Konferenca me gazetarët/ Berisha: Përjashtimi? S’mund të merren masa ndaj citimit. Pse ne nuk ndërhymë në Lazarat

0
129

Gëzim Saliu

berisha sali Ish-kryeministri: Në Parlament ka 10 Gate, më të pakrahasueshëm se ai i Lazaratit

 “Ministri kërkoi black-out total në Lazarat, po u kundërshtua nga qeverisja vendore”

 Pas përjashtimit nga punimet e Kuvendit për 10 ditë, ish-kryeministri i vendit Sali Berisha zgjodhi dje komunikimin me gazetarët për të përcjellë reagimin e tij lidhur me këtë çështje si edhe për aksionin e Policisë së Shtetit në Lazarat. Në bashkëbisedimin nga selia blu, deputeti demokrat theksoi se ndihej i nderuar nga masa e marrë nga ajo që ai e cilësoi si “Aleanca e Qelbësirave”. Për Berishën, në fjalët e përdorura në Parlament ndaj bashkëshortes së ministrit Veliaj nuk kishte fyerje dhe ofendime, pasi sipas tij, ato janë përdorur nga Kryeministri Rama në darkën e ditëlindjes së violinistit Tedi Papavrami. “Pasi shpërthen si i dezikuilibruar ndaj Adi Krastës, për të cilin unë, së pari nuk kam asnjë lloj miqësie me të, dua ta sqaroj, por kjo nuk më pengon mua kurrë të mbroj mediat, shkon me gojë të hapur si gorillë për ta kafshuar, dy zonja të pranishme në darkë hyjnë në mes për të qetësuar situatën. Njëra zonja Kumbaro, tjetra zonja Veliaj. Ua kthen, do të më falni për shprehjet tani, ti prostitutë, ti e tillë e ti e atillë, dhe burrat e tyre ulin kokën e nuk thonë një fjalë. Tani do t’i them Edi Ramës. Jo në gjininë e grave të familjes tënde, por ty personalisht, do t’i mbash për vete të gjitha këto fjalë që u ke thënë atyre dy zonjave, natyrisht jo në rrethin femëror të familjes, sepse nuk mundet kurrë një kryeministër, të bëjë një ofendim të tillë publik, as edhe privat, ndaj një nëne, ndaj një zonje, ndaj një vajze, ndaj një burri dhe ndaj askujt”, – theksoi ai. Ndërkohë, i pyetur nëse për fjalët e përdorura në Parlament, Berisha u përgjigj duke thënë: “Absolutisht që unë nuk them të tilla fjalë, përveçse fjalët që ka thënë ai. Këtu është problemi. A keni dëgjuar ndonjëherë në botë, që të merren masa ndaj citimit. Ky është rast unik. Autorësia është e Kryeministrit. Ai nuk tha nuk e kam thënë”.

 

Aksioni i Lazaratit

Duke bërë të ditur se nuk ka komunikuar asnjëherë me Gate Mahmutajn, Berisha theksoi se 10 herë më të pakrahasueshëm me të janë Gatet në Parlament. “Unë një numër kam dhe i bie e gjithë Shqipëria, i cili gjithë ditën bie dhe unë nuk mund t’i përgjigjem çdo numri, por po të kisha rastisur në kohë do t’i përgjigjesha, sepse mua më marrin edhe nga burgu, më marrin nga të gjitha anët. Këto ditë ju keni dëgjuar të lakohet emri i Gate Mahmutajt. Përgjegjësitë e tij ligjore do t’i nxjerrë Prokuroria, është në hetim. Por unë ju them një gjë, 10 herë të pakrahasueshëm me Gaten janë Gatet në Parlament. Si mund të luftojnë këta trafiqet, si mundet Edi Rama që të luftojë trafiqet kur me Belindën bën çdo gjë që sallonin e vipave ta përdorë për trafiqe. Si mund të luftojë Rama trafiqet kur në i themi ka avionë e ai na thotë që ka mushkonja”, – pohoi ai. Ndërkaq, deputeti i PD-së shprehu mbështetje për përpjekjen e policisë për të vënë nën kontroll çdo metër katror të këtij vendi dhe luftuar kriminalitetin e trafiqet, por tha se operacioni është i zhurmshëm dhe se ka krijuar kaos. “Mbrëmë zëdhënësi i Ramës për rendin u mundua të krijojë black-out total. Po! Dhe është kundërshtuar nga qeveria vendore. I kanë thënë se nuk ke dy pare mend, sepse nëse ti krijon black-out total këtu, ti krijon kushte për një batërdi, sepse vërtet mund të mendosh të infiltrosh në errësirë, por pastaj ti mund të biesh në kryqëzime zjarri dhe në gjëra më të paparashikueshme”. Ndërkohë, pyetjes se pse në 8 vite në pushtet qeverisja e djathtë nuk ndërmori asnjë operacion të tillë, Berisha u përgjigj duke pohuar: “Sepse ka qenë politika ime për të mos ndërhyrë. Pikë. Full stop.Të gjitha masat e tjera, përveç ndërhyrjes me forcë. Dhe nuk ka qenë një qëndrim i pabazuar. Ky qëndrim është shoqëruar me rënie drastike të mbjelljeve dhe këtu ka të dhëna për këtë. Ky qëndrim u bazua në disa çështje. Së pari në heqjen e skafeve. Po ashtu ua premë ujin e vaditjes. Po ia preve ujin kanabisit, se ai ujë do, ujë dhe diell. U bë një punë e jashtëzakonshme njohëse. Këta kanë vendosur ndërhyrje, unë nuk kam kundërshtim. Çdo qeveri bën zgjedhjen e vet. Ama një ndërhyrje sipas të gjitha rregullave dhe jo kaos, dhe jo të informohen bosët, dhe jo të mos ndiqen bosët e trafikut, dhe jo të ushtrohet terror psikologjik mbi popullatën, dhe jo të bëhen bastisje që nuk duhen bërë kurrë në një vend të lirë. Çdo qeveri bën zgjedhjen e vetë. Zgjedhja ime ka funksionuar”.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency