Kiço Londo, drejtor i Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli”

kico londoMe vendim të Këshillit të Ministrave, dje është emëruar drejtori i Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, regjisori Kiço Londo, në vend të Kastriot Çipit, që mbajti Teatrin e Komedisë. “Në mbështetje pikës 2, të nenit 100, të Kushtetutës, të pikës 3, të nenit 9, të ligjit nr. 10352, datë 18.11.2010, “Për artin dhe kulturën”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave vendosi që Kastriot Çipi, drejtor i Teatrit Kombëtar të Komedisë, të lirohet nga kjo detyrë. Ndërkohë, Kiço Londo emërohet drejtor i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”, – thuhet në vendimin e qeverisë. Londo rikthehet në ndërtesën që e ndërtoi vetë, në kohën kur ishte drejtor i Teatrit Kombëtar, një ndërtesë me të cilën theu tabunë duke e liruar nga salla bingove dhe e lotos.

Në fakt, kjo i ka rastisur Londos edhe kur mori drejtimin e Teatrit të Metropolit, duke shndërruar mjediset e estradës së Tiranës. Nuk dihet nëse regjisori tani do të ketë “mision” të transformojë mjedisin e Teatrit në përgjithësi, ku bashkëjeton dhe Teatri Kombëtar apo do të merret me Eksperimentin në Teatër, ndonëse nuk ka qenë aq partizan i ndërrimit të emrit, por as të mbetej vetëm për Komedi!

 

 

 

Share it :