Përplasje në kuvend/ Berisha përjashtohet 10 ditë, cfarë ndodhi pas replikës mes Ramës dhe Veliajt

0
142

Florenc Drizari

berisha (1) Berisha: Një burrë që ia quajnë të shoqen kurvë dhe prostitutë dhe s’flet një fjalë

 Meta: Ndërpritet seanca, zoti Berisha të tërheq vëmendjen. Mblidhet Byroja e Kuvendit

Byroja e Kuvendit të Shqipërisë vendosi dje përjashtimin me 10 ditë nga jeta parlamentare ish-kryeministrin Sali Berisha. Pas shkëmbimit të replikave mes Berishës dhe ministrit për Çështjet Sociale, Erion Veliaj, lidhur me aksionin e policisë në Lazarat, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, ndërpreu seancën, duke kërkuar mbledhjen e Byrosë së Kuvendit. Pas këtij qëndrimi deputetët e pozitës dhe të opozitës vijuan akuzat mes tyre, ndërkohë që media u largua nga salla e Kuvendit për 15 minutat pushim që kërkoi Kryetari Ilir Meta. Kjo kohë u shfrytëzua nga mazhoranca për të mbledhur Byronë e Kuvendit. Nën drejtimin e Kryeparlamentarit Meta dhe krerëve të grupeve parlamentare, Byroja vendosi përjashtimin e Berishës me 10 ditë kohë nga aktivitetet parlamentare, duke përfshirë seancat plenare dhe mbledhjet e komisioneve të përhershme, paçka se ish-kryeministri Berisha gjatë kohës së qeverisjes së majtë nuk ka marrë asnjëherë pjesë në mbledhjet e komisioneve.

 

Meta
Kryeparlamentari Ilir Meta, pas një pushimi të shkurtër, theksoi: “Nërprerjen e seancës e kërkoi pasi ajo “rrezikonte të degradonte përfundimisht dhe pas fyerjeve krejtësisht të papranueshme që deputeti Berisha përdori edhe me kërkesën e kryetarëve të grupeve parlamentare të PS dhe LSI-së dhe me iniciativën time si drejtues i seancës kërkova mbledhjen e Byrosë së Kuvendit për të mbajtur një qëndrim”. Meta tha se Byroja në përputhje me nenin 65, pika 2, kur deputeti fyen deputetët e tjerë, anëtarët e Këshillit të Ministrave, ndalohet të marrë pjesë në seanca plenare dhe në Komisione deri në 10 ditë. “Bazuar edhe në këtë përcaktim të rregullores, Byroja pasi u ndal tek ky moment vendosi, pa marrë miratimin e dy anëtarëve të PD-së, Spaho dhe Shehu, që deputeti Zoti Sali Berisha për shkak të fyerjeve dhe të sjelljes së tij të ndalohet të marrë pjesë në seanca plenare dhe në mbledhje komisioni deri në 10 ditë, duke filluar nga sot (dje)”, -deklaroi Meta. Në fjalën e tij Meta ftoi deputetët dhe anëtarët e Këshillit të Ministrave që nuk janë më deputetë, që të jenë sa më të përmbajtur në shprehjen e qëndrimeve dhe opinioneve të tyre dhe mos të kalojnë në fyerje personale.

 

Replikat Berisha-Veliaj

Gjatë kohës kur ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, Kryeministrin Rama dhe ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri për aksionin e policisë në Lazarat, pati ndërhyrje jashtë mikrofonit edhe nga ministri i Rinisë dhe i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj. Në replikë me përfaqësuesin e ekzekutivit, Berisha theksoi shprehimisht: “Një burrë që ia quajnë të shoqen kurvë dhe prostitutë dhe s’flet një fjalë, ky është”. Kjo deklaratë bëri që të ndërhynte Kryeparlamentari Ilir Meta, duke kërkuar ndërprerjen e seancës dhe mbledhjen e Byrosë së Kuvendit. Ndërkaq, edhe pas vendimit të Byrosë së Kuvendit, deputetët e opozitës kundërshtuan vendimin, duke akuzuar Kryeparlamentarin Ilir Meta dhe Kryeministrin Edi Rama. Pas një fjalimi të shkurtër të mbajtur nga kreu i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka, përfaqësuesit e së djathtës dolën nga salla, duke thënë se nuk mund të qëndrojnë më në një seancë të tillë.

Reagon ministri Veliaj: Jam krenar për gruan e familjen time

 Pak pas akuzave që ish-kryeministri Berisha bëri në sallën e Kuvendit, reagoi edhe ministri për Rininë dhe Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj. Sipas Veliajt, akuzat e Berishës janë shpifje të ulëta. “Ka qenë taksirati i shqiptarëve që të dëgjojnë të tilla banalitete. Ne nuk do zhgërryhemi në këtë baltë. Është e rëndësishme të shohim dhe kujtojmë se pse degjeneroj ky debat. Unë jam deputet i Gjirokastër, dhe nuk më vjen mirë që bizneset atje mos të jene shumë të kënaqur”, – kështu është shprehur për mediat Veliaj. Ai shtoi më tej se akuzat e Berishës për një debat gjatë një darke të shtruar në nder të violinistit Tedi Papavrami, nuk janë të vërteta. “Kemi pasur një darkë nderi në darkën kushtuar Tedi Papavramit, asgjë nuk është e vërtetë, pasi kjo gjë verifikohet lehtë. Jam krenar për Ajolën. Jam krenar dhe për nënë time. Me familjet e të tjerëve nuk merren kurrë, as sa herë janë martuar, pasurinë, dhe refuzojë të behëm pjesë e një kulture që të merrem me gratë e të terjeve. Kultura e të futurit të tij poshtë çdo vrimë çelësi, çdo krevati, është diçka e keqe për të. Për Salën është ditë e sikletshme, Zoti ia shtoftë jetën që të bëhet palaço të na shohë edhe neve. Nuk u bë kurrë fisnik. Dhe s’diti të bëhet kurrë njeri i civilizuar”, – tha më tej Erion Veliaj.

 

 Fyerje dhe replika në Kuvend/ Debatet që çuan në ndërprerjen e seancës dhe dënimin e Berishës

 Balla: A ka biseduar Sali Berisha pak minuta në telefon para dorëzimit me Gate Mahmutajn? Të japë përgjigje për këtë çështje? Si shpjegohet që në shumicën e telefonave të të arrestuarve ishte numri i telefonit të Sali Berishës?

Meta: Ju lutem, të hyjmë sa më shpejt në rendin e ditës?
Paloka:
Sa për Lazaratin, PD e ka bërë një deklaratë të sajën dhe kemi dhënë mbështetje të plotë për policinë dhe kujtdo që do të luftojë narkotrafikun, por këtë Kryeministri i quajti mbështetje me kushte. E quajti me kushte se ne kërkuam që ky aksion dhe çdo aksion tjetër kundër narkotrafikut, mos t’i lihet në dorë këtij Kryeministri apo një spurdhjaku që ka për ministër të Brendshëm, që s’di gjë tjetër…
Meta:
Ju lutem kujdes me fjalorin…
Paloka:
Spurdhjak nuk është fjalë e keqe, e dinë se çfarë është spurdhjak.
Balla:
Kreu i grupit parlamentar i PD-së të distancohej nga Gatja dhe përsëri nuk u distancua. Prisja të bënin thirrje për dorëzimin e grupit të zjarrit, por këtë nuk e bënë dhe kaluan nga krahu tjetër e u bënë zëdhënës të grupit të zjarrit, duke sulmuar ministrin e Brendshëm. Le të presim Gate Plakun të vijë, se këtyre këtu u është lagur baruti.
Paloka:
Meqë dashka përgjigje ky zotëria trafikant për lidhjet që paskemi ne me trafikantët. Të them të drejtën, në Lazarat njoh shumë njerëz, por Gaten e dëgjova për herë të parë në deklaratat tuaja. Morët një dhe e ngritët për të thënë që e kapëm dhe e luftuam… kapobandat janë në bllok…
Noka:
Kush është atje që po gjuan kundër policisë? Djali i Luizës. Ku është Spartaku (Braho)? Çfarë të thanë kur shkove në Derviçan? I thanë që djali i Luizës është këtu dhe ka gjuajtur kundër policisë. Nëse nuk është, sille Luiza tek Kuvendi dhe të kërkojmë ndjesë të gjithë si forcë politike.
Rama: Është një moment i rëndësishëm që meriton një vëmendje të veçantë dhe një duartrokitje të veçantë, sepse sapo Parlamenti Holandez ka kaluar mandatin për ministrin e Jashtëm dhe Kryeministrin që t’i thonë “po” statusit për Shqipërinë të vendit kandidat (duartrokitje nga deputetët).
Berisha kërkon fjalën
Meta: Duhet të ketë ndonjë përshëndetje për Parlamentin Holandez.
Berisha: Dua të falënderoj parlamentarët holandezë dhe miqtë e shquar të Shqipërisë, kryetarin e Holandës, Rene Vanderlindën, promotor dhe avokat i shkëlqyer i interesave të shqiptarëve… Asnjë prej bosëve të Lazaratit në listën e kërkimit… Keni këtu dy-tre trafikantë. Si ka mundësi të mos futen në listë bosët e trafikut? Si ka mundësi që përjashtohen nga lista? I përjashton Serezi i Ministrisë. I përjashton kreu i cili në funksion të trafikantëve do të marrë dhe t’i japë Belindës edhe sallonin e vipave se duket nuk bind dot Bushatin për të lejuar trafikantët. Mbështes çdo përpjekje, por ju jeni trafikantë, nuk luftoni dot trafiqet.
Braçe: Çfarë trafiqesh mor, çfarë trafiqesh?
Berisha: Mbroni interesat personale. A thatë këtu se po hiqni lojërat e fatit që t’i marrë kreu i ekzekutivit me dhelprën e tij. I kujt është eurofili? I kujt është?
Berisha: Kërkoj me urgjencë të hiqen njësitë nga Derviçani.
Braçe: Pse kështu?
Berisha: Sepse ajo është një zonë intensive biznesi, një zonë minoritare dhe nuk ka nevojë për asnjë lloj presioni.
Meta: Ju lutem qetësi deputetëve! Zoti Berisha, ju lutem ju e dhatë qëndrimin tuaj.
Berisha: Keni mbushur kishën e Derviçanit me qindra e qindra policë. Ngrini çadrat zotëri!
Braçe: Mos fyej ashtu policinë!
Berisha: Rri mor avokat i drogës! Duhet të ndërpriten urgjentisht të shtënat pa objektiv. Policia ka dhe do të ketë të drejtë t’i kthejë zjarrin me precizion cilitdo që ngre armën ndaj saj dhe ky është qëndrim i palëkundur imi, por është marrëzi që policia e armatosur gjer në dhëmbë shtie me mijëra batare, duke bërë lojën e grupeve kriminale, duke terrorizuar popullatën që të mos bashkëpunojë me të.
Braçe: Po gjuajnë kriminelët e jo policia.
Berisha: Kriminelët shtinë se janë kriminelë, të qëllohet drejt tyre me precizion absolutisht pa asnjë rezervë, por jo batare në ajër, është turp dhe vetëm frikacakët e bëjnë atë.
Ndërhyn ministri Erion Veliaj jashtë mikrofonit…
Meta: Ju lutem të vazhdojmë seancën normalisht!
Berisha: Një burrë që ia quajnë të shoqen kurvë dhe prostitutë dhe s’flet një fjalë, ky është (i drejtohet Veliajt).
Meta: Ndërpritet seanca dhe rifillon pas 15 minutash. Zoti Berisha të tërheq vëmendjen.

Debate jashtë mikrofonit mes deputetëve të PS-PD.
Reagimi për Berishën/ Basha: I papranueshëm përjashtimi, provokim i rëndë. S’do t’i ecë asnjë skenar bllokues ndaj PD-së

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar dje lidhur me vendimin e Byrosë së Kuvendit që përjashtoi me 10 ditë nga pjesëmarrja në seanca në komisione e ato parlamentare deputetin Sali Berisha. Duke e cilësuar këtë vendim si të papranueshëm dhe provokim të rëndë, kryedemokrati theksoi se mazhoranca kërkon të mbyllë gojën e opozitës. “I papranueshëm përjashtimi nga Kuvendi i ish-presidentit dhe ish-kryeministrit të vendit, prof. dr. Sali Berisha. I patolerueshëm zbatimi prej dyshes Rama-Meta i kuteve që ndryshojnë si nata me ditën: kur deputetë-xhandarë të Edi Ramës ushtrojnë dhunë kundër opozitës, justifikohen e lavdërohen prej tyre, kurse lideri historik i Partisë Demokratike, që po mban një peshë të madhe të parlamentarizmit dhe kuptimit të tij dënohet për fjalën e lirë. Nuk përballojnë dot debatin. Nuk kanë fakultetin politik për të duruar pikëpamjen ndryshe, pikëpamjen e kundërt, të vërtetën”, – thuhej në reagim. Më tej, kreu i PD-së theksoi se mazhoranca po kërkon ta kthejë Kuvendin në një stallë propagandistike, ku e duan sipas tij pa opozitën ose që kjo e fundit t’i mbajë ison. “Kjo u lexohet në çdo fjalë, në çdo gjest. Sot kanë provokuar rëndë jo vetëm Partinë Demokratike, por mbarë qytetarët shqiptarë që besojnë në vlerat e parlamentarizmit. Nuk do t’u ecë provokimi. Nuk do t’u ecë hipokrizia.Nuk do t’u ecë asnjë skenar që mund të pengojë Partinë Demokratike dhe grupin e saj parlamentar në misionin e mbrojtjes dhe zhvillimit të demokracisë në Shqipëri”, – përfundoi reagimin e tij, kreu i PD-së, Lulzim Basha.

 

Mbledhja e grupit me dyer të mbyllura/ Diskutimet e demokratëve, vendimi: Bojkot Kuvendit si protestë ndaj përjashtimit të Berishës

Partia Demokratike vendos të bojkotojë Kuvendin, deri në një njoftim të dytë. Vendimi i demokratëve u mor në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar në selinë blu, menjëherë pasi Byroja mori masën e përjashtimit me 10 ditë nga Kuvendi të ish-kryeministrit Sali Berisha. Kreu i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka, deklaroi se vendimi i demokratëve për bojkotimin e seancave parlamentare vjen si shenjë proteste ndaj masës për deputetin Berisha. “Jam këtu për të shpallur vendimin e Partisë Demokratike dhe grupit parlamentar, për bojkot të Kuvendit, deri në një njoftim të dytë, në shenjë proteste ndaj aktit të sotëm të përjashtimit të Sali Berishës. Përjashtimi i Sali Berishës është një akt i dhunshëm i dyshes Rama-Meta, një përpjekje ekstremiste për të eliminuar opozitën parlamentare”, – tha ai, pas mbledhjes me dyer të mbyllura të grupit parlamentar. Mësohet nga burime pranë selisë blu se në këtë mbledhje, të kryesuar nga kreu i PD-së Lulzim Basha, deputetët kanë bërë të ditur kundërshtitë e tyre të prera për masën e marrë nga Kuvendi, duke theksuar se kjo ishte një tentativë për mbylljen e gojës së opozitës. “Kryeministri Rama fyen jashtë çdo përfytyrimi dhe zakoni shqiptar zonjat që janë të pranishme në tryezë. Sali Berisha e denoncoi këtë degjenerim etik dhe moral të Kryeministrit sot (dje) në sallën e Kuvendit dhe për këtë u dënua”, – deklaroi Paloka. Ndërkaq, kreu i grupit parlamentar ka bërë të ditur se ashtu si në këtë rast, edhe në rastet e kaluara, mazhoranca nuk dënon dhunuesin, por të dhunuarin. “Edhe kur dhunohet fizikisht deputeti i Partisë Demokratike, sërish nuk dënohet dhunuesi, por i dhunuari. Rama dhe Meta duhet ta mësojnë edhe një herë sot se nuk do t’ia dalin kurrë të mbyllin gojën e opozitës me akte të tilla të turpshme”, – tha Paloka, duke shtuar se PD do të jetë gjithnjë zëdhënëse e të vërtetave në interesin më të lartë të publikut dhe qytetarëve.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency