Krimet e Rënda/ Qëlloi me armë policinë në Lazarat, Gate Mahmutaj mohon para Gjykatës

0
135

Sonila Mesareja

 gate mahmutajDëshmia: Nuk kam qëlluar mbi policët, isha i pafajshëm dhe ndaj u dorëzova

 Aliko e Boçi: Kemi prova që nuk ishim në Lazarat ditën për të cilën akuzohemi

 Vendimi, Gjykata lë në burg tre të akuzuarit për kultivim hashashi dhe tentativë vrasjeje të policëve

Razip Mahmutaj, i njohur ndryshme edhe me emrin Gate Mahmutaj, së bashku me dy lazaratas të tjerë janë sjellë dje para Gjykatës së Krimeve të Rënda për t’u njohur me akuzat që rëndojnë mbi ta. I pari është sjellë në sallë Gate Mahmutaj, personi në banesën dhe kapanonin e të cilit u gjetën disa ton hashash. Para gjykatës, edhe pse pretendoi për probleme me dëgjimin, ai nuk pranoi akuzën duke deklaruar se është i pafajshëm. Ai deklaroi para gjyqtarit Gurali Brahimllari se policia e ka ngatërruar dhe se Gate Mahmutaj nuk ishte personi që kishte personi që kishte qëlluar me armë kundër uniformave blu duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre. Më pas, me akuzën dhe masat e gjykatës janë njohur edhe Emiljano Aliko dhe Matias Boçi, të cilët ashtu si Mahmutaj mbajtën qëndrim mohuar ndaj akuzave të dy prokurorëve, Anton Martini dhe Përparim Kulluri.

 

Dëshmia

Në dëshminë dhënë para gjyqtarit Gurali Brahimllari, Gate Mahumtaj deklaroi se “sapo më doli emri në televizor, mendova të dorëzohesha në polici, por kisha frikë se do më vrisnin. Por pasi mora garanci se nuk do më qëllonin, u dorëzova në polici për të sqaruar pozitën time. Unë i pashë edhe veprimet e policisë në kapanonin tim, por sërish nuk qëllova në drejtim të policisë”. Gatja u shpreh se edhe armët e sekuestruara nuk janë gjetur në banesën e tij, apo objektet në pronësi të tij. Ndërkohë që avokati i tij Petrit Serjani, i kërkoi gjykatës lirimin e klientit të tij, me pretendimin se nuk prokuroria nuk i provon dot akuzat e ngritura ndaj Mahmutaj. Më pas, qëndrim mohues për akuzat mbajtën edhe Emiljano Aliko dhe Matias Boçi, të cilët pretenduan se nuk ishin në Lazarat në momentin kur po qëllohej me armë në drejtim të policisë. Me ndihmën e avokatit Baftjar Rusi, të akuzuarit dorëzuan disa pamje filmike të një servisi në autostradën Tiranë-Durrës, ku ata dukeshin rreth orës 11:30 minuta. Sipas tyre, në këtë kohë policia pretendonte se ata ndodheshin në Lazarat, duke qëlluar me armë. Përveç pamjeve, ata kërkuan administrimin si provë edhe te disa fotove të momentit të dorëzimit në Komisariatin e Rrogozhinës. Pavarësisht këtyre pretendimeve, Gjykata e Krimeve të Rënda, vendosi izolimin në qeli të tre të dyshuarve, duke caktuar ndaj tyre masën e sigurisë “Arrest me burg“ deri në përfundim të hetimeve.

 

Akuza

Para togave të zeza, prokurori lexoi dje para gjykatës kronologjinë e ngjarjeve, duke renditur disa prova materiale, si kapanonin e mbushur me hashash, armët e municionet e gjetura, si dhe provën shkencore, për mbetjet e barutit në duart e të akuzuarit. Gjithashtu, prokurori tha se akuza ka siguruar edhe disa përgjime, ku provohet që Razip Mahmutaj ka qëlluar për 48 orë, së bashku me djalin, për të mos lejuar policinë të afrohet në pronat e tyre. Mbi Gate Mahmutajn rëndojnë dy akuza, ajo për tentativë vrasje të punonjësve të policisë dhe kultivim të lëndëve narkotike, ndërsa Matias Boci dhe Emiliano Aliko akuzohen vetëm për tentativë vrasje ndaj policëve. Ndërkaq, Mahmutaj, Aliko dhe Boci janë shprehur se do të apelojnë masën e kërkuar nga prokuroria dhe e caktuar më pas nga gjyqtari i Krimeve të Rënda. Dje gjykata caktoi masat vetëm për 3 nga 14 të arrestuarit për ngjarjet e Lazaratit, pasi akuzohen se qëlluan me armë në drejtim të efektivëve të policisë gjatë operacionit në Lazarat. Sipas burimeve, bëhet me dije se masat e arrestit për personat e tjerë të arrestuar do të jepen nga Gjykata e Gjirokastrës, ndërkohë që sot pritet të zhvillohet masa për djalin e Gate Mahmutajt, Vandamin. Edhe ky i fundit akuzohet se së bashku me të atin kanë qëlluar me armë zjarri drejt policisë, duke rrezikuar jetët e tyre.

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency