Rama në Gjermani/ Statusi, si pilulë antidepresive për vendet që duan BE

 Florenc Drizari

18 Qershor Rama Gjermani“Statusi i kandidatit është një lloj pilule antidepresive për shoqëritë që kanë nevojë të kenë shpresë, ndërkohë që nuk janë plotësisht të gatshme të bëhen pjesë e BE-së”

 Kryeministri Edi Rama, gjatë vizitës së tij në Gjermani, në Berlin, deklaroi se Shqipëria i ka plotësuar kushtet për të marrë statusin e vendit kandidat për në BE. Në këtë vizitë të dytë në Gjermani brenda një kohe të shkurtër, Rama ishte i ftuar nga fondacioni “Friedrich Ebert” për të folur për domethënien që Bashkimi Evropian ka nga këndvështrimi i Shqipërisë dhe rajonit të Ballkanit, Kryeministri Rama rishprehu bindjen se Shqipëria dhe Ballkani në BE kanë nevojë për njëri-tjetrin.

Rama tha se qeveria e ka kaluar testin dhe se besonte që Shqipëria e meritonte statusin e vendit kandidat që në dhjetor të vitit të kaluar. Mosmarrja e statusit kandidat sipas Ramës nuk i solli ndonjë gjë të mirë as Shqipërisë, as rajonit. Kryeministri theksoi e cilësoi statusin e vendit kandidat si një “pilulë antidepresive” për shoqëritë që aspirojnë BE-në, çka i jep atij një vlerë e domethënie simbolike, e dalluar qartë nga faza tjetër, ajo e hapjes së negociatave për anëtarësim.

 

Rama

“Statusi i vendit kandidat, – u shpreh Kryeministri, – është natyrisht diçka krejtësisht e ndryshme nga anëtarësimi në BE, por është gjithashtu, diçka që nuk lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me negociatat. Statusi i kandidatit është një lloj pilule antidepresive për shoqëritë që kanë nevojë të kenë shpresë, ndërkohë që nuk janë plotësisht të gatshme të bëhen pjesë e BE dhe madje, as të hapin negociatat”, – deklaroi Rama. Kryeministri theksoi gjithashtu se mosdhënia e statusit të vendit kandidat është e paarsyeshme.

“Ta japësh statusin është jo vetëm e arsyeshme, por do të thotë që është si të japësh praktikisht pothuajse asgjë dhe të përfitosh shumë më tepër. Përfiton ndërtimin e shpresës dhe besimit të njerëzve në të ardhmen, në një zonë shumë të vështirë, për shkak të problemeve ekonomike, të papunësisë së lartë, problemeve sociale dhe, e fundit, por jo më e parëndësishme, mjafton të shihni një panoramë të asaj që po kalon Ballkani sot. Është një moment i veçantë në historinë tonë, i ekzistencës sonë mund të them, e cila është edhe më e madhe se vetë historia. Sepse për herë të parë që nga ekzistenca jonë si Ballkan, ne po jetojmë një vit pa konflikte, sepse rruga e paqes bëhet më e lehtë nëse u thua njerëzve se ka diçka shumë më të rëndësishme se konfliktet tona tradicionale, që është integrimi evropian dhe Evropa”, – u shpreh Kryeministri. Gjithashtu Rama foli edhe për domosdoshmërinë që rajoni ka për BE-në dhe anasjelltas. Vizita e Kryeministrit Rama në Gjermani vjen pak javë pas takimit zyrtar që ai pati me Kancelaren Angela Merkel. Në atë takim Kryeministri Rama i shprehu Kancelares angazhimin e qeverisë për të vazhduar ecurinë e reformave drejt BE-së, duke e njohur me nismat më të fundit të shumicës parlamentare. Ndërkaq, në takimet e fundit të Kryeministrit Rama me përfaqësues të lartë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, është theksuar rëndësia që ka marrja e statusit të vendit kandidat nga ana e Shqipërisë, si një motiv që pritet të nxisë më tej reformat drejtë Unionit.

 

PD: A do t’u tregojë Rama gjermanëve se po qeveris me të inkriminuar?

 Pas publikimit të lajmit për vizitën e Kryeministrit Rama në Gjermani, ka reaguar edhe Partia Demokratike lidhur me deklaratat e bëra. Zëdhënësja Laura Vorpsi me anë të një deklarate për shtyp ka kërkuar që Kryeministri të tregojë në Berlin se kush e drejton Qarkun e Vlorës. Më tej Vorpsi përmendi një sërë krerë institucionesh që sipas PD janë persona me precedentë penalë. “Herën e fundit që Edi Rama ishte në Gjermani, Kancelarja Merkel i kujtoi atij rëndësinë e sundimit të ligjit dhe sigurinë juridike. Çfarë do të thotë kësaj radhe Kryeministri në Berlin. Do t’u tregojë partnerëve gjermanë se në krye të qarkut të Vlorës ka vënë një person të përfshirë në rrëmbimin e një vajze të mitur në Itali. Do t’u tregojë vallë gjermanëve që kanë investuar kaq shumë në sistemin e ujësjellësve në Shqipëri, se drejtor të ujësjellësit të Patosit ka caktuar një të dënuar në Greqi për trafik droge me 16 vite burg. Do t’u tregojë vallë Edi Rama gjermanëve se sistemin e transportit të rrethit të Sarandës ia ka besuar një personi të arrestuar me 750 kilogramë drogë. Po për sigurinë juridike dhe sundimin e ligjit, a do t’u tregojë vallë Kryeministri Edi Rama, partnerëve gjermanë, se ka javë e muaj që ai vetë nuk zbaton vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ky është sistemi që ka instaluar në vend Edi Rama: “Alles ist nur Unsinn” (Të gjitha të tjerat janë vetëm gjepura!)”.

 

Marrëveshja, miratohet kredia 18 milionë euro për bypass-in e Vlorës

 Këshilli i Ministrave miratoi dje në mbledhje qeverie në parim marrëveshjen me Bankën Evropiane të Investimeve për marrjen e një kredie për ndërtimin bypass-it e Vlorës. Shuma që do të merret nga Banka Evropiane e Investimeve do të arrijë vlerën e 18 milionë eurove. Në mungesë të Kryeministrit Edi Rama, Këshilli i Ministrave u drejtua nga zëvendëskryeministri Niko Peleshi. Aktualisht Peleshi për shkak të mungesës së Kryeministrit Rama në Shqipëri, për shkak të takimeve jashtë vendit, ka drejtuar dy mbledhjet e fundit të qeverisë. Ndërkaq, në vendimin e qeverisë thuhet se: Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 26, të ligjit nr. 9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huasë në Republikën e Shqipërisë”, dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr. 8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave vendosi miratimin, në parim, të kontratës financiare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane të Investimeve, për bypass-in e Vlorës, me një kredi në shumën 18.000.000 (tetëmbëdhjetë milionë) euro, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

Share it :