte dhe pjese e hetimeve që po kryenin shërbimet e kësaj Drejtorie në fushën e trafikimit të narkotikëve. Sipas akuzës, nga shërbimet është marrë informacioni se i pandehuri Dajti kishte një shtëpi në zonën e plazhit në lagjen, nr 13 tek Pista e 2 e lagjes “Iliria”. Pasi është marrë informacioni, është organizuar puna për identifikimin e personit, evidentimin e vendndodhjes se tij, rigonicionin e terrenit si dhe mundësinë e ndërhyrjes për kapjen dhe neutralizimin e këtij personi, pasi ishte personi i dytë për nga rrezikshmëria në listën e personave në kërkim që Policia e Shtetit kishte evidentuar në atë kohë. Plani është firmosur nga kreu i Policisë së Shtetit në atë kohë, drejtori i Skuadrës Operacionale dhe komandanti i grupit. Në instruktazh janë vendosur dhe mjete që do të përdoreshin, si dhe targat që do të mbanin këto mjete. Po në instruktazh, grupet janë ndarë sipas mjeteve. Konkretisht, në këtë operacion është urdhëruar të përdoren mjetet Golf 4 ngjyre blu me të cilin do të udhëtonin efektivët e policisë P. S, dhe A. Xh. Ne automjetin e dyte i cili ka qenë i llojit “Ford Fiesta” ngjyre jeshile është urdhëruar të udhëtojnë shtetasit Kastriot Feskaj dhe F. M., ndërsa në automjetin e trete atë të llojit “Renault” ngjyrë gri është urdhëruar të udhëtojnë efektivët P. L., F. G. dhe Saimir Duçkollari. Efektivi Altin Dizdari i vetëm është urdhëruar të udhëtojë e të marrë pjesë në operacion me një mjet motor, ndërsa komandanti i repartit Fatos Xhani do të ishte direkt në terren për të parë dhe komanduar veprimet forcës se posaçme operacionale.

 

Lëvizjet e Dajtit

Hetimi dhe gjykimi ka provuar se i pandehuri Dritan Dajti ditën e ngjarjes, me datë 7.8.2009 ka qenë në Tiranë. Rreth orës 07:30 minuta ai ka dalë nga shtëpia dhe me autoveturën tip “Volkswagen Touareg”, të drejtuar prej kunatit të tij Ergest Xhoxhi, ka udhëtuar drejt Durrësit. Rrugës, së bashku me ta, ka udhëtuar edhe shtetasi Ledion Mara, i cili ishte njohje dhe lidhje shoqërore e shtetasit Ergest Xhoxhi. Hetimi dhe gjykimi ka provuar se kunati i Dajtit ka drejtuar autoveturën ndërsa në vendin e parë ka qenë shtetasi Ledion Mara. I pandehuri Dajti ka udhëtuar në sediljen e pasme të autoveturës, e cila duhet theksuar xhamat e pasëm të saj i ka pasur krejtësisht të errët. Pasi ka udhëtuar drejt Durrësit, automjeti ka ndaluar në fillim në lagjen nr 13 dhe më pas ka vazhduar rrugën drejt Rrogozhinës, ku shtetasi Ergest Xhoxhi është interesuar për disa vazo lulesh. Më tej, automjeti është kthyer në plazhin e Durrësit. Ndërkohë që edhe strukturat policore kishin zënë vendet në plazh, sipas instruksioneve të marra.

 

Akuzat

1) “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” ndaj punonjësit të policisë Fatos Xhani,

2) “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” ndaj punonjësit të policisë Sajmir Duçkollari,

3) “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” ndaj punonjësit të policisë Altin Dizdari,

4) “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” ndaj punonjësit të policisë Kastriot Feskaj,

5) “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave me pasojë vdekjen e shtetasit Ledjon Mara dhe plagosjen e shtetasit Fatjon Shamku,

6) “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake”,

7) “Falsifikimi i dokumentave” në bashkëpunim duke falsifikuar dhe përdorur dokumentat e mjetit tip “Volskwagen Touareg” me trg Cr 535 FR,

8) “Falsifikimi i vulave, dhe i stampave ose i formularëve” duke falsifikuar dhe përdorur tri dokumente policie,

9) “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” duke mbajtur dokumenta dhe shenja dalluese të Policisë së Shtetit

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency