Margaret Makmillan
Cilat ishin idetë që solli presidenti amerikan në Evropë? Cili ishte parimi amerikan i qeverisjes, i pohuar nga presidenti amerikan në Konferencën e Paqes? Në konceptet e presidentit amerikan për kombet në Evropë vërtitej pyetja se si do t’u ndahej popujve territori, kur vijat ndarëse midis kombeve ishin aq të paqarta?
Uillsoni e kalonte pjesën më të madhe të kohës në takime me ekspertë mbi çështje që i kishte për zemër: nevojën për të gjetur një rrugë të re për administrimin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Margaret Makmillan ndalet, në librin e saj historik “Paris, 1919, gjashtë muaj që ndryshuan botën”, në konceptet e vetëqeverisjes së kombeve, një ide e hedhur nga presidenti amerikan Uillson. Pse Evropa kishte përfunduar në rrëpirat e luftës?
Cili ishte qëndrimi i amerikanëve ndaj Evropës? Uillson po i kundërpërgjigjej alternativës së shpallur nga bolshevikët rusë se revolucioni do të sillte një botë, ku konfliktet nuk do të ekzistonin më.
“Amerikanët synonin t’i shihnin vlerat e tyre si vlera universale dhe qeverinë e shoqërinë e tyre si model për të tjerët. Shtetet e Bashkuara, në fund të fundit, ishin themeluar nga ata që donin të linin prapa një botë të vjetër dhe revolucioni në të ishte pjesërisht për të krijuar një të re. Demokracia amerikane, Kushtetuta amerikane, e madje edhe mënyra amerikane e të bërit biznes ishin shembuj që të tjerët duhet t’i ndiqnin për të mirën e tyre”, shkruan Makmillan. Në Konferencën e Paqes, Uillson u cilësua si një misionar për të shpëtuar evropianët paganë, me anë të “predikimeve të vogla” mbushur plot vërejtje tepër të dukshme.
Në atë takim në Xhorxh Uashington, Uillsoni foli shkurt edhe për vështirësitë që kishin përpara me daljen në skenë të kombeve nga rrënojat e Evropës Qendrore: Polonia, Çekosllovakia, Jugosllavia e shumë të tjera. Ato mund të kishin çfarëdo lloj qeverisjeje që donin, por duhet të përfshinin në shtetet e tyre të reja vetëm ata që e dëshironin këtë. “Kriteri do të ishte jo ata që janë udhëheqës intelektualë, shoqërorë apo ekonomikë, por ata të cilët përbëjnë masën e popullit – mbajti shënim një pjesëmarrës në këtë audiencë. – Duhet të ketë liri dhe ky është lloji i qeverisjes që ata duan”.
Nga të gjitha idetë që Uillsoni solli në Evropë, koncepti i vetëvendosjes ishte dhe ka mbetur ndër më të kundërshtuarit dhe më të errëtit. Gjatë Konferencës së Paqes, shefi i misionit amerikan në Vjenë i bëri disa herë pyetje Parisit dhe Uashingtonit për të shpjeguar këtë term. Kurrë nuk iu dha përgjigje. Nuk ka qenë asnjëherë e lehtë të përcaktohet se çfarë kishte ndërmend Uillsoni. “Zhvillim autonom”, “e drejta e atyre që i nënshtrohen autoritetit për të pasur një zë në qeveritë e tyre”, “të drejtat dhe liritë e kombeve të vogla”, një botë e sigurt “për çdo komb liridashës, që ashtu si i yni, dëshiron të bëjë jetën e vet, të vendosë për institucionet e veta”: -këto fraza të Shtëpisë së Bardhë i kishin dhënë një frymëzim popujve anekënd botës. Po ku u katandisën ato? A nënkuptonte Uillsoni vetëm zgjerim të vetëqeverisjes demokratike, siç u kuptua ndonjëherë? Vërtet desh të thoshte se çdo popull që e quante veten komb duhej të kishte shtetin e tij? Në një deklaratë që ai shkroi, por që nuk e përdori kurrë, për të bindur amerikanët që të mbështesnin zgjidhjet e paqes, ai pohoi: “Ne tani themi se të gjithë popujt kanë të drejtë të jetojnë jetën e tyre dhe të kenë qeveri të zgjedhura prej vetë atyre. Ky është parimi amerikan”. Megjithatë, ai nuk kishte simpati për nacionalistët irlandezë dhe luftën e tyre për çlirim nga sundimi britanik. Gjatë Konferencës së Paqes ai nguli këmbë se çështja irlandeze ishte një çështje e brendshme e britanikëve. Kur një delegacion irlandezësh nacionalistë i kërkuan mbështetje, ai u ndje, siç i kish thënë këshilltarit të tij ligjor, sikur t’u kishte thënë të shkonin në djall. Pikëpamja e tij ishte se irlandezët jetonin në një vend demokratik dhe mund ta zgjidhnin këtë çështje me mjete demokratike.
Sa më shumë të shqyrtohet koncepti i Uillsonit për vetëvendosje, aq më shumë vështirësi dalin. Lensingu pyeti veten: “Kur presidenti flet për vetëvendosjen çfarë njësie ka ai në mendje? Ka në mendje një racë, hapësirë territoriale apo bashkësi?” Kishte qenë një fatkeqësi, mendoi Lensingu, që Uillsonit i kishte ardhur ndërmend kjo frazë. “Kjo do të zgjojë shpresa që nuk mund të realizohen kurrë. Kam frikë se kjo do të kushtojë mijëra jetë njerëzish. Më në fund, ajo veçse do të diskreditohet, do të quhet ëndërr e një idealisti që nuk arriti të kuptojë rrezikun deri në atë kohë që u bë tepër vonë për të mbajtur nën kontroll ata që u orvatën ta vënë atë në jetë”. Çfarë e ngjiz një komb? – pyeste Lensingu. – Nënshtetësia e përbashkët, si në Shtetet e Bashkuara, apo një etnicitet i përbashkët si në Irlandë? Nëse një komb nuk vetëqeverisej, a duhej ta kishte ai këtë? Dhe në këtë rast, në ç’masë vetëqeverisja do të ishte e mjaftueshme? A mundet një komb, i përkufizuar në çfarëdolloj mënyre, të ekzistojë i kënaqur brenda një shteti më të gjerë shumëkombësh? Disa herë Uillsoni dukej se mendonte kështu. Para së gjithash, ai ishte nga një vend që strehonte kombësi shumë të ndryshme dhe që kishte kaluar një luftë të hidhur, të cilën ai e mbante mend mirë.
Fillimisht, ai nuk donte të shpërbënte perandoritë e mëdha shumëkombëshe si Austro-Hungaria dhe Rusia. Në shkurt të vitit 1918, ai i tha Kongresit se aspiratat kombëtare “të mirëpërcaktuara” duhej të përmbusheshin, megjithatë, pa “shfaqje të re të elementëve të vjetër apo të përjetshëm të shthurjes dhe mospajtimit që, me kalimin e kohës, kishte gjasa të prishnin paqen e Evropës dhe si rrjedhojë të botës”.
Kjo çoi në një varg tjetër pyetjesh. Çfarë ishte nacionalizmi “i mirëpërcaktuar”? Ai polak? Ky ishte një syresh i qartë. Po ai ukrainas? Apo sllovak? Po çfarë ishin nënndarjet? Katolikët e Ukrainës, për shembull, apo polakët protestantë? Mundësitë për marrjen nëpër këmbë të popujve nuk kishin të sosur, veçanërisht në Evropën Qendrore, ku historia kishte lënë pas një përzierje të larmishme religjionesh, gjuhësh dhe kulturash. Pothuajse gjysma e popullsisë që jetonte atje mund të llogaritej si anëtare e njërit apo tjetrit minoritet kombëtar. Si do t’u ndahej popujve territori, kur vijat ndarëse midis kombeve ishin aq të paqarta?
Një zgjidhje ishte që kjo punë t’u lihej ekspertëve. Ata le të studionin historinë, të mblidhnin statistika dhe të këshilloheshin me vendasit përkatës. Një zgjidhje tjetër, në dukje më demokratike, që kishte pluskuar rreth e qark në marrëdhëniet ndërkombëtare qysh prej kohës së Revolucionit francez, ishte që vendasve përkatës t’u jepej një rrugëzgjidhje me anë të referendumit, nëpërmjet votës së fshehtë, të administruar nga një staf ndërkombëtar. Vetë Uillsoni nuk duket se ka marrë përsipër që vetëvendosja të përfshinte referendumet, por shumë të tjerë në vitin 1918 e pranonin këtë. Kush do të votonte? Vetëm burrat, apo edhe gratë? Vetëm banorët, apo kushdo që kishte lindur në lokalitetin e diskutueshëm? (Francezët e kundërshtuan prerazi idenë e referendumit për provincat e tyre të humbura të Alsazës dhe Lorenës, duke argumentuar se vota nuk do të ishte e ndershme pasi Gjermania kishte përzënë frankofolësit, duke futur aty gjermanë.) Dhe si i bëhej më tej kësaj pune, kur vendasit përkatës nuk dinin se cilit komb i përkisnin? Në vitin 1920, kur një gjurmues i huaj pyeti ndonjë fshatar në Bjellorusi, në kufirin ku ishin përzierë rusë, polakë, lituanezë, bjellorusë dhe ukrainas, e vetmja përgjigje që mori ishte: “Jam katolik i këtyre anëve”. Ç’do bëni ju, pyetën ekspertët amerikanë në Karintia në Alpet e Austrisë, kur të keni të bëni me njerëz “që nuk duan t’i bashkohen kombit të një gjaku, ose të tjerë që janë krejtësisht shpërfillës ndaj të gjitha çështjeve kombëtare?”
Në fund të vitit 1919, një Uillson i zbutur i tha Kongresit: “Kur unë i shqiptova ato fjalë (që të gjitha kombet kishin të drejtën e vetëvendosjes), e bëra këtë pa pasur dijeni se ekzistonin kombësitë, që po na shfaqen dita-ditës”. Ai nuk ishte përgjegjës për përhapjen e lëvizjeve kombëtare në kërkim të shteteve të tyre – gjë e cila zhvillohej qysh nga fundi i shekullit të tetëmbëdhjetë – por, siç i thotë Sidnit Sonino, ministri i Jashtëm italian: “Lufta padyshim kishte sjellë si pasojë mbi-nxitjen e ndjenjës së kombësisë…. Mbase Amerika e ndihmoi atë duke i vendosur parimet kaq qartë”.
Uillsoni e kalonte pjesën më të madhe të kohës në takime me ekspertë mbi çështje që i kishte për zemër: nevojën për të gjetur një rrugë të re për administrimin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Kjo nuk e befasoi audiencën e tij. Ai i përvijoi idetë e tij në Katërmbëdhjetë Pikat e famshme të janarit 1918 dhe në fjalimet që pasuan. Ekuilibri i forcës, i tha ai Kongresit amerikan në fjalimin mbi Katër Parimet e tij në shkurt 1918, ishte diskredituar njëherë e përgjithmonë si rruga e paqes. Nuk do të kishte më diplomaci të fshehtë të llojit që e kishte çuar Evropën në marrëveshje të përllogaritura, premtime të nxituara dhe aleanca të ndërlikuara, e pastaj në rrëpirën e luftës. Marrëveshjet e luftës nuk duhet të lënë shteg të hapur për luftëra në të ardhmen. Nuk duhet të ketë hakmarrje, pretendime të padrejta dhe gjoba tepër të mëdha, dëmshpërblime, që humbësit duhet t’u paguajnë fituesve. Pikërisht ky kishte qenë gabimi kur Prusia mundi Francën në vitin 1870. Francezët nuk e kishin falur kurrë Gjermaninë për shumën e parave të paguara dhe humbjen e Alsazë-Lorenës. Vetë lufta duhet të bëhet më e vështirë. Duhet të bëhen kontrolle mbi armatimet, madje edhe çarmatim i përgjithshëm. Anijet duhet të lundrojnë lirshëm në të gjitha detet e botës. (Kjo do të thoshte, siç e dinin më së miri britanikët, fundi i armës së tyre tradicionale të mbylljes së ekonomisë së armikut, duke bllokuar portet e tyre dhe duke zaptuar flotën e tij; kjo kishte përmbysur Napoleonin dhe, për mendimin e tyre, kjo përshpejtoi fitoren e aleatëve ndaj Gjermanisë). Barrierat tregtare duhet të ulen në mënyrë që kombet e botës të bëhen më të ndërvarur.
Në qendër të vizionit të Uillsonit ishte Lidhja e Kombeve që do të ofronte sigurinë kolektive, e cila, në një shoqëri civile të miradministruar, ofrohej nga qeveria, ligjet, gjykatat dhe policia. “Sistemi i vjetër i fuqive, ekuilibri i forcave, kishte dështuar mjaft shpesh” – thuhet në shënimet e një eksperti nga fjalimi i presidentit. Lidhja do të kishte një këshill që do të “ndërmjetësonte” në rast mospajtimesh. “Nëse përfundon pa sukses, kombi fajtor përjashtohet. – Dhe të përjashtuarit tani nuk janë më popullorë”. (27)
Vizioni i Uillsonit kishte një karakter liberal dhe kristian. Ai kundërshtonte pikëpamjen se rruga më e mirë për të ruajtur paqen ishte ekuilibri i kombeve kundrejt njëri-tjetrit, me anë të aleancave kur e lypte nevoja, dhe se forca, dhe jo siguria kolektive, ishte rruga për të zmbrapsur sulmin. Uillsoni po i kundërpërgjigjej alternativës së shpallur nga bolshevikët rusë se revolucioni do të sillte një botë, ku konfliktet nuk do të ekzistonin më. Ai kishte besim në kombet e ndara dhe në demokracinë, si forma më e mirë e qeverisjes dhe si një forcë e së mirës në botë. Kur qeveritë do të zgjidheshin nga popujt e tyre, në të vërtetë nuk do mund të luftonin njëra-tjetrën. “Këto janë parimet amerikane – i tha ai Senatit më 1917. – Dhe ne nuk mund të mbështesim të tjera parime. Ato janë edhe parime e politika për të gjithë burrat dhe gratë kudo qofshin që shohin përpara, për çdo komb modern, për çdo bashkësi të arsimuar. Ato janë parime të botës njerëzore dhe ato duhet të triumfojnë”. Ai mendoi se po fliste për natyrën njerëzore. Amerikanët synonin t’i shihnin vlerat e tyre si vlera universale dhe qeverinë e shoqërinë e tyre si model për të tjerët. Shtetet e Bashkuara, në fund të fundit, ishin themeluar nga ata që donin të linin prapa një botë të vjetër dhe revolucioni në të ishte pjesërisht për të krijuar një të re. Demokracia amerikane, Kushtetuta amerikane, e madje edhe mënyra amerikane e të bërit biznes, ishin shembuj që të tjerët duhet t’i ndiqnin për të mirën e tyre. Siç tha një djalosh amerikan në Paris: “Para se t’i japim zgjidhje me shokët këtu, ne do t’i mësojmë ata se si t’i bëjnë gjërat dhe se si t’i bëjnë ato shpejt”.
Amerikanët kishin një qëndrim të ndërlikuar ndaj evropianëve: një përzierje admirimi për arritjet e tyre në të kaluarën, një bindje se aleatët do të kishin humbur pa Shtetet e Bashkuara dhe një dyshim se, po të mos ishin të kujdesshëm amerikanët, evropianët dinakë do t’i fusnin prapë në kurthin e tyre. Gjatë përgatitjeve për Konferencën e Paqes, delegatët amerikanë dyshonin se francezët dhe britanikët kishin filluar tashmë përgatitjen e grackave të tyre. Ndoshta oferta për një koloni, ose protektorat mbi Armeninë apo Palestinën, do t’i joshte amerikanët dhe papritur do të bëhej tepër vonë. Amerikanët do ta shihnin veten të zhytur në zift dhe evropianët do t’i kundronin me kënaqësi.
Përjashtueshmëria amerikane ka pasur gjithnjë dy pamje: në njërën anë të ethshëm për të vënë të drejtat në botë dhe në tjetrën, të gatshëm për të kthyer shpinën me përbuzje, nëse mesazhi i tyre nuk merrej parasysh. Marrëveshja e paqes, u tha Uillsoni bashkudhëtarëve të tij, duhet të bazohet në parimet e reja: “Nëse puna nuk ecën mbarë, për botën ka ardhur kiameti”. Ai vetë, duke shtuar me një ton gjysmë-gazmor, do të shkonte diku “për të fshehur kokën, mbase në Guam”. Besimi në përjashtueshmërinë e vet i ka shtyrë amerikanët në disa broçkulla, në një prirje për të predikuar mbi kombet e tjera më tepër sesa t’i dëgjojnë ata, një anësim për të pranuar se motivet amerikane janë të pastra, ndërsa ata të të tjerëve jo. Dhe Uillsoni ishte tepër amerikan. Ai erdhi në Konferencën e Paqes – ka thënë Llojd Xhorxhi – si një misionar për të shpëtuar evropianët paganë, me anë të “predikimeve të vogla” mbushur plot vërejtje tepër të dukshme.
Ishte e lehtë të tallje Uillsonin dhe shumë e bënin këtë. Është gjithashtu e lehtë të harrosh se sa të rëndësishme ishin parimet e tij në vitin 1919 dhe se si shumë njerëz, jo vetëm në Shtetet e Bashkuara, donin të besonin në ëndrrën e tij të madhe për një botë më të mirë. Në fund të fundit, ata kishin një pikë referimi në rrënojën e lënë nga Lufta e Madhe. Uillsoni mbajti gjallë shpresën se shoqëria njerëzore, pavarësisht nga dukshmëria, po përmirësohej, se popujt një ditë do të jetonin në harmoni. Në vitin 1919, para se të vinte zhgënjimi, bota ishte më shumë se e gatshme që ta dëgjonte atë.
Ajo çfarë thoshte Uillsoni ishte në njëzëshmëri, jo vetëm me liberalët apo pacifistët, por edhe me elitën politike e diplomatike evropiane. Sër Meuris Henki, sekretar në Kabinetin e Luftës në Britani dhe më vonë në Konferencën e Paqes, mbante gjithnjë një kopje të Katërmbëdhjetë Pikave në dosjen ku mbante materiale vendimtare referimi. Ato ishin – u shpreh ai – “background moral”. Në Evropë kishte sheshe, rrugë, stacione treni dhe parqe që mbanin emrin e Uillsonit. Parullat nëpër mure kërkonin “Ne duam një paqe uillsoniane”. Në Itali, ushtarët binin në gjunjë para fotografisë së tij; në Francë, gazeta e së majtës L’Humanité nxori një botim të posaçëm, ku mendjet më të ndritura të së majtës franceze konkurronin njëri-tjetrin në lavdet për emrin e Uillsonit. Udhëheqësit e revoltës arabe në shkretëtirë, nacionalistët polakë në Varshavë, rebelët në ishujt e Greqisë, studentët në Pekin, koreanët që po përpiqeshin të hiqnin qafe kontrollin e Japonisë, – të gjithë gjenin frymëzim në Katërmbëdhjetë Pikat. Për vetë Uillsonin kjo ishte përtëritëse, por edhe tmerruese. “Dua të di – i tha ai Xhorxh Krilit, shefit të tij të përkryer të propagandës, i cili ishte në bordin e Xhorxh Uashingtonit – mos pa dashje më keni thurur një rrjetë, nga e cila nuk ka shpëtim”. E gjithë bota po kthehej nga Shtetet e Bashkuara – vazhdoi ai – por që të dy e dinin se probleme kaq të mëdha nuk mund të rregulloheshin menjëherë. “Më duket se do të shoh – shpresoj me gjithë zemër të jem i gabuar – tragjedinë e dëshpërimit”.
Xhorxh Uashingtoni arriti në portin francez të Brestit më 13 dhjetor 1918. Lufta kishte marrë fund para një muaji. Teksa presidenti po qëndronte mbi urën e anijes, anija e tij rrëshqiti dalëngadalë ndërmjet avenysë së madhe të anijeve luftarake të flotës britanike, franceze dhe amerikane. Për herë të parë pas ditësh të tëra, dielli po shkëlqente. Rrugët qenë mbushur me kurora festive dhe flamuj. Nëpër mure, pllakatet i bënin nderime Uillsonit, si nga e djathta për t’i shpëtuar ata nga Gjermania, ashtu edhe nga e majta për botën e re që ai kishte premtuar. Turma të mëdha njerëzish, stolisur me kostume tradicionale bretone, kishin mbuluar çdo pëllëmbë të trotuarit, çdo pullaz e çdo pemë. Madje, edhe shtyllat e korrentit qenë zënë. Gjithandej buçitnin gajdet bretone dhe thirrjet e përsëritura “Vive l’Amérique! Vive Uillson!”. Ministri i Jashtëm francez, Stefen Pishon, i uroi mirëseardhjen duke i thënë: “Ne jemi tepër mirënjohës që keni ardhur të na sillni paqen e drejtë”. Uillsoni ia priti me një përgjigje të paanshme dhe delegacioni amerikan zuri vend në trenin e natës për në Paris. Në orën tre të mëngjesit, doktori i Uillsonit hodhi vështrimin diku jashtë dritares së kupesë. “Nuk pashë vetëm burra dhe gra, por edhe fëmijë të vegjël, që po qëndronin me kokën zbuluar për të përshëndetur kalimin e trenit të posaçëm”.
Pritja e Uillsonit në Paris qe një triumf i madh, me turma madhështore: “demonstrimi më i madh i entuziazmit dhe dashurisë nga ana e parisienëve që më kanë zënë veshët ndonjëherë, pa le ta shoh” – ka thënë një amerikan që jetonte në Paris. Treni i tij u zhargit në stacionin e Luksemburgut, ku valëviteshin banderola dhe flamuj, mbushur plot e përplot me pirgje lulesh. Klemansoi, kryeministri francez, ishte atje bashkë me qeverinë e tij dhe kundërshtarin e tij për shumë kohë, presidentin Rajmond Puankare. Në kohën që armët buçitën në të gjithë Parisin, në shenjë lajmërimi për mbërritjen e Uillsonit, turmat filluan të ngjisheshin me ushtarët që kishin rrethuar rrugën. Presidenti dhe bashkëshortja e tij kaluan në një automobil të hapur nga Pallati i Konkordit, drejt Shamps-Elizesë për të përfunduar në rezidencën e tyre, nën kumbimin e përshëndetjeve të zjarrta. Atë natë, gjatë një darke të qetë familjare, Uillsoni tha se ishte tepër i kënaqur nga pritja që i kishin bërë. “Ai kishte vënë re me kujdes qëndrimin e turmës – e përsëriti disa herë në tavolinë – dhe kishte mbetur i kënaqur nga pritja tepër miqësore që i kishin bërë”.