Serbia për statusin/ Kryeministri Vuçiç letër urimi Ramës: Pres takimin në vjeshtë

0
140

Gëzim Saliu

VucicZbardhet axhenda, Barroso sot në Tiranë merr dekoratë nga Presidenti, fjalim në Kuvend

Kryeministri i Serbisë Aleksandër Vuçiç uron përmes një letre homologun e tij shqiptar Edi Rama, duke i bërë të ditur se mirëpret takimin e pritshëm mes tyre në Beograd në vjeshtë. Lajmin e urimit e bëri të ditur dje kreu i qeverisë serbe gjatë një konference të përbashkët për shtyp që mbajti në Beograd me Presidentin e Komisionit Europian, Jose Barroso, ku tha se ka uruar kryeministrin shqiptar për suksesin e marrjes s statusit kandidat, mesazh i cili sipas Vucic u prit me kënaqësi nga Rama. Kryeministri serb gjithashtu shprehu besimin se do të takohet këtë vjeshtë me kreun e qeverise shqiptare. Më tej duke vënë theksin tek integrimit, Vuçiç shprehu mirënjohjen për Komisionin Europian përballë Barrosos, ku tha se anëtarësimi në BE mbetet prioritet madhor i qeverisë së tij. Ndërkaq vizita e kryeministrit Rama në Beograd është shtyrë  disa herë për shkak të zhvillimeve të brendshme në Serbi. Por tani duket se palët kanë gjetur gjuhën e përbashkët mes tyre për ta zhvilluar këtë takim në vjeshtën e këtij viti, ku sërish atmosfera në marrëdhënien mes dy vendeve nuk është më e mira. Tre ditë më parë Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiç, deri pak muaj më parë Kryeministër i Serbisë, nuk e fshehu zhgënjimin kur tha se Shqipëria ishte një mes vendeve që përveçse nuk ofruan mbështetje për të përballuar fatkeqësinë natyrore të majit, nuk dërguan as edhe një telegram ngushëllimi.

 

Barroso

Pas vizitës në Serbi, në kuadër të një turi në Ballkan, Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso do të mbërrijë sot në Shqipëri. Në axhendën e zbardhur të kësaj vizite, mësohet se Barroso, do të vizitojë edhe Gjykatën e Krimeve të Rënda, e ndërtuar me fondet e Bashkimit Evropian.  Sipas njoftimit për shtyp nga zyra e Delegacionit të BE-së në Shqipëri, pas vizitës në këtë Gjykatë, Presidenti Barroso, kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, kryetari i Gjykatës së shkallës së parë për Krimet e Rënda Sandër Simoni dhe kryeministri Edi Rama do të mbajnë një fjalë para medias rreth orës 16:00 të pasdites së sotme. Më herët ai do të zhvillojë një takim me kreun e shtetit Bujar Nishani, ku në orën 12:30, në Presidence do të zhvillohet edhe ceremonia e dekorimit te Presidentit Barroso. Pjesë e takimeve të tij do të jetë edhe ai me kreun e opozitës Lulzim Basha. Ndërkaq rreth orës 11:15, Presidenti Barroso do t’i drejtohet me një fjale përshëndetëse Kuvendit të Shqipërisë, seancë në të cilën do të marrin pjesë edhe deputetët e opozitës, të cilët në këtë rast do të thyejnë vendimin e grupit për bojkot ndaj Parlamentit, si shenjë solidariteti ndaj masës së marrë  nga Kuvendi për deputetin Sali Berisha. Vizita e Presidentit të Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso në Tiranë do të sjellë edhe bllokim të akseve të ndryshme rrugore.  Sipas njoftimit të bërë nga policia, sot nga ora 09:00-10:00, do të ketë edhe bllokim të trafikut, ku nuk do të lejohet lëvizja e mjeteve nga Ish-Hotel Dajti deri tek Kryeministria në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Ky është edhe orari ku në bazë të axhendës së takimeve të zyrtarëve të shtetit shqiptar me Barroson, do të bëhet edhe ceremonia e pritjes zyrtare e Presidentit të KE-së, në Kryeministri.

 

 Analiza e DW/ Skepticizmi gjerman për statusin ndaj Shqipërisë, ku ushqehen kritikat

Në një analizë të lajmit për dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë dhe reagimit të popullsisë dhe medieve gjermane lidhur me këtë vendim, Deutsche Welle bëri të ditur dje ekzistencën e një lloj skepticizmi. “Lajmi për dhënien e statusit kandidat të BE Shqipërisë tërhoqi vëmendjen e të gjitha medieve qendrore gjermane. Vëmendje ato i kushtuan këtij lajmi që të martën, kur u mblodhën ministrat e jashtëm të BE. Informuan mediat publike, kanali i parë i televizionit publik gjerman ARD, radioja kombëtare gjermane Deutschlandfunk, më tej mediet e landeve, WDR, MDR. Po të martën, informuan në botimet online revista e njohur ‘Der Spiegel’, gazetat ‘Frankfurter Allgemeine Zeitung’ (FAZ), ‘Die Zeit’, ‘Stern’ dhe ndonjë gazetë tjetër. Të gjitha këto medie, me një përjashtim dhanë një lajm të zgjeruar, jo komentues. Ishte një lajm në hyrje dashamirës, që një anëtar i ri po i afrohet BE. Por paralelisht theksohen detyrat për Shqipërinë. Në thelb mediet gjermanë dhanë këtë përmbajtjeje, në versione të ngjashme: që “Shqipëria e kaloi pengesën e parë për një anëtarësim të mëvonshëm në BE”. Të gjitha mediet gjermane citojnë edhe sekretarin e shtetit në ministrinë e Jashtme gjermane, Michael Roth. Ai tha se “anëtarësimi i Shqipërisë në BE nuk do të ndodhë automatikisht”. “Pa shtet juridik të qëndrueshëm dhe luftë konsekuente kundër korrupsionit nuk mund të ketë anëtarësim”, tha Roth”, thuhej në analizë.  Nga ana tjetër lidhur me mendimin e qytetarëve gjermanë për  për statusin e kandidatit për Shqipërinë, pasqyruar në forumet e medieve, komentet më të shumta, , shoqërojnë informacionin e publikuar në faqen në internet të kanalit të parë televiziv gjerman, ARD. Nga 40 komente, statusin kandidat për Shqipërinë e mbështesin vetëm 11. Pjesa më e madhe, 29 janë të rezervuara, deri në kundërshtim për dhënien e statusit. 73 vetë e kanë komentuar lajmin që jep “Der Spiegel” për Shqipërinë. Në mbështetje të statusit kandidat për Shqipërinë janë vetëm 5-6 komente. Të tjerat ose merren në përgjithësi me BE, ose e kundërshtojnë statusin për Shqipërinë. Me gjithsej 4-5 komente, dhe kryesisht jo në mbështetje të Shqipërisë është komentuar në forume lajmi për statusin në gazetat ‘Die Zeit’ dhe ‘Hannoversche Allgemeine Zeitung’.Ndër për mundësinë e afrimit të Shqipërisë në BE pas marrjes së statusit, qyetarët gjermanë shtrojnë pyetjen: na i shton problemet tona ky vend i ri, apo na i pakëson? Do të detyrohemi të luajmë zjarrfikësin për këtë vend, duhet ta mbajmë me para, apo përfitojmë dhe ne nga ai?. Argumentet kritike ushqehen nga imazhi jo i mirë i Shqipërisë në Perëndim, si dhe nga mosnjohja e Shqipërisë. Më tej ata ndalen në dobësinë e shtetit shqiptar dhe shprehin drojën që Shqipëria mund të varet nga ndihmat e BE, siç ndodhi me Greqinë dhe Spanjën. Ndërsa komentet pozitive veçojnë burimet natyrore të Shqipërisë dhe të drejtën gjeografike e politike për t’u anëtarësuar në BE. Sa i përket faktit se përse bëhet ky vëzhgim ndaj Shqipërisë, në analizën e saj DW, citon ambasadorin gjerman në Shqipëri, Helmut Hoffmann i cili ka pohuar se vëzhgimi ka të bëjë, sa me gjendjen e Shqipërisë, aq edhe me përvojat negative, që tashmë Evropa i ka mbledhur nga anëtarët e rinj të BE, sidomos me Bullgarinë e Rumaninë. Së dyti, sepse sipas ‘Frankfurter Allgemeine Zeitung’, Shqipëria shihet si një nga vendet më të korruptuara të Evropës.

 

Strategjia evropiane e adriatikut dhe Jonit

Harito: Bashkëpunim me shtetet e rajonit në fushën e inovacionit

Ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike, Milena Harito shpreh angazhimin e qeverisë shqiptare për bashkëpunim të ngushtë me shtetet e rajonit në fushën e inovacionit. Pjesëmarësë në konferencën mbi Strategjinë Evropiane të Rajonit të Adriatikut dhe Jonit, në Bruksel, Harito theksoi në fjalën e saj se,: “Shqipëria në këtë program ka rolin e koordinatorit për zhvillimin territorial. Bashkëpunimi për zhvillimin territorial është multidimensional. Ndër të tjera duhet të fokusohemi në mënyrën se si inovacioni mund të ndihmojë në integrimin e politikave lokale dhe rajonale të cilat mund të shndërrohen në motor zhvillimi në një shkallë makro-rajonale”. Strategjia Evropiane e Rajonit të Adriatikut dhe Jonit ka për qëllim zhvillimin ekonomik dhe social të zonës dhe krijimin e një bashkëpunimi sa më të ngushtë ndër rajonal të vendeve tona, në mënyrë që të përmirësohen politikat e përbashkëta të zonës dhe transferimi i njohurive dhe praktikave më të mira.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency