Droga e Divjakës/ Piloti italian mohon përfshirjen, këmbëngul: Erdha për turizëm

0
190

Sonila Mesareja

Giorgo RiformatoProkuroria liston provat për Gjykatën dhe dëshminë e Sajmir Bajramajt, Apeli i Krimeve të Rënda lë në burg Giorgio Riformatton

 Piloti italian i avionit “Piper”, i cili u ul në plazhin e Divjakës për të marrë një ngarkesë me drogë, vijon ta mohojë përfshirjen në këtë trafik. Para gjyqtarëve të Apelit të Krimeve të Rënda, Giorgio Riformatto ngulmon që ka ardhur për turizëm në Shqipëri dhe se u detyrua të bënte ulje në plazhin e Divjakës, për shkak të një defekti teknik. Por, provat që disponon akuza dhe dëshmia e korrierit të drogës Sajmir Bajramaj, e inkriminojnë pilotin italian, çka bëri që edhe togat e zeza të lënë në fuqi masën “Arrest me burg” të caktuar nga kolegu i Shkallës së Parë, Idriz Mulkurti. Menjëherë pas përfundimit të seancës ka reaguar avokati i italianit, Ramazan Topuzi, i cili është shprehur për mediat se klienti i tij është i pafajshëm dhe se do i drejtohet me rekurs Gjykatës së Lartë.

 

Seanca

“Kam ardhur në Shqipëri për turizëm dhe i mohoj të gjitha akuzat që më bëni”. I njëjti qëndrim si disa javë më parë kur u përball me gjyqtarin Idriz Mulkurti, i cili e njohu me akuzat që rëndojnë ndaj tij. Ky qëndrim është mbajtur nga piloti italian Giorgio Riformatto edhe gjatë seancës së djeshme të mbajtur pranë Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda, ku ai dhe avokati i tij kanë kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë nga “Arrest me burg” në “Hetim në gjendje të lirë”. Por, pavarësisht kërkesës dhe pretendimit të Riformatos, Gjykata vendosi ta linte atë në burg deri në përfundim të hetimeve. Në përfundim të seancës së zhvilluar me dyer të mbyllura, avokati Ramazan Topuzi u shpreh për mediat se klienti i tij foli për Gjykatën dhe mohoi akuzat që janë ngritur ndaj tij. “Klienti im foli në seancë dhe mohoi përfshirjen në çështjen e drogës. Ai deklaroi se kishte ardhur për turizëm dhe zbriti në Divjakë për shkak të një defekti teknik. Do bëjmë rekurs në Gjykatën e Lartë”, – deklaroi hapin e radhës avokati Topuzi, duke shtuar se piloti italian kishte kërkuar lehtësim të dënimit për shkak të problemeve shëndetësore. Ndërsa lidhur me dëshminë e korrierit Sajmir Bajramaj, e cila inkriminon pilotin Riformatto, avokati Topuzi u shpreh se dëshmia e Bajramajt nuk ka të bëjë fare me klientin e tij, ndërsa ka shtuar se ai dhe klienti i tij do të kërkojnë rekurs të vendimit.

 

Akuza

Pretendimet e italianit Riformatto janë rrëzuar përgjatë dinamikës së ngjarjes së treguar nga përfaqësuesi i akuzës dhe provave që ai listoi për Gjykatën, të cilat inkriminojnë pilotin e avionit tip Piper. Në dëshminë e dhënë përpara trupës gjykuese, piloti italian Giorgio Riformato është shprehur se nuk ka lidhje me trafikun ajror të drogës, por se ishte në Shqipëri në turizëm. Arsyen e uljes së tij në Divjakë e ka arsyetuar me idenë e një defekti të aeroplanit që ai po pilotonte. Nga ana tjetër shqiptari Sajmir Bajramaj ka treguar gjithë skemën e trafikut të drogës, ndërsa ka pranuar se droga me të cilën ai u kap, ishte bërë gati për t’u ngarkuar në avionin e pilotit italian dhe më pas të transportohej në Leçe. Madje, akuza disponon foto apo dhe video të takimeve dhe lëvizjeve të kryera të dy prej të arrestuarve, pilotit italian dhe korrierit Bajramaj. Piloti Giorgio Riformatto u arrestua më 10 maj, pas rrëzimit të avionit të tij në Divjakë, i akuzuar për “trafik të lëndëve narkotike në bashkëpunim”, mbetur në tentativë, pasi pranë tij u arrestua shqiptari Sajmir Bajramaj në makinën e të cilit u gjetën të paketuara 460 kg marijuanë.

 

Gjyqi/ Tri dëshmi për çështjen “Gjika”, juristja: Procedurat e ndjekura, sipas ligjit

 Tre ish-punonjës të Bashkisë së Vlorës kanë dëshmuar seancën e djeshme, të zhvilluar ndaj kryebashkiakut Shpëtim Gjika dhe disa vartësve të tij. I pari ka dëshmuar Daut Zeraj, ish-drejtori zyrës Juridike në Bashki aktualisht me detyrë jurist pranë Bashkisë. Në dëshminë e tij, ish-drejtor i zyrës Juridike gjatë vitit 2010 në Bashkinë e Vlorës u shpreh se “të interesuarit për leje paraqisnin kërkesat në zyrën urbanistike, më pas në këshill teknik, më pas në KRRT”. Më tej në dëshminë e tij ai ka pohuar se “kishte raste që materialet për leje kalonin direkt në KRRT me propozim të kryetarit të saj, i cili është kreu Bashkisë Vlorë Shpëtim Gjika. “Nuk e shikoja dosjen faqe për faqe, por nëse lindte ndonjë problem juridik, atëherë shprehja mendimin si jurist. Në të gjitha rastet, dhënia e lejes së ndërtimit bëhej kur kishin dokumente pronësie”, – deklaroi ai. Po ashtu, Zëraj ka deklaruar se ka pasur raste se vetëm gjatë një mbledhje, KRRT e Vlorës ka miratuar 150 leje ndërtimi. Në seancë dëshmoi dhe ish-juristja e Bashkisë Lindita Bino, e cila tha se me aq sa kujton procedurat që ka ndjekur zyra Juridike ka qenë sipas ligjeve në fuqi.

 

Tiranë/ Sot në Gjykatë vëllezërit Shkreta e Llani, përballje në gjyqe të ndryshme për vrasjet mes tyre

 Sot në Gjykatën e Tiranës zhvillohen dy gjyqe për vrasje të ndodhura mes dy familjeve. Njëra trupë gjykuese gjykon vrasjet e kryera në familjen Llani dhe tjetra ato të kryera në familjen Shkreta. Vetëm një orë i ndan dy seancat gjyqësore, të cilat për koincidencë apo jo, zhvillohen në të njëjtën ditë. Kjo afërsi oraresh dhe dite do të sjellë edhe marrjen e masave të rrepta të sigurisë si për situatën jashtë ambienteve të gjykatës, ashtu dhe brenda sallave të gjyqit për të mos shkaktuar ndonjë incident të mundshëm. Vëllezërit Jetmir dhe Muharrem Llani akuzon për “Vrasje me paramendim dy herë” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, ndërsa vëllezërit Alban (Oligert) dhe Altin Shkreta akuzohen për “vrasje ne rrethana të tjera cilësuese kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit”. Çështjet e tyre janë transferuar nga Gjykata e Laçit për në Tiranë për arsye sigurie, ndërsa gjakmarrja mes dy familjeve ka shënuar një numër të madh viktimash.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency