Gëzim Saliu
“Partia ka lindur e lirë, me vullnetin e lirë të Azem Hajdarit, Sali Berishës e themeluesve të tjerë”
Kreu i PD-së: Anëtarët e PD-së kanë sjellë në krye energji dhe frymëzime të reja
Në kuadër të zgjedhjeve të brendshme, Partia Demokratike, si forca më e madhe opozitare në vend, po krijon ekipin e ri, ku në qendër të procesit është vendosur vota e anëtarësisë në të gjitha rrethet e vendit. Pas mbylljes së votimeve në Mat, Sarandë e Lushnjë me zgjedhjen e kryetarëve të rinj, procesi ka vazhduar me mbledhjen e kuvendit zgjedhor në degët e Librazhdit, Peqinit, Tropojës dhe Hasit. Në degën e Librazhdit u zgjodh kryetar i PD-së nga anëtarësia demokrate me 144 vota Bujar Vreto, ndërsa 5 rivalët e tij morën jo më shumë se 30% të votave. Ndërkaq, në degën e Peqinit u shpall fitues me 92 vota Diell Çela, ndërsa kandidati i tij Artjan Ashiku arriti të merrte vetëm 42 vota. Po ashtu ditën e djeshme janë zgjedhur edhe krerët e rinj të degëve të Tropojës dhe Hasit, përkatësisht Xhevdet Hoxha dhe Miftar Dauti.
Basha
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, mori pjesë dje në kuvendet zgjedhore të degës së Hasit dhe Tropojës, ku theksoi se në qendër të procesit është vendosur vota e lirë e anëtarëve demokratë. Sipas kryedemokratit, me zgjedhjet në seksione, në bazë të statutit dhe udhëzimit të lëshuar, partia ka përjetuar në themelin e saj përtëritjen dhe qarkullimin e nevojshëm të një numri të madh të zgjedhurish. Në këtë kontekst, Basha pohoi se me votën e tyre anëtarët e PD-së kanë sjellë në krye të seksioneve forca të reja, energji të reja, frymëzime të reja, synime të reja, pa të cilat, sipas tij, një parti politike nuk ka jetë, nuk ka të ardhme. “PD ka vendosur në themel të organizimit të saj, në themel të sistemit të saj të karrierës dhe të promovimit të vlerave, një parim të shenjtë që është vota e lirë e anëtarëve të PD-së; se vetëm me votë të lirë, sot e nga mot, do ta bëjmë PD-në më të madhe, më të fortë, më të bashkuar, më tërheqëse për rininë, më të sigurtë në rrugën e saj të fitores si alternativa e pushtetit të së djathtës dhe qendrës në Shqipëri”, – u shpreh kreu i PD-së. Ndërkaq, Basha nënvizoi para demokratëve se pushteti real në PD është pushteti i votës, pasi, sipas tij, duke vënë votën e anëtarësisë në themel të ripërtëritjes së forcës më të madhe opozitare, demokratët duhet të marrin dhe meritojnë të marrin përgjegjësi, për të zgjedhur ata që do t’i çojnë në fitore. “Kjo është partia e të gjithë demokratëve. Të gjithë jemi aksionerë të barabartë në këtë parti. Askush nuk ka tagër t’u thotë demokratëve se për kë të votojnë. Askush nuk ka tagër t’u mbajë dorën apo gojën demokratëve, askush nuk ka tagër t’u bëjë suflerin apo t’u mbyllë opsionet. Kjo parti ka lindur e lirë, me vullnetin e lirë të Azem Hajdarit, Sali Berishës dhe themeluesve të tjerë, me vullnetin e zotit dhe me vendosmërinë time e tuajën do mbetet parti e njerëzve të lirë”, – deklaroi kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Ndërkohë që në rrethe po mblidhen kuvendet për të zgjedhur krerët e rinj të PD-së, në Tiranë është thuajse në fund procesi i anëtarësimeve, të cilat janë rritur me 40%. Pas mbylljes së fazës së anëtarësimeve, do të jetë kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili do të nxjerrë udhëzimin e radhës për zgjedhjet në seksione e grupseksione e më pas do të zgjidhet nga anëtarësia përmes parimit një anëtar një votë edhe kreu i ri i degës më të madhe demokrate në vend.
Krerët e rinj të PD-së
Xhevdet Hoxha- kreu i ri i degës së PD-së në Tropojë
Miftar Dauti- kreu i ri i degës së PD-së në Has
Bujar Vreto- kreu i ri i degës së PD-së në Librazhd me 144 vota, ndërsa 5 rivalët e tij morën jo më shumë se 30% të votave
Diell Çela- kreu i ri i degës së PD-së në Peqin me 92 vota përballë Arjan Ashikut me 42 vota
Hariz Mema- kreu i ri i degës së Sarandës
Myslym Murrizi- kreu i ri i degës së Lushnjës
Ngjarjet në Lazarat/ Berisha: Po ushtrohet terror ndaj banorëve të Lazaratit
Policia e Shtetit po ushtron terror ndaj banorëve të Lazaratit. Kështu ka deklaruar dje me anë të një mesazhi në rrjetin social “Facebook”, ish-kryeministri Sali Berisha, duke theksuar se forcat e policisë po veprojnë në kundërshtim flagrant me ligjet dhe rregullat në kontrollin e banesave. “Vetë Policia e Shtetit mbrëmjen e djeshme ka hapur shtigjet, duke bërë të mundur largimin e grupeve kriminale më të rrezikshme, dhe bosëve kryesor të trafikut të drogës. Në pjesën më të madhe te komunës është ndërprerë energjia dhe interneti. Ndërkohë bëhet e ditur se gjatë natës ajo ka hapur shtegun për largim të grupeve kriminale me të rrezikshme dhe bosëve kryesor të trafikut, të cilët nuk i futi në listën e 26 personave të kërkuar, duke dëshmuar lidhjen e këtyre grupeve me qeverinë”, – theksoi Berisha. Më tej, ai ka theksuar se dënon dhunën, terrorin ndaj popullsisë civile, duke i bërë thirrje Prokurorisë se shtetit të nisi menjëherë hetimin për këtë çështje dhe keqtrajtimet e qytetareve te Lazaratit. “U bëj thirrje banorëve të dokumentojnë çdo rast të dhunimit të të drejtave, lirive dhe pronave te tyre si nga kriminelet ashtu dhe nga policia për të vënë para përgjegjësisë ligjore autoret e tyre të papërgjegjshëm. Stop terrorit ndaj popullsisë civile të Lazaratit!”, – u shpreh ish-kryeministri. Ndërkaq, deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, në përgjigje të Berishës, po në rrjetin social, tha se ish-kryeministri po keqpërdor “Facebook” për të marrë në mbrojtje kriminelët.





