DEMOS-KRACIA

0
123

Brikena Bogdo

demokratie-zeichnung-schnittFormatimi klasik i demokracisë, me thelb gjithëpjesëmarrjen dhe rotacionin, është i deformuar. Shoqëritë moderne por, edhe shoqëri të mëparshme, i janë larguar thelbësisht formës klasike të demos-kracisë, për bashkë-vendim-marrje. Sot, pretendohet një shoqëri demokratike, në fakt është e shformatuar në konceptet themelore. Këto forma klasike, më pas u zëvendësuan me formate të shtresëzuara, në formë piramide, ku kishte gjithmonë një krye shteti apo një krye qeverie.

Në mijëvjeçarin e dytë p.e.s. Athina zëvendësoi mbretërinë, me Republikën (formati i parë klasik i demokracisë), e cila në thelb të qeverisjes së saj, apo të organizimit të shtetit, kishte mbledhjen popullore, ku merrnin pjesë të gjithë qytetarët e lirë. Sigurisht, ato forma tingëllojnë arkaike, pasi nuk u mundësohej pjesëmarrja grave, skllevërve dhe të huajve. Aktualisht, rezulton e paimplementueshme apo e pamundur në një globalizëm që tenton mbipopullimin. Por në një të ardhme të afërt teknologjitë e avancuara do të mundësojnë një pjesmarrje shumë më të gjerë. Shërbimet online për publikun, do të qëndrojnë si sfida, përballë tendencave të ekipeve të mbyllura vendimmarrëse. Kjo është ajo çka tregoi vota me një revoltë për “ndryshim”, “politika të hapura”, “votuesit pjesë e vendimmarrjeve”, tendenca që u pa në zgjedhjet për Parlamentin Evropian.

Evropa e Bashkuar po rrezikon qenësinë e saj, ardhur kjo, jo vetëm si pasojë e krizës ekonomike, por njëkohësisht, e lidhur edhe me krizën politike dhe humbjen e thelbit të saj. Njerëzimi evoluon por, shpesh në këtë rrugëtim evolutiv, harron, apo deformon disa forma fillestare, përgjatë demokratizimit të saj. Zgjedhjet e fundit parlamentare evropiane tentuan të kundërshtojnë këtë rrugëtim të deformuar, për të risjellë në kujtesë ato forma klasike demokratike, ku përfshihet gjithëpjesëmarrja dhe rotacioni.

Athina qeverisej nga 9 arkondë, krejt të barabartë me njëri-tjetrin, diçka që detyrimisht kërkon bashkëpunim, bashkëqeverisje. Këto forma bashkëqeverisëse vazhduan edhe në Spartë, ku udhëhiqnin dy mbretër, bashkëpunim e konsensus midis të barabartësh. Forma klasike greke, ku mbizotëron bashkëvendimmarrja, janë rikthyer më vonë, por shumë rrallë, si p.sh. në Angli në kohën e mbretit Artur, i cili lejoi krijimin e tryezave të rrumbullakëta, ku të gjithë kalorësit ishin të barabartë, me thelb konsensusin, qoftë edhe të detyruar.

Ajo që sot është transformuar në relikte është rotacioni i shpejtë. Arkondët kishin edhe një detyrim tjetër të rëndësishëm; duhet të linin këtë post çdo vit (ata zgjidheshin një herë në vit). Sot, kemi një Evropë, që vërtet në dukje mblidhej si G 7 apo G 8, në tryeza të rrumbullakëta, por kurrsesi të barabartë, pasi vëzhgohet një Europë e gjermanizuar, ku Merkel sheh me cinizëm vendet me bilance të dobëta. Kjo është një nga arsyet kryesore, përse Britania e Madhe kërkon shkëputjen. Farage, fituesi i zgjedhjeve te fundit për euro-parlamentin në Britani, është një kundërshtar i fortë i rolit dominues të Gjermanisë në BE.

Krizat më të mëdha sjellin edhe ndërgjegjësimet më të mëdha dhe analizat më të thella, por me tendencë të ekstremiteteve politike. Kjo sigurisht ka rezultuar e rrezikshme pasi mund tu paraprijë edhe tendencave diktatoriale. Edhe me zgjedhjet e fundit në Kosovë, ka vijuar kjo tendencë evropiane, drejt partive ekstremiste. Vetëvendosja arriti të renditej në vendin e tretë, duke treguar që ekstremitetet tentojnë të fitojnë terren, në momente krizash. Ekstremet e djathta dhe të majta kanë forcuar pozicionet, duke shfrytëzuar parimet bazike të demokracisë, si në Itali, Greqi, Francë, por duke i deformuar përsëri ato.

Lideri i lëvizjes M5S, ne Itali, Beppe Grillo: “Jemi lëvizje idesh, jo ideologjish”. Në fakt, problemi kryesor qëndron se këto ide, të mos shndërrohen në ideologji, ashtu siç historikisht ka ndodhur. Idetë më të mira janë keqpërdorur, duke u shndërruar, jo vetëm në ideologji, por edhe në demagogji të grupeve të interesit. Sigurisht, ajo që tashmë po e penalizon më së shumti edhe Grillon, është se ai nuk po lejon diversitetin e ideve, duke kryqëzuar ata që japin ide të reja, të cilat nuk i pëlqejnë, apo nuk i konvenojnë liderit dhe ndërkohë dalin kundër liderit. Ai ka larguar disa nga ithtarët e tij, vetëm sepse nuk ecën në rrugën e përcaktuar nga ai. Aktualisht, Lëvizja e Pesë Yjeve është në rënie në përqindje, nga zgjedhjet e kaluara, duke treguar, se ai tashmë gradualisht po bie në qerthullin e ideologjive. Është pikërisht Grillo, që ka rikthyer në memorie këto forma klasike, si gjithëpërfshirja, por me një fitore të parë, ai kthehet në një kryqëzues kundërshtarësh. Kjo sigurisht, po e penalizon në elektoratin e tij, duke i ulur përqindjen në zgjedhjet e fundit nga 24%, në 22%. Problemi nuk qëndron tek koncepti, por tek abuzimi që iu bëhet koncepteve. Rreziku i populizmit qëndron tek keqpërdorimi i formave populiste për të thithur elektorat, duke ushtruar, po ato forma diktatoriale, personale, më pas. Mënyra se si Grillo po e ushtron sot pushtetin e tij, tregon që tashmë ka rënë pikërisht në qerthullin e demagogjisë dhe njëkohësisht me forma diktatoriale.

Marine Le Penn, në Francë, pretendon dalje nga Evropa, duke u shfaqur tejet ekstremiste, por që e ka mjaft të komprometuar ardhjen në krye të partisë. Ajo kritikohet për një pushtet të rrëmbyer, si bijë e babait të saj, duke nënkuptuar një diktat brenda partisë. Ndryshimi midis populizmit dhe diktatit, është mënyra se si vjen në pushtet, si e ushtron të drejtën për të udhëhequr, si dhe abuzimi me të qenit i parë. Le Penn vjen si trashëgimtare, duke e komprometuar figurën si lidere dhe duke komprometuar nocionet bazë të demos-kracisë, gjithëpërfshirjes, dhe rotacionit.

Ajo që e ruan demokracinë, pikërisht nga dëmet serioze të ekstremeve politike, përveç elementeve të sipërpërmendur si gjithëpërfshirja dhe rotacioni, është edhe dialektika politikë-shoqëri, e cila është shumë e çmuar, por që për ta bërë të funksionueshme, protagonistët duhet të rrisin bashkëpunimin dhe koherencën. Ajo çka e komprometon rëndë bashkëpunimin dhe koherencën, midis politikës dhe shoqërisë, është pikërisht lobimi i grupeve të interesit. Ndërkohë që sot, me lëvizjet e dhunshme që Evropa ka hasur, në këto vitet e fundit, ardhur nga krizat ekonomike, jemi ndeshur me ultimatumet grupeve ekstreme. Të dyja, as lobimet, as ultimatumet ekstremiste, nuk po rezultojnë efikase, duke e vënë nën një rrezik demos-kracinë, gjithëpërfshirëse dhe rotacionin e saj.

Por, ana tjetër e medaljes tregon një injektim masiv të koshiencës civile, ardhur kjo, sidomos në momente krizash. Kjo koshiencë masive, do të sjellë të ashtuquajturën demokraci gjithëpërfshirëse. Kjo, shpesh, etiketohet “demokraci e masave”, duke marrë sigurisht konotacion negativ, pasi është e mbartur si koncept nga regjimi komuniste, që e degradoi, apo e shpërdoroi atë si koncept, deri në neveri. Gjithëpërfshirjen tentojnë sot, ta konsiderojnë populizëm, por në fakt është thelbi i formës klasike të demos-kracisë. Me këtë koncept, historikisht kanë abuzuar për të marrë pushtetin. Dhe kjo sigurisht, që tingëllon frikshëm në shoqëritë demokratike, pasi u imponuan.

Aktualisht zëri i padëgjuar dhe i papërfaqësuar (kjo e konstatuar në zgjedhjet e fundit parlamentare të BE-së) është afërsisht 50%, që tregon përqindjen e lartë të tyre. Dhe kjo përqindje e elektoratit, e papërfshirë në pushtet (mazhorancat), apo kandidatët për pushtet (opozitat), po rritet në Bashkimin Evropian. Ndihet i nevojshëm edhe një zë i tretë, që të përfaqësojë grupimin e tretë, këtë pjesë të heshtur të elektoratit. Kjo është një hapësirë e rëndësishme, ku mundet shumë mirë të operojë shoqëria civile. Ndërkohë, është hapësira e elektoratit, që mund të ofrojë më së shumti ide reale, funksionale, pa ideologji. Duke qenë të papërfshirë në interesa të ngushtë politikë, kanë probabilitet më të lartë për alternativa konkrete, funksionale për të gjithë komunitetin. Është ky grupim i tretë, që do krijojnë mundësi për një mendim më të zgjeruar, sigurisht edhe në bërje dhe zhbërje grupimesh. Duke studjuar tendencat, mund të arsyetosh që në një të ardhme, jo shumë të largët, ky grupim do të shndërrohet në dominante. Për momentin, pakënaqësitë kanë tejkaluar në ekstremet e djathta, apo të majta, me një indiferentizëm të këtij grupimi të papërfshirë. Përfshirja e kësaj pjese të elektoratit do të rrisë shancet për ndryshime reale dhe jo demagogjike, larg interesave për pushtet.

Ndërgjegjësimi masiv ndodh edhe pa kriza ekonomike, ndërsa kriza ekonomike, patjetër që reflekton një zemërim masiv, që domosdoshëmrisht sjell ndërgjegjësim masiv. Sot ajo që mundëson edhe më shumë këto ndërgjegjësime masive janë format online. Asambletë popullore të antikitetit, shumë mirë mund të merrnin jetësim, nëpërmjet formave të reja teknologjike, që në kohë reale lidhin të gjithë cepat e botës, duke e globalizuar ndërgjegjen. Kjo teknologji nuk do të mundësojë vetëm ndërgjegjësim masiv, por edhe ndërgjegjësim global. Sot, falë teknologjisë online, ne na mundësohen format arkaike, apo klasike të ardhura në formë moderne.

 

E ardhmja do të tentojë formatet online globalizëm (për probleme që i përkasin gjithë globit), online europianizëm apo online ballkanizëm. Këto forma po e ndërgjegjësojnë elektoratin për forcën e tyre pjesëmarrëse, në kohë reale. E ardhmja i përket pjesëmarrjes së të gjithëve, për gjithçka. Ndërkohë që këto forma online, njëkohësisht po i japin forcë dhe pavarësi individit ,që është pjesë shumë e rëndësishme e demokracisë. Në këtë mënyrë, formëzohet në një harmoni perfekte forca e grupit me forcën e individit të dy elemente të domosdoshëm në demos-kraci. Referendumet online, do të jenë e ardhmja dhe krijimi i mundësisë për gjithëpërfshirje, larg ekipeve të mbyllura. Nëse kërkojmë ndryshime drastike, rrënjësore, rruga është gjithëpërfshirja.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency